Monday, December 10, 2007

Liderët t’i drejtohen popullit!

Loja pa fitues

Liderët t’i drejtohen popullit!

Me ditën e sotme kanë përfunduar edhe zyrtarisht angazhimet e kosovarëve në negociatat për statusin. Koha për vendime ka ardhur, derisa shtimi i kujdesit është jo vetëm i domosdoshëm. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për qartësim të situatës dhe të hapave në ditët e javët në vazhdim. Liderët e vendit duhet t’i drejtohet popullit për t’i kërkuar qetësi maksimale dhe për t’i paralajmëruar me vështirësitë që mund të përballen

Shkruan: Burim Ramadani

I
Procesi mbi përcaktimin e statusit të vendit, përkatësisht pavarësimin e Kosovës, nga sot edhe zyrtarisht përfundon pjesën e negociatave midis palëve me ndërmjetësim ndërkombëtar. Pala kosovare e ka bërë mjaft të qartë se pas angazhimeve shtesë 120 ditësh, të cilat përmbyllen ditën e sotme, nuk do të pranojë procese tjera të negocimit. Ky është një vendim për t’u përkrahur dhe mirëpritur nga ana e qytetarëve të Kosovës. Por, në të njëjtën kohë ky vendim duhet të përcillet edhe nga qartësimet e nevojshme, që në fakt janë të domosdoshme. Qytetarët kanë nevojë dhe duhet të dinë për të gjitha vështirësitë e mundshme me të cilat mund të ballafaqohen në ditët dhe javët e ardhshme. Këto vështirësi mund të mos jenë të pakta, derisa ekziston një zbrazësi e madhe midis përgatitjeve të nevojshme për ballafaqimin me situata të ndryshme dhe informimit të qytetarëve për këto lloj situatash. Tek e fundit, deklarimi i hapur dhe i sinqertë për nevojën e përgatitjes së vetes dhe për nevojën e veprimeve të kujdesshme nga të gjithë aktorët në Kosovë është një obligim qytetar, politik dhe patriotik. Objektivi i madh i Kosovës është afruar dhe për t’u realizuar kjo nevojitet qetësi e pjekuri politike në të gjitha nivelet e shoqërisë së Kosovës.

II
Pavarësimi i Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe këtë e kanë të qartë tashmë jo vetëm populli shqiptar i Kosovës, por edhe vendet demokratike të bashkësisë ndërkombëtare. Është mëse e ditur se pavarësimi i Kosovës është lufta për ekzistencën e popullit, sikurse edhe që tashmë jemi në fazën kur pavarësimi nuk është më vullnet vetëm i shumicës së popullit të Kosovës, por është edhe politikë e vendeve demokratike të botës. Lëvizjet e popullit shqiptar të Kosovës për të qeverisur veten datojnë shumë kohë më parë derisa tashmë ekziston bindja tek të dy popujt se konflikti i Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve ka derivuar që nga kohët e lashta. Historianët dhe njohësit e mirë të Ballkanit e sjellin origjinën e konfliktit të Kosovës në kohë më të vonshme, përkatësisht në fund të shekullit të 19-të. Në atë periudhë ka ndodhur spastrimi etnik i trojeve të banuara nga shqiptarët në disa nga qytetet që tashmë gjenden në pjesën e jugut të Serbisë, sikurse është rajoni që përfshin qytetet e Nishit, Leskovës dhe Prokuples. Konflikti rreth 120 vjeçar është përcjell me mbi katër luftëra midis shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve mbretërore e shtetërore të Serbisë, duke vënë në lëvizje së fundmi edhe botën demokratike.

III
Provokimet e mundshme që mund të ngritën tashmë nga brenda dhe jashtë Kosovës duhet të merren në konsideratë dhe për këtë duhet vetëdijesuar jo vetëm institucionet, por edhe populli i Kosovës në përgjithësi. Nuk është asgjë e ngutshme nëse liderët e vendit i drejtohet që sot, por edhe gjatë ditëve të ardhshme, qytetarëve të Kosovës për t’u qartësuar rreth të gjitha veprimeve të nevojshme, sikurse edhe rreth të gjitha llojeve të situatave e provokimeve që mund të hasen gjatë kësaj kohe. Tek e fundit, provokimet nga Serbia dhe nga serbët e Kosovës kanë qenë të vazhdueshme në Kosovë që prej përfundimit të luftës çlirimtare në vitin 1999. Themelimi i të ashtuquajturës “Garda e Car Llazarit” është vetëm njëra prej provokimeve të kohës së fundit që autoritetet e Beogradit po i bëjnë Kosovës dhe shumicës shqiptare këtu. Thirrja në emrat e liderëve të Serbisë dhe momentet historike është përdorur gjatë tërë kohës si strategji për mobilizimin e masave serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Ditëve të fundit në Serbi janë vendosur edhe fotografi të mëdha të udhëheqësve historikë të Serbisë me citatet e tyre luftënxitëse dhe urrejtje-nxitëse në emër të asaj që ata e quajnë “mbrojtje e Kosovës”.

IV
Përsëritja e çfarëdo lloj angazhimi në negociata të reja për pavarësimin e vendit, ku do të përfshiheshin të dyja palët, është i papranueshëm dhe i jo-funksional për Kosovën. Idetë e dhëna më parë për ndonjë konferencë ndërkombëtare për Kosovën nuk do të nxjerrin kurrfarë rezultati, por vetëm sa do të thellonin tensionet e brendshme në Kosovë dhe rreth saj. Liderët politikë të vendit do të duhej të jenë të gatshëm për të marrë vendimet e nevojshme për të ardhmen e Kosovës derisa në të njëjtën kohë t’i bashkërendojnë këto veprime me vendet demokratike të bashkësisë ndërkombëtare. Refuzimi i pavarësimit të Kosovës vjen pothuaj plotësisht nga vendet pa sistem kredibil demokratik. Kjo, në fakt, shfaq luftën midis sistemeve, midis parimeve, midis ideve dhe midis vizioneve. Qytetarët e Kosovës janë këmbëngulës në rrugën drejt demokracisë, derisa serbët si popull kanë dilemat e tyre të thella. Prandaj, këtu mund të shpjegohet deri në një masë përkrahja e pa-kompromis që Federata Ruse është duke vazhduar t’i jep Serbisë, madje edhe në idetë anti-humane për të ashtuquajturën “bllokadë ndaj Kosovës”. Kjo, edhe pse nuk mund të bllokojë jetën në Kosovë, mund të shkaktojë vështirësi, prandaj qytetarët e Kosovës duhet të kenë më shumë informata rreth vështirësive.

Botuar në “Zëri” më 10 dhjetor 2007, fq. 08

1 comment:

Eladio Osorio Montenegro said...

Hello from Spain. I like much your blog. You can see mine in http: // caldelaodecaldelas.blogspot.com