Tuesday, June 17, 2008

SHIK-u legal vetëm për PDK-në

Përfundimi i “misionit” të SHIK-ut nuk u ka dhënë fund dyshimeve rreth tij

SHIK-u legal vetëm për PDK-në

“Ne edhe në raportin për gjendjen e sigurisë, që e kemi bërë vitin e kaluar, e kemi thënë qartë se SHIK-u është organizatë ilegale. Ne si MPB asnjëherë nuk kemi marrë raporte prej tyre”, ka thënë Burim Ramadani, ish-këshilltar në MPB


Shkruar nga: Zija Miftari
Botuar më 17 qershor 2008, në Koha Ditore, fq. 5.


Prishtinë, 16 qershor – Paraqitja e parë publike vetëm dy ditë më parë dhe ulja të dielën në mesin e ministrave në ceremoninë zyrtare të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, nuk ia hequr Kadri Veselit dhe Shërbimit Infomativ të Kosovës etiketën e të qenit shërbim ilegal e partiak të vënë nga disa subjekte politike në Kosovë.
Më të zëshmit në këto cilësime janë zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lideri i të cilit subjekt politik në disa raste kishte akuzuar në media SHIK-un për veprimtari kriminale.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar ta mbrojë dhe të këmbëngulë në legalitetin e SHIK-ut, mirëpo pa dhënë hollësi për formën e financimit e as të veprimit të këtij shërbimi.
Kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, ka thënë në një paraqitje të tij publike se kjo organizatë ka qenë legale dhe aktive e punës dhe partneritetit institucional vendor dhe ndërkombëtar.
Veseli e kishte bërë këtë deklaratë të shtunën në hapje të edicionit të lajmeve të televizionit publik, kur edhe ka shpallur përfundimin e misionit të SHIK-ut.
“Parlamenti i Kosovës, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka aprovuar ligjin për krijimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Duke u bazuar në këtë ligjshmëri kushtetuese, që nga data 15 qershor 2008, Shërbimi Informativ i Kosovës shpall të mbyllur misionin e vet historik dhe shtet-formues dhe fton të gjithë qytetarët e Kosovës në përkrahje të plotë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës”, ka thënë Veseli.

Maloku: Për qeveritë e kaluara, SHIK-u ka qenë ilegal

Mirëpo, anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, që vjen nga AAK-ja, Naim Maloku, thotë për SHIK-un se ka qenë vetëm në shërbim të PDK-së.
“Të gjithë e dinë se është shërbim partiak, i ka shërbyer PDK-së”, thotë Maloku.
Ai pohon se do t’ia dinte për nder PDK-së nëse do të dilte në opinion dhe të njoftonte se e ka shuar SHIK-un për të ulur tensionet politike në vend.
Ndërkaq, kolegia e Malokut në Kuvendin e Kosovës, deputetja Vlora Çitaku nga radhët e PDK-së, i mohon konstatimet e zyrtarit të AAK-së.
Sipas saj, SHIK-u është më i vjetër se shumë parti në Kosovë dhe ka punuar në shërbim të Kosovës.
“Absolutisht nuk është e vërtetë se SHIK-u i ka shërbyer PDK-së”, ka thënë Çitaku. Ajo shton se SHIK-u ka qenë organizatë legale së cilës i është ditur adresa.
“SHIK-u ka qenë legal dhe ka pasur partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Çitaku.
Si Maloku ashtu edhe zyrtarë të kabinetit të kaluar qeveritar mohojnë të kenë pasur ndonjë bashkëpunim me këtë shërbim.
“Në dy mandatet si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, asnjëherë nuk kam parë ndonjë raport të SHIK-ut, apo ndonjë dokument se është financuar nga buxheti i Kosovës”, ka thënë Maloku.
Për t’u siguruar, Maloku i kishte telefonuar të mërkurën edhe ish-kryeministrit Bajram Kosumi për ta pyetur nëse ai dinte për lidhjet e institucioneve me SHIK-un.
“Edhe ish-kryeministri Kosumi më ka thënë sot se gjatë kohës sa ka qenë në krye të ekzekutivit kosovar, SHIK-ut nuk është financuar nga buxheti”, ka thënë Maloku.

Ramadani: Ku ishte SHIK-u në mars 2004 dhe shkurt 2007

Lidhjet zyrtare me SHIK-un i mohon edhe Burim Ramadani, ish-këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë e kaluar, Blerim Kuçi.
“Ne edhe në raportin për gjendjen e sigurisë, që e kemi bërë vitin e kaluar, e kemi thënë qartë se SHIK-u është organizatë ilegale. Ne si MPB asnjëherë nuk kemi marrë raporte prej tyre”, ka thënë Ramadani.
Ai është i bindur se po të kishte kanalizuar SHIK-u informacionet tek institucionet kosovare, nuk do të kishin ndodhur ngjarjet e marsit 2004 dhe ato të shkurtit të vitit 2007.
“Nuk po them se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në këto ngjarje, por besoj se kanë qenë të informuar. Ata nuk i kanë kanalizuar tek institucionet këto informata dhe për këtë arsye konsideroj se SHIK-u ka qenë organizatë ilegale, jolegjitime dhe joprofesionale”, ka vlerësuar Ramadani.
Edhe në Shërbimin Policor të Kosovës mohon të ketë pasur ndonjëherë bashkëpunim me SHIK-un.
“SHPK-ja nuk ka pasur asnjëherë bashkëpunim me SHIK-un”, ka thënë Veton Elshani, zëdhënës i policisë.

No comments: