Monday, November 10, 2008

Qasja e gabuar ndaj EULEX-it

Loja pa fitues
Qasja e gabuar ndaj EULEX-it
Vendimi për dërgimin e EULEX-it në Kosovë, mbi të gjitha, është vendim politik, prandaj ky mision ka edhe rëndësi politike. Nëse vende të caktuara të BE-së, si Sllovakia apo Rumania, kanë dilema rreth pavarësisë së Kosovës, ato nuk kanë pse jenë pjesë e EULEX-it. Për më tepër, Rumania ende nuk ka dënuar përgjegjësit e vrasjeve më 10 shkurt 2007. Por, EULEX-i vjen në Kosovën e pavarur, që ka Kushtetutën e saj dhe nuk ndjen ndonjë përgjegjësi ndaj Rezolutës 1244/99
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vendosja në terren e misionit evropian për Polici dhe Drejtësi – EULEX tashmë sa më shpejtë duhet qartësuar, përcaktuar në detaje dhe filluar pa ndonjë vonesë të mëtutjeshme. Në të njëjtën kohë, duhet të definohet pa lënë asnjë dilemë mbi bazën ligjore, mënyrën e funksionimit, shtrirjen, kompetencat dhe mandatin politik të këtij misioni të quajtur si teknik për Kosovën e pas-pavarësisë. Ideja që EULEX-i do të jetë vetëm një mision teknik sigurisht se ka pasur një kuptim në kohën kur është mandatuar para rreth dhjetë muajsh, porse në të vërtetë EULEX nuk do të jetë vetëm i tillë. Problemet dhe dilemat politike që janë ngjallur me të madhe sidomos javëve të fundit midis OKB-së dhe BE-së tregojnë për një simbolikë të fuqishme politike që do të ketë misioni evropian në Kosovë, duke i dhënë kështu mundësinë e dëshmimit të rëndësisë së organizatave të ndryshme në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë, gjenerali Kermabo nuk do të duhej fare të mërzitej për këtë pjesë të tregimit, ai do të duhej të jetë shumë më i vendosur për të filluar misionin në kapacitet të plotë.
II
Vendimi për dërgimin e EULEX-it në Kosovë, mbi të gjitha, është vendim politik, prandaj ky mision ka edhe rëndësi politike. Nëse vende të caktuara brenda BE-së kanë edhe më tutje hezitime dhe dilema rreth pavarësisë së Kosovës, ato do të ishte e rrugës të mos jenë pjesë e EULEX-it. Spanja, Sllovakia e Rumania nuk do të dëmtonin fare misionin nëse nuk marrin pjesë. Për më tepër, Rumania ende nuk i ka të zgjidhura marrëdhëniet me Kosovën dhe popullin e saj, pas dhunës dhe vrasjes së dy qytetarëve të Kosovës më 10 shkurt 2007 në Prishtinë. Porse, EULEX-i vjen në Kosovën e pavarur, që ka Kushtetutën e saj dhe nuk ndjen ndonjë përgjegjësi ndaj Rezolutës 1244/99 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sa më shpejtë që vendet e caktuara të BE-së dhe OKB-ja kuptojnë se në Kosovë nuk do të ketë edhe më tutje mision çfarë ishte UNMIK-u, aq më shumë do të ketë përparim në vendosjen e misionit evropian në Kosovë dhe rrjedhimisht edhe rritje të aftësisë së bashkësisë ndërkombëtare prezente në Kosovë për të siguruar Sundimin e Ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e minoriteteve.
III
Vonesat e deritashme për fillimin e plotë të misionit evropian në Kosovë kanë shkaktuar humbje si në aspektin kohor e politik, edhe në atë praktik apo përmbajtësor. Por, qasja që OKB-ja dhe BE-ja kanë përdorur gjatë këtyre muajve ka qenë dhe është, edhe në parim, e gabuar. Si mund të diskutohet me Beogradin për vendosjen e EULEX-it në Kosovë? Çfarë mund të bisedohet në të vërtetë me Serbinë për këtë çështje dhe cili do të ishte rezultati? Si do të mund të angazhohej Prishtina në këtë çështje për biseduar me Beogradin për territorin dhe zhvillimet brenda Kosovës? Kjo në të vërtetë është një përpjekje e dështuar që nga fillimi dhe si e tillë është totalisht në rrugë të shtrembër. Porse, është e kuptueshme që në secilin rast dalin ide dhe projekte që kanë qëllime shkatërrimi të diçkaje të arritur apo ndryshimi të asaj që do të duhej realizuar. Në këtë kontekst duhet kupuar përpjekjet e OKB-së dhe qarqeve të caktuara në Bruksel për marrëveshje me Beogradin. Por, qasja kryesore në këto zhvillime të rëndësishme, ndjeshme dhe vështira, është ajo që vjen nga Prishtina, e cila duhet të shfaq vendosmëri.
IV
Vendimet e mëdha për Kosovën i marrin vetë institucionet e Kosovës. Kjo është përgjigjja që duhet dëgjuar në secilin moment dhe secilin nivel nga institucionet vendore, të cilët kanë përgjegjësinë legjitime për zhvillimin e demokratizimin e shtetit dhe shoqërisë kosovare. Asnjë marrëveshje e mundshme midis BE-së dhe Serbisë nuk ka kurrfarë vlere për institucionet e Kosovës dhe kjo duhet të shërbejë si reagim i vetë-kuptueshëm ndaj çfarëdo iniciative të palogjikshme që mund të vijë nga nivele të ndryshme të politikë-bërjes ndërkombëtare. Lajmet gjysmë të konfirmuara për arritjen e një ujdie me Serbinë për shtrirjen e EULEX-it janë shenjë për vazhdimin e qasjes së gabuar. EULEX-i nuk mund të funksionojë si neutral, sepse kjo nuk do t’i kontribuonte integrimit të brendshëm të Kosovës dhe as përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore midis Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës janë e vetmja adresë që mund të diskuhet për zhvillimet e brendshme. Tek e fundit, e ardhmja dhe perspektiva e popullit të Kosovës nuk kanë fare të bëjnë me vullnetin e Beogradit. Prandaj, EULEX-i duhet të kthehet vetëm nga Kosova, s’ka fare të bëjë me Serbinë.
Botuar në “Zëri” më 10 nëntor 2008, fq. 12.

No comments: