Friday, February 15, 2008

Kryeministër, çka po ndodh në veri?

Loja pa fitues
Kryeministër, çka po ndodh në veri?
Planet serbe për veriun e Kosovës kanë filluar të bëhen publike dhe, sikur gjithnjë, asgjë e mirë nuk mund të pritet nga Serbia. Mitrovica mbetet pa kontroll, qytetarët shqiptarë të asaj pjese kanë filluar të evakuohen, prezenca e MUP-it është më e dukshme, protestat janë paralajmëruar. Mitrovica është çelësi i suksesit të shtetit të Kosovës. Angazhimi i qeverisë duket krejt deklarativ
Shkruan: Burim Ramadani
I
Në njërën prej deklaratave të shumta rreth situatës së sigurisë gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi pati thënë se në aspektin e sigurisë asgjë nuk do të ndodh dhe se situata do të jetë plotësisht nën kontroll. Për më tepër, kryeministri Thaçi gjatë muajit dhjetor tha se “në veri të Kosovës do të ketë prezencë speciale civile, kështu që gjendja do të kontrollohet plotësisht”. Nëse prezenca speciale civile është pjesë e planit operativ për ruajtjen e sigurisë së përgjithshme në Kosovë, kjo është një qasje e gabuar tërësisht dhe ngritës i tensioneve midis dy komuniteteve. Për aq sa është bërë publike deri më tash, ky element nuk ekziston në ndonjë plan të tillë dhe kështu deklarimet e tilla janë konfuze. Sido që të jetë, situata në veri të Kosovës, sikurse edhe në vendbanimet-enklavave të serbëve në pjesën tjetër, është shumë serioze dhe si e tillë qasja ndaj tyre duhet të jetë vërtetë serioze. Shpërthimi i djeshëm në Mitrovicë është indikacion i zhvillimeve të mëtejshme politike dhe të sigurisë. Fokusimi i opinionit dhe politikës në elemente krejt dytësore, nuk i bën nder vendit dhe popullit.
II
Ndërkohë që është deklaruar nga pala kosovare dhe është krijuar një opinion i përgjithshëm se strukturat paralele serbe në vend do të shuhen vetvetiu pas pavarësisë, e kundërta është deklaruar pak kohë më parë nga Qeveria e Serbisë. Sekretari i “Ministrisë Serbe për Kosovë dhe Metohi”, Dushan Prorokoviq, në paraqitjen e të enjtjes mbrëma në Radio Televizionin e Kosovës, ndoshta pa vetëdijen e tij, ka dhënë elemente të shumta dhe përmbajtësore të Planit Operativ të Qeverisë së Serbisë për kundërshtimin e vazhdueshëm të pavarësisë së Kosovës. Duke iu përmbajtur diskursit nacionalist serb, Prorokoviq i bëri të ditur institucioneve dhe popullit të Kosovës se serbët kosovarë do të vazhdojnë të jetojnë në Serbi dhe se Serbia do të vazhdojë të jetë prezente në Kosovë. Ai sqaroi madje edhe në detaje se si do të jetë e organizuar skema ‘institucionale’ e Serbisë në Kosovë. Prorokoviq përmendi muajin maj të këtij viti kur Serbia do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme krahinore për Vojvodinën dhe Kosovën, prej të cilave do të dalin “institucionet qeverisëse”, parlamenti dhe këshilli ekzekutiv.
III
Në Kosovën e pas-statusit, problemet mund të fillojnë që në ditët e para dhe si të tilla të vazhdojnë për një kohë më të gjatë. Marrëdhëniet midis shqiptarëve shumicë dhe serbëve pakicë në Kosovë duket se po fillojnë një stad të ri, gjë që përkundër investimeve të shumta ndërkombëtare nuk do të paraqet ndonjë përmirësim substancial. Përkundrazi, reagimi i një pjese të madhe të serbëve të Kosovës është i ideuar, i shtyrë dhe i financuar edhe më tutje nga vetë Qeveria e Beogradit. Përfaqësuesi i autoriteteve serbe, Prorokoviq, e bëri të qartë të enjten se financimi i strukturave të Serbisë në Kosovë do të jetë i vazhdueshëm dhe në nivel të lartë në krahasim e standardet e jetesës në Kosovë. Ai tha se serbët do të jenë qytetarë të Serbisë dhe se nuk do të njohin kurrfarë autoriteti të institucioneve të Kosovës së pavarur. Madje, ai foli edhe për pamundësinë e debatit pas-statusor midis dy vendeve, duke thënë se e kundërta do të nënkuptonte njohjen e shtetit të Kosovës. Prandaj, asgjë e mirë nuk mund të pritet tashmë nga Serbia dhe si rrjedhojë edhe nga serbët lokalë në Kosovë, të cilët në asnjë mënyrë nuk po arrijnë të marrin veten.
IV
Në kohën e fundit, planet serbe për veriun e Kosovës kanë filluar të bëhen publike. Mitrovica mbetet pa kontroll nga institucionet e Kosovës, ndërkohë që qytetarët shqiptarë të asaj pjese tashmë kanë filluar të evakuohen për shkak të frikës nga zhvillimet pas pavarësisë. Prezenca e pjesëtarëve të MUP-it të Serbisë pos që kanë rolin e vëzhguesve civilë tashmë është më e dukshme edhe në organizim dhe mund të ngris frikën e dilemat për organizime tjera. Po ashtu, protestat e serbëve të Kosovës janë paralajmëruar jo vetëm në veri, por edhe në Graçanicë, Shtërpcë dhe Ranillugë. Gjithsesi, Mitrovica dhe rajoni i veriut është çelësi i suksesit të shtetit të Kosovës qysh në ditët dhe javët e para pas shpalljes së pavarësisë. Porse, fatkeqësisht, angazhimi i qeverisë duket se është krejt deklarativ, duke mos u ballafaquar asnjëherë brenda më shumë se një muaji me atë që mund të ndodh. Deri më tash, asnjëherë nga qeveria nuk kemi dëgjuar se çka mund të ndodh, cilat janë veprimet e saj, çfarë duhet bërë populli, çfarë duhet bërë policia, KFOR-i e TMK-ja. Prandaj, është detyrë e kryeministrit të jetë i qartë se çka do të ndodh atje.

No comments: