Monday, December 3, 2007

Momentet e vendosmërisë

Loja pa fitues

Momentet e vendosmërisë

Demolimi paraprak i të ardhmes nuk është vështirë të bëhet. Për të pamundësuar këtë duhet mbështetur në njerëz të vendosur e të dëshmuar për vizion e veprim strategjik dhe konkret, ata që dëshmuan për trimëri, atdhedashuri, dituri, aftësi, që dhanë gjak, mund e djersë. Koha vendimtare nuk vjen shpesh në histori. Zoti na ruajt nga ata ‘shqiptarë’ që më 28 qershor të vitit 1989, përkatësisht në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, shkuan në Gazimestan për t’i duartrokitur Sllobodan Millosheviqit

Shkruan: Burim Ramadani

I
Ditët, javët dhe muajt në të cilët Kosova do të futet pas dhjetëditëshit të parë të këtij muaji janë vendimtare për shumë procese të rëndësishme. Edhe çështjet e brendshme, por edhe ato në relacione të jashtme do të marrin rrugën e zhvillimeve të reja tejet domethënëse për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Jo vetëm marrëdhëniet brenda shumicës shqiptare do të përcaktohen për një kohë të caktuar, por çka është shumë më e rëndësishme, do të ri-përcaktohen marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë me bashkësinë ndërkombëtare, me miqtë e devotshëm të Kosovës dhe me vendet që jo njëherë kanë shfaqur rezerva të ndryshme rreth aspiratave tona. Tashmë do të merren vendimet e domosdoshme qofshin për të përcaktuar të rrugën përpara, qofshin në skenarin më të keq për t’i dhënë edhe një kohë bashkësisë ndërkombëtare për përgatitjen e njohjes së shtetit të Kosovës. Ardhmëria për shumë kohë më tutje do të do të mund të vendoset në këtë periudhën e pas dhjetë dhjetorit. Vendosmëria për të ndritur të ardhmen është kruciale, prandaj baza e çdogjëje është ardhmëria.

II
Demolimi paraprak i të ardhmes nuk është vështirë të bëhet dhe për këtë ka evidencë tek ne. Për të pamundësuar këtë duhet mbështetur dhe krijuar hapësirë njerëzve të vendosur e të dëshmuar për vizion e veprim strategjik dhe konkret, pavarësisht prej cilit regjion dhe të kujt perceptohen që janë. Zoti na ruajt nga ata ‘shqiptarë’ që më 28 qershor të vitit 1989, përkatësisht në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, shkuan në Gazimestan për t’i duartrokitur Sllobodan Millosheviqit. Ndoshta, nuk do të ishte ndonjë habi e madhe nëse po të njëjtit njerëz do ta përsërisnin këtë edhe gjatë viteve të pasluftës, kur disa nga politikanët e Serbisë vinin në të njëjtin vend, për të njëjtën arsye, me të njëjtin mesazh. Petku mund të jetë i ndryshëm, por ndryshimi duhet të bëhet përbrenda dhe vetëm atëherë do të mund të ishte pakëz i perceptueshëm. Por, historia nuk ngutet. Ajo shkruhet qoftë për të keq, apo të mirë. Duke iu lutur Atit në qiell, Faik Konica në “Lutjen e shkrimtarit” është lutur edhe për durim gjatë punës para se ajo të shkruhet. “…Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të!...”.

III
Demokratizimi i shoqërisë kosovare është proces i gjatë dhe si i tillë nuk do të përfundojë me përcaktimin e statusit të vendit, përkatësisht me pavarësimin e Kosovës. Krijimi dhe njohja e shtetit më të ri në Ballkan nuk është garanci për arritjen e nivelit të duhur të demokratizimit shoqëror dhe politik të vendit. Themelimi i mekanizmave të domosdoshëm, implementueshmëria e politikave të tyre, zhvillimi i kulturës politike, vendosja dhe zhvillimi i vlerave të qëndrueshme në rend të parë patriotike janë kërkesat e para që shoqëria kosovare duhet të plotësojë për veten e saj. Sidoqoftë, duhet sqaruar se vlera patriotike nuk do të thotë nacionalizëm ballkanik agresiv që i ka dhënë këtij koncepti kahe negative qysh shumë kohë më parë. Patriotët në Kosovë nuk janë të paktë, por nuk duhet të vazhdojnë të jenë të heshtur. Të gjithë duhet dhënë përkrahje të fuqishme procesit dhe vendosmërisë për marrjen e vendimeve të domosdoshme. Vendimi duhet të jetë i përbashkët, sikurse është e përbashkët e ardhmja jonë. Për këtë, të gjithë vullnetmirët duhet t’i bashkohet përgjegjësve për të dhënë pjesën e vet të obligimit.

IV
Depërtimi i elementeve prishëse, tashmë më shumë se asnjëherë duhet të jetë plotësisht i ndaluar. Fuqizimi i patriotëve në të gjitha sferat e shoqërisë është i domosdoshëm. E ardhmja kurrë nuk është e ditur paraprakisht në mënyrë të plotë, sikurse nuk është i ditur as momenti i vdekjes. Nuk besoj se e keqja do të ndodh, por shqetësimi për të ardhmen është gjithherë i nevojshëm. Realizimi i aspiratës sonë rreth dy-dekadëshe është në drejtim të duhur dhe në partneritet me shumicën e vendeve më të fuqishme të planetit. Secili veprim i pas dhjetë dhjetorit është shenjë e madhe në historinë kombëtare të Kosovës. Secila fjalë është rrugë-prijëse. “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë”, lutej Konica. Porse, kur duhet folur, zëri dhe dokumentet duhet të jenë të qarta, të paluajtshme dhe të zbatueshme. Vendosmëria është mbi të gjitha dhe për këtë duhen njerëzit e vendosur. Ata që dëshmuan për trimëri, atdhedashuri, dituri, aftësi, që dhanë gjak, mund e djersë dhe qëndrueshmëri. Koha vendimtare nuk vjen shpesh në histori. Ajo ka ardhur dhe do të shënohet si e tillë.

Botuar në “Zëri” më 03 dhjetor 2007, fq. 14.

No comments: