Tuesday, January 8, 2008

Trauma politike

Loja pa fitues

Trauma politike

Paraqitja speciale e Jeta Xharrës në programin festiv të RTK-së dhe manifestimi përmes ekzemplarit të saj i traumave të popullit të Kosovës shënon fundin e një viti kontrovers. Viti 2008 fillon pa buxhet dhe pa qeveri. Qeveria e re nuk do të ketë në kontroll politik e funksional të gjithë territorin e Kosovës. Kësaj qeverie do t’i mungojë AAK-ja, një faktor i rëndësishëm stabiliteti për sigurinë dhe zhvillimet politike

Shkruan: Burim Ramadani

I
Viti që lamë pas mund të shënohet me progres për Kosovën sa i përket mobilizimin e demokracive ndërkombëtare për të pranuar të drejtën e kosovarëve për shtet. Nga brenda, viti 2007 mund të shënohet me përçudnime që reflektojnë në mënyrë ekzemplare tmerret e traumat që ka përjetuar ky popull para e gjatë luftës sikurse edhe në vitet e para të pasluftës. Janë të paktën katër zhvillime interesante që kanë ndodhur gjatë vitit 2007, të cilat doemos meritojnë të shënohen si të tilla në historinë më të re të Kosovës. Së pari, në fillim të shkurtit ndodhi një protestë ekzemplare e dhunshme. Së dyti, presidenti Ahtisari paraqiti një plan për Kosovën, plan ky që u mbështet nga bota demokratike dhe përpjekjet për gjetjen e marrëveshjes në Këshillin e Sigurimit. Së treti, janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, zgjedhje këto të cilat janë përshkruar me parregullsi të shumta, shantazh, manipulime e çka jo. Së katërti, për më shumë se një muaj prej se u mbajtën zgjedhjet, viti 2007 përfundoi pa qeveri, përkatësisht pa qartësi për qeveri të re.

II
Vetë shtyrja e pakuptimtë e krijimit të qeverisë së re ka dhënë një shenjë të fuqishme të jo-seriozitetit në marrjen e përgjegjësive. Kështu pati ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2001, kur u kërkua ndërhyrja e gjermanit dinamik Shtajner për të krijuar një qeveri gjithëpërfshirëse. Porse, tashmë gjashtë vjet më pas, pyetja që më së shumti duhet shtruar është: Kujt po i duhet neglizhimi i krijimit të qeverisë së re? Kjo nuk është aq e thjeshtë sesa duket në shikim të parë dhe për këtë mund të ekzistojnë interesa të caktuara kundër proceseve në Kosovë. Mandatari për formimin e qeverisë së re, partia e tij fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit, sikurse edhe partitë e ftuara për formimin e koalicionit qeverisës duhet shfaqur fleksibilitet më të madh në kërkesat e tyre, raportet e ndërsjella dhe angazhimet për krijimin e qeverisë së re. Tek e fundit, askush nuk duhet krekosur me vënien e kushteve, shantazhin apo kërcënime kote të përjashtimeve apo vetë-përjashtimeve.

III
Vendimi për krijimin e qeverisë së re tashmë nuk është kërkesë e brendshme partiake apo klanore. Kjo është nevojë për qytetarët e Kosovës, për zhvillimin e proceseve të brendshme dhe të jashtme për Kosovën, për ruajtjen e stabilitetit të vendit, për vazhdimin e projekteve në sektorët e ndryshëm të ndjeshëm për sigurinë e përgjithshme të Kosovës. Kjo është nevojë madje edhe për futjen në përdorim të buxhetit të Kosovës, gjë që tashmë është bërë përmes një urdhërese administrative të shefit të UNMIK-ut, por jo përmes Ligjit që duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Situata e sigurisë, në anën tjetër, është çdo ditë e më e ndjeshme dhe për këtë kërkon qasje profesionale dhe të afërt nga ana e qeverisë qendrore dhe asaj lokale në pjesë të ndryshme specifike të Kosovës. Veriu i vendit vazhdon të mbetet pjesë e rëndësishme e territorit që është jashtë kontrollit funksional të autoriteteve ndërkombëtare e vendore në Kosovë. Provokimet e niveleve të ndryshme nga Serbia janë të pothuaj të përditshme, sidomos në atë pjesë të Kosovës.

IV
Vetëtimat e entuziazmit pas-zgjedhor qysh më herët është vërejtur të jenë zbutur dhe lehtësisht lënë anash. Si qytetar i ndershëm i këtij vendi, do të doja të kemi një qeveri të fuqishme në krye të proceseve të mëdha të Kosovës. Kësaj, para së gjithash, i paraprinë përpjekjet për koalicion midis partive më të mëdha në vend. Sidoqoftë, këtij koalicioni do t’i mungojë një shtyllë e rëndësishme. Qeveria e re nuk do të ketë në kontroll politik e funksional të gjithë territorin e Kosovës. Kësaj qeverie do t’i mungojë AAK-ja, një faktor i rëndësishëm stabiliteti për sigurinë dhe zhvillimet politike në Kosovë. Do të doja një kryeministër që mund të ndikojë në qetësimin e pakënaqësive në të gjitha pjesët e Kosovës, një qeveri që përfaqësohet nga të katër anët e Kosovës. Por, traumat e shumta të politikës së Kosovës manifestohen rregullisht. Sikurse që paraqitja speciale e Jeta Xharrës në programin festiv të RTK-së manifestoi përmes ekzemplarit të saj traumat e popullit të Kosovës të para, gjatë dhe pasluftës. Viti 2008 fillon pa buxhet dhe pa qeveri.

Botuar në “Zëri” më 07 janar 2008, fq. 11.

No comments: