Friday, March 7, 2008

Për jetë të re

Loja pa fitues

Për jetë të re

Nderim për të gjithë ata që kontribuan që kjo ditë të bëhet realitet. Tashmë, fillon jeta e re për Kosovën. Jeta e zhvillimit të gjithmbarshëm dhe integrimeve evro-atlantike. Kosova tashmë menjëherë pas festës ka nevojë për punë dhe aktivitet. Përfundimi i kësaj feste duhet të shënohet me kthimin e Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, në sfidën e tyre për mbrojtjen e Kosovës edhe kaq vjet pas lufte

Shkruan: Burim Ramadani

I
Përmbyllja politike e një kaptine të tërë historike për Kosovën dhe aspiratave të qytetarëve shumicë në vend ka ndodhur pardje gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës me shpalljen e pavarësisë. Po të ndalesh për të menduar rrugën prejse është nisur ky projekt politik, nuk mjafton një koment i përmasave të ngushta për ta rrumbullakuar atë. Sidoqoftë, ajo që duhet analizuar më së shumti është momenti dhe realiteti në të cilën ndodhet shoqëria kosovare, sikurse edhe në sfidat dhe interesat që ka ajo përpara në vitet dhe dekadat e ardhshme. Obligimet për të arritur objektivat politike të qytetarëve të Kosovës janë të mëdha dhe si për t’i përmbushur ato duhet punuar tashmë me intensitet edhe më të shtuar. Pikërisht ajo që ish-kryeministri Haradinaj thoshe se “duhet shtrënguar rripat për të punuar pas pavarësisë”. Edhe festa për pavarësimin e vendit, që ka filluar të paktën prej të shtunës mbrëma, duhet të kthehet në elan për punë dhe sukses në të gjitha sferat e jetës.

II
Projekti politik për bërjen e shtetit të pavarur të Kosovës është disa dekadash, derisa një dekadë më herët shqiptarët e Kosovës kanë vuajtur nga pushteti agresor dhe sundues i Serbisë së prirë nga Millosheviqi. Vitet e 90-ta shënuan dhimbje, varfëri, gjak dhe mund për shqiptarët e Kosovës, sikurse që fundi i asaj dekade shënoi largimin e forcave policore e ushtarake sunduese serbe. Rezistenca paqësore e udhëhequr nga presidenti Rugova, mbajtja në jetë e arsimit dhe shëndetësisë nga lëvizja kombëtare gjithë-popullore e organizuar në LDK, lufta e armatosur dhe lufta atdhetare e Jasharajve, Haradinajve e të tjerëve ktheu bashkësinë ndërkombëtare në krah të Kosovës, për të ndërhyrë edhe ushtarakisht dhe larguar Serbinë njëherë e përgjithmonë nga Kosova. Përmirësimi i jetës në Kosovë pati shënuar një zhvillim të hovshëm menjëherë pas vitit 1999, derisa u realizua liria e munguar për popullin e Kosovës.

III
Prezenca ndërkombëtare në Kosovë gjatë më shumë se tetë vjet ka arritur të përmbyll suksesshëm mandatin e saj, në kuptimin e orientimeve dhe objektivave ndërkombëtare që i janë paraqitur kësaj administrate. UNMIK-u për tetë vjet ka kaluar tri faza, ashtu sikurse ishte paracaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Faza e parë ishte ajo emergjente, përkatësisht e nxjerrjes së Kosovës nga katastrofa ekonomiko-financiare. Rindërtimet e shpejta dhe masive, si dhe kthimi i refugjatëve, kanë qenë të dukshme dhe madje kanë demantuar një pjesë të opinionit ndërkombëtar për të kundërtën. Faza e dytë ishte ajo e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Kjo periudhë ndoshta ishte më e gjata e mandatit të UNMIK-ut, duke krijuar së pari trupa të përbashkëta të subjekteve politike të Kosovës në ato që njiheshin si Këshilli i Përbashkët Administrativ dhe Këshilli Tranzitor i Kosovës. Më pas, zgjedhjet e lira përcaktuan krijimin e institucioneve lokale dhe qendrore, të cilat tashmë kanë filluar mandatin e tretë. Faza e tretë ishte ajo e përgatitjes së Kosovës për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Megjithëse filloi me konfuzion, standardet për Kosovën paraqitën strategjinë dalëse të misionit.

IV
Për të ardhmen e Kosovës së pavarur mbetet shumë për t’u punuar, prandaj pavarësimi përfundon një kaptinë, duke hapur kështu kaptinën tjetër të zhvillimit të demokracisë, ekonomisë, standardit jetësor dhe marrëdhënieve rajonale e ndërkombëtare. Janë një sërë sfidash me të cilat do të përballet Kosova qysh në ditët e para të shtetësisë. Në këtë mes, patjetër, duhet futur edhe obligimet që Kosova ka marrë në bazë të Pakos së Ahtisarit. Më konkretisht, decentralizimi është një prej detyrave kryesore që ka Prishtina zyrtare. Puna në këtë proces duhet të fillojë qysh në javët e ardhshme, duke i sqaruar së pari në përpikmëri qytetarëve të Kosovës rreth rrjedhave të mëtejshme të këtij procesi. Qytetarët e Kosovës, ndërkaq, presin edhe zhvillimin ekonomik të vendit, perspektivën evropiane të arsimimit, kulturës dhe sportit. Përmirësimi i marrëdhënieve ndër-etnike, në anën tjetër, mbetet përkushtim i shoqërisë dhe elitës politike kosovare për vitet e ardhshëm.

Botuar në “Zëri” më 19 shkurt 2008, fq. 19.

No comments: