Thursday, November 15, 2007

Sfidat e sigurisë

Loja pa fitues

Sfidat e sigurisë

Procesi i papërfunduar i statusit të Kosovës, ekzistimi i strukturave paralele të shtetit të Serbisë, procesi zgjedhor i kësaj fundjave, tensionet ekzistuese ndër-etnike, shqetësimet e ndryshme sociale dhe niveli i ulët i standardit të jetesës janë disa prej sfidave kryesore të sigurisë në Kosovë. Përballja me këto sfida meriton identifikim, seriozitet dhe përkushtim të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me qëllim të mos lejimit të zhvillimeve kaotike në Kosovë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Megjithëse është diskutuar shumë herë rreth gjendjes së sigurisë së përgjithshme në Kosovë, përkatësisht rreth brishtësisë së saj në fazat e ndryshme, shkaqet që mundësojnë ekzistencën e kësaj brishtësie ende nuk janë zgjidhur. Mostejkalimi i këtyre shkaqeve do të thotë se status-kuoja në gjendjes e sigurisë është e vazhdueshme dhe përmirësimet e caktuara nuk kanë arritur të shmangin ndjeshmërinë e pothuaj secilës prej veprimeve të institucioneve vendore e atyre ndërkombëtare, sikurse edhe të qytetarëve të Kosovës. Edhe më tutje ne përballemi me sfida të ndryshme të cilat kanë ndikim të ndryshëm në aspektin e sigurisë së vendit dhe të proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova tashmë në javët e fundit të pavarësimit. Procesi i papërfunduar i statusit të Kosovës, ekzistimi i strukturave paralele të shtetit të Serbisë, procesi zgjedhor i kësaj fundjave, tensionet e pa përmirësuara ndër-etnike, shqetësimet e ndryshme dhe niveli i ulët i standardit të jetesës janë disa prej sfidave kryesore të sigurisë në Kosovë. Përballja me këto sfida meriton identifikim, seriozitet dhe përkushtim të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.

II
Mos-përfundimi i procesit të stërzgjatur i pavarësimit të Kosovës edhe formalisht nga Serbia dhe procesi i domosdoshëm demokratik i zgjedhjeve janë dy nga sfidat më të rëndësishme të cilat mbesin në sipërfaqe gjatë kësaj periudhe. Derisa për statusin e Kosovës është investuar me vite të tëra, jo vetëm mund e para, por edhe gjak dhe jetë të shumta, fundi i vitit 2007 duket se do të qartësojë definitivisht hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në rend të parë nga institucionet vendore në koordinim me shtetet më të fuqishme dhe demokratike nga bashkësia ndërkombëtare. Pavarësimi i Kosovës është i padilemë, por mbetet të koordinohen hapat e nevojshëm dhe të pashmangshëm rreth ruajtjes së qetësisë dhe sigurisë publike gjatë këtyre veprimeve. Njëherit, një proces i rëndësishëm është duke u zhvilluar në këtë fazë, ai i zgjedhjeve. Deri më tash nuk është vërejtur ndonjë tensionim apo tendencë për prishje të rendit e sigurisë publike që do të mund të përshkallëzohej në cenimin e nivelit të tashëm të sigurisë së përgjithshme në Kosovë. Nëse kështu do të jetë pas datës së zgjedhjeve, kjo sfidë do të tejkalohet pa u vërejtur në terren.

III
Mundësia e ekzistimit dhe veprimit të strukturave paralele të institucioneve shtetërore të Serbisë në Kosovë edhe më tutje mbetet një prej sfidave më të rëndësishme në kuptimin e arritjes së ndikimit të plotë të administratës qeverisëse ndërkombëtare e vendore në Kosovë. Fakti i ekzistencës së vazhdueshme të këtyre strukturave që prej përfundimit të luftës është evident dhe tashmë është identifikuar disa herë nga institucione të ndryshme të vendit dhe ndërkombëtare. Këto në një masë të gjerë kanë ndikuar dhe vazhdojnë të kenë rol të madh në mos uljen e plotë të tensioneve ndër-etnike në Kosovë. Financimi nga shteti serb i këtyre strukturave paralele, në rend të parë si struktura administrative, ka për qëllim pikërisht ruajtjen e këtij niveli jo të kënaqshëm dhe adekuat të marrëdhënieve midis komuniteteve që përbëjnë popullatën në Kosovë, sikurse edhe ruajtjen e mos-komunikimit zyrtar midis komunitetit serb në Kosovë dhe institucioneve legjitime të Kosovës. Ky mos komunikim i shtrirë edhe deri në rrafshin individual ka lënë hapësirë për mos ngritjen e besimit të ndërsjellë dhe si i tillë paraqet sfidë në vete.

IV
Mbijetesa ka qenë shqetësim social i një pjese të popullatës së Kosovës për shumë vite tashmë, derisa është shpresuar se pas largimit të Serbisë nga Kosova kushtet e jetesës do të rregullohen shumë më mirë. Kjo periudhë e pas vitit 1999 në fakt edhe ka shënuar një ngritje në standardin jetësor, kulturor dhe shoqëror të popullatës së Kosovës, mirëpo megjithatë duket se shqetësimet sociale janë ende tepër të mëdha. Niveli i ulët i të ardhurave të punëtorëve të sektorëve të rëndësishëm publikë dhe në anën tjetër rritja enorme e nivelit të shpenzimeve të domosdoshme ka filluar të shkaktojë një përballje të rëndë midis popullatës dhe realitetit jetësor. Këtij mesi i shtohet edhe pamjaftueshmëria e fondeve të institucioneve për të ndërhyrë në ngritjen e standardit jetësor, në mënyrë që të mund të zbuste dallimin që ka filluar të thellohet mes këtyre dy pjesëve. Bazuar në këto premisa, turbulencat sociale janë një sfidë apo edhe kërcënim i mundshëm ndaj situatës së përgjithshme të sigurisë në Kosovë. Kjo dhe sfidat tjera duhet të përballen me maturi dhe kujdes të shtuar me qëllim të mos lejimit të zhvillimeve kaotike në Kosovë.

Botuar në Zëri më 12 nëntor 2007, fq. 21

No comments: