Thursday, April 3, 2014

SHPËLARJA E TRURIT PRODHOI KAMIKAZIN E PARË SHQIPTAR

SHPËLARJA E TRURIT PRODHOI KAMIKAZIN E PARË SHQIPTAR

Shpëlarja e trurit prodhoi kamikazin e parë shqiptar. Ky është kulmi i ndikimit të gjuhës së urrejtjes tek një person. Por, edhe më tutje, ndikimi i gjuhës së urrejtjes mund të pasohet me raste tjera të këtilla. Për më keq, mund të ndodhin edhe në Kosovë! Mendojeni pak, një djalë i ri nga Ferizaj, shqiptar i Kosovës, merr rrugë për në Irak, që të eksplodojë veten për të vrarë njerëz të pafajshëm! A keni menduar se do të vijë kjo ditë? 


BURIM RAMADANI

Është arritur niveli më i lartë i deritashëm në projektin ekstremist islamist për shpërlarjen e trurit. Fatkeqësisht, Kosova ka marrë lajmin tronditës që një ri - shqiptar i Kosovës - ka bërë sulm vetëvrasës kundër civilëve të pafajshëm në Irak, duke vrarë 52 njerëz të pafajshëm.
Kush nga ju do të besonte se kaq shpejt do të ndodhë një zhvillim kaq negativ?

Gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet e panumërta

Shpëlarja e trurit prodhoi kamikazin e parë shqiptar. Ky është kulmi i ndikimit të gjuhës së urrejtjes tek një person. Por, edhe më tutje, ndikimi i gjuhës së urrejtjes mund të pasohet me reste tjera të këtilla. Për më keq, mund të ndodhin edhe në Kosovë! 
Mendojeni pak, një djalë i ri nga Ferizaj, shqiptar i Kosovës, merr rrugë për në Irak, që të eksplodojë veten për të vrarë njerëz të pafajshëm!
A keni menduar se do të vijë kjo ditë? 
Rreth 7 (shtatë) vjet më parë, në vitin 2007, kam filluar të ngre zërin publikisht kundër një dukurie të keqe: rrymave ekstremiste fundamentaliste islamiste.
Këto rryma nuk kanë asgjë të përbashkët me misionin paqësor dhe të dashurisë që ka feja Islame. Nuk kanë asgjë të përbashkët me fjalët e Zotit në Kur'an dhe as me mësimet e Profetit Muhamet.
Këto rryma janë thjesht rryma ideologjike politike, që kanë qëllime të dhunshme politike afat-gjata.
Këto rryma synojnë të ndajnë njerëzit, jo të bashkojnë.
Synojnë të mbjellin urrejtje, jo dashuri.
Synojnë të mbyllin mendjen e njeriut, jo të zhvillojnë.
Synojnë të ndalin përparimin e njerëzimit, jo të avancojnë.
Këto rryma të këqija po luftohen sot edhe në vendet që me Kushtetutë janë vende Islame dhe sistemin juridik e kanë të bazuar mbi Sheriatin.
Këto rryma luftohet sot edhe në shtetet e fuqishme të Lindjes së Mesme, edhe në ato më të varfra në Afrikë.
Këto rryma të këqija duhet të luftohen aktivisht edhe në Kosovë, edhe brenda kombit shqiptar.
Këtë e kam ngritur publikisht për vite me radhë.
Fatkeqësisht, shpesh kam ndier “kryqëzimin” në opinionin publik. Vetëm pse kam thënë të vërtetën për një kërcënim të sigurisë kombëtare.
Menjëherë patën filluar gjuha e urrejtjes, etiketimet dhe akuzat nga më të ulëtat.
"Islamofob”, “Kryqali i Serbisë”, “Jahudi”, “Me komplekse inferioriteti”, “I paguar kundër Myslimanëve”, “Anti-96 për qindëshit të popullatës”, “Ateist”, “Urrejtës i Islamit”, “Kriminel”, e gjithçka tjetër më është thënë për të paktën tri (3) vjet me radhë. Në televizione, radio, gazeta, portale dhe rrjete sociale.
E vërteta e atëhershme dhe e tashme është se unë nuk jam i tillë.
As “Islamofob”. As “Kryqali i Serbisë”. As “Jahudi”. As “Me komplekse inferioriteti”. As  “I paguar kundër Myslimanëve”. As “Anti-96 për qindëshit të popullatës”. As “Ateist”. As “Urrejtës i Islamit”. As “Kriminel”.
Përkundrazi, jam:
Shqiptar. Mysliman. Krenar që jam shqiptar. I paguar për punën e deputetit dhe ligjëruesit në ISPE (pra, këto janë të ardhurat e mia). E dua kombin tim shqiptar dhe shtetin tim Kosovën. Besoj në Zot. Nuk urrej asnjë njeri, asnjë komb dhe asnjë fe. Nuk kam pasur asnjëherë dhe nuk kam bash asnjë aferë korrupsioni apo krimi. Larg qofshin!
Por, për dallim nga shumë të tjerë, nuk jam injorant! As nuk jam frikacak!
Të numëruara deri më tash, vetëm gjatë këtyre tri viteve të fundit, kam pasur 963 kërcënime me jetë apo në kuptim fizik. Shumica prej tyre më janë drejtuar direkt, ndërsa pjesa më e madhe kanë qenë me emra të rrejshëm. Mos të flas për sharje, fyerje dhe ofendime.
I kam marrë me shqetësim. Por, shqetësimi im nuk ka qenë asnjëherë aspekti i sigurisë.
Shqetësimi im ka qenë injoranca e opinionit publik. Rehatia përballë një të keqe të vërtetë. Jam shqetësuar përse të tjerët në opinionin publik nuk po e vërejnë këtë të keqe.
Më ka shqetësuar injorimi që i është bërë kësaj teme për vite me radhë. Dikur më vonë, kryesisht gjatë vitit 2013, ka filluar të bëhet temë e opinionistëve dhe disa politikanëve të caktuar në parti të caktuara.
Por, normalisht, më mirë vonë se kurrë!
Më kujtohet kur krejt vonë, në javën e parë të vitit 2013, në një intervistë televizive, gazetari më akuzonte dhe më kritikonte direkt përse unë thosha që të rinjtë e Kosovës nuk duhet të shkojnë që të luftojnë për motive fetare në Siri.
“Kryengritësit po i përkrah Amerika, ti qenke me Asadin”, më thoshte njëri prej gazetarëve më të njohur në Kosovë.
U desh të kalojnë muaj të tërë, në të vërtetë  më shumë se një vit, që të vijë koha kur Kosova harton Ligj për të ndaluar bashkimin në luftërat tjera, duke u bazuar në luftën e Sirisë.

Siguria Kombëtare mbi të gjitha

Vizioni për sigurinë kombëtare është një prej shtyllave të domosdoshme të partive politike dhe institucioneve shtetërore. Unë i takoj shkollës së mendimit që Siguria Kombëtare është mbi të gjitha, në secilën situatë dhe në secilin variant. Vetëm pas largimit të kërcënimeve të sigurisë kombëtare mund të flitet për elemente tjera, që në parim janë krejt demokratike. 
Ky vizion për sigurinë kombëtare duhet të jetë themeli i politikës shtetërore të Kosovës, të të gjitha institucioneve dhe të gjithë spektrit politik në vend. 
Nuk ka asgjë të keqe nëse një parti politike regjistrohet dhe synon të veprojë në skenën politike për të promovuar vlerat fetare të një feje të caktuar. Kjo është demokratike dhe vetëm në këto suaza duhet të funksionojë. Gjuha e urrejtjes dhe tendencat tjera duhet të ndalohen dhe të luftohen aktivisht me fuqinë e ligjit dhe institucioneve. 
Partia të cilës i takoj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po ashtu ka qenë në cak të sulmeve të këtilla të ulëta dhe me motive të ndryshme jo-kombëtare. Por, e vërteta e atëhershme dhe e tashme është se për AAK-në Siguria Kombëtare është e pa-disktueshme dhe e pa-kompromis. 
Ndoshta shumë njerëz në Kosovë sot i kuptojnë më saktë shqetësimet tona përgjatë këtyre viteve. Por, pse është dashur që të kuptohet kjo vetëm asi që një i ri nga Kosova të bëhet kamikaz në Irak, duke vrarë 52 njerëz të pafajshëm? Pse opinioni publik në Kosovë nuk është më i vëmendshëm dhe më i kujdesshëm?
Për këtë, vazhdoj të shqetësohem.  



Botuar në Koha DITORE, më 3 prill 2014, fq. 12

No comments: