Sunday, May 3, 2009

Kufijtë e pasigurt të Kosovës

Loja pa fitues 

Kufijtë e pasigurt të Kosovës 

Kosova nuk është e përjashtuar nga nevoja për të kontribuar në sigurinë e përgjithshme të rajonit dhe globit. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon të meta të mëdha të Kosovës, të politikës së saj institucionale të mosveprimit dhe mos-marrjes me çështjet e rëndësishme. Kufijtë e Kosovës janë më të pasigurtët në rajon, anipse shpesh kemi dëgjuar kryeministrin e vendit të thotë të kundërtën 

Shkruan: Burim Ramadani 

I

Brishtësia e kufijve të Kosovës është njëra nga arsyet kryesore të dështimit të vendit në shmangien e rreziqeve të mëdha që kërcënojnë sigurinë rajonale dhe globale. Po ashtu, Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e duhur në krijimin e bazës normale për luftimin e dukurive negative që janë duke u zhvilluar në rajonin Ballkanik. Të gjitha këto shqetësime të qytetarëve të Kosovës, ekspertëve të sigurisë dhe partive politike të moderuara në Kosovë janë të qëndrueshme dhe kërkojnë aftësimin e institucioneve shtetërore të Kosovës për t’u angazhuar në përmbushjen e obligimeve të vendit, jo vetëm për politikën e brendshme, por po ashtu edhe për kontributin e shtetit të ri në rajon dhe në botë. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit ka vënë në pah po ashtu pikërisht këto të meta të mëdha të Kosovës, politikës së saj institucionale të mosveprimit dhe mos-marrjes me çështjet e rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë. Kufijtë e Kosovës, vërtetë, janë më të pasigurtët në rajon, anipse ne shpesh kemi dëgjuar Kryeministrin e vendit të thotë të kundërtën. Por, raportet ndërkombëtare tregojnë atë që po ndodh në realitet, dhe kjo ka të bëjë me moskontrollimin e kufijve të Kosovës, duke mundësuar kështu edhe aktivitetet e kërcënimeve më të rënda, sikurse është terrorizmi ndërkombëtar. Kjo, në fakt, është faza më e rëndë që përballet Kosova gjatë tërë historisë së saj të ekzistencës sa i përket zhvillimeve negative rajonale dhe globale të ideologjive terroriste. 

II

Vetëm qasja serioze ndaj probleme të rënda të përgjithshme dhe specifike mund të rezultojë me të arritura të suksesshme. Kjo tashmë saherë është demonstruar të jetë e vërtetë dhe të jetë një prej strategjive kryesore të shteteve dhe shoqërive të zhvilluara të botës. Në këtë linjë mund të vendoset edhe bashkëpunimi i shtetit të Kosovës me shtetet Perëndimore, institucionet, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë për çështjet e sigurisë globale dhe ato rajonale. Nuk do mend se Kosova nuk paraqet ndonjë përjashtim sa i përket kërcënimeve, lëvizjeve rrënuese dhe dukurive negative me të cilat përballet globi, njerëzimi, Perëndimi dhe rajoni Ballkanik. Është fjala për aktivitetet e ndryshme që kanë qëllime të përcaktuara kundër vlerave Perëndimore, demokracisë liberale, të drejtave të njeriut, tolerancës fetare, orientimit Perëndimor dhe zhvillimit shoqëror. Kjo ka të bëjë me lëvizjet e caktuara me frymë fundamentaliste, e cila jo vetëm që ka tentuar deri më tash të kthejë prapa shtete dhe shoqëri të ndryshme, por edhe ka qenë një prej shkaktarëve kryesorë të dhunës, luftërave dhe shkeljeve masive të të drejtave të njeriut. Lëvizje të tilla ideologjike tashmë janë bërë pjesë e kërcënimeve kryesore të sigurisë globale, zhvillimit të përgjithshëm të demokracisë, sikurse edhe drejtimit të popujve kah vlerat e përbashkëta të moderuara. Me kërcënime të këtilla përballet jo vetëm pjesa Perëndimore e botës, por edhe rajone të ndryshme të brishta, si është rajoni i Ballkanit.   

III

Vendosja e politikave për bashkë-rendimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërkombëtare dhe rajonale në kohët moderne është një prej domosdoshmërive të padiskutueshme me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt rajonal dhe ndërkombëtar. Në këtë kontekst, secili shtet veç e veç ka obligimet, përgjegjësitë dhe detyrat e veta për të përmbushur në mënyrë që të jetë kontribues i natyrshëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare. Edhe Kosova, si shtet i ri i ndërtuar në bashkëpunim e fuqitë Perëndimore dhe botën demokratike, ka obligimet e e veta të panegociueshme sa i përket zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare, sikurse edhe kryerjen e detyrave të saj për të ndikuar në ndërtimin e sigurisë rajonale. Kosova nuk është e përjashtuar nga nevoja për të kontribuar në sigurinë e përgjithshme të rajonit dhe globit, dhe për këtë qëllim institucionet qeveritare duhet të jenë vërtetë të kujdesshme dhe vullnetplote për të ndërmarrë hapa konkretë. Por, kjo nuk po ndodh dhe këtyre ditëve është konstatuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe mekanizmat tjerë vendorë, as që janë marrë seriozisht deri më tash me çështjet e këtilla kërcënuese për vendin, rajoni dhe botën. Krimi i organizuar, lëvizjet terroriste dhe dukuritë tjera negative deri më tash kanë gjetur Kosovën si vend të përshtatshëm për të zhvilluar aktivitetet e tyre në dëm të interesave të përgjithshme. 

IV

Bazuar në dokumentet mbi të cilat u pavarësua Kosova, tashmë sa kohë është hapur mundësia për krijimin e institucioneve e mekanzimave që nuk kanë ekzistuar më parë në vend. Sikurse është përcaktuar edhe në Planin e Ahtisaarit, në Aneksin e Tetë, pika 1.1, Kosova ka kompetenca mbi zbatimin e ligjit, sigurisë, drejtësisë, sigurisë publike, inteligjencës, organeve civile emergjente dhe kontrollit të kufijve në territorin e saj. Dhe, pikërisht me këtë formulim, Kosova merr përsipër edhe detyra dhe obligime të veçanta tejet të rëndësishme edhe për sigurinë rajonale e ndërkombëtare. Elita e tashme udhëheqëse e Kosovës duhet ta ketë parasysh se politika e tyre e mosveprimit nuk po ndikon tashmë për të keq vetëm brenda Kosovës, por edhe në rajon dhe më gjerë. Përgjegjësia e të qenit shtet nuk është vetëm e brendshme. Shtetet kanë përgjegjësi të mëdha edhe në aspektin rajonal, edhe në atë ndërkombëtar. Tek e fundit, e çfarë morali institucionet e Kosovës nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret për të luftuar kërcënimet që i shfaqen popullit të saj dhe po ashtu miqve më të fuqishëm ndërkombëtarë? Cila është përgjegjësia e Kosovës në raport me SHBA-të dhe Evropën Perëndimore nëse Kosova nuk ka vullnet politik të jep ndihmën e vet kërcënimeve të tilla? Populli i Kosovës nuk është i gatshëm t’i kthejë shpinën miqve ndërkombëtarë. Në bazë të këtij vullneti, duhet të ndërtohen edhe politikat shtetërore. Kjo, fatkeqësisht, nuk po ndodh.

Botuar në "Zëri" më 4 maj 2009, fq.


No comments: