Monday, January 28, 2008

Dualizmi në mikpritje

Loja pa fitues

Dualizmi në mikpritje

Vizita e kreut të shtetit shqiptar pati mesazh të fuqishëm për përkujdesjen e Shqipërisë në ditët e vështira të Kosovës. Për ndihmën e Shqipërisë, nxënësit duhet të mësojnë në shkollat fillore apo të mesme të Kosovës. Ndërkohë, mënyra e pritjes që iu bë Topit këtë radhë në Kosovë pati mesazhin e mungesës sonë të traditës shtetërore. Dualizmi politik institucional në Kosovë shfaqi edhe komponentin e saj protokollar

Shkruan: Burim Ramadani

I
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, me vizitën e tij në Kosovë këtyre ditëve shprehu edhe njëherë mesazhin e fuqishëm të përkujdesjes së Shqipërisë në ditët e vështira të Kosovës. I shoqëruar me një delegacion tejet të madh e gjithëpërfshirës, Topi shënoi edhe një hap të madh në thellimin e marrëdhënieve përtej-kufitare, sikurse edhe vëri në nivel më të lartë ndjenjat vëllazërore. Delegacioni i tillë i gjerë i Shqipërisë në këtë fund të procesit të pavarësimit të vendit shfaqi interesimin e shoqërisë shqiptare për të qëndruar pranë Kosovës në ditët e ardhshme. Pa dyshim, ditët e ardhshme të cilat do të pasojnë nga shpallja e koordinuar e pavarësisë së Kosovës do të jenë plotë me sfida dhe probleme të cilat duhet kaluar me kujdes dhe ndihmë. Shqipëria, si shtet fqinj, dëshmoi këmbëngulësinë e saj për të hapur rrugët drejt Kosovës në mënyrë që vendi të mos ketë ngushtime të mëdha të mundësive për tregti dhe qëndrueshmëri të përkohshme ekonomike. Ndërkaq, si shtet kombëtar, Shqipëria tregoi se është pranë pjesës së vet të shkëputur, të cilën historia e solli në një fazë tjetër atë të formimin të shtetit.

II
Porse, ajo që u vërejt nga ana e institucioneve të Kosovës dëshmoi për një mungesë tradite shtetërore të paktën në aspektin e protokollit, gjë që dikush thotë se është art në vete. Presidenti Topi u nderua dy herë nga Garda ceremoniale e TMK-së, në dy takimet e ndara që i zhvilloi me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi. Ky sigurisht se është rast që nuk është shënuar në manualet protokollare të standardeve botërore, për shkak se nderimi me elitën ushtarake zhvillohet vetëm njëherë gjatë të njëjtës vizitë. Nuk ka dyshim se Topi dhe personalitete të tilla duhet të nderohet nga Garda ceremoniale, por kjo do të duhej të mos paraqet dualizmin e politikës institucionale të Kosovës. Nëse ky dualizëm ekziston, atëherë nuk duhet shfaqur në çdo moment ceremonie. Në rastin e ditëve të fundit, nderimi më i madh do të ndodhte në Aeroportin e Prishtinës, ku delegacioni shqiptar do të duhej të pritej në nivel të tillë çfarë edhe erdhi. Sidoqoftë, shqetësuese është prirja e udhëheqjes me dualizëm të institucioneve. Dy figurat udhëheqëse përdorën, këtë radhë, Gardën e TMK-së për të treguar muskujt para vetë shoqërisë kosovare.

III
Proceset që i ka kaluar deri më tash Kosova janë ndihmuar gjatë tërë historisë së dekadave të fundit nga ana e shtetit shqiptar. Në mësimet e lëndës së historisë në shkollat fillore apo të mesme të Kosovës do të duhej t’i jepet trajtim i veçantë ndihmës së Shqipërisë për Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Parimisht, kjo pjesë e lëndës mësimore të historisë do të duhej të përfshinte më specifikisht situatën pas vitit 1990 dhe deri në pavarësimin e Kosovës. Ka elemente të shumta të cilat në asnjë mënyrë nuk duhet lënë mënjanë dhe duhet shënuar si të tilla. Përndryshe, si do të mund të harrohej pritja e më shumë se gjysmë milioni shqiptarësh të Kosovës në familjet shqiptare në përtej kufirit, gjë që në fatkeqësinë e rrethanave ka shënuar kthesën më të madhe të mundshme në marrëdhëniet mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo periudhë disa muajsh patjetër se duhet të merr vendin e merituar në librat mësimor të historisë. Në vizitën e parë të kreut të shtetit shqiptar pas pavarësisë së vendit, një libër i tillë do të duhej të jetë dhurata nga Kosova. Në të, sigurisht, do të përfshihej edhe ndihma e Shqipërisë në ditët e pavarësisë.

IV
Procesi për pavarësimin e Kosovës duket se është në përfundim të pjesës së parë deri në aktin ceremonial të shpalljes. Më pas, fillon pjesa tjetër e procesit që ka të bëjë me njohjen nga shtetet e ndryshme të botës, për të kaluar në atë të anëtarësimit në institucionet dhe organizatat e ndryshme botërore dhe rajonale. Sidoqoftë, pjesa e dytë do të mund të zgjaste më tepër se sa optimistët mendojnë dhe do të kalojë më qetë se sa pesimistët e parashohin. Porse, situata dhe zhvillimet e brendshme në Kosovë gjatë kësaj periudhe të ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen. Përkushtimi i popullatës shumicë të Kosovës dhe institucioneve të vendit, në bashkërendim me prezencën ndërkombëtare, do të duhej ngritur në mënyrë që asgjë të mos i lihet rastësisë. Liderët nuk kanë nevojë të fshehin shqetësimet e ndryshme rreth stabilitetit të vendit gjatë ditëve apo javëve pas shpalljes së pavarësisë. Populli ka nevojë të dëgjojë për sfidat me të cilat do të përballet. Asgjë nuk është e tepërt nëse publikisht theksohen këto sfida dhe mënyra e tejkalimit. Ngritja e çmimeve, në rastin më të thjeshtë, duhet të paralajmërohet dhe arsyetohet.

Botuar në “Zëri” më 28 janar 2008, fq. 14

No comments: