Monday, January 26, 2009

Mesazhi i Obamës për Kosovën

Loja pa fitues

Mesazhi i Obamës për Kosovën

“Gjithë njerëzit dhe qeveritë që po na ndjekin sot, nga kryeqytetet më të mëdha e deri tek fshati i vogël ku lindi babai im, ta dinë se Amerika është mikja e çdo vendi dhe çdo burri, gruaje dhe fëmije, që përpiqen për një të ardhme në paqe dhe me dinjitet”. Ky është mesazhi i qartë i presidentit Obama për elitën dhe shoqërinë kosovare. Konsolidimi i demokracisë, investimi në paqe dhe stabilitet afron edhe më shumë Kosovën me politikën amerikane

Shkruan: Burim Ramadani

I
Varësisht se prej cilit aspekt shikohet dhe analizohet fjalimin e parë të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, mund të nxjerrën mesazhet për të gjitha vendet dhe kombet e botës. Presidenti Obama gjatë fjalimit të tij inaugurues ka shpërndarë mesazhe të qarta për elitat politike të të gjitha kombeve të botës, duke prezantuar në mënyrë të shkëlqyer pozicionin e SHBA-ve ndaj zhvillimeve konstruktive dhe dekonstruktive në botën e sotme. ‘Shpresa e botës’ apo ‘realizuesi i ëndrrës së Luter Kingut’ ka thënë në fjalimin e tij inaugurues se Amerika do të jetë prijëse e proceseve, ndërsa popujve të botës u ka kërkuar që të orientohen nga jeta në paqe dhe dinjitet nëse duan ta kenë mik shtetin më të fuqishëm të globit. Kjo politikë sigurisht se pritet në dy mënyra. Së pari, shoqëritë demokratike dhe ato të orientuara kah demokracia, të cilat po punojnë ende për konsolidimin e saj, mirëpresin vazhdimin e udhëheqjes së SHBA-ve me proceset më të rëndësishme në rendin botëror. Së dyti, vendet me udhëheqje tiranike dhe të orientuara në kundërshtimin e secilës vlerë të demokracisë mund të kenë shqetësim të shtuar për shkak të mundësive të vogla për rezultate të politikës së tyre.

II
Vërtetë, të gjitha kombet dhe elitat e tyre duhet të nxjerrin/marrin mesazhet që ka dhënë në mënyrë të shkëlqyer presidenti Obama. Edhe Kosova në këtë kontekst duhet të sheh veten brenda linjave që i dha presidenti amerikan gjatë fjalimit të tij inaugurues. “Gjithë njerëzit dhe qeveritë që po na ndjekin sot, nga kryeqytetet më të mëdha e deri tek fshati i vogël ku lindi babai im, ta dinë se Amerika është mikja e çdo vendi dhe çdo burri, gruaje dhe fëmije, që përpiqen për një të ardhme në paqe dhe me dinjitet”. Ky është formulimi më i rëndësishëm që Obama ka bërë gjatë fjalimit inaugurues dhe që mund të lidhet me Kosovën, orientimin dhe ardhmërinë e saj. Edhe ata që mund të kenë dilema të mëtutjeshme rreth orientimit të shoqërisë kosovare, duhet që definitivisht të shohin rrugën e vetme të mirë që vendi mund të merr me qëllim të zhvillimit të një jete të qetë, stabile, paqësore dhe të avancuar. Megjithëse skeptikët brenda dhe jashtë Kosovës nuk janë të paktë (bazuar në elemente të ndryshme të keq-qeverisjes), është fakt i pamohueshëm se populli i Kosovës është thellësisht i orientuar kah demokracia, vlerat perëndimore dhe toleranca e gjithanshme që është investuar me dekada.

III
Bazuar në linjat e politikës së tashme amerikane, të gjitha vendet në glob mund të arrijnë ndihmën, miqësinë dhe bashkëpunimin me shtetin më të fuqishëm të botës. Për më tepër, vlerat që përfaqësojnë SHBA-të janë vlerat më të avancuara që ndonjëherë ka parë historia e njerëzimit, duke u bazuar në vlera univesale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit, zgjedhjet demokratike dhe të lira, ndarjen e pushteteve, qeverisjen e mirë dhe marrëdhëniet e avancuara ndërkombëtare. Thelbi i sistemit të demokracisë qëndron pikërisht në sundimin e shumicës me respektimin e plotë të pakicës, mbi bazën e vlerave të tilla. Tek e fundit, demokracia është sistemi më i përparuar i qeverisjes dhe përfaqësimit në historinë e njerëzimit, ndonëse llogaritet të mos jetë më miri i mundshëm. Me gjithë lëshimet eventuale që mund të vihen re gjatë funksionimit të sistemit demokratik, krahasimi me sistemet tjera vendos një pozicion të pamohueshëm për vlerat demokratike. Totalitarizmi, autoritarizmi, tirania, mbretëria jo-kushtetuese apo komunizmi i kanë sjellë njerëzimit vuajtje, dhunë e poshtërim. Demokracia është e kundërta e dhunës dhe poshtërimit, është sistem i mundësive të barabarta.

IV
Bashkëpunimi i gjerë në ndërtimin e një sistemi sa më të avancuar, përkatësisht në konsolidimin e demokracisë në Kosovë është mëse i domosdoshëm në mënyrë që të krijohet e ardhmja e aspiruar. Për këtë, sigurisht se do të ekzistojë fuqishëm ndihma amerikane. Megjithëse Kosova nuk është përmendur shprehimisht në fjalimin e Presidentit Obama, mund të vlerësohet se ai i ka dhënë Kosovës mesazh të qartë, dhe se paraqet inspirim për të gjitha kombet dhe elitat e tyre për t’u drejtuar kah e ardhmja e konsolidimit dhe forcimit të demokracisë. Kosova duhet të punojë plotësisht mbi bindjen se SHBA-të do të vazhdojnë përkushtimin e fuqishëm për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës. Shoqëria kosovare, në mënyrë të padiskutueshme, është e orientuar drejt vlerave Perëndimore, lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Prandaj, Kosova duhet të angazhohet plotësisht në ndërtimin e shtetit të barazisë për të gjithë, paqes dhe stabilitetit. Dhe, si i tillë, shteti i Kosovës do të jetë aleat i SHBA-ve në përhapjen e demokracisë, mbrojtjen e lirive të njeriut dhe luftën kundër kërcënimeve globale. Kosova do të mbetet në agjendën amerikane. Amerika, sipas Obama-s, do të jetë vend mik për të gjithë ata që duan paqen.

Botuar në “Zëri”, më 26 janar 2009, fq. 11

No comments: