Sunday, June 8, 2008

Nëntë vjetët e Kosovës

Loja pa fitues
Nëntë vjetët e Kosovës
Për nëntë vjet, Kosova ka ecur ngadalë, disa herë u rrëzua, derisa lëndimet kanë varijuar nga më të lehtat deri më seriozet. Sidoqoftë, caku është arritur. Tashmë politikat duhet drejtuar kah rritja e njohjes së shtetit të Kosovës, qartësimit të pozicioneve vendorë-ndërkombëtarë, përmirësimi i marrëdhënieve ndër-etnike, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe zbutja e varfërisë, si dhe integrimet evro-atlantike
Shkruan: Burim Ramadani
I
Këtë javë bëhen nëntë vjet prej se nga Kosova u larguan forcat dhe administrata e Serbisë, që ndodhi pas rreth një dekade rezistencë paqësore, luftës çlirimtare dhe intervenimit ajror të NATO-s. Për nëntë vjet, Kosova u rindërtua, zhvillua, eci para dhe prapa, u katandis nga tensionet e larta ndër-etnike, si dhe u bë shtet i pavarur i njohur nga një pjesë e rëndësishme e fuqive botërore. Për nëntë vjet, Kosova ka ecur ngadalë, disa herë u rrëzua, derisa lëndimet kanë varijuar nga më të lehtat deri më seriozet. Sidoqoftë, caku është arritur. Pavarësia e Kosovës u bë realitet në shkurt të këtij viti, katër muaj para kujtimit të nëntë vjetorit të përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës. Lufta për arritjen në këtë cak ka qenë disadekadëshe, synim ky që pasoi pas shumë përpjekjesh të dështuara për të bërë Kosovën pjesë të shtetit amë që prej fillimit të shekullit të njëzetë. E tërë periudha nëntë vjetëshe mund të ndahet në tri faza të rëndësishme që kanë kaluar, derisa faza e katërt është ajo e tashmja.
II
Kthimi i gjendjes normale për jetesë elementare në Kosovë ka qenë faza e parë e këtij nëntëvjeçari, fazë kjo që nuk ka qenë aspak e lehtë. Sikurse të gjitha proceset e rindërtimit, edhe rindërtimi i jetës në Kosovë ka qenë proces i kushtueshëm, i ngadalshëm dhe i vështirë. Porse, Kosova në atë kohë ende mbahej nga motivi i lirisë dhe i solidaritetit midis njerëze. Kjo në fakt ishte vazhdimi i fundit i nivelit të solidarizimit që kishte ngjarë në Kosovë gjatë periudhës së pushtimit të egër të Millosheviqit, ku shqiptarët u mobilizuan në bazë të gjakut, solidaritetit dhe synimit për kundërshtim të okupimit nga armiku i përbashkët. Kështu vazhdoi për një kohë të shkurtër pas përfundimit të luftës, kur arsimtarët, mjekët dhe shtresa tjera të shoqërisë punonin në mënyrë të njëjtë pothuaj vullnetare, sikurse kishte ndodhur edhe para luftës. Shuma të mëdha të të hollave të derdhura nga mërgimtarët i dhanë një infuzion të fuqishëm Kosovës, për të mos ndjerë mjerimit që kishte kapluar në të vërtetë ekonominë vendore.
III
Kalimi në fazën e tretë mund të shënohet me formimin e institucioneve të Kosovës, përkatësisht qeverisë qendrore në vitin 2002. Të gjithëve u kujtohet sigurisht vështirësia e arritjes së marrëveshjes për atë qeveri. Kjo në fakt ishte gjendja reale në Kosovë. Asgjë nuk mund të arrihej me lehtësi, sepse ndërkohë kishim dëgjuar fjalë urrejtjeje ndërmjet grupeve, njerëz ishin rrahur e kërcënuar me jetë për mendimet e veta, figura politike u vranë, ndodhën atentate e çka jo. Kjo ka qenë periudhë e rëndë për jetën politike në Kosovë, sikurse që i rëndë ishte edhe tejkalimi i kësaj katandisje. Për rreth katër-pesë vjetët e mëpasme, megjithë zigzaget që ndodhën, jeta politike arriti të përmirësohet dhe dallimet ishin bërë të ngushta midis partive politike. Në këtë kohë, filloi procesi i definimit të statusit të Kosovës, si periudhë që tregoi pjekurinë e politikës dhe institucioneve kosovare për të ecur para. Gjatë këtij procesi, institucionet dhe shoqëria u fokusan në status, duke prioritizuar elementet që mundësuan pavarësimin e vendit.
IV
Kosova e pavarur tashmë ka nevojë për politika të reja në drejtime të ndryshme. Faza e katërt e këtij nëntëvjeçari ka filluar me shpalljen e pavarësisë, njohjen e saj nga vende të fuqishme (megjithëse jo të kënaqshme në numër) dhe drejtimin drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndër-etnike. Në fakt, poltiika kosovare tashmë duhet të përkushtohet në të paktën gjashtë drejtimet kryesore. Së pari, rritjen e numrit të shtetit që njohin sovranitetin e Kosovës, për t’i mundësuar vendit ecjen e sigurt drejt anëtarësimit në organizatat dhe forumet ndërkombëtare. Së dyti, definimi i pozicionit të vendorëve karshi misioneve ndërkombëtare dhe anasjelltas. Së treti, përmirësimi i marrëdhënieve ndër-etnike për të siguruar stabilitet politik. Së katërti, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që ka arritur nivele të frikshme. Së pesti, përmirësimi i ekonimisë dhe gjendjes së tmerrshme të varfërisë dhe papunësisë. Dhe, së gjashti, puna në integrimet rajonale dhe evro-atlantike, si aspiratë e patjetërsueshme e popullit të Kosovës.
Botuar në "Zëri" më 9 qershor 2008, fq. 13.

No comments: