Monday, May 25, 2009

EULEX-i dhe vjedhja në Polici

Loja pa fitues

EULEX-i dhe vjedhja në Polici

Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë në mënyrë të qartë dhe të saktë nga EULEX-i marrjen përsipër të rastit në mënyrë komplete, përkatësisht në aspektin policor, hetimor, prokurorial dhe gjyqësor. Ndërsa, EULEX-i e ka për detyrë, bazuar në mandatin e vet, që të merr përsipër këtë rast të rëndë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Varësisht prej rëndësisë, seriozitetit dhe sensitivitetit të ngjarjes, trajtimi i saj merr dimesion të ndryshëm. Kjo, sidomos, në rastet që kanë të bëjnë me institucionet e zbatimit të ligjit dhe, për më tepër, në rastet kur kredibiliteti i këtyre institucioneve vihet në pikëpyetje. E tillë është vjedhja në Policinë e Kosovës. Tashmë një muaj pas njoftimit publik se është vjedhur Dhoma e Dëshmive të Departamentit të Krimit të Organizuar në Shtabin Qendror të Policisë së Kosovës, ende nuk është njoftuar për ndonjë rezultat konkret. Për më tepër, deri më tash nuk është parë as ndonjë qasje profesionale dhe qasje të paanshme që do të duhej të shihnim. Janë katër elemente kryesore negative që kanë karakterizuar vjedhjen skandaloze në Polici. Së pari, ka dyshime të mëdha se nuk është treguar saktësisht për atë se çka në të vërtetë është vjedhur në Dhomën e Dëshmive. Së dyti, nuk ka veprime profesionale dhe të paanshme në zbardhjen e plotë të ngjarjes më negative në historinë e Policisë së Kosovës. Është parakusht i parakushteve zhvillimi i hetimeve prej trupe të pavarur. Së treti, ka ndërhyrje politike në zhvillimet e hetimeve rreth këtij rasti për shkak të tendencave dhe veprimeve të dëmshme të politizimit të Policisë së Kosovës dhe sidomos Shtyllës së Rendit dhe Shtyllës së Krimit në Policinë e Kosovës. Së katërti, këtu ka përgjegjësi politike dhe zyrtarët politikë udhëheqës të Kosovës dhe të këtij sektori mundohen që ta largojnë me çdo kusht përgjegjësinë politike.

II
Vërtetë, në raste të tilla të rënda, e tërë ajo që qytetarët dhe partnerët duan të shohin dhe të ndjejnë është fakti që qasja dhe trajtimi i atij rasti të jetë profesional dhe i paanshëm. Kjo është një domosdoshmëri e patejkaalueshme. Padyshim se në raste të këtilla duhet që të vërehet qartë qasje profesionale dhe e paanshme e hetimeve, ku largohet qartësisht mundësia e ndikimi politik. Po ashtu ka nevojë që të mos ketë mjegullim të hetimeve, transparencë dhe efikasitet. Rezultati i secilit rast të këtillë është i kushtëzuar me faktin që hetimi rreth tij të mos paraqet ndonjë lloj konflikt interesi. Prandaj, nëse kthehemi të rasti i rëndë i vjedhjes në Policinë e Kosovës të para një muaji, është e domosodshme që qeveria e Kosovës të ketë trajtim dhe qasje serioze në rrugën për zbradhjen e rastit. Për këtë qëllim, qeveria e Kosovës duhet të kërkojë në mënyrë të qartë dhe të saktë nga EULEX-i marrjen përsipër të rastit në mënyrë komplete, në të gjitha aspektet, përkatësisht në aspektin policor, hetimor, prokurorial dhe gjyqësor. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës, së bashku me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, duhet të ftojnë për ndihmë profesionale ekipe të trupave policore më të zhvilluara në botë. Raste të këtilla kanë ndodhur edhe në shtetet tjera, ku ekipe profesionale nga FBI, nga Anglia apo Gjermania kanë marrë përsipër apo kanë ndihmuar hetimet në ngjarje të rënda, sikurse ishte edhe vrasja e kryeministrit serb apo ish-kryeministres pakistaneze.

III
Bashkë me ndodhjen e rasteve të rënda, edhe kredibiliteti, besueshmëria dhe imazhi i një institucioni bëhet një objektiv që duhet ruajtuar dhe zhvilluar. Deri më tash, gjatë këtij një muaji, kemi parë shumë reagime të ndryshme që kanë vënë në pikëpyetje aftësitë e Policisë së Kosovës, pavarësisht se rreth nëntë vjet është investuar në imazhin e policisë, duke e cilësuar tërë kohën atë si tregim i suksesit në Kosovë. Por, një rast i vjedhjes së rëndë në komandën kryesore të policisë së Kosovës dhe mosefikasiteti në zbardhjen e rastit ka shkaktuar ndjenjën negative të popullatës së Kosovës ndaj këtij institucioni, sikurse kemi parë panot ngacmuese të ‘Plisave’ në Prishtinë. Prandaj, mënyra e trajtimit të rasteve të këtilla duhet të jetë e analizuar mirë, e udhëhequr nga parimet profesionale, nga paanshmëria dhe efikasiteti. Në asnjë mënyrë nuk duhet udhëhequr nga elemente të interesave personale, partiake, grupore apo qeveritare. Një formë e fuqishme dhe e domosdoshme për të tejkaluar çfarëdolloj tendence për ndikim politik në zbardhjen e këtij rasti është edhe kërkesa për EULEX-in që të merr përsipër në mënyrë të plotë rastin. Porse, edhe EULEX-i duhet që të veprojë shpejtë, me urgjencë dhe më pas të merr veprimet e duhura, pavarësisht se cilat mund të jenë adresat e përgjegjësisë në këtë rast, qofshin ato brenda policisë së Kosovës apo edhe jashtë saj.

IV
Bazuar në dokumentet themeltare të EULEX-it, është e qartë se ky Mision në realitet e ka për detyrë marrjen përsipër të rastit të rëndë të vjedhjes në policinë e Kosovës. EULEX-it i është përcaktuar se mandati i vet po ashtu i jep mundësinë për të përdorur kompetencat korrigjuese. Intervenimi përcaktohet posaçërisht në rast se autoritetet e Kosovës dështojnë ta ndalojnë dhunën ndaj komuniteteve jo shumicë apo në raste të ndërhyrjeve politike të cilat rrezikojnë sundimin e ligjit. Prandaj, përdorimi i kompetencave korrigjuese duket se është i nevojshëm në rastin e vjedhjes në policinë e Kosovës për shkak të shenjave të qarta të ndërhyrjes politike në këtë rast. Po ashtu, në dokumentin e titulluar “Qasja pragmatike e EULEX-it”, janë të përcaktuara shprehimisht gjashtë synimet e përgjithshme të cilat EULEX-i dëshiron t’i realizojë në partneritet me autoritetet e Kosovës: 1) Ndihmë institucioneve të Kosovës për Sundimin e Ligjit në arritjen e përparimit drejt qëndrueshmërise; 2) Ndihmë institucioneve të Kosovës për Sundimin e Ligjit në arritjen e përparimit drejt llogaridhënies; 3) Ndihmë në zhvillimin e institucioneve të Kosovës për Sundimin e Ligjit si organizata shumë-etnike; 4) Ndihmë për të siguruar që institucionet e Kosovës të Sundimit të Ligjit nuk kanë ndërhyrje politike; 5) Ndihmë për të siguruar që institucionet e Kosovës të Sundimit Ligjit i përkrahin standardet e njohura ndërkombëtare; 6) Ndihmë për të siguruar që institucionet e Kosovës për sundimin e Ligjit i përkrahin praktikat më të mira evropiane. Para, shihet qartsë se të gjitha këto synime strategjike përcaktojnë qartë nevojën e interevenimit të EULEX-it në këtë rast të rëndë.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”

Botuar në “Zëri” më 26 maj 2009, fq. 11.

No comments: