Friday, March 7, 2008

Mbi orientimin konservator

Loja pa fitues

Mbi orientimin konservator

A janë partitë politike kosovare të bazuara në ndonjërën prej orientimeve në ‘kompasin politik’ apo të paktën mbi disa prej parimeve të cilësdo prej tyre? Kjo ndoshta është pyetja që është bërë shumë herë, porse kryesisht vetëm gjatë fushatës parazgjedhore dhe më pas është harruar fare si e tillë. Çka do të thotë orientimi konservator?

Shkruan: Burim Ramadani

I
Tashmë pas pavarësimit të Kosovës, në aspektin e zhvillimit politik dhe të kulturës politike të Kosovës është mëse e nevojshme të ketë debat krejt fillestar mbi atë që partitë politike vendore pretendojnë të përfaqësojnë. Nevoja për debatin profesional dhe përmbajtësor mbi orientimet e partive politike dhe vendin e tyre në atë që quhet ‘kompas politik’ është e padiskutueshme. Në përgjithësi, në fillim të këtyre debateve do të duhej të bëheshin përkufizime pak a shumë teorike mbi dy apo tri orientimet kryesore mbi të cilat duket se partitë kosovare duan të bazohen. Është mëse e nevojshme që të shihen se cilat janë parimet e konservatorëve, liberalëve, social-demokratëve dhe socialistëve. A janë partitë politike kosovare të bazuara në ndonjërën prej këtyre orientimeve apo të paktën mbi disa prej parimeve të cilësdo prej tyre? Kjo ndoshta është pyetja që është bërë shumë herë, porse kryesisht vetëm gjatë fushatës parazgjedhore dhe më pas është harruar fare si e tillë. Asnjëherë deri më tash, që prej përfundimit të luftës në vitin 1999, nuk është ngritur një debat i tillë mbi politikat e udhëhequra nga Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës. Prandaj, le të shohim se çka nënkupton të qenit konservator?

II
Termi konservator rrjedh prej fjalës to conserve, që sipas Oxford English Dictionary do të thotë “ruajtja nga kalbja ose ndryshimi ose shkatërrimi”. Çka duan konservatorët të ruajnë nga kalbja ose ndryshimi ose shkatërrimi? Mbi të gjitha, strukturën e autoritetit në shoqëri. Konservatorët besojnë se individi është i humbur nëse nuk futet në një strukturë të autoritetit. Konservatorët kanë pamje pak më të ndryshme rreth individit në krahasim me liberalët. Sipas mendimit konservator, individët janë për nga natyra të dobët dhe kanë nevojë për udhëheqje. Nëse lihen vet, ata është e pritshme të çrregullohen. Ata duhen të udhëhiqen nga autoritetet siç është shteti, kisha, familja dhe të ngjashme. Konservatorët brengosen se këto autoritete mund të prishen. Prandaj, qëllimi primar i konservatorëve është të ruajnë strukturën e autoritetit në shoqëri. Konservatorët mbështesin masat për fuqizimin e shtetit dhe familjes. Ata pohojnë se shteti ka nevojë për simbole të fuqishme për të mbajtur autoritetin. Sipas këtij mendimit, shteti duhet të jetë i bazuar jo vetëm në dobinë racionale, por edhe mbi emocione. Prandaj, konservatorët i nderojnë simbolet shtetërore dhe ofendohen kur të tjetër nuk e bëjnë të njëjtën.

III
Tek ekonomia, konservatorët si edhe liberalët kanë preferencë për tregun e lirë dhe kështu janë aleatë natyror në këtë aspekt. Nëse ka dallime midis dy palëve, atëherë kjo është për shkak se liberalët mbrojnë këtë parim edhe më shumë se sa konservatorët. Për liberalët, konkurrenca e tregut të lirë inkurajon individët të zhvillojnë potencialin e tyre deri në masën më të plotë. Kështu që, tregu i lirë gjen arsyetimin në nevojat e individëve. Konservatorët pajtohen me këtë deri në një masë të madhe, por ata gjithashtu i referohen rendit natyror të shoqërisë për të arsyetuar tregun e lirë. Sipas mendimit të konservatorëve, struktura hierarkike e shoqërisë korrespondon me ligjin e natyrës. Sikurse në botën shtazore, në mesin e qenies njerëzore ka gjithnjë të atillë që në mënyrë natyrore janë më të fuqishëm dhe më të suksesshëm se sa të tjerët. Por, nëse bankrotimi i një kompanie të madhe kërcënon stabilitetin ekonomik dhe politik të një regjioni të tërë, konservatorët janë më të vullnetshëm sesa liberalët që atë kompani ta nxjerrin nga balta me para të qeverisë. Porse, siç shihet, kjo do të mund të ndodhte në situatat vëretët jo të zakonshme, kur dëmi nga mos-ndërhyrja do të ishte më i madh se sa vetë ndërhyrja.

IV
Termi i konservatorëve në Kosovë është vështirë të përshkruajë në mënyrë të saktë ndonjërën prej partive politike. Edhe në vendet tjera, emri i partisë së këtillë është i ndryshëm. Në Britani të Madhe partia me orientin konservator quhet thjeshtë Partia Konservatore. Në vendet tjera të Evropës Perëndimore, ato kanë emërtime të ndryshme; në Zvicër ata quhen Parti e Moderuar e Unitetit; në Greqi quhen Demokracia e Re; në Spanjë quhen Aleanca Popullore. Për nga vetë natyra e tyre, konservatorët shprehin rëndësinë e identitetit kombëtar. Si pasojë, secila parti e tillë shfaqet nga konteksti kombëtar pa ndikim të madh ndërkombëtar. Socialistët dhe liberalët, në anën tjetër, kanë një mesazh më universal, kështu që për ta është më e lehtë të bashkëpunojnë në nivel ndërkombëtar. Mungesa e unifikimit ndërkombëtar në mesin e konservatorëve është e shfaqur edhe me vështirësinë e tyre të organizohen si një pari e vetme në Parlamentin Evropian. Sidoqoftë, në Kosovë asnjëra parti nuk është e anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare që grumbullon partitë e orientimit konservator. Plotësimi i parakushteve për anëtarësim është i domosdoshëm dhe duhet filluar menjëherë.
Botuar në “Zëri” më 3 mars 2008, fq. 13.

No comments: