Monday, November 19, 2007

Ndëshkimi ndaj LDK-së dhe votimi në pako

Loja pa fitues

Ndëshkimi ndaj LDK-së dhe votimi në pako

Vetëm me votim në pako dikush në Prizren do të mund të votonte kundër të gjitha zhvillimeve ekonomike, infrasktrukturore, kulturore, sociale e politike atje. Porse, në këtë mes, shkaku kryesor mund të ketë varijuar nga niveli qendror drejt nivelit lokal, dhe jo anasjelltas. Rikonfigurimi i pushtetit qendror dhe lokal në Kosovë ka ndodhur më shumë si ndëshkim sesa besim në anën e kundërt

Shkruan:
Burim Ramadani

I
Rezultate e para të dhëna gjatë natës në mes së shtunës dhe së dielës treguan për një ndërrim të theksueshëm të disponimit të votuesve kosovarë. Kjo në rend të parë dhe pothuaj plotësisht ka të bëjë me ndryshimin e qasjes së qytetarëve të Kosovës ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila për rreth 18 vjet ka udhëhequr popullin e Kosovës si partia më e madhe në vend. Zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale duket se kanë dhënë një përgjigjje përafërsisht të njëjtë (me disa përjashtime) edhe kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës, por edhe të atyre për kryetarë të komunave. Kjo dëshmon faktin evident se votuesi kosovar ka votuar në paketë dhe se për të ka qenë e rëndësishme të bëhen ndryshime të theksuara. Në të vërtetë, koncepti i ndryshimeve të tilla nuk lidhet vetëm me njerëz të caktuar, sikurse as me parti të caktuara, por duhet të bazohet në ekzistimin e një brumi substancial premtues se do të angazhohet dhe realizojë këto ndryshime. Dorën në zemër, ky nuk është rasti në Kosovën e këtyre ditëve, porse megjithatë kjo është çështje e votës së lirë të secilit qytetar.

II
Raportet financiare, ekonomike, politike, sociale e të përgjithshme të cilat e karakterizojnë pushtetin dhe realitetin në Kosovë janë determinuese për udhëheqjen e vendit. Në fakt, mundësitë për ndryshime reale praktike në jetën e qytetarëve të Kosovës janë aq të vogla sa që premtimet për krijimin e parajsës janë kryekëput të pavërteta. Me një buxhet të tillë që do të ketë këtyre viteve Kosova, realizimi i projekteve që i kemi parë gjatë fushatës parzgjedhore do të ishte mrekulli e dorës së parë. Njëjtë do të ishte edhe në nivel qendror, edhe në atë lokal. Më konkretisht, si do të mund që në të njëjtën kohë të ketë rritje të të ardhurave për pothuaj të gjitha komponentët e sektorit publik në Kosovë? Apo, si do të mund që gjatë dy vjetëve të ardhshme në komunat e Kosovës të sigurohet plotësisht uji i pijshëm, kur kapacitet natyrore dhe të tjera janë të pamjaftueshme? Këto janë të arritshme vetëm në një planfikim të paktën afatmesëm dhe atë në skenarin më të mirë të zhvillimeve. Sidoqoftë, hapja e shtigjeve të reja për qeverisjen e një vendi është proces demokratik dhe legjitim.

III
Rikonfigurimi i pushtetit qendror dhe lokal në Kosovë ka ndodhur më shumë si ndëshkim sesa besim në anën e kundërt. Kjo mund të del si rezultat i një analize më të thellë, porse kjo kërkon më shumë kohë dhe studim. Po ashtu, studim kërkohet edhe për të gjitha elementet që kanë ndikuar në ndryshimin e këtillë të pushtetit në Kosovë. Një prej elementeve të rëndësishme dhe në një masë edhe të çuditshme është fakti i votimit për kryetarë komunash. Në këtë kontekst, është për t’u analizuar fakti se niveli i përqindjes së votave ka qenë përafërsisht i njëjtë në të gjitha komunat, pa marrë parasysh ku dhe sa është punuar. Kjo e ka një shpjegim fillestar – votimi ka ndodhur kryesisht në pako. Përndryshe, askush nuk do të mund të parashikonte dhe më pas të shpjegonte votimet për kryetar komune në Prizren. Vetëm me votim në pako dikush në Prizren do të mund të votonte kundër të gjitha zhvillimeve ekonomike, infrasktrukturore, kulturore, sociale e politike në kryeqytetin e jugut të Kosovës. Porse, në këtë mes, shkaku kryesor mund të ketë varijuar nga niveli qendror drejt nivelit lokal, dhe jo anasjelltas.

IV
Reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në ditët në vijim do të jetë vendimtar jo vetëm për koalicionet e ardhshme të mundshme, por edhe të ardhmen e skenës politike kosovare dhe për të ardhmen e vet afatgjate. Secili veprim i ardhshëm i LDK-së duhet të jetë mirë i analizuar, me një qëllim të qartë dhe pasqyrë të qartë se çka e si mendohet se do të arrihet përmes atij veprimi të caktuar. Qëllimi, në aspektin partiak, duhet të ketë dy elemente të fuqishme – atë të të ardhmes së partisë dhe atë të ndryshimeve kualitative në skenën politike në përgjithësi. Për të arritur këtë, së pari duhet ndalur dhe menduar e gjykuar në ftohtësi dhe kujdesshëm. Ish-partia më e madhe në vend për rreth dy dekada, duhet të ketë qëllim të qartë të hapjes, rinimit, profilizimit, modernizimit dhe fuqizimit të saj. Hapja dhe reformimi i fuqishëm dhe rrënjësor i partisë është imediat nëse LDK-ja do që të ekzistojë e më pas edhe të rikthehet në pushtet pas një kohe të caktuar. Ajo është plakur dhe si është më së keqi është ndëshkuar nga qytetarët e Kosovës në këto zgjedhje. Një gjë është e qartë: qëndrimi në opozitë do të kthjellte LDK-në.

Botuar në “Zëri”, më 19 nëntor 2007, fq. 16, si dhe në "Gazeta Shqip" në Tiranë, më 21 nëntor 2007, fq. 11 http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=31354

No comments: