Monday, February 4, 2008

Destabilizimi drejt mini-Ohrit?

Loja pa fitues
Destabilizimi drejt mini-Ohrit?
Liderët e vendit, para së gjithash Sejdiu dhe Thaçi, duhet të garantojnë publikisht se në Kosovë në asnjë mënyrë nuk do të ndodh një mini-Ohër. Në të kundërtën, serbët lokal do të fitonin autonomi territoriale, Kosova do të humbte funksionalitetin dhe populli humb shpresën e durimin. Rreziku, mbi të gjitha, është nga dështimi i shtetit që në ditët e para
Shkruan: Burim Ramadani
I
Pamundësimi i funksionimit të shtetit të Kosovës duket të jetë njëri prej parimeve kryesore politike të autoriteteve shtetërore të Serbisë në fazën të cilën po hyjmë gjatë javëve dhe muajve në vijim. Pjesët e Planit Operativ të Qeverisë së Serbisë, që deri më tash konsiderohet si sekret shtetëror atje, sipas të gjitha gjasave, parashohin ndër të tjera edhe veprimet konkrete në terren me qëllim të arritjes së destabilizimit të Kosovës nga aspekti i sigurisë dhe aspekti i marrëdhënieve ndër-etnike, të cilat mbesin në nivel të pakënaqshëm edhe pas mbi tetë vjetësh të administrimit ndërkombëtar nga OKB-ja. Komplikimet që mund të dalin menjëherë pas shpalljes së koordinuar të pavarësisë së Kosovës brenda territorit të vendit mund të kalojnë në fazën e paparashikueshmërisë së plotë, madje edhe në atë të kthimit në të një situate kur do të mund të kërkohej një zgjidhje e re e brendshme midis komuniteteve, përkatësisht midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. Dy janë rreziqet që mund të sjellë komplikimi i madh i situatës së pas-pavarësimit. Së pari, mund të ndodh që serbët dhe shqiptarët lokalë të sulmohen në mënyrë të përzier. Dhe, së dyti, mund të ndodh që të forcohen idetë dhe tendencat për nevojën e një konference të re për rregullimin shtetëror të Kosovës, që në fakt do të ishte një mini-Ohër.
II
Politika kosovare nuk guxon të futet në rrugën drejt mini-Ohrit. Liderët politikë të vendi, para së gjithash presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, duhet të garantojnë publikisht se nuk do të mund të ndodh asnjë ri-rregullim i brendshëm në Kosovë midis komuniteteve dhe mbi të gjitha midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. Tendencat për të arritur fazën kur organizimi i një konference e tipit të Ohrit në vitin 2001 duket se do të rriten edhe më shumë, sidomos në rast të pamundësisë për ruajtjen e qetësisë, rendit publik dhe marrëdhënieve ndër-etnike. Kjo fazë e vështirë për Kosovës nuk është e pamundshme. Mjafton që provokimet e ndryshme nga autoritetet e Serbisë dhe serbët lokalë të Kosovës të nxisin përgjigje të njëjtë apo të ngjashme nga ana e grupeve apo individëve të caktuar në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Por, edhe sfidat tjera që kanë të bëjnë me procese të tjera e që prekin rajone apo grupe të caktuara njerëzish do të mund të ndikojnë në mënyrë të jashtëzakonshme në situatën e përgjithshme të vendit. Thjesht, eskalimi i situatës së sigurisë dhe thellimi i përçarjes ndër-etnike do të mund të perceptohet si dështim definitiv i Kosovës për të tejkaluar këtë nivel dhe si pasojë do të mendohej për ri-rregullim brenda shtetëror në Kosovë, që do të pamundësonte funksionimin e shtetit.
III
Protestat, bllokimet e rrugëve, shpërnguljet e aty-këtushme, provokimet direkte fizike dhe psikologjike, tërheqja institucionale e serbëve, dhuna e niveleve të ndryshme, aktet terroriste, problemet me energjinë elektrike, probleme të caktuara me ujin e pijshëm, abstenimi i punës nga pjesëtarët serbë të SHPK-së, rritja e ndikimit të grupeve dhe strukturave paralele të Serbisë në Kosovë e të ngjashme mund të jenë zhvillimet që do të karakterizojnë Kosovën që në ditët e para të pavarësisë së saj. Këto zhvillime do të shoqëronin shpalljen e ‘bashkimit’ të serbëve të Kosovës me Serbinë, përkatësisht mosnjohjen nga ana e tyre të pavarësisë së Kosovës. Rajoni të caktuara, më konkretisht ai i veriut të Kosovës, do të jetë sfida kryesore e popullatës, institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Deri më tash, duket se policia ndërkombëtare do të jetë në krye të të gjitha veprimeve sa i përket veriut të vendit, derisa SHPK-ja nuk do të mund të dërgojë forca shtesë nga pjesët tjera të Kosovës. Kjo për shkak të qasjes politike të zgjedhur nga prezenca ndërkombëtare, e cila domosdo do të ketë të gjitha përgjegjësitë faktike në terren. Angazhimi i forcave vendore të sigurisë, kryesisht, do të jetë në mbrojtjen e ambienteve ku jetojnë serbët, institucioneve të ndryshme dhe zyrave ndërkombëtare në Prishtinë.
IV
Procesi për pavarësimin e Kosovës, i filluar tashmë mbi dy vjet më parë, ka gjetur institucionet e Kosovës në një fazë të pakompletuar në aspektin e mekanizmave dhe institucioneve të domosdoshme për ruajtjen e tërësisë tokësore, rendit dhe sigurisë publike. Edhe tash mangësitë e këtilla të institucioneve të Kosovës kanë filluar të vërehen shumë qartë jo vetëm në nivelet politikë-bërëse, por edhe në opinionin publik vendor. Kosova ka hyrë në këtë proces pa ato mekanizma të sigurisë të cilat do të kishin rol të pakontestueshëm sidomos tashmë kur zgjidhja e statusit të Kosovës ka larë duart nga procedura në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kosova dhe institucionet qendrore të vendit nuk mund të llogarisin në shërbimet, informatat dhe ndihmën vepruese të atyre mekanizmave që në vendet tjera kanë detyrë kryesore pikërisht përgatitjen e institucioneve në situata të ndryshme të ndjeshme. Këshilli Kombëtar i Sigurisë, Agjencia Informative e Kosovës, Forcat Mbrojtëse, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Punëve të Jashtme e mekanizma të ngjashëm i mungojnë vendit. Madje, vendi nuk ka as dokumentin që njihet si "Strategjia Kombëtare e Sigurisë" që do të mund të përcaktonte në vija të përgjithshme orientimet e veprimeve vendore. Ky dokument, ka mundur, të hartohet qoftë vetëm jo-formalisht.

Botuar në "Zëri" më 04 shkurt 2008, fq. 16.

No comments: