Sunday, January 11, 2009

EULEX-i në provim


Loja pa fitues


EULEX-i në provim


EULEX duhet të dëshmojë se nuk ka hyrë në veriun e Kosovës sa për të qenë e jo për të bërë (to be, not to do). Tash për tash, nëse huazohet klisheja që përdoret zakonisht në sport dhe festivale të ndryshme, atëherë i bie se edhe për EULEX-in “me rëndësi është pjesëmarrja”. Kjo nuk funksion. EULEX dhe Policia e Kosovës duhet të veprojnë me profesionalizëm dhe sipas ligjit. Kështu stabilizohet Kosova





Shkruan: Burim Ramadani


I
Vënia nën kontroll e situatës në pjesën veriore të Kosovës gjithherë e më shumë po dëshmon kompleksitetin e vet. Kjo u pa qartë edhe gjatë ditëve të fundit të vitit të kaluar dhe ditëve të para të këtij viti. Sa për të mos thënë se viti 2008 kaloi pa ndonjë dhunë domethënëse (ose të paktën që prej shkurtit kur u dogjën pikat kufitare në veri), grupe të caktuara njerëzish shkaktuan një dridhje në atë pjesë. E njëjta ndodhi edhe në ditët e para të vitit 2009, me gjasë sa për të mos lënë të shpresohet se ky vit do të jetë i qetë dhe pa probleme në aspektin e sigurisë. Në të vërtetë, periudha në të cilën ka hyrë Kosova ka nevojë më së shumti për qetësi, rend dhe stabilitet në mënyrë që të arrihen përparime në aspekte të ndryshme të jetës. Tek e fundit, qytetarët e Kosovës e kanë të domosdoshme kujdesin për mirëqenien e tyre sociale në kohën e krizës globale ekonomike, e cila krizë patjetër se ka prekur vendin në sektorë të ndryshëm. Sidoqoftë, ky nuk është realiteti tash për tash dhe, për fat të keq, duket se do të nevojitet një kohë relativisht e gjatë për të arritur stabilitetin e domosdoshëm, që mundëson zhvillimin e standardit jetësor.
II
Veçantia e gjendjes së përgjithshme në veriun e Kosovës ka të bëjë me përpjestimin e zhdrejtë të forcës ushtarake e policore (ndërkombëtare e vendore) me numrin e popullatës (ekstremistëve) dhe pamundësinë e kontrollit institucional. Është pothuaj e pamundur të krahasohen fuqitë pozitive dhe negative në atë pjesë të territorit të Kosovës dhe rrjedhimisht është e pamundur të kuptohet qartë mungesa e motivit për të vënë rend dhe ligj atje. Një numër i konsiderueshëm i trupave të KFOR-it, Policët e EULEX-it dhe Policia e Kosovës së bashku mund të arrijnë shifrën e disamijëshit vetëm në pjesën veriore të Kosovës, që në fakt është më pak se një e treta e territorit të plotë të vendit. Dhe, në atë hapësirë jetojnë vetëm disa qindra individë të paguar nga struktura të ndryshme nacionaliste anti-kosovare, që dëshirojnë të ruajnë gjendjen jostabile të vendit dhe kështu të minojnë çfarëdo të arriture të mundshme. Çdo shtet evropian do të turpërohej me faktin se përfaqësuesit e tyre ushtarakë e policorë nuk janë në gjendje të merren me disa qindra njerëz të paguar, të cilët nuk kanë dëshmuar ndonjë afinitet kamikazi.


III
Bazamenti i secilës politikë është përkushtimi në implementimin e vendimeve në fuqi. Kjo dëshmon edhe për mundësitë e suksesit të një vendimi në cilindo nivel qoftë. Vendosmëria, në fakt, është e tëra ajo që i mungon forcave të rendit dhe sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Në të njëjtën kohë, duket se mungon edhe presioni i duhur/mjaftueshëm institucional i Prishtinës për të rritur nivelin e reagimit ligjor në përballje me dhunën dhe tendencat destabilizuese. Por, në të vërtetë, për çka ka ardhur EULEX-i në Kosovë? Të mbetet jofunksional sikurse që ishte policia e UNMIK-ut në të shumtën e rasteve, apo të krijojë dhe shfrytëzojë mundësinë e vendosjes së sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës? Rasti i dhunës së ditëve të fundit, megjithatë, shfaqi një impotencë reaguese të policëve të misionit evropian në Kosovë dhe kjo sigurisht se ka qenë një dështim i parë i kësaj trupe. Edhe vet involvimi i Serbisë në mundësimin e shtrirjes së EULEX-it në Kosovë ka dhënë sinjale të pashpresa që prej fillimit. Prandaj, puna e përpiktë e këtij misioni do të mund të hiqte dilemat rreth suksesit të tij.


IV
Bashkëpunimi i EULEX-it me mekanizmat vendor të sigurisë duhet të jetë i qartë, i përditshëm dhe i kuptueshëm. E njëjta gjë vlen edhe për bashkëpunimin me KFOR-in, si mekanizëm tejet i rëndësishëm brenda të gjitha zhvillimeve politike e të sigurisë në Kosovë. Porse, Policia e Kosovës dhe, pak më vonë, Forcat e Sigurisë së Kosovës paraqesin partnerin lokal të misionit evropian për sundim të ligjit në aspektin e sigurisë dhe rendit publik. Në këtë kuadër, edhe Policia e Kosovës tashmë duhet të qartësojë dhe definojë saktësisht rolin dhe ndërlidhjen e saj me institucionet tjera vendore e ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës ka nënkuptuar edhe bartjen e kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet vendore sa i përket menaxhimit dhe subordinimit të Policisë së Kosovës dhe në këtë kuptim duhet të shikohen edhe zhvillimet e domosdoshme të sigurisë dhe rendit publik në tërë territorin e Kosovës. Funksionimi profesional dhe sipas ligjit i Policisë së Kosovës, patjetër, do të funksiononte edhe si presion normal ndaj EULEX-it kur bëhet fjalë për sigurinë dhe rendin publik.




Botuar më 12 janar 2009, fq. 9

No comments: