Monday, December 24, 2007

Tri detyrat e Qeverisë së re

Loja pa fitues

Tri detyrat e Qeverisë së re

Qeveria e re, sikurse e tashmja, do të jetë në mes të pritjeve të publikut dhe mandatit të saj praktik. Në fakt, qeveria e re do të ketë mandat politik të përbërë prej tri komponentëve: ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë së brendshme, angazhimet përcjellëse pas shpalljes së shtetit të Kosovës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe pjesërisht edhe lokale. Angazhimet për përmirësimin e ngritjen e standardit jetësor do të kenë pak energji në dispozicion

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kalimi nga përfundimi i mandatit të kësaj qeverie në fazën e fillimit të funksionimit të qeverisë së re duhet të ndodh sa më shpejt që është e mundur. Kjo është kërkesë e rëndësishme që tejkalon këtë nivel, në fakt kjo është nevojë. Intensiteti i angazhimeve të qeverisë duhet ruajtur në nivel të lartë sidomos tash në kohën kur vendi po futet në një fazë të re të vendimmarrjes së madhe. Vazhdimësia e projekteve dhe planeve që kanë të bëjnë me çështjet madhore të vendit është e domosdoshme, ndërsa fryma e implementimit të obligimeve të brendshme e të jashtme duhet të mbizotërojë. Tashmë janë mbushur pesë javë prej datës së mbajtjes së zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe mbi dy javë prej certifikimit të rezultateve për zgjedhjet e nivelit parlamentar. Qeveria e re nuk është bërë ende, derisa angazhimet dhe rezultatet që priten prej saj nuk janë në proporcion me mandatin real politik të saj në praktikë. Edhe qeveria e re, sikurse e tashmja, do të jetë në mes të pritjeve të përgjithshme të publikut dhe mandatit të saj praktik. Në fakt, qeveria e re do të ketë mandat politik të përbërë prej tri komponentëve: ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë së brendshme, angazhimet përcjellëse pas shpalljes së shtetit të Kosovës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe pjesërisht edhe lokale. Angazhimet tjera të cilat kanë të bëjnë në mënyrë më direkte me përmirësimin dhe ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës, sikurse edhe mirëqenies sociale realisht do të kenë pak energji në dispozicion.

II
Kapërcimi dhe ballafaqimi me të gjitha situatat e mundshme para dhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit është një detyrë mjaft domethënëse për institucionet e reja të vendit, sikurse edhe për ato permanente të sigurisë. Skenaret e ndryshme që mund të vëhen në praktikë, sidomos nga ana e Serbisë dhe serbëve lokalë, duhet parë si një rrezik potencial për destabilizimin e brendshëm të Kosovës. Ka një rrjedhë logjike të gjërave. Aksioni shkakton reaksion, reaksioni shkakton zingjir aksionesh, ky zingjir shkakton provokime tejet-nxitëse, që mund të kalojnë në thellim ekstrem të pakënaqësive të brendshme, gjë që do të mund të nxiste destabilitet dhe dhunë. Reflektimi i kësaj situate dhe këtyre skenareve në mesin e popullatës së Kosovës mund të mos ndalet vetëm në rrethanat individuale, familjare apo grupore. Zgjerimi i reflektimit të tillë në nivelin e institucioneve të Kosovës dhe veçanërisht në ato që kanë për detyrë ruajtjen e sigurisë publike të Kosovës do të mund të merrte kahje të komplikimit më të thellë dhe më serioz të zhvillimeve në vend. Detyra e qeverisë së re bazohet në bashkërendimin e politikave, planeve, angazhimeve dhe aksioneve me institucionet e sigurisë që janë jashtë autoritetit të vetë qeverisë. Në këtë mes, objektivat e qeverisë duhet reflektuar domosdoshmërisht në aspektin praktik të funksionimit edhe në Shërbimin Policor të Kosovës, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, Policinë ndërkombëtare në Kosovë, KFOR-in dhe kompanitë private të sigurimit.

III
Kompletimi i shtetësisë së Kosovës nuk është akt, por proces. Si i tillë duhet shikuar edhe zhvillimet e pas deklarimit të mëvehtësisë, për të cilat do të duhen angazhimet gjithëpërfshirëse. Shpallja e pavarësisë së Kosovës duhet të përcillet me punë të madhe në një numër çështjesh të rëndësishme për funksionimin e shtetit. Angazhimet përcjellëse pas pavarësisë së Kosovës kanë të bëjnë me punën e madhe që institucionet e Kosovës duhet të zhvillojnë edhe brenda edhe jashtë vendit. Brenda vendit, institucionet e Kosovës duhet të fillojnë dhe implementojnë detyrime të ndryshme, sikurse janë: simbolet, Kushtetuta, miratimi i ligjeve që dalin nga Pako e Ahtisarit, fillimi i implementimit të politikave dhe aranzhmaneve jo të lehta që përcaktohen në këtë Pako (të cilën Kuvendi i Kosovës e ka miratuar me 99 për qind të votave, pos serbëve), ri-organizimi territorial, përcaktimi i detajizuar i kompetencave midis prezencës së ardhshme ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve vendore, fillimi i përgatitjeve për shpërbërjen e plotë të TMK-së dhe fillimin e përgatitjeve për formimin e Forcës Mbrojtëse, themelimin e kapaciteteve diplomatike, si dhe ruajtjen e ngritjen e nivelit të marrëdhënieve ndër-etnike. Ndërsa, jashtë Kosovës, institucionet e vendit i pret një angazhim i fuqishëm në aspektin diplomatik. Liderët dhe nivelet e ndryshme politike e publike do të duhet të kalojnë kohë të gjatë nëpër kryeqytetet e ndryshme për të bindur ato të njohin shtetin e ri dhe të vendosin marrëdhëniet diplomatike.

IV
Kosova dhe shoqëria e Kosovës nuk përmblidhen vetëm me status, pavarësi apo angazhime me arritjen e aspiratave për të qenë mëvehte. Proceset e domosdoshme në sistemin demokratik duhet zhvilluar edhe gjatë situatave të ndjeshme apo të entuziazmuara. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të zhvillohen në pjesën e fundit të vitit të ardhshëm, derisa në të njëjtën periudhë apo afër saj pritet të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, të paktën në disa prej komunave të Kosovës të cilat preken nga procesi i decentralizimit. Pakoja e Ahtisarit, të cilën institucionet e Kosovës e kanë marrë për obligim ta implementojnë, përcakton edhe çështjen e zgjedhjeve të ardhshme. Në fakt, përcaktimin në mënyrë shprehimore të zgjedhjeve të ardhshme ishin kërkuar nga opozita në kohën kur përgatitej dhe finalizohej kjo Pako. Në fund të fundit, koalicionet e mëdha, me bazë të gjerë apo bashkëqeverisja në Kosovë duket se ka për qëllim bazik tejkalimin e përbashkët dhe më të fuqishëm të fundit të procesit të pavarësimit të Kosovës. Nëse kjo është e saktë, atëherë vetë partitë në koalicion do të duhej që menjëherë pas pavarësimit të Kosovës të kërkojnë fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e reja në vend, të cilat në fakt kanë bazë ligjore në dokumentin aranzhues të ish-ndërmjetësuesit Ahtisari. Bazuar në këto komponenta, vërehet qartë se cilat do të jenë angazhimet e qeverisë së re të Kosovës dhe se në cilat fusha mund të pritet rezultate të prekshme. Për aktivitetet në fushat tjera duket se do të mbetet pak energji.

Botuar në “Zëri” më 24 dhjetor 2007, fq. 12
Po ashtu në gazetën e Tiranës “Gazeta Shqip”, më 25 dhjetor 2007, fq. 10. http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=33696 ,
si dhe në “Infopress”, më 26 dhjetor 2007, fq. 9.

No comments: