Monday, May 25, 2009

Mangësitë e shtetit

Loja pa fitues
Mangësitë e shtetit
Vonesat e pashpjegueshme në kompletimin dhe funksionalizimin e mekanzimave të rëndësishëm të shtetit kanë ndikuar në masë të madhe në të gjitha zhvillimet tjera brenda Kosovës, si edhe në qasjen ndërkombëtare për Kosovën. Këtu duhet përmendur konkretisht Agjencinë Kosovare për Intelegjencë, e cila nuk duket se ka shpresë se do të mund të funksionalizohet së shpejti. Për çështje të tilla nuk vlejnë fjalët ‘retorikë boshe’ apo ‘qëndrime qesharake’
Shkruan: Burim Ramadani
I
Atëherë kur shteti arrin stadin e qenit plotësisht funksional do të mund të bëhet krahasimet e sakta rreth asaj se çka në të vërtetë është duke i munguar sot Kosovës. Saherë që diskutohet dhe insistohet nga rrethe të ndryshme partiake apo në nivel ekspertësh për një çështje apo një politikë, në përgjigjet e shpejta zyrtarët e institucioneve kryesisht i kualifikojnë ato kërkesa si ‘retorikë boshe’ apo të ngjashme. Por, mangësitë e shtetit të Kosovës janë aq të shumta, sa që pa dyshim çdo ditë duhet të dëgjojmë opsione, kërkësa, insistime e rekomandime për të tejkaluar këtë gjendje të rëndë në të cilën gjendet Kosova dhe qytetarët e saj. Shteti i Kosovës është i ri dhe ka më pak se dy vjet të jetës, ndërsa problemet dhe vështirësitë janë të mëdha dhe i japin drejtim të ardhmes së vendit. Në këtë situatë, politikat shtetërore institucionale janë tepër të rëndësishme në secilin veprim dhe aspekt të mundshëm. Secili veprim apo mosveprim i shtetit ndikon në të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, qoftë për të mirë apo të për keq. Kemi parë deri më tash se politikat mosvepruese të institucioneve të Kosovës janë duke i kushtuar shumë vendit dhe qytetarëve. Vonesat e pashpjegueshme në kompletimin dhe funksionalizimin e mekanzimave të rëndësishëm të shtetit kanë ndikuar në masë të madhe në të gjitha zhvillimet tjera brenda Kosovës, sikurse edhe në qasjen ndërkombëtare për Kosovën. Këtu duhet përmendur konkretisht Agjencinë Kosovare për Intelegjencë, e cila nuk duket se ka shpresë se do të mund të funksionalizohet së shpejti.
II
Aktivizimi i vlerave të dëshmuara dhe vlerave të reja të popullit të Kosovës është mënyra më e mirë e përpjekjeve për avancimin e politikave zhvillimore të shtetit. Ta zëmë, në rastin e sektorit të sigurisë, tashmë kemi parë se Këshilli i Sigurisë ka formuar një Grup për hartimin e Strategjisë së Sigurisë Nacionale dhe kjo ka qenë një prej kërkesave kryesore të opozitës gjatë javës së kaluar. Në të vërtetë, janë tri elemente kryesore të cilat duhet të përfshihen në këtë kontekst. Së pari, Grupi për hartimin e Strategjisë së Madhe duhet të grumbullojë, pos përfaqësuesve të qeverisë, edhe ekspertë të fushave të ndryshme nga vendi dhe universitetet perëndimore, sikurse edhe përfaqësues të partive politike opozitare. Së dyti, puna duhet të fillojë menjëherë dhe të përcaktohet dinamika e shpejtë e veprimit në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë sa më shpejt dokumentin themeltar për aspektin e sigurisë. Së treti, të jetë gjithëpërfshirës dhe të adresojë në mënyrë sa më specifike problemet dhe mekanizmat për zgjidhjen e tyre. Për këtë, duhet bashkim konceptual, institucional, qytetar dhe patriotik. Për çështje të tilla nuk vlejnë fjalët ‘retorikë boshe’ apo ‘qëndrime qesharake’. Me këto pozicione, nuk i ndihmohet fare Kosovës dhe zhvillimit politik e qytetar të vendit. Pozicionime të tilla në proceset e rëndësishme për vendin janë vërtetë qëllim-këqija dhe dëmtuese për të ardhmen. Të gjithë duhet kontribuuar në funksionalizimin e asaj që është ndërtuar deri më tash me shumë mund dhe aktivitetet të pandërprerë.
III
Kosova ka specifikat e veta në aspektin e sigurisë dhe aspektin politik. Në krahasim e shumë shtete të rajonit dhe botës, Kosova ka disa disavantazhe për shkak të gjendjes aktuale të rëndë sa i përket kontrollit shtetëror, kontrollit të territorit, sigurisë së kufijve dhe sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, është e pakuptueshme që saherë të diskutohet për sigurinë dhe shtetin, të mos diskutohet për verin e Kosovës dhe gjendjen e papranueshme atje. Është vërtetë e rëndësishme që institucionet e Kosovës më në fund të fillojnë të mendojnë në mënyrë reale se problemi i veriut të vendit nuk është çështje e projekteve të rindërtimit ato projekteve multi-etnike, por është çështje e sundimit të ligjit, rendit shtetëror dhe kontrollit kufitar e doganor. Prandaj, edhe duhet që të ketë një strategji të posaçme dhe të orientuar vetëm për atë pjesë. Duhet që së pari të qartësohen dhe institucionalizohen interesat nacionale që lidhen me atë pjesë të Kosovës. Pastaj, duhet të bëhet vlerësimi i të gjithë faktorëve që kërcënojnë dhe rrezikojnë shtetin e Kosovës atje. Më tutje, duhet të përcaktohet masat dhe veprimet që duhet ndërmarrë për të mundësuar neutralizimin, tejkalimin dhe zhdukjen e këtyre kërcënimeve dhe rreziqeve. E njëjta logjikë institucionale duhet të përdoret edhe për pjesë të caktuara të territorit të Kosovës, sikurse është Shtërpca, ku problemet janë të dukshme dhe mundësitë e eskalimit të situatës së sigurisë janë të mëdha. Këto janë çështje të cilat duhet të adresohen në mënyrë institucionale dhe pa ‘retorika boshe’.
IV
AAK-ja ka ngritur disa herë shqetësimet reale mbi atë se në çfarë gjendje ndodhet aspekti i sigurisë, politikat e sigurisë dhe orientimi i shtetit sa i përket zhvillimeve të sigurisë nacionale dhe asaj të përgjithshme të brendshme. Së fundmi, janë ngritur shqetësimet për mungesën evidente të politikave të sigurisë dhe kjo është një prej mangësive më të mëdha të shtetit. Në të vërtetë, e tërë kjo lidhet në mënyrë të qartë me Strategjinë e Sigurisë Nacionale dhe Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Politikat e sigurisë përcaktohet në Strategjinë e Sigurisë Nacionale dhe Kosova nuk e ka këtë Strategji. Një shtet që nuk ka Strategjinë e Sigurisë, automatikisht do të thotë se nuk ka politika të sigurisë. Një shtet që nuk ka politika të sigurisë, automatikisht do të thotë se ende nuk ka bërë vlerësimet e rëndësishme që duhet t’i bëjë shteti. Këto kanë të bëjnë me vlerësimet se cilat janë interesat vitale nacionale të shtetit? Po ashtu, cilat janë kërcënimet dhe rreziqet kryesore që i kanosen këtyre interesave vitale nacionale? Këto nuk janë pjesë të ndonjë ‘retorike boshe’. Kjo është temë e rëndësishme e të cilën shteti i Kosovës, Këshilli i Sigurisë dhe Qeveria e Kosovës do të duhej të merreshin prej kohësh. Tashmë jemi dëshmitarë se Këshilli i Sigurisë ka pranuar disa prej rekomandimeve të AAK-së dhe kjo sigurisht se duhet përshendetur. Porse, po ashtu duhet të punohet në rekomandimet tjera që kanë të bëjnë me qasjen institucionale ndaj veriut të Kosovës. Pjesa e veriut të Kosovës kërkon një strategji të posaçme institucionale.
Botuar nëri"Zëri" më 11 maj 2009, fq.

No comments: