Monday, November 5, 2007

Ndryshimet e pas-zgjedhjeve

Loja pa fitues

Ndryshimet e pas-zgjedhjeve

Ditët e para të fushatës zgjedhore nuk janë gjithaq të nxehta në aspektin politik në krahasim me zhvillimet që pritet të jenë pas datës së 17 nëntorit dhe pas fillimit të dhënies së rezultateve të përgjithshme preliminare. Ndikimet e këtyre zgjedhjeve nuk do të jenë sipërfaqësore as në zhvillimet e brendshme partiake dhe as në procesin për pavarësimin e Kosovës. Zgjedhjet e 17 nëntorit pritet të jenë më të veçantat e deritashme

Shkruan: Burim Ramadani

I
Partitë politike kosovare para dhjetë ditësh filluan zyrtarisht paraqitjen e ofertës së tyre për votuesit kosovarë, duke u drejtuar kështu drejt një procesi zgjedhor që gjithsesi do të jetë historik për Kosovën dhe jetën e saj politike. Nuk janë gjithaq të nxehta ditët e para-zgjedhjeve në aspektin politik në krahasim me zhvillimet që priten të jenë pas datës së 17 nëntorit dhe pas fillimit të dhënies së rezultateve të përgjithshme preliminare. Po ashtu, ende nuk po vërehet ndikim i madh i këtij procesi zgjedhor në procesin e statusit të Kosovës, porse nuk do të mund të shmanget pa u thelluar edhe më shumë. Pa u vërejtur nuk pritet të jetë ndikimi për ndryshimet e ardhshme brenda partive politike, që do të mund të ndodhin disa javë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Ndryshimet do të mund të fokusohet kryesisht në dy partitë më të mëdha politike në vend, LDK dhe PDK. Të dyja partitë kanë për test marrjen e numrit më të madh të votave në këtë proces në mënyrë që të udhëheqin konsultimet për krijimin e qeverisë së re. Testi i numrit të votave të fituara do të shkaktojë ndryshime edhe brenda partive tjera dhe madje do të ketë rrezik edhe për shpërbërje tek të paktën dy parti më të vogla. Kjo para së gjithash do të rrezikojë partitë që për herë të parë në këto zgjedhje kërkojnë votën e qytetarëve. Ndërkaq, vendi i partisë së tretë në zgjedhjet e tashme përsëri do të jetë përcaktues për zhvillimet pas-zgjedhore.

II
Partitë e mëdha politike pas këtyre zgjedhjeve do të duhen të fillojnë një valë ndryshimesh apo reformimesh të dhimbshme brenda vetes, si proces i domosdoshëm për profilizimin politik. Kjo në fakt është nevojë e madhe që paraqitet para partive të mëdha politike dhe si mënyra e vetme për ngritjen e bazës së fortë të zhvillimeve të reja të jetës politike. Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që në të gjitha zgjedhjet është shpallur fituese, mund të ballafaqohet me fillimin e llogaridhënies për rënien e vazhdueshme të numrit të përgjithshëm të votuesve për këtë parti. Nëse merren parasysh zgjedhjet pas luftës në Kosovës, atëherë mbi një e treta e votuesve të LDK-së është tërhequr nga votimi për këtë parti dhe për këtë duhet gjetur shkaku dhe përgjegjësia. Në cilin do rast, LDK-ja do të ballafaqohet me atë që është e domosdoshme, vazhdimin edhe më të fuqishëm të reformimit, profilizimit dhe rinimit të partisë. Kjo në fakt do të duhet të ndodh edhe në rastin kur LDK-ja merr më së shumti vota në këto zgjedhje, gjë që sipas të gjitha gjasave do të jetë kështu. Në rend të parë, për LDK-në do të duhet të jetë imperative rinimi i partisë dhe zvogëlimi i distancës midis gjeneratave. Po ashtu, element tjetër i domosdoshëm në këtë kontekst është hapja e partisë për personalitet e dëshmuara në aspektin kombëtar, politik, personal dhe publik.

III
Proces shumë i vështirë i zhvillimeve të brendshme pas këtyre zgjedhjeve do të ndodh në Partinë Demokratike të Kosovës, e cila sipas të gjitha gjasave do të mbetet në vendin e dytë sa i përket numrit të përgjithshëm të votave. Mosrritja e PDK-së bazohet në atë që nuk vërehet ndonjë strukturë e re popullore e cila i është bashkuar kësaj partie, pa marrë parasysh marketingun e fuqishëm që PDK-ja ka bërë me ata që në Kosovë pa ndonjë kriter quhen ekspertë. Me zhvillimet e tilla në mënyrë të pakontestueshme PDK-ja do të ballafaqohet në rastin e mospërfshirjes së saj në koalicionin e ardhshëm qeverisës, pra mbetjes edhe për mandatin tjetër në opozitë. Kjo do të shkaktonte dridhjen më të madhe brenda kësaj partie bazuar edhe në nivelin e madh të investimit njerëzor dhe financiar që është duke bërë për këto zgjedhje. Tek e fundit, kryesia dhe figurat e fuqishme të PDK-së i kanë dhënë kryetarit të tyre të gjithë pushtetin vetëm për të fituar vendet në qeverinë e ardhshme. Kreu i PDK-së ka marrë mbi supe të gjithë barrën e këtyre zgjedhjeve, ai në fakt do të jetë përgjegjës për mosarritjen e vendit të parë si parti më e votuar në Kosovë, sikurse do të ketë përgjegjësi edhe në rast të mospërfshirjen e partisë në koalicionin qeverisës. Në rast të këtyre zhvillimeve, PDK-ja do të duhet të ballafaqohet me forcimin e veprimeve të tri grupeve të ndryshme të interesit brenda partisë, duke shkaktuar kështu profilizimin dhe reformimin e domosdoshëm të saj.

IV
Porse, ndikimi i këtyre zgjedhjeve dhe zhvillimeve të pas-zgjedhjeve do të vërehet edhe në aspektet tjera dhe sidomos në atë të procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, përkatësisht të përpjekjeve për pavarësimin e vendit. Goditja më e madhe në këtë mes vjen nga çështja e mandatit të Kuvendit të tashëm të Kosovës, përkatësisht relacionit midis procedurës së numërimit të votave, shpalljes së rezultateve përfundimtare, vërtetimit të mandateve të deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës, kohës së inaugurimit të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës dhe kohës së përfundimit definitiv të mandatit të përbërjes së tashme të legjislativit. Sipas Kornizës Kushtetuese, mandati i Kuvendit të tashëm përfundon më 3 dhjetor të këtij viti, bazuar në paragrafin ku thuhet se “Kuvendit i përfundon mandati tri vjet pas datës së inaugurimit të tij”. Logjikisht, kjo do të çonte në një vakuum institucional në aspektin e përbërjes së legjislativit kosovar në kohën kur Treshja ndërkombëtare pritet të dorëzon raportin tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Kjo nuk do të shkaktonte ndonjë vështirësi nëse numërimi i votave dhe vërtetimi i mandateve të mund të përfundohet brenda më së shumti tri javësh. Sidoqoftë, ndikimi praktik tashmë është bërë i qartë. Tashmë kemi pasur rastin e parë kur njëri prej anëtarëve të ekipit të unitetit nuk ka marrë pjesë në takimin me ministrin e jashtëm të Francës, Kushner, për shkak të zhvillimeve partiake pak kohë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore.

Botuar në Zëri më 05 nëntor 2007, fq. 18

No comments: