Wednesday, March 19, 2008

Krizat qeveritare në Ballkan – jorastësi!

Analizë

Krizat qeveritare në Ballkan – jorastësi!


Serbia është pa qeveri, Maqedonia me qeveri minore, Shqipëria me qeveri nën presion, Mali i Zi me qeveri të re, ndërsa Kosova me konfuzion kompetencash për shtrirjen e autoritetit dhe me qeveri të mendësisë së fukarallëkut. Në asnjërin shtet (përveç Malit të Zi deri në një masë), nuk mund të llogaritet në ata që udhëheqin. Kjo tregon jo-stabilitetin rajonal. Si ndikon kjo në Kosovë?

Blerim Kuçi dhe Burim Ramadani
Vendet e Ballkanit që karakterizohen me brishtësi në sistemin politik dhe në organizimin shtetëror, këtyre ditëve kanë hyrë në një fazë të re të jo-stabilitetit politik e institucional. Të ballafaquara me raste dhe sfida të veçanta, por me efekt përafërsisht të njëjtë, shumë shtete Ballkanike tashmë janë në një stad paqëndrueshmërie, paaftësie dhe për më tepër pazotësie institucionale për të qenë në krye të obligimeve dhe angazhimeve që kanë në politikën rajonale dhe atë të fqinjësisë së mirë. Javët e fundit që kanë pasuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, për shkaqe të ditura kanë rezultuar me dorëheqjen e qeverisë në Serbi, shkatërrimin faktik të qeverisë në Maqedoni, ndërrimin e qeverisë së Malit të Zi, presionin e madh mbi qeverinë me gjasë para rrëzimit në Shqipëri pas ngjarjes tragjike atje, me konfuzionin e lartë të ngritur sa i përket misioneve ndërkombëtare dhe kompetencave për shtrirjen e pushtetit në tërë territorin e Kosovës, si dhe dhuna e ditëve të fundit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Paqëndrueshmëria e rajonit
Ballkani ka qenë arenë e konflikteve etnike dhe luftërave të përgjakshme për më shumë se dhjetë vjet gjatë historisë më të re. Pas vitit 2001 (me përfundimin e luftës në Maqedoni), konfliktet etnike kanë kaluar në terrenin politik duke u karakterizuar me politika diametralisht të kundërta mes palëve. Në të njëjtën kohë, vendet e brishta të Ballkanit janë shoqëruar me politikë të brendshme dukshëm të përçarë midis partive politike jo vetëm të etnive të ndryshme, por edhe brenda një etnie të vetme.
Në Serbi, përfundimi i luftës në terren me UÇK-në dhe NATO-n ka shkaktuar rrëzimin e Millosheviqit, por ndasia midis pro-Perëndimorëve dhe nacionalistëve ekstremë ka mbetur e thellë. Fatkeqësisht për Serbinë dhe rajonin, forcat nacionaliste përfaqësojnë shumicën e elektoratit serb dhe kanë ndikim tejet të madh në politikën shtetërore serbe. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me raportet e Serbisë me Kosovën, por edhe me rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare, në rend të parë me SHBA-të, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Zgjedhjet e ardhshme atje janë një shans i ‘mrekullueshëm’ për fitoren e atyre që duan të kthejnë Serbinë në izolim, të rrisin raportet konkrete me Federatën Ruse dhe të varrosin shpresat e evropianëve për një Serbi bashkëpunuese e të orientuar kah Bashkimi Evropian. Në këtë kohë, përgjegjësia politike për veprimet e Serbisë është vështirë të drejtohet në një pikë të vetme. Ndërsa, pakica shqiptare në Luginën e Preshevës ndodhet në pozitë kritike, duke mos pasur të qartë të ardhmen politike dhe nivelin e respektimit të të Drejtave të Njeriut dhe komunitetit.
Maqedonia, në anën tjetër, tashmë ka hyrë në një situatë të ndjeshme. Largimi i Partisë Demokratike Shqiptare nga qeveria ka vënë Qeverinë e Gruevskit në pozitë të Qeverisë së pakicës, derisa raportet etnike atje nuk kanë arritur asnjëherë nivelin e kënaqshëm. Qëndrimi që qeveritarët maqedonas etnikë mbajnë në raport me Kosovën është i përshtatshëm për t’u keqpërdorur për interesa të ndryshme jo vetëm të brendshme, por edhe të jashtme, në rend të parë të Serbisë. Ndikimi i grupeve të ndryshme brenda Maqedonisë është në rritje, duke sjellë një situatë edhe më të brishtë deri në zgjedhjet me gjasë të pashmangshme të parakohshme parlamentare. Tërë kësaj i shtohet edhe relacioni i pa-përmirësuar me Greqinë rreth emrit të shtetit të Maqedonisë, derisa koha në të cilën zhvillohen të gjitha këto zhvillime është tejet e rëndësishme për rajonin për shkak se Maqedonia pret që të merr ftesën për anëtarësim në NATO në fillim të prillit.
Shqipëria po ashtu gjendet në një situatë të pavolitshme pas ngjarjes tragjike të shpërthimit të municionit në fshatin Gërdec, ku mbi 15 persona vdiqën dhe mbi 200 u plagosën. Dorëheqja e Ministrit të Mbrojtjes atje duket se nuk do të mbyll tensionit midis partive politike thellë të përçara në Shqipëri, derisa koalicionet në të dy krahët karakterizohen nga mos-uniteti i veprimit politik. Mundësia e veprimeve të shërbimeve të huaja, në rend të parë të Serbisë dhe Rusisë, në Shqipëri nuk është diçka e papritur dhe në këtë rast mund të lidhet edhe qëllimi për shkaktim të jo-stabilitetit në shtetet rreth Kosovës. Thjesht, duket se qeveria shqiptare nuk është në momentin më të mirë të përgjegjësisë politike dhe aftësisë së veprimit përfaqësues në politikën rajonale në kohën kur pothuaj të gjitha shtetet e rajonit ballafaqohen me probleme përafërsisht të njëjta të legjitimitetit qeverisës.
Ndërsa, Mali i Zi dallon deri në një masë sa i përket politikës së brendshme, por pothuaj aspak sa i përket politikës rajonale. Duke u detyruar të ndërrojë qeverinë dhe të ri-sjellë në krye të saj liderin Gjukanoviq, Mali i Zi ndodhet nën një presion të fuqishëm të brendshëm dhe të jashtëm sa i përket raporteve me Kosovën. Megjithëse orientimet duken deri në një masë të qarta për njohjen e shtetit të Kosovës, qeveria e Malit të Zi duket se nuk do të jetë në gjendje të bëjë një hap të tillë edhe për një kohë të pacaktuar si pasojë e ndikimit të presionit serb dhe rus. Thënë shkurt, qeveria e Malit të Zi nuk është në gjendje të merr vendimin që duket se do të dëshironte.

Konfuzioni i politikës dhe autoritetit në Kosovë
Kosova pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 ka hyrë në një fazë tjetër që në fakt dëshmon për një konfuzion të përgjithshëm politik në rend të parë mbi kompetencat për shtrirjen e autoritetit në tërë territorin e Kosovës. Element tjetër është edhe funksionimi shumë-aktorësh i pushtetit/pushteteve në Kosovë. Tashmë në drejtim të Kosovës dhe situatës në terren këtu janë UNMIK-u, Misioni i BE-së (ICO dhe EULEX), institucionet e Kosovës dhe strukturat paralele të Serbisë. Kur kësaj i shtohet edhe KFOR-i si përgjegjës për sigurinë e përgjithshme dhe mandatin e derivuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vërehet një shpërputhje mandatesh dhe qëllimesh në Kosovë. Duke i bërë një analizë funksionimit të tillë të pushtetit/pushteteve në vend, mund të konstatohet se përgjegjës në Kosovë janë ‘të gjithë dhe asnjëri’. Kjo ka shkaktuar një huti të përgjithshme mbi atë se si duhet të veprojnë institucionet, mekanizmat dhe misionet veç e veç, derisa qëllimi primar i të gjithave së bashku është ruajtja e stabilitetit të brendshëm.
Qëllimi i Serbisë duket të jetë qartësisht i drejtuar kah destabilizimi i brendshëm i Kosovës, nxitja e dhunës ndër-etnike dhe arritja e një gjendje të re në terren. Ky qëllim i synuar, megjithëse deri më tash nuk është arritur, nuk duhet hedhur poshtë si mundësi e realizueshme. Për këtë kontribuojnë elemente dhe faktorë të ndryshëm kryesisht të brendshëm. Deri më tash kemi parë reagime dhe përleshje të dhunshme në veri, derisa një polic ndërkombëtar ka vdekur këtë javë. Po ashtu, kanë ndodhur incidente të shumta që prej shpalljes së pavarësisë, derisa ato mund të shpeshtohen në të ardhmen. Janë djegur dy porta kufitare, është larguar një pjesë e serbëve të SHPK-së, janë larguar një pjesë e serbëve nga institucionet e Kosovës, është larguar dogana nga kufiri me Serbinë, gjykata nuk funksionon në veri, zyra e ICO-s ështrë larguar nga veriu i Mitrovicës, kanë ndodhur shpërthime të ndryshme, është tentuar uzurpimi i një pjese të hekurudhave të Kosovës, protestat janë të vazhdueshme në vendbanime të serbëve, sikurse edhe politikanët e Serbisë vijnë në Kosovë saherë që duan sikurse para 17 shkurtit. Ndërkohë, politika qeverisëse ka instaluar një qeveri të mendësisë së fukarallëkut, duke mos stimuluar njerëzit që do të mund të kontribuonin profesionalisht, derisa pakënaqësia e qytetarëve me mos-fillimin e implementimit të premtimeve gjatë fushatës parazgjedhore është duke u rritur me të madhe. Kur kësaj i shtohet konfuzioni rreth autorizimeve të pushteteve, mos-kontrollimi i territorit, mungesa e doganave në veri, kontrabanda, stagnimi i njohjes së shtetit të Kosovë, paqartësia praktike e anëtarësimit në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, zgjedhjet e paralajmëruara të Serbisë në territorin e Kosovës më 11 maj 2008, si dhe revolta në rritje e qytetarëve për standard të pa-përmirësuar të jetesës edhe pas pavarësisë, konstatimi më i saktë është ai i një situate tejet të brishtë, të vlueshme dhe me potencial eskalimi.
Ndikimi i jo-stabilitetit rajonal në Kosovë – çka duhet bërë?
Politika e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme për implikimet e brendshme nga jo-stabiliteti rajonal. Kriza qeveritare në Serbi është pjesë e Planit Aksional të Serbisë në mënyrë që bashkësisë ndërkombëtare t’i pamundësohet drejtimi me gisht kah përgjegjësia e Qeverisë serbe. Një anarkizëm i planifikuar.
Gjendja në Maqedoni së paku është krijuar për t’i ikur presioneve të ndryshme për pranimin e shtetit të ri të Kosovës. Kjo është një sinjal që Maqedonia megjithatë ka përpjekje të jetë pjesërisht pjesë e planit serbo-rus për rajonin.
Mali i Zi duke qenë i paranjoftuar me këtë plan, vendosi në krye të qeverisë liderin e tyre të stabilitetit për të menaxhuar në favor të Malit të Zi me këtë situatë të krijuar në rajon.
Sa i përket Shqipërisë, duke pasur parasysh gjendjen në rajon dhe ndikimin serbo-rus në implementimin e planit të tyre, do të ishte naivitet të mendohet se tragjedia në Gërdec ishte një rastësi.
Në Kosovë kemi një përzierje të çuditshme të kompetencave dhe përgjegjësive. Çuditërisht misioni i BE-së ende nuk ka bërë asnjë hap në marrjen e kompetencave. Kjo gemishte e kompetencave, si dhe tërheqja e pushtetit civil nga veriu i Kosovës nuk është e rastësishme.
Gjendja në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë ka një emërues të përbashkët dhe ai është Plani i Veprimit serbo-rus për rajonin. Por, duhet cekur se ky është vetëm një Plan, ekziston edhe kundër-plani që është SHBA-NATO-BE dhe përpjekjet tona për t’iu kundërvënë këtyre planeve me mençuri.
Prandaj, përveç angazhimeve zyrtare që ka presidenti dhe kryeministri i Kosovës, ata duhet të kërkojnë ndihmën e opozitës për të treguar unitet që është mëse i domosdoshëm. Ky unitet duhet të jetë në harmoni me angazhimet për stabilitet të rajonit dhe për t’iu kundërvënë planit serbo-rus për destabilitet. Kjo duhet t’i afrohet po ashtu Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Sa i përket veriut të Kosovës, duhet që pa kurrfarë hezitimi, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të ndërmarrin veprimet e domosdoshme, duke filluar me sigurimin e plotë të kufirit nga KFOR-i dhe SHPK-ja, qoftë edhe me mbylljen e përkohshme (rreth tremujore) të kufirit me Serbinë. Duhet vendosur sa më shpejt Shërbimi Doganor në veri me kapacitet të plotë. Kontrabanda në atë pjesë financon edhe strukturat paralele serbe dhe pse jo edhe i mbajnë gjallë protestuesit në atë pjesë nën dirigjimin e Beogradit.

(Blerim Kuçi, ish-Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e kaluar të Kosovës, ndërsa Burim Ramadani - i specializuar në Studimet e Sigurisë)
Botuar më 20 mars 2008, në "Zëri" në Prishtinë më 20 mars 2008, fq. 17,
në gazetën "Rilindja Demokratike" në Tiranë më 20 mars 2008 (shih: http://www.rilindjademokratike.com/RD%2020%20mars/koment.htm),
si dhe në "Gazeta 55 në Tiranë më 22 mars 2008, http://www.gazeta55.net/index.php?v=op&art=3957&fview=t
si dhe në "Gazeta Shqip" në Tiranë më 23 mars 2008 (shih:

No comments: