Monday, October 15, 2007

Fushata me imamë dhe xhamia

Loja pa fitues

Fushata me imamë dhe xhamia

Dy parti politike në vend, megjithëse parti laike, janë fokusuar në hoxhallarët dhe xhematët e tyre. Ndërtimi i xhamive të reja dhe riparimi i atyre aktuale janë në qendër të fushatës që po bëjnë dy parti, sidomos gjatë muajit të Ramazanit. Kjo mund të nënkuptojë se këto parti angazhohen në mënyrë indirekte të rikthejnë fuqinë e imamëve në politikën e Kosovës, gjë që ngrit dilema për orientimin politik të elitës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Fushata parazgjedhore e këtyre muajve për zgjedhjet e nëntorit 2007 qartazi është duke dëshmuar se këto zgjedhje do të jenë më të veçantat e historisë zgjedhore të Kosovës prej përfundimit të luftës. Një prej elementeve kryesore të reja të veçantisë së këtij procesi është përfshirja apo beteja për përfshirjen e imamëve dhe xhamive në fushatë dhe politikë. Ndërtimi i xhamive të reja dhe riparimi i xhamive aktuale është top-premtimi i disa partive politike shqiptare të Kosovës gjatë takimeve të shumta me komunitetin e besimtarëve islam, duke futur kështu edhe një faktor me rëndësi në proceset politike vendore. Nëse fushata zgjedhore nuk është proces politik, atëherë këto parti mund të thonë se nuk po involvojnë institucionin e xhamisë (lexo: fenë Islame) në politikë. Përndryshe, iftaret publike dhe jo-publike të organizuara nga kryetarët e dy partive politike vendore në një numër shumë të madh të vendbanimeve në Kosovë, mesazhin e vetëm që kanë është ai i fuqizimit politik të krerëve lokalë të besimit islam për përfitim të votave.

II
“Fillimisht iks politikani, që erdhi nga Prishtina për të më takuar mua, më ka thënë të organizoj xhematin për të votuar për të dhe partinë e tij, duke më shpërblyer me ndërtimin e xhamive në katër fshatra brenda një viti dhe me riparimin e xhamisë së tashme në fshatin tim”. Ky është tregimi i një imami që mbulon shtatë fshatra në rrethinën e një qyteti të vogël të Kosovës. Imami, një burrë i moshuar dhe i njohur për komunitetin e besimtarëve islam në atë lokalitet, më thoshte se tashmë është duke ardhur koha që hoxhallarët të trajtohen si partner politik me mendimin e ndikimit në masat e gjera të xhematit. Mirëpo, ky nuk është rasti i vetëm që mund të vërehet në këto ditë fushate të pashpallur parazgjedhore. Politikanët po zhvillojnë një seri takimesh me hoxhallarë anembanë Kosovës për të përfituar mbështetjen e tyre publike për ‘konceptin’ e qeverisjes së ardhshme. Ky planifikim i këtyre partive, gjithsesi është gabim strategjik politik për marrjen e pushtetit dhe është shfrytëzim i të gjitha mjeteve për të arritur qëllimin.

III
Fakti që imamët dhe çështja e xhamive është pjesë e ndjeshme e fushatës së egër për arritje qëllimi shtron dy dilema të mëdha përballë të ardhmes politike dhe shoqërore të Kosovës së pas-statusit: Së pari, cili është relacioni midis këtyre politikanëve dhe aspiratës së qytetarëve të Kosovës për ndërtimin e një shteti laik qytetar, funksional, demokratik e Perëndimor të Kosovës? Së dyti, përse fuqizimi i imamëve dhe komunitetit të besimtarëve nuk përfshihet në platformën apo ofertën zgjedhore zyrtare publike me të cilën këto parti paraqiten gjatë kësaj fushate zgjedhore? Dy parti politike të vend, megjithëse proklamohen si parti laike, tashmë është sekret publik se janë fokusuar në hoxhallarët dhe xhematët e tyre. Ndërtimi i xhamive të reja dhe riparimi i atyre aktuale janë në qendër të fushatës që po bëjnë dy parti, sidomos gjatë muajit të Ramazanit. Kjo mund të nënkuptojë se këto parti angazhohen në mënyrë indirekte të rikthejnë fuqinë e imamëve në politikën e Kosovës, sikurse kishte ndodhur para dhe pak pas Luftës së Dytë Botërore.

IV
Faza politike në të cilën gjendet Kosova ka nevojë ruajtjen e stabilitetit jo vetëm të sigurisë, por edhe atë social dhe ndër-bashkëshoqëror. Kosova nuk ka luksin e fillimit të debatit publik rreth laicizmit, gjysmë-laicizmit apo, edhe më keq, themelimin e shtetit mbi bazat fetare. Megjithëse kjo duket e parakohshme, një sinjal i qartë duhet të jepet nga mekanizmat politikë dhe shoqëror se laicizmi në Kosovë asnjëherë nuk duhet vënë në pikëpyetje. Elita politike kosovare është deklaruar zyrtarisht për shtet laik, porse një pjesë e saj është duke shfrytëzuar mjete të ndryshme nga këto përkushtime. Në të njëjtën kohë, askush nuk duhet të distancohet nga besimi dhe praktikimi i tij, porse është më se e nevojshme të qartësohet se duhet të ekzistojë një vijë e fuqishme ndarëse midis shtetit dhe fesë. Debati për të kundërtën e kësaj kurdo herë do të shkaktojë dridhje të brendshme dhe për këtë dëshmon rasti i tashëm i Turqisë, pas zgjedhjes së presidentit të ri me të kaluar jo-laike. Prandaj, porosia është e qartë: shteti ka vendin e vet, feja të vetin në shoqëri.

Botuar në “Zëri” më 15 tetor 2007, fq. 11

No comments: