Wednesday, April 2, 2014

Qeverisje me duar të pastra

Qeverisje me duar të pastra


BURIM RAMADANI

Është momenti i kthesës. Nuk mund të vonohemi edhe më shumë. Pasojat e vonesave do të jenë jashtëzakonisht të mëdha. Duhet filluar për së mbari. Duhet filluar drejtimin me duar të pastra. 
Qeverisje me duar të pastra duhet të jetë synimi ynë i pakompromis. Mjaft më me vjedhje, afera korruptuese, skandale, abuzime, keqpërdorime, keqmenaxhime, manipulime, mashtrime e degradime të institucioneve. Ky është fundi.

Fillimi i ri, së shpejti, do të mund të nxjerr Kosovën nga ky cikël keq-menaxhimi dhe keq-qeverisje që po ndodh tash e disa vjet. Fillimi i ri, së shpejti, do të mund të drejtojë përgjegjësinë e atyre që shkatërruan shpresën, manipuluan paranë e popullit dhe orientuan pothuajse gjithçka tek interesat personale, grupore apo klanore. Këta duhet të japin përgjegjësi ligjore. Nuk mund të mbyllen sytë para këtyre abuzimeve.

Një fazë e re po troket në vetëdijen e qytetarëve dhe partive serioze politike në Kosovë. Një nisje e re për politikën, qeverisjen dhe logjikën e të menduarit politik në Kosovë duhet të ndërtohet së shpejti. Përndryshe, na mori Drini.
Kjo nisje e re lidhet e ndërlidhet vetëm me një koncept fundamental dhe të padilemë: Qeverisjen me duar të pastra.
Shumë herë është dëgjuar ky koncept. Por, është thënë dhe dëgjuar kryesisht për të mbuluar qëllimet e këqija të politikanëve të caktuar joseriozë, të cilët gjithçka kanë bërë dhe po bëjnë për t’u pasuruar në kurriz të popullit të Kosovës.

Një qeverisje me duar të pastra mund të bëhet në Kosovë. Ka aq kapacitete intelektuale dhe njerëzore sa për të mos vazhduar së rrokullisuri edhe më tutje në këtë humnerë të cilës i është drejtuar Kosova. Humnerës së jofunksionalitetit për shkak të nivelit tepër të lartë të korrupsionit dhe krimit.
Por, çka duhet bërë për të vendosur qeverisje me duar të pastra?
Së pari, duhet vendosur parime themelore. Një ekip politik (qoftë parti, qoftë koalicion) që është serioz në pretendimet për të udhëhequr Kosovën nuk ka sesi të mos vendos parimet prijëse.
“Asnjë kandidat për deputet, asnjë ministër, zëvendësministër, këshilltar politik apo drejtor i agjencive dhe departamenteve qeveritare nuk do të pranohet nëse është nën hetime apo përflitet me dyshime të bazuara për afera korruptuese dhe krim”, duhet të jetë parimi i parë dhe fundamental.

Nëse partitë politike nuk janë në gjendje të bëjnë këtë, atëherë nuk do të jenë në gjendje as të qeverisin si duhet dhe të menaxhojnë mirë paratë e popullit.
Respektimi i plotë i këtij parimi themelor do të ndërtojë rrugën dhe mundësinë për qeverisje me duar të pastra.
Të paktën dhjetë (10) qëllime duhet të vendosen për këtë koncept të ri të qeverisjes në Kosovë. Pra, me një qeverisje me duar të pastra: 1) Sundimi i ligjit është bazë për zhvillim; 2) Korrupsioni dhe krimi i organizuar luftohen pa kompromis; 3) Policia e Kosovës - lidere në rajon; 4) Qytetarët janë të sigurt për jetën dhe pronën; 5) Fëmijët nuk frikësohen që të shkojnë në shkollë; 6) Drogat nuk prodhohen dhe nuk sillen nëpër Kosovë; 7) Afaristët nuk frikësohen nga grupet kriminale; 8) Siguria në trafik rritet maksimalisht; 9) Emergjencat nuk vonojnë në raste të fatkeqësive; 10) Armët ilegale hiqen nga duart e qytetarëve.

Këto nuk janë të paarritshme. Por, duhet patjetër dhe pa asnjë dilemë që qeverisja të jetë nga njerëzit e pastër dhe të pazhytur në korrupsion e krim.
Ky është momenti i kthesës. Ndryshe nuk bën.

Botuar në TRIBUNA, më 27 mars 2013

No comments: