Monday, March 17, 2008

Social-demokracia në kushtet e Kosovës

Loja pa fitues
Social-demokracia në kushtet e Kosovës
Në Kosovë mund të thuhet se ekziston një përshtypje se vetë termi ‘socialist’ dhe/apo ‘social-demokrat’ asocion me sistemin komunist, prandaj shpjegimi i parimeve sociale ka rëndësi të posaçme në profilizimin e partive politike. Kush është socialist dhe/apo social-demokrat në Kosovë? Një filozofi e tillë politike vështirë se mund të jetë e suksesshme në një vend të varfër dhe ku rreth gjysma e popullatës janë të papunë siç është Kosova
Shkruan: Burim Ramadani
I
Ndër orientimet kryesore të partive politike sa i përket vendit të tyre në kompasin politik, pa dyshim se është orientimi social, që i takon pjesës së majtë të kompasit duke bërë kështu që partitë e tilla të quhen në përgjithësi si parti ‘të majta’ dhe anëtarët e tyre si ‘majtistë’. Derisa këto parti në rajonin Ballkanik nuk kanë gjithaq identitet të qartë, partitë simotra në vendet Perëndimore tashmë kanë nivel të thellë të fokusit dhe përmbajtjes, ndërsa kohëve të fundit këto parti kanë ndikim të gjerë sidomos në Evropën Perëndimore. Sidoqoftë, edhe në këtë aspekt Kosova ka mungesa të thella programore të partive politike, megjithëse disa parti të caktuara kanë dhënë shenja për orientim social-demokrat. Në Kosovë mund të thuhet se ekziston një përshtypje se vetë termi ‘socialist’ apo social-demokrat asocion me sistemin komunist, pjesë e të cilit ka qenë Kosova nën sundimin e ish-Jugosllavisë. Në fakt edhe nbë SHBA autorët vlerësojnë se ka konatcional të tillë për shkak të Luftës së Ftohtë me ish-BRSS-në. Prandaj, shpjegimi i parimeve sociale që mbrojnë këto parti ka rëndësi të posaçme në profilizimin e partive politike. Kush është socialist dhe/apo social-demokrat në Kosovë? A ekzistojnë rrethanat lehtësuese për të implementuar politika të tilla? Një filozofi e tillë politike vështirë se mund të jetë e suksesshme në një vend të varfër dhe ku rreth gjysma e popullatës janë të papunë siç është Kosova.
II
Një përshkrim shumë i përgjithshëm dhe i lehtë për të krahasuar socialistët në Evropën Perëndimore, autorë të ndryshëm e japin duke thënë se ata korrespondojnë shumë ngushtë me liberalët në SHBA. Të dy palët, edhe socialistët në Evropë edhe liberalët në SHBA shprehin përgjegjësinë sociale për mirëqenien e të tjerëve. Termi ‘socialist’ derivon nga fjala me prejardhje latine ‘socius’ – që do të thotë partner ose shoqërues. Socialistët deklarojnë se ata duan të zgjerojnë ndihmën për të gjithë anëtarët që kanë nevojë në shoqëri sikurse ata të jenë partnerët apo shoqëruesit e tyre. Në demokracitë perëndimore evropiane partitë politike socialiste janë vendosmërisht të përkushtuara në demokraci. Megjithatë, pasi që Bashkimin Sovjetik filloi të shkatërrohet, liderët politikë socialistë ishin të brengosur se emri i partive të tyre do të mund të prishej. Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Partitë Komuniste edhe në Evropën Perëndimore edhe në atë Lindore kanë ndryshuar shumë. Ato tashmë deklarojnë të jenë socialiste në orientim. Me qëllim të theksimit të kësaj, shumë prej partive të vjetra komuniste kanë ndryshuar emrin dhe Partia Komuniste Italiane, për shembull, tashmë quan veten si Partia Demokratike e së Majtës. Edhe në Kosovë vërehet një hezitim i përgjithshëm i partive të mëdha për të bërë identifikim të tillë, megjithëse zyrtarë partish të ndryshme kanë përdorur elemente të këtij orientimi.
III
Orientimi social, përkatësisht partitë socialiste dhe/apo social-demokrate shohin hendekun midis të pasurve dhe të varfërve si shumë të madh. Njëri nga qëllimet kryesore të socialistëve është që të pakësojnë/kufizojnë këtë hendek. Socialistët pohojnë se frytet e demokracisë mund të shijohen vetëm nga njerëzit të cilët kanë nivel të mjaftueshëm të sigurisë ekonomike. Sikurse dramaturgu gjerman Bertolt Brecht ka shkruar në të famshmen ‘Threepenny Opera’, njerëzit së pari duhet të hanë. Njerëzit që duhet të brengosen në mënyrë konstante çka të hanë, ku të gjejnë strehim dhe çka të bëjnë në rast të sëmundjes dhe në vitet e pleqërisë nuk janë me të vërtetë të lirë. Ata nuk janë në gjendje të marrin pjesë në jetën politike, e cila kështu do të jetë e dominuar nga më të pasurit dhe, si rezultat, nuk është vërtetë demokratike. Sipas mendimit socialist, shteti duhet të ndërhyjë në ekonomi në mënyrë që të arrihet më shumë barazi në shoqëri. Nëse forcat e tregut kanë lojë të lirë për të luajtur, atëherë hendeku midis të pasurve dhe të varfërve do të jetë më e gjerë. Është vetëm shteti ai që ka autoritetin e domosdoshëm për të rishpërndarë të ardhurat nga të pasurit tek të varfrit. Për socialistët, intervenimi i shtetit në shoqëri nuk është një pengesë, por një parakusht për një demokraci efektive. Nga perspektiva socialiste, demokracia mund të funksionojë vetëm nëse shteti rregullon shpërndarjen e pasurisë të realizohet nga forcat e tregut.
IV
Por, autorët shpeshherë ngritin pyetjen se a ka dallim midis socialistëve dhe socialdemokratëve? Përgjigjja e tyre është Po dhe Jo. Emërtimi i partive varet nga vendi në vend dhe është relativisht aksidental. Në Francë quhet Parti Socialiste, ndërsa në Gjermani quhet Partia Social-Demokrate, por dallimi në emërtim nuk do të thotë se partia në Francë mbështet parimet demokratike më pak se ajo në Gjermani. Rrethana të caktuara kombëtare shpjegojnë përse, për shembull, në Britani të Madhe dhe Holandë Partia Socialiste quhet Partia Laburiste. Një dallueshmëri midis socialistëve dhe socialdemokratëve në disa raste është bërë në diskutimet e brendshme partiake midis të majtëve dhe të moderuarve. Në Spanjë, për shembull, majtistët disa herë kritikuan ish-kryeministrin, Filipe González për marrjen e linjës Social-Demokrate, përmes së cilës ata nënkuptonin se ai ishte duke u akomoduar ndaj interesave të komunitetit të biznesit. Brezi i ri i socialistëve e sheh jetën politike më pak në kuptimin e së Majtës dhe së Djathtës. Për ata, çështja e rëndësishme është nëse dikush pa kurrfarë kritike mbështet rritjen ekonomike apo dikush ka vullnet të merr në rikonsiderim konceptin e rritjes ekonomike dhe kërkon alternativa të stileve të jetës. Ndërsa, përgjithësisht në mënyrë të kuptueshme, socialistët marrin mbështetjen nga njerëzit që punojnë në arsim, kujdes shëndetësor, punë sociale, komunikim dhe arte.
Botuar në "Zëri" më 17 mars 2008, fq. 13.

No comments: