Sunday, June 22, 2008

Çka i mungon Planit të Ahtisarit?

Loja pa fitues
Çka i mungon Planit të Ahtisarit?
Për të instaluar vlerën e qeverisjes së mirë dhe rritjen e standardit në Kosovë, Ahtisari është dashur të thoshte shprehimisht se: “Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ka të drejtë t’i shkarkojë dhe dënojë arbitrarisht të gjithë ata që bashkëpunojnë apo nuk luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin…reketi është i dënueshëm maksimalisht…asnjë përqind nuk jepet për tendere…mësimdhënësve nuk u kthehet dinjiteti me darka politike…”
Shkruan: Burim Ramadani
I
Sikur Plani i shkruar nga kryendërmjetësi për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, të adresonte edhe çështjet që kanë të bëjnë me standardin jetësor në Kosovë dhe mentalitetin qeverisës, padyshim se kjo do të paraqiste një pikë kthese drejt të ardhmes. Lehtësia e miratimit dhe përkushtimi i zbatimit të dispozitave të përcaktuara në Planin e Ahtisaarit tashmë katër muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë me të vërtetë shpresëdhënëse. Deputetët e pavarësisë madje as nuk kanë lexuar të paktën për vete ligjet e kaluara me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe kjo tregon për besimin e tyre të palëkundshëm në përmbajtjen e mirë të ligjeve. Angazhimet e qeverisë në mos-shkeljen e parimeve dhe normave të përcaktuara me Planin e Ahtisarit dhe prezenca e misionit evropiano-perëndimor për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre normave tregon po ashtu për një rrugë të nisur me ngulm. Porse, në këtë Plan, mungon një pjesë tejet e rëndësishme: parimet dhe normat se si duhet mirë-qeverisur dhe përmirësuar standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës. Këto është dashur të jenë kushtëzim për pavarësinë.
II
Sikur Plani i Ahtisarit të merrej me krimin e organizuar dhe korrupsionin, sigurisht se deri më tash Kosova do të jepte të paktën shenjat e para të vendosmërisë për të luftuar në këtë drejtim. Presidenti Ahtisari është dashur që të fuste në Planin e tij disa norma që thonë shprehimisht se Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ka fuqinë të shkarkojë dhe t’i dënojë arbitrarisht të gjithë ata që bashkëpunojnë dhe nuk luftojnë krimin e organizuar në rritje të frikshme në Kosovë, sikurse edhe ata që nuk mund të jetojnë pa korrupsion, hajni dhe haraç. Plani i Ahtisarit do të duhej të përcaktonte qartë se nuk lejohet të kërkohet dhe as të jepet asnjë për qind për tenderet në Kosovë. Kjo do të parandalonte rritjen e përqindjes bazike për fitimit e tendereve që nga 10 për qind është ngritur në 15 për qind vetëm brenda këtyre katër muajve. Rritja e përqindjes bazike që duhet dhënë në institucionet e Kosovës për të fituar tenderet mund të dëgjohet çdo ditë nga bizneset konkuruese, të cilat ofrojnë mallrat apo shërbimet që kërkohen në tender. Kjo nuk është vetëm kthim prapa, por është ecje e shpejtë mbrapsht.
III
Sikur Plani i Ahtisarit të merrej me arsimin në Kosovë, sigurisht se një numër i madh i reformave do të kishin filluar deri më tash. Në të njëjtën kohë, do të kishte filluar përmirësimi i kushteve të mësimdhënësve, kushte këto të cilat vazhdojnë të jenë pandryshueshmërisht të katandisura si është më së keqi. Dinjiteti i mësimdhënësve është shkelur më herët, por tash e tëra është duke u rrokullisur në humnerë. Ahtisari në Planin e tij është dashur të thoshte qartë dhe shprehimisht se mësimdhënësit nuk kanë nevojë për darka politike, për fjalime emocionale dhe premtime të pashterrshme, por që ato mjete të harxhohen në përmirësimin e kushteve të tyre dhe pse jo edhe në shpërblimin modest të punës së tyre në aktivitetet e shpeshta kulturore që mbajnë me nxënës. Mësimdhënësit janë shtresa më e mjerë e shoqërisë kosovare bashkë me shumicën e familjeve të dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, famijet në skamje ekstreme dhe punëtorët e administratës. Në kohën e rritjes enorme të çmimeve dhe nevojave të reja krahas teknologjisë së re, këto shtresa janë në gjendjen më të rëndë dhe po shkojnë kah rrënimi.
IV
Sikur Plani i Ahtisarit të merrej edhe me gjendjen ekonomike në Kosovë, atëherë do të mund të flisnim për një perspektivë të re drejt ardhmërisë së sigurt të brezave të rinj. Thjesht, Plani i Ahtisarit është dashur të thoshte shprehimisht se në Kosovë nuk guxon të lejohet që të ketë rritje të çmimeve të bukës dhe mallrave tjera ushqimore, as rritje të naftës, apo të shërbimeve. Ahtisari është dashur të përcaktonte edhe nivelin e lartë të investimeve që duhet patjetër të bëhen në Kosovë dhe të jepte mundësinë përfaqësuesi ndërkombëtar të dënojë ata që nuk kryejnë punën e vet në nxitjen e investitorëve të huaj në Kosovë, investime këto që janë të domosdoshme.
E tërë kjo e thënë më lartë, sigurisht se nuk është demokratike dhe as në përputhje me vlerat e qeverisjes dhe tregut të lirë. Por, fatkeqësisht kjo duket se ka qenë mënyra e vetme për të shtyrë vendim-marrësit kosovarë të luftojnë dukuritë që po i zënë frymën të ardhmes së Kosovës dhe që të punojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Përndryshe, këto nuk po duket se do të ndodhin së shpejti. Ndoshta, sikur pavarësia e Kosovës të kushtëzohej nga ky aspekt, jeta këtu do të bëhej e mundshme.
Botuar në "Zëri" më 23 qershor 2008, fq. 15.

No comments: