Friday, December 21, 2007

Sinjalet në Nju Jork dhe Prishtinë

Loja pa fitues

Sinjalet në Nju Jork dhe Prishtinë

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe bisedimet për formimin e koalicionit të ri janë qartësisht momentet që përcaktojnë në vija të përgjithshme zhvillimet e ardhshme në Kosovë. Në Nju Jork dhe Prishtinë këtë javë jepen sinjalet për hapat e mëtejshëm. Kosova ka nevojë për vendim për pavarësi, sikur edhe për Qeveri funksionale dhe të përgjegjshme, në dallim prej këtyre të deritashme që prej vitit 2002

Shkruan: Burim Ramadani

I
Proceset e ndryshme jo rrallë herë zhvillohen në të njëjtën kohë dhe nën presione të caktuara që lidhen me to. Java që kemi hyrë duket të jetë mjaft e rëndësishme për të paktën përcaktimin e vijave të përgjithshme për hapat e mëtutjeshëm në dy prej zhvillimeve brenda dhe për Kosovën. Së pari, sa i përket zhvillimeve mbi pavarësimin e Kosovës këtë javë do të mbahet një mbledhje e rëndësishme në Nju Jork, sado që kjo do të jetë vetëm një provë jo vendim-prodhuese. Së dyti, pas zgjedhjeve të 17 nëntorit ende janë duke u zhvilluar bisedimet mbi parimet e formimit të koalicionit qeverisës, derisa këtë javë duhet dhe pritet që këto bisedime të futen në nivel të detajeve për të përcaktuar saktësisht ndarjen e pushtetit midis partive kryesore politike në vend. Të dyja këto zhvillime janë ende në stadin e provës, derisa çështja e formimit të koalicionit duket se është më lehtë e arritshme për shkak se në masë të madhe kjo varet nga vetë kosovarët. Porse, zhvillimet në Nju Jork nuk janë, sikurse nuk kanë qenë deri më tash, çështje që varet nga kosovarët, por varet plotësisht nga politikat kombëtare të shteteve të përfaqësuara në atë nivel.

II
Provat e ndryshme të deritashme në përgjithësi kanë dalë të jenë jo aq të suksesshme në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Dështimi i tentimeve për të vënë në votim projekt-rezolutat e vendeve demokratike të Perëndimit gjatë muajve qershor e korrik të këtij viti, ka vënë një pikëpyetje të fuqishme rreth mundësisë që prova të tilla të kenë sukses. Edhe tash pas rreth gjashtë muajsh, Këshilli i Sigurimi duket se mbetet i njëjtë në konfiguracionin e mbyllur sa i përket çështjes së Kosovës. Sërish do të ketë një ndarje të qartë dhe publike të vendeve demokratike në njërën anë dhe vendeve të fuqishme botërore kundërshtuese të ideve Perëndimore për pavarësimin e Kosovës në anën tjetër. Sërish do të del në pah fuqia e bllokimit unilateral në kundërshtim të plotë me interesat e politikës globale të udhëhequr nga demokracitë Perëndimore. Sidoqoftë, kjo mund të mos jetë prova e fundit në Këshillin e Sigurimit, sado që do të duhej të ishte kështu. Mundësia e vazhdimit të provave në Nju Jork nuk është rezultat-dhënëse, prandaj kjo duhet të shmanget si tentim. Kosova duhet të ecë në rrugën e vet pas këtë mekanizëm.

III
Pushteti i brendshëm pritet që të ndahet edhe në detaje brenda javës në vazhdim. Partitë kryesore politike të vendit duhet të merren vesh për krijimin e një qeverie funksionale dhe të përgjegjshme para qytetarëve. Kompozicionet që janë parë deri më tash në Qeveritë e pasluftës, me pak përjashtime nga brenda, kanë reflektuar nivel jo të mirë të aftësisë së kosovarëve për të ndërtuar shtet dhe udhëheqje të shoqërisë mbi parimet dhe praktikat demokratike. Thënë më thjesht, qeveritë që nga 2002 e këtej nuk kanë reflektuar potencialin politik, menaxherial dhe akademik që besohet se ka Kosova. Loja nuk duhet të luhet me formacionin e tretë të ekipit, prandaj tashmë është momenti formacioni i parë të jetë në përballje me obligimet e veta. Në të njëjtën kohë, partitë që pritet të futen në koalicion (me gjasë LDK dhe AAK), duhet të jenë të vetëdijshme se fitues i zgjedhjeve është PDK-ja, prandaj asaj i duhet lënë hapësira për realizimin e premtimeve me të cilat është paraqitur në fushatën e saj rreth dhjetëmuajshe parazgjedhore. PDK-së pakontestueshëm i duhet rezervuar për shembull Ministria e Transportit në mënyrë që të realizojë projektet për auto-rrugët moderne.

IV
Presidenti Fatmir Sejdiu do të bëhet lideri i parë i Kosovës që i drejtohet Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Derisa ish-kryeministri Bajram Kosumi ishte shënuar si lideri i parë kosovar që ka marrë pjesë në mbledhjen e këtij organi, presidenti Sejdiu në këtë rast do të mund të shpreh qëndrimin e Kosovës karshi procesit të statusit, marrëdhënieve fqinjësore të ardhshme me Serbinë, perceptimin e kosovarëve për bashkësinë ndërkombëtare, nevojën e vendosjes së një misioni të limituar nga Bashkimi Evropian, vazhdimin e prezencës së NATO-s në Kosovë, sikurse edhe për aspiratat kosovare për integrim në NATO dhe BE. Sejdiu në mbledhjen e së mërkurës duhet të jetë fuqimisht këmbëngulës në prezantimin e shpirtit të popullit të Kosovës. E ardhmja e Kosovës është në NATO, BE dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare që synim kanë zhvillimin e botës, ruajtjen dhe mbajtjen e sigurisë rajonale e globale. Kosova ka nevojë për vendim të qartë për të ecur përpara drejt zhvillimit të demokracisë së brendshme, prandaj edhe Nju Jorku edhe Prishtina duhet të japin sinjalet këtë javë, sinjale për funksionalitet.

Botuar në “Zëri” më 17 dhjetor 2007, fq. 14

No comments: