Monday, February 11, 2008

Imazhi i ditëve të para

Loja pa fitues

Imazhi i ditëve të para

Dëmtimi i rëndë imazhit të Kosovës që në ditët e para pas shpalljes së pavarësisë është rrezik real. Policia vendore dhe ajo ndërkombëtare mund të ndodh që të detyrohen të kërkojnë nga KFOR-i të merr përsipër detyra policore, që do të jepte një pasqyrë të gjendjes emergjente apo destabilizimit të vendit në kohën kur të gjitha mediat e mëdha botërore janë në Kosovë. Pas kësaj, ‘lufta’ politike do të fillonte fazën tjetër

Shkruan: Burim Ramadani

I
Imazhi i Kosovës që nga ditët e para menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës rrezikon të dëmtohet për shkak të zhvillimeve të mundshme në aspektin e sigurisë. Të gjitha elementet e aty-këtushme apo të organizuara nga grupe të caktuara në dy etnitë më të mëdha mund të nxisin nevojën për prezencë më të fuqishme të policisë dhe KFOR-it. Një matematikë e thjeshtë mbi mundësitë që policia e Kosovës të mbajë rendin dhe qetësinë publike tregon se do të mund të vërehet mungesa e trupave fizike në rend të parë të SHPK-së, por edhe të policisë ndërkombëtare. SHPK-ja ka 7 mijë e 200 pjesëtarë, derisa rreth një mijë janë policë serbë. Nëse pjesëtarët serbë të SHPK-së do të abstenojnë nga detyra, nëse rreth 500 policë janë të nivelit të lartë komandues dhe në administratë, nëse rreth një mijë mund të jenë të paaftë për të kryer detyrën për shkak të moshës, aftësive fizike apo mungesës së trajnimeve të caktuara dhe nëse rreth një mijë do të angazhohet tërë kohën në ruajtje të objekteve me interes, atëherë vërehet se rreth 3 mijë e 500 policë do të jenë në dispozicion, gjysma prej të cilëve mund të angazhohen në detyrë. Derisa policia ndërkombëtare do të fokuset në veri të Kosovës, gjatë secilin moment, rreth vetëm 1 mijë e 700 policë vendorë do të kujdesen për rendin dhe qetësinë publike.

II
Iniciativa më e re e serbëve lokalë për formimin e një të ashtuquajturi “Kuvendi i serbëve të Kosovës” tregon qartë se ‘lufta’ e serbëve lokalë dhe Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës do të jetë e vazhdueshme dhe nuk do të përfundojë shpejt. Kjo mund të interpretohet edhe si fillim i jetës paralele institucionale, gjë që është shumë e ngjashme me mënyrën e funksionimit të popullatës shumicë shqiptare gjatë viteve të 90-ta, megjithëse duhet bërë dallim shumë të qartë të rrethanave dhe sistemit sundues në këto dy periudha. Sidoqoftë, fillimi i një faze të re politike të kundërshtimit të hapur politik të autoritetit të Prishtinës zyrtare nga ana e serbëve të Kosovës mund të jetë afat-gjatë dhe si i tillë ky funksionim mund të jetë problematik për zhvillimin e demokracisë në vend. Marrëdhëniet ndër-etnike mund të vazhdojnë të jenë të pa-përmirësuara edhe për vite të tëra. Kushti i domosdoshëm për ri-vendosjen e relacioneve të pastërta midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës është vullneti politik i qytetarëve të Kosovës, sikurse edhe moslejimi i ndërhyrjes direkte politike nga Beogradi. Deklarimet paralajmëruese të kohës së fundit për “Kuvendin serb të Kosovës” dhe shpërnguljen e një numri të serbëve nga Kosova tregojnë për vazhdimin e jetëve të ndara edhe politike midis dy komuniteteve të mëdha.

III
Imponimi i zhvillimeve të këtilla do të forcojë nevojën për t’iu drejtuar KFOR-it për ndihmë në të gjitha aspektet e sigurisë. Këtu do të duhet të përfshihet edhe nevoja për angazhimin e KFOR-it në marrjen përsipër të detyrave policore. Kështu, trupat ushtarake të udhëhequra nga NATO-ja do të duhej të kujdeseshin edhe për ruajtjen për mosbllokimin e rrugëve kryesore, ruajtjen e objekteve me rëndësi vitale, ruajtjen e objekteve dhe kulteve fetare, ruajtjen e vendbanimeve të komunitetit pakicë serb, sikurse edhe vazhdimin e detyrës kryesore brenda mandatit të trupave ushtarake ndërkombëtare, atë të ruajtjes së sigurisë së përgjithshme dhe kufijve të Kosovës. Ushtarakët me mision në Kosovës sigurisht se do të jenë të gatshëm të marrin mbi vete detyrat e këtilla, me qëllimin e vetëm politik të ruajtjes së sigurisë në Kosovë dhe moslejimin e përsëritjes së trazirave që patën tronditur Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare në mars të vitit 2004. Për këtë, tani më duket se KFOR-i dhe komandat shtetërore të trupave nga shtete të ndryshme janë më të përgatitur, si dhe më të vullnetshëm. E tërë dilema në këtë mes ka të bëjë me imazhin që i distribuohet Kosovës që nga ditët e para të pavarësisë së vendit. Angazhimi i KFOR-it në detyra policore do të thotë gjendje emergjente (nëse jo e jashtëzakonshme) dhe orë policore.

IV
Ideja e tërë këtyre zhvillimeve ka të bëjë me ndryshimin e gjendjes politike dhe të sigurisë në terren. Duke filluar me një imazh krejt të tensionuar e konfliktuoz të Kosovës që do të mund të paraqitet në mediumet e mëdha ndërkombëtare dhe rrjedhimisht në opinionin publik ndërkombëtar, hapat e mëtejshëm politikë nuk do të jenë të njëjtë sikurse të fazës së deritashme. Derisa opinioni publik rajonal dhe ndërkombëtar do të ‘bindeshin’ për pamundësinë e arritjes së nivelit të duhur të marrëdhënieve ndër-etnike, gjithnjë e më shumë do të mund të dëgjonim ide të reja ‘kreative’ për zgjidhjen e konfliktit të brendshëm politik midis dy komuniteteve. Kështu, aranzhmanet e vendosura në propozimin e Marti Ahtisarit për statusin do të fillonin të shihen si jo të mjaftueshme për të arritur stabilitetin e brendshëm politik në Kosovë. Forcimi i këtyre ideve apo perceptimeve do të mund të shkaktonte ri-rregullim të brendshëm të Kosovës, që do të thotë amandamentim të Pakos së Ahtisarit pak kohë pas shpalljes dhe njohjes së shtetit të Kosovës. Palë negociuese në këtë mes do të ishte Prishtina, serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare, duke forcuar ndoshta për herë të parë rolin e serbëve kosovarë në politikën e brendshme. Prandaj, vetëm qetësia e stabiliteti janë kusht për mosndryshime të mëtejshme politike.

Botuar në “Zëri” më 11 shkurt 2008, fq. 14.

No comments: