Wednesday, July 15, 2009

E vërteta politike

Loja pa fitues
E vërteta politike
Kosova e këtyre ditëve nuk është peng e politikave të mëdha në raport me Serbinë apo pesë vendet e BE-së që nuk na kanë njohur. Kosova nuk është peng e ndonjë padëgjueshmërie qytetare ndaj Qeverisë së shtetit. Përkundrazi, Kosova realisht është peng e mosefikasitetit të qeverisë së vendit në bërjen e politikave konkrete. Kosova është peng e padëgjueshmërisë së qeveritarëve ndaj qytetarëve të vendit
Shkruan: Burim Ramadani
I
A mund të përcaktohet qartë në shoqëri roli i të vërtetës politike apo, të paktën, asaj që besohet se është e vërteta? Si mund të avancohet niveli i ngritjes së presionit publik për zhvillimin e qeverisjes në vend? Realisht, shoqëritë demokratike i kanë të zhvilluara praktikat dhe mekanizmat e ngritjes së njohurive apo vetëdijësimit të opinionit publik për atë që ndodh apo mund të ndodh në vendin e tyre. Kjo sigurisht se është një prej të arriturave më të mëdha të zhvillimit të shtetit modern në kohët e demokracisë, sistem ky që mundëson ndikimin e qytetarëve në vendimmarrje në të gjitha nivelet. Në këtë kuadër, theksimi në publik i asaj që një individ ose një formacion i organizuar politik apo qytetar nuk duhet shikuar domosdo si pjesë e një fushate të organizuar kundër atij apo asaj në një pozitë të caktuar publike. Dhe këtu, roli i partive politike është rol prijës. Detyra e partive politike është të paraqesin vizionin për lehtësimin dhe zhvillimin e jetës së qytetarëve, sikurse edhe të thonë atë që besojnë se është e vërteta qeverisëse. Nëse problemi social është ekstrem, kjo nuk është akuzë opozitare. Nëse Kosova ka mbetur e izoluar dhe nuk është futur në liberalizimin e vizave, kjo nuk është akuzë opozitare. Nëse rrugët e shtruara me shumë bujë dhe shumë kosto po shkatërrohet ende pa u bërë gjysëm viti prej prerjes së shiritit, kjo nuk është akuzë opozitare. Nëse vjedhja në Dhomën e Dëshmive të Policisë nuk është zbardhur ende, kjo nuk është akuzë opozitare.
II
Atëherë kur vendimmarrësit politikë institucionalë të Kosovë të jenë në gjendje të dëgjojnë realisht zërin dhe brengat e qytetarëve të Kosovës, vetëm atëherë mund të fillohet diskutimi për shkallën e avancuar që kemi arritur në demokratizim. Kjo është çështja drejt të cilës është e nevojshme të kthehen sytë e qeveritarëve të tashëm, të cilët kanë lënë mënjanë intereat e qytetarëve, duke i shërbyer në formë të drejtëpërdrejt apo të tërthortë interesave të një klani të caktuar individësh. Ky klan është i lidhur ngusht më shumë skandale të mëdha të deritashme, që nga keqpërdorimi enrom i fondit për festën e shpalljes së pavarësisë, e deri tek vizitat përdyjavshme e shefit të qeverisë më Maqedoni apo Slloveni. Realisht, skandalet e kësaj qeverie nuk kanë të ndalur dhe si të tilla ato po dëmtojnë në mënyrë të fuqishme buxhetin e Kosovës. Për me tepër, qeverisja e këtillë është duke dëmtuar në formë të vrazhdtë imazhin e Kosovës në botë. Të gjitha raportet e mekanzimave, institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, sikurse edhe shteteve të caktuara perëndimore, kanë kritikuar fuqishëm Kosovën për mospërmbushje të kritereve dhe obligimeve shtetërore që ka tash në kohën e integrimeve rajonale e ndërkombëtare. Komisioni Evropian, OSBE-ja, Amnesty International, Transparency International, Human Rights Watch e shuëm organizata tjera ndërkombëtare kanë kritikuar Kosovën. Po ashtu, SHBA-të kanë kritikuar Kosovën dhe e kanë vlerësuar si “çerdhe” të trafikimit me qenie njerëzore.
III
Kosova e këtyre ditëve nuk është vetëm peng e politikave të mëdha në raport me Serbinë apo pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk na ka njohur. Kosova nuk është peng e ndonjë padëgjueshmërie qytetare ndaj Qeverisë së shtetit. Ajo që po ndodh tash është plotësisht e kundërta. Kosova realisht është peng e mosefikasitetit të qeverisë së vendit në bërjen e politikave konkrete. Kosova është peng e padëgjueshmërisë së qeveritarëve ndaj qytetarëve të vendit. Duke instaluar politikën e mosveprimit apo, thënë më direkt, duke mos bërë gtjë, qeveria e Kosovës është kthyer shpeshherë edhe në një pengesë të qartë për zhvillimin e fushave të ndryshme në vend. Më konkretisht, a mund të mendojë dhe pranojë dikush në Kosovë faktin se institucionet e Kosovës nuk kanë gjetur ende udhëheqjen e Agjencisë Kosovare për Intelegjencë edhe tash pas rreth 15 muajsh prej se kur mund të bëhet kjo? Për vite të tëra, mungesa e një shërbimi intelegjent ka qenë vlerësuar si një prej pengesave dhe mungesave më të mëdha institucionale të Kosovës për të rritur nivelin e sigurisë së përgjithshme brenda vendit. Dhe, tashmë kur kjo do të mund të funksionalizohej për muaj të tërë, udhëheqësit kosovarë nuk mund të merren vesh për të emëruar stafin menaxhues të Agjencisë, për të filluar më pas rekrutimin e pjesëtarëve të shërbimit. Kjo është hiq më pak se një pengesë në zhvillimin e Kosovës, dhe është qartë se pengesa në këtë rast është qeveria.
IV
AAK-ja, si parti opizitare që po kthehet në lëvizje politike me mision funksionalizimin dhe evropianizimin e Kosovës, është aktive në drejtimin e saj të zgjedhur për të orfuar dy qasje themelore për opinionin publik. Së pari, AAK-ja është duke paraqitur në mënyrë të përhershme dhe gjithnjë më të fuqishme vizionin e ri për Kosovën funksionale dhe evropiane. Kjo është domethënëse për qytetarët e Kosovës, për shkak se vizioni i tillë është i bazuar pikërisht në interesat e qytetarëve. Së dyti, AAK-ja në mënyrë të qartë dhe të faktuar është duke ngirtur shqetësimet për të vërtetën qeverisëse në Kosovë, qeverisje që realisht dëmton dhe harxhon shtetin dhe qytetarin e Kosovës. Pavarësisht provokimeve të qarta qeveritare për tensionimin e situatës politike në vend, qytetarëve të Kosovës u intereson e vërteta e tashme dhe vizioni për të ardhmen. Si parti e debatit dhe së ardhmes, AAK-ja është duke kontribuar në identifikimin e të metave të sistemit të instaluar nga logjika e mosveprimit institucional, sikurse është duke ofruar vizionin e vet për të ardhmen e qytetarëve, shtetit dhe shoqërisë kosovare. E tillë duhet të zhvillohet skena politike në vend. E tillë duhet të jetë logjika integruese për shtetin e Kosovës. Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për nevojën e madhe që ka Kosova për t’u funksionalizuar si shtet. E ardhmja e re drejtohet me vizion të ri.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”)

No comments: