Monday, May 25, 2009

Vjedhja e sigurisë

Loja pa fitues
Vjedhja e sigurisë
Për shkak të mosefikasitetit dhe mungesës së rezultateve për rastin e rëndë, vjedhja e këtillë mund të merr kualifikimin e menjëhershëm se është vjedhje e sigurisë së Kosovës, sigurisë së qytetarëve, sigurisë së shtetit dhe sigurisë së të ardhmes. Kjo për arsyen e fortë se ndërhyrja politike në zhvillimin e hetimeve është e dukshme
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vjedhja e bërë disa javë më parë, edhe pse ende nuk është e qartë se kur saktësisht ka ndodhur, në Policinë e Kosovës ka ngritur pyetje e dilema të mëdha, të fuqishme dhe qenësore për situatën në të cilën ndodhet shteti dhe shoqëria kosovare. Jo për ndonjë qasje apo shqetësim të rastit rreth asaj që është publikuar se ka ndodhur, por për shkak të tronditjeve që merr sistemi shtetëror drejt asaj se kah është duke shkuar shteti, përkatësisht orientimit rrënjësor që merr shteti. I tillë ka qenë edhe skandali i paprecedent në Policinë e Kosovës pak kohë më parë, sikurse edhe qasja e paprecedent e ndërhyrjes ndikuese politike në zhvillimin e hetimeve për zbardhjen e rastit të rëndë të vjedhjes së provave në Dhomën e Dëshmive në komandën kryesore policore. Për shkak të mosefikasitetit dhe mungesës së rezultateve për rastin e rëndë, vjedhja e këtillë mund të merr kualifikimin e menjëhershëm se është vjedhje e sigurisë së Kosovës, sigurisë së qytetarëve, sigurisë së shtetit dhe sigurisë së të ardhmes. Kjo për arsyen e fortë se ndërhyrja politike në zhvillimin e hetimeve është e dukshme. Tek e fundit, për këtë rast, sikurse edhe në rastet e rënda që ndodhin në vende të ndryshme të botës, institucionet shtetërore kërkojnë ndihmën e jashtme, me qëllim të shmangies së çfarëdo mundësie ndikimi të hapur apo të tërthortë politik.
II
Janë shumë rreziqe dhe kërcënime me të cilat përballet shteti në kohën e sotme dhe zhvillimet e tashme globale. Pos lëvizjeve dekonstruktive ndërkombëtare, sikurse janë ideologjitë fundamentaliste apo të ngjashme, shtetet individualisht rrezikohen dhe kërcënohen nga një varg elementesh të brendshme dhe të jashtme. Krimi i organizuar, krimet trans-nacionale, korrupsioni dhe brishtësia kufitare janë ndër rreziqet dhe kërcënimet më të mëdha me të cilat përballet Kosova. Duke i shtuar edhe faktin se Kosova nuk ka aftësinë për të kontrolluar tërë territorin e vet, nuk është anëtare e mekanzimave ndërkombëtarë të rëndësishëm në këtë sektor, sikurse edhe mungesën e plotë të vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar dhe të këqijat tjera, atëherë është mëse e qartë se drejtimi që ka marrë Kosova është drejtim shqetësues jo vetëm për vendorët, por edhe për ndërkombëtarët. Duke mos vepruar me asnjë hap konkret, institucionet e Kosovës i kanë vazhduar ‘mandatin’ status-quos së deritashme, për ta zhvilluar atë në një gjendje të rrezikshme për sigurinë e shtetit, të ardhmen dhe prosperitetin e shtetit dhe shoqërisë kosovare. Politika e gjumit e institucioneve kosovare ka bërë që shteti i ri të shihet si një prej hapësirave ideale për krim të organizuar dhe kontrabandë. Kjo dëmton pashmangshëm shtetin dhe të ardhmen e Kosovës.
III
Ora vendimtare për fillimin e vërtetë të luftimit të krimit të organizuar në Kosovë është në realitet koha e tashme, janë ditët e tashme dhe parakushtet ekzistuese. Askush nuk mund të flas konkretisht për çfarëdo lloj veprimi konkret si pjesë e luftës kundër krimit të organizuar në Kosovë gjatë këtyre muajve. Kjo, ndërkaq, ndodh në Kosovën e pushtuar nga propaganda politike qeveritare se gjoja institucionet janë shumë të suksesshme në luftën e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera negative. Por, më shumë se një vit pas deklarimeve pompoze se Kosova ka arritur suskes të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit, për shembull, ne kemi parë iniciativën (e vonuar) të qeverisë së vendit për të filluar draftimin e një strategjie kundër korrupsionit. Dilema e menjëhershme që ngritet ka të bëjë me pyetjes së përse ka nevojë Kosova të ketë strategji kundër korrupsionit kur qeveria e saj paska pasur sukses të jashtëzakonshëm në këtë drejtim edhe pa strategji? Kjo është e qartë se ka qenë një mashtrim publik i kësaj kohe dhe, sikurse në secilin rast, e vërteta del në shesh. Prandaj, institucionet dhe qeveria e Kosovës, duhet të heqin dorë nga politika e tyre e retorikave boshe për t’u angazhuar konkretisht në ushtrimin e përgjegjësive që kanë marrë nga populli, me qëllim të zhvillimit të Kosovës dhe të ardhmes së saj.
IV
Saherë që ndodhin rastet e rënda sfiduese për shtetin, veprimet institucionale duhet të jenë të shpejta, të fuqishme, të vendosura, të përkushtuara dhe të guximshme. Për më tepër, veprimet institucionale duhet të kenë karakter bashkëpunimi, lehtësimi dhe inkurajimi për zbardhjen e rasteve të caktuara dhe në asnjë mënyrë ato nuk duhet të paraqesin pengesë për hetimet profesionale dhe të paanshme. Qoftë në aspektin direkt, apo edhe në aspektin e ndikimit politik të tërthortë, institucionet e shtetit duhet ta kenë të qartësuar se një zhvillimi i tillë është dëmtues për mekanizmat, dëmtues për shtetin, për shoqërinë dhe për ardhmërinë. Shqetësimet janë të mëdha për forcën dhe vullnetin e Kosovës për të luftuar këto dukuri. Ish-diplomati amerikan, Hooper, ka shkuar edhe më tej. Ai tha se Kosova mund të kualifikohet në një mënyrë edhe si shtet që po shkon kah dështimi. Institucionet shtetërore kosovare duhet të kuptojnë mirë dhe pastër se çfarë dëmi po i sjellin vendit dhe ardhmërisë sonë të përbashkët me këtë politikë destruktive, jodemokratike dhe politikë të sistemit të kaluar. Ato po shkatërrojnë të arriturat e deritashme. Kosova ka nevojë për politikë të re, për qasje të re, për veprime konkrete zhvillimore. Kosova ka nevojë për një elitë demokratike udhëheqëse, e bazuar në orientimin e qartë drejt Perëndimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”.
Botuar nëri"Zëri" më 18 maj 2009, fq. 10.

No comments: