Monday, January 19, 2009

Presidenti Bush është personalitet i madh i botës

Loja pa fitues

Presidenti Bush është personalitet i madh i botës

Lufta Globale kundër Terrorizmit, shtetet batakçinj dhe lufta e demokracisë kundër tiranëve janë tri koncepte madhështore të cilat janë vendosur gjatë kohës së administratës së Presidentit Bush. Mbi këto koncepte do të fuqizohet ruajtja dhe konsolidimi i demokratizimit të shteteve dhe shoqërive nëpër botë, si dhe ngadhënjimi i demokracisë. Të tri këto linja janë fundamentale për Perëndimin. Presidenti Bush është personalitet i madh botëror

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vendosja e administratës së re amerikane, pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit të kaluar, do të bëhet këtë javë, duke i dhënë kështu përfundimin normal procesit të transferit të pushtetit ekzekutiv. Shteti më i fuqishëm dhe ndikues në rendin e tashëm botëror, ka dëshmuar edhe njëherë se demokracia është niveli më i lakmueshëm i organizimit të sistemit shtetëror dhe shoqëror në historinë e njerëzimit. Ëndrra amerikane ka mbetur e gjallë dhe produkt i saj është presidenti i ri, Barak Obama. Pa të kaluar tradicionale familjare në politikën, shkëncën apo artin amerikan, Obama me origjinë keniane (nga babai) ka shënuar fuqizimin e shpirtit të vlerave amerikane, për t’i dhënë kështu një shtytje edhe më gjithëpërfshirëse rolit të SHBA-ve si fuqi lidere në botën e tashme. Synimi i Obama-s që të rris moralin dhe vlerën e ëndrrës amerikane duket të jetë politikë dobisjellëse për amerikanët dhe njerëzimin në tërësi. Por, për çka do të kujtohet presidenti i deritashëm, Bush? Cilat nga vijat e tij do ta ndjekin administratën e re, atë të ardhmen dhe botën demokratike? Në të vërtetë, duke analizuar konceptet e reja të politikës së jashtme dhe sigurisë që janë ngritur nga administrata e deritashme, vërehet se Presidenti Bush ka nxjerrë vendime të mëdha për SHBA-të dhe botën. Prandaj, edhe administrata Obama, por edhe disa administrata të ardhshme, do të bazohet plotësisht në këto linja për të siguruar të ardhme të suksesshme për amerikanët dhe botën.

II
Bazamenti i politikës së jashtme dhe sigurisë për SHBA-të do të mbetet edhe për disa vjet brenda të paktën tri koncepteve kryesore të ngritura dhe vendosura nga Presidenti Bush. Lufta Globale kundër Terrorizmit, shtetet batakçinj dhe lufta e demokracisë kundër tiranëve janë tri koncepte madhështore mbi të cilat do të duhej të fuqizohej ruajtja dhe konsolidimi i demokratizimit të shteteve dhe shoqërive nëpër botë. Të tri këto linja janë fundamentale për Perëndimin për vitet e ardhshme. Administrata e Presidentit Bush ka dhënë ndihmesë të padiskutueshme për kombet e botës duke i vendosur këto koncepte në politikë vepruese. Nuk ka gjë më të rrezikshme, tash për tash, për demokracinë dhe Perëndimin sesa zhvillimet/pasojat që vijnë nga këto tri kategori. Terrorizmi, shtetet batakçinj dhe tirania janë sfidat dhe kërcënimet fundamentale ndaj bashkë-jetesës, zhvillimit dhe lirisë. Të tri këto rreziqe përfshinë brenda vetes shumë elemente tejet kërcënuese për shoqëritë dhe kombet e lira, duke rrezikuar kështu demokracinë, rendin botëror dhe vetë ekzistencën e njerëzimit. Prandaj, Presidenti Bush dhe administrata e tij konservatore ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme në qartësimin e të ardhmes së njerëzimit dhe identifikimin e rreziqeve aktuale dhe atyre të ardhshme. Tek e fundit, kjo politikë do të duhej të vazhdojë edhe në administratat e reja për një kohë të pacaktuar, për të siguruar njerëzimin kundrejt çmendurive të shekullit të ri.

III
Veprimi energjik i Presidentit dhe administratës Bush gjatë zhvillimeve të fundit në Ballkan është po ashtu një kujtesë e padiskutueshme për këtë personalitet të madh botëror. Kosova ka shpallur pavarësinë e saj me mbështetjen e plotë dhe të pandërperë të Presidentit Bush dhe kosovarët do të kenë gjithnjë në mendje këtë gjë. Mbështetja e Presidentit Bush për Kosovën, sikurse është thënë disa herë nga vetë ai, ka pasur pa dyshim kuptimin e zhvillimit të nevojës për shoqëri e kombe të lira, që është një koncept kryekëput demokratik. Prandaj, Kosova është një prej tregimeve më të sukseshme të Presidentit Bush, politikës së jashtme amerikane dhe vlerave demokratike të atjeshme. Është e qartë se suksesi në luftën kundër terrorizmit, tiranisë dhe ndryshimin pozitiv të shteteve batakçinj kërkon kohë dhe nuk mund të krahasohen me rezultatet që kanë dalë nga rasti i Kosovës. Porse, Presidenti Bush do të mbahet mend për politikën e tij të paluhatshme të bazuar mbi lirinë në përballje me situata të ndryshme në botë. Deklaratat e tij të bëra më 10 qershor 2007 gjatë vizitës në Tiranë, kanë dhënë një përgjigje të qartë se cili është vizioni i SHBA-ve në ndërtimin e botës së kombeve dhe shoqërive të lira. Kjo, tek e fundit, ka qenë dhe është qëllimi i të gjitha përpjekjeve të deritashme për shtrirjen, zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë në të katër anët e globit. Pa dyshim se demokracia nuk ka kuptim pa zhvillimin e konceptit të lirisë.

IVBashkë me pavarësimin e Kosovës, Presidenti Bush ka pasur rol jashtëzakonisht të fuqishëm edhe për zgjerimin e NATO-s. Kjo organizatë politiko-ushtarake ka funksion themelor në shtrirjen e ardhmërisë demokratike në botë dhe ruajtjen e vlerave demokratike nga kërcënimet e çmendurive të tashme. Shqiptarët edhe në këtë rast i janë mirënjohës Presidentit Bush për futjen e Shqipërisë në NATO. Në prill të vitit që shkoi, shteti shqiptar mori ftesën për anëtarësim në NATO, pasi kishte kaluar një ‘procedurë’ të të qenit anëtar i Kartës së Atlantikut dhe plotësimit të një numri kriteresh të vendosura në drejtim të Paktit. Ballkani tashmë ka bërë një hap të fuqishëm në rritjen e stabilitetit dhe shmangien e konflikteve të drejtëpërdrejta ushtarake me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. E ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit është në NATO dhe ky është vizioni që është dëshmuar edhe konkretisht nga Presidenti Bush gjatë kësaj kohe. Zhvillimi dhe zgjerimin i NATO-s ka qenë një ndër qëllimet e deklaruara të Presidentit Bush dhe ai ka arritur të ketë sukses për të përmbushur këtë qëllim. Zgjerimi i NATO-s deri në Kaukaz është, po ashtu, një vlerë e pamohueshme që Presidenti Bush ka vendosur dhe përkrahur hapur. Kështu, ai ka vendosur themelet e orientimit të ri për avancimin dhe ngadhënjimin e demokracisë ndaj sistemeve tjera brutale. Ai ka punuar për demokracinë. Thjesht, Presidenti Bush ka bërë historinë.

Botuar në “Zëri” më 19 janar 2009, fq. 13.

No comments: