Friday, November 2, 2007

Në mbrojtje të kompromisit

Loja pa fitues

Në mbrojtje të kompromisit

Serbët kosovarë, sipas Planit të Ahtisarit, kanë autonomi jo-territoriale, përkatësisht qeverisje autonome në një mori fushash të rëndësishme. Ndryshimi i pak elementeve të këtij plani do të ngrinte shkallën e autonomisë jo-territoriale në autonomi territoriale. Kjo do të vinte në pikëpyetje funksionalitetin e brendshëm të Kosovës. Prandaj, palës kosovare tashmë i ka mbetur një detyrë e rëndë dhe e vështirë: të mbrojë kompromisin e bërë një vit më parë!

Shkruan: Burim Ramadani

I
Takimi i sotëm në Vjenë dhe takimet e ardhshme që do t’i zhvillojë Ekipi i Unitetit i Kosovës me palën e Beogradit dhe treshen ndërkombëtare gjatë këtij procesi të ngjeshur të angazhimeve shtesë, nuk do të jenë të thjeshtë dhe pa presione. Tashmë në fakt ka filluar koha e nisjes së presioneve të mëdha në momentet e fundit, sepse për të gjithë është e qartë se Kosova dhe miqtë e saj ndërkombëtarë nuk do të presin në pakufi për pavarësimin e vendit. Prandaj, kjo paraqet nevojën për përshpejtimin e hapave të pjesës tjetër ndërkombëtare të pavendosur në mënyrë të plotë, në mënyrë që, siç është proklamuar shumë herë, të lëvizen të gjithë gurët për të gjetur zgjidhjen. Porse, kjo lëvizje do të thotë angazhim dhe në kontekstin e procesit të bisedimeve mbi Kosovën, do të thotë para së gjithash presion nervash. I gjithë ky angazhim i treshes dhe në rend të parë i përfaqësuesit evropian në treshe, ballafaqohet me dy qëndrime tejet të kundërta në substancë dhe, në fakt, me dy koncepte - atë të lirë dhe atë të robërisë. Presioni për të arritur diçka të përbashkët drejtohet ndaj dy palëve, derisa pala kosovare ka pranuar presionin e pashpallur të mëhershëm të ndërmjetësuesit Ahtisari, duke mos kundërshtuar planin e tij.

II
Tashmë është e qartë se ku dëshirojnë të arrijnë palët në konflikt dhe bashkësia ndërkombëtare si palë e tretë intervenuese dhe ndërmjetësuese këtu. Është e qartë, po ashtu, baza mbi të cilën mbështeten dy palët, sikurse edhe ndjenja e përgjegjësisë për ngjarjet e ndodhura gjatë historisë më të largët dhe asaj të fundme. Pala kosovare ka mbështetur dhe pranuar në mënyrë të plotë Propozimin e Ahtisarit, që do të thotë se Prishtina ka vullnet të ndërtojë një shtet qytetar, me aranzhmane dhe institucione pushtet-ndarëse midis shumicës shqiptare dhe pakicave e në rend të parë pakicës serbe. Në anën tjetër, pala serbe ka për qëllim vazhdimin e politikës së udhëhequr për një kohë nga Millosheviqi e të sajuar që nga vitet e 30-ta të shekullit të kaluar nga Vasa Cubriloviqi. Modifikimi i ‘ofertës’ së Beogradit nuk do të thotë se elita e atjeshme ka ndryshuar mendjen ndaj shqiptarëve të Kosovës, porse kjo është vetëm për shkak të periudhës kohore kur po zhvillohet ky proces. Pas pak vjetësh, Beogradi do të niste ofensivën e së keqes ndaj Kosovës edhe në rast që propozimi i tashëm i tyre do të pranohej nga shqiptarët e Kosovës dhe do të ishte baza e marrëveshjes për statusin e ardhshëm të vendit, përkatësisht autonominë 95 për qindëshe.

III
Trysnia që mund të ushtrohet ndaj negociatorëve në këtë periudhë kohore duhet të jetë e imagjinuar dhe për këtë arsye qëndrimet duhet të jenë të parapërgatitura. Bashkësia ndërkombëtare duket se ka shansin e fundit për të nxitur palët të merren vesh për statusin e ardhshëm të Kosovës, derisa periudha pas 10 dhjetorit duket se nuk do të plotësohet me bisedime shtesë mes palëve. Natyrisht, se një instrument i përdorshëm për të arritur ndonjë rezultat është presioni i fuqishëm ndaj palëve. Por, ajo që duhet të jetë e qartësuar është fakti se pala kosovare nuk mund të shkojë më tutje se sa ka shkuar gjatë procesit të udhëhequr nga Ahtisari. Janë dy momente të rëndësishme që kanë parapërcaktuar rrjedhën e tashme të angazhimeve shtesë dhe rrjedhimisht edhe çështjen e presionit: së pari, pala kosovare kishte bashkëpunuar derisa pala serbe ishte plotësisht dekonstruktive gjatë procesit të Ahtisarit; dhe së dyti, çdo presion i pasuar me ndryshime të mundshme të qëndrimeve nga pala kosovare do të përcillej me reagim popullor dhe dhunë vështirë të parashikueshme në Kosovë, gjë që nuk do të kufizohej me kufij.

IV
Tatëpjeta e zhvillimeve politike ndërkombëtare e nisur në maj, qershor e korrik të këtij viti nuk duhet të përcillet në vitet e ardhshme apo në pakufi. Sikurse që edhe qëndrimi i palës kosovare nuk ka mundësi reale të ndryshojë në pothuaj asnjë element të vetëm të dokumentit bazë mbi të cilin Prishtina është duke marrë pjesë në të ashtuquajturat angazhime shtesë. Ky dokument është Plani i Ahtisarit dhe si i tillë ai ka hyrë në fazën e dokumentit të panegociueshëm të palës kosovare. Ky plan është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa qartazi është një vendosje për pavarësimin e Kosovës, me aftësi/karakter përcaktuese për vendosjen e parimeve pushtet-ndarëse në Kosovën e pas-statusit. Kjo do të thotë se serbët kosovarë sipas këtij plani kanë autonomi jo-territoriale, përkatësisht qeverisje autonome në një mori fushash të rëndësishme për jetën e pjesëtarëve të këtij komuniteti. Ndryshimi i pak elementeve të këtij plani do të ngrinte shkallën e autonomisë jo-territoriale në autonomi territoriale të serbëve kosovarë. Kjo do të vinte në pikëpyetje funksionalitetin e brendshëm të Kosovës. Prandaj, palës kosovare tashmë i ka mbetur një detyrë e rëndë dhe e vështirë: të mbrojë kompromisin e bërë një vit më parë!

Botuar në “Zëri”, më 22 tetor 2007, fq. 13

No comments: