Monday, November 26, 2007

Të gjallë e të vdekur në votime

Loja pa fitues

Të gjallë e të vdekur në votime

Të gjithë ata që kanë menduar se keqdashësit e brendshëm të Kosovës janë zbutur, po duket se kanë gabuar rëndë. Gjithmonë është dashur të jenë syhapur ndaj tendencës së manipulimit të proceseve demokratike. “Njeriu prej dheu” solli një copë demokracie të Shqipërisë në Kosovë. Nëse nuk vërtetohen zyrtarisht këto manipulime dhe nuk pasojnë dënimet, nuk do të doja të jem qytetar i Kosovës në zgjedhjet e ardhshme që duhet të organizohen plotësisht nga vendorët!

Shkruan: Burim Ramadani

I
Paraqitjet publike të liderëve vendorë dhe atyre të institucioneve ndërkombëtare prezente në Kosovë duke i bërë thirrje popullatës së vendit që të dalin për të votuar duket se ka pasur ndikim të çuditshëm. Ato nuk kanë ndikuar në rreth 70 për qind të popullatës së Kosovës, porse për habi kanë ndikuar tek një grup i paarritshëm për proceset demokratike në këtë botë. Pra, kanë ndikuar përtej varreve dhe një numër relativisht i madh i të vdekurve kanë votuar më 17 nëntor. Ata janë zgjuar atë të shtunë për t’iu përgjigjur një obligimi qytetar dhe obligimi partiak për të bërë më të mirën për partinë dhe atdheun. Si me fantazmat e filmave të Hollivudit, por edhe prej skenarit të filmit shqiptar “Njeriu prej dheu”, një numër kosovarësh atdhedashës dhe patriotë të vërtetë të kalibrit mbarë-shqiptar, të orientuar kundër armiqve të kombit tonë të përvuajtur dhe të shkelur me shekuj, të përkushtuar për të realizuar ëndrrën tonë të kamotshme për pavarësinë e Kosovës dhe më pas bashkimin me pjesët tjera të atdheut, detajuan të gjitha planet dhe trajnimet e domosdoshme për të sjell një copë demokracie të Shqipërisë në Kosovë. Dhe, në mendjen time kumbon zëri i Reshat Arbanës, duke recituar pjesë të Fishtës: “Ah kob...!”.

II
Projekti i këtyre zgjedhjeve është në rrugë të thellimit të dyshimeve të plota rreth vijueshmërisë së duhur dhe e vetmja rrugëdalje me qëllim të mos-ngritjes së tyre në nivel të një problemi është heshtja e plotë e të gjithëve. Ndoshta kjo do të ishte zgjidhja, por nëse kjo është demokracia jonë vaj halli për të gjithë ne. Por, a mund të kërkohet kjo nga të gjithë në emër të stabilitetit dhe perspektivës evropiane të Kosovës? Është vështirë për t’u besuar se dikush diku mund të kërkonte apo edhe të vendoste në anën tjetër që të mos ngrihet zëri ndaj manipulimeve të ndryshme pa paragjykime në këto zgjedhje. Sidoqoftë, shqetësimi personal mbetet tek e ardhmja e këtij vendi, tek e ardhmja e proceseve demokratike dhe tek e ardhmja e aspiratave tona të përbashkëta për integrime evropiane dhe evro-atlantike. Si është më së keqi, Kosova mund të ballafaqohet me instalimin e mashtrimit si vlerë anti-demokratike në proceset e brendshme demokratike, të cilat do të mund të reflektojnë për së mbrapshti në rrugën e Kosovës drejt të ardhmes së fëmijëve të saj. Tek e fundit, intenca e kosovarëve nuk duhet të jetë (dhe ende dua të besoj se nuk është) të përvetësojnë stilet ‘demokratike’ të zgjedhjeve të Shqipërisë.

III
Procesi i statusit nuk është në agjendën primare të këtyre ditëve. Keni lexuar për premtimet që statusi i Kosovës mund të pres deri në pjesën e parë të pranverës së vitit të ardhshëm? Fatkeqësisht, nuk ka pasur fare debat për këtë. “The Economist” nuk është revistë që sjell shpesh të pavërteta, por është revistë që publikon në mënyrë relativisht të saktë trendët e zhvillimeve politike globale. Porse, tashmë Kosova ka çështje të brendshme të cilat po u dashkan të zgjidhen sa më shpejt që është e mundur. E keni vënë re fillimin e luftës kundër presidentit dhe a e dini se ku do të përfundojë kjo? Jam i bindur se fundi i kësaj mund të jetë krejt i paparashikueshëm edhe për ata që po ndjekin plane të caktuara qysh më parë. Megjithatë, është legjitime që të ekzistojnë interesa të ndryshme të grupeve të ndryshme, porse elementi kryesor duhet të jetë ai i përputhjes së këtyre interesave me një qëllim madhor. Objektivi ynë madhor në këto ditë të nxehta të dimrit të ftohtë gjendet para sfidave të brendshme dhe të jashtme, derisa fokusi i politikës, mediave dhe qytetarëve të Kosovës është kthyer kah një proces tjetër që e kaluam rreth një javë më parë. Duket se fokusi këtu do të vazhdojë të jetë edhe për një kohë më të gjatë se sa mendohet.

IV
Profili demokratik i Kosovës u ndërtua pjesërisht edhe nga zhvillimi korrekt, fer dhe i lirë i proceseve zgjedhore që nga viti 2000 e këndej. Kuptimi i këtyre zgjedhjeve si pjekuri e politikës dhe popullit të Kosovës duket se fatkeqësisht nuk ka qenë i saktë dhe se ka qenë i parakohshëm për ne. Zgjedhjet e mëhershme kanë qenë pothuaj plotësisht të organizuara, mbikëqyrura, monitoruara dhe përgjegjësi e institucioneve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e vitit 2004, vendorët filluan të marrin pak më shumë përgjegjësi, derisa në zgjedhjet e tashme vendorët ishin në krye të detyrës me monitorim nga ndërkombëtarët. Dhe, në fund të përpjekjeve për t’u bërë shtet, në vend se të tregonin aftësi të plotë dhe gatishmëri politike, vendorët treguan të kundërtën. Të gjithë ata që kanë menduar se keqdashësit e brendshëm të Kosovës janë zbutur, po duket se kanë gabuar rëndë. Gjithmonë është dashur të jenë syhapur ndaj tendencës së manipulimit të proceseve demokratike. “Njeriu prej dheu” solli një copë demokracie të Shqipërisë në Kosovë. Nëse nuk vërtetohen zyrtarisht këto manipulime dhe nuk pasojnë dënimet, nuk do të doja të jem qytetar i Kosovës në zgjedhjet e ardhshme që duhet të organizohen plotësisht nga vendorët!

Botuar në “Zëri” më 26 nëntor 2007, fq.12

No comments: