Wednesday, July 15, 2009

Kushtetuta e copëzuar

Loja pa fitues
Kushtetuta e copëzuar
Qytetarëve të Kosovës i kujtohet fare qartë deklaratat se Kushtetuta e Kosovës do të fillojë së zbatuari plotësisht në tërë territorin e Kosovës në orën 00:00 të datës 15 qershor 2008. Fatkeqësisht, të tilla deklarata dolën të jenë totalisht të pavërteta. Dhe, për më keq, kjo ndodh për shkak të mungesës së vendosmërisë dhe përkushtimit të elitës qeverisëse të Kosovës
Shkruan: Burim Ramadani
I
Shteti i Kosovës, pak javë pas lindjes më 17 shkurt 2008, u bë edhe me Kushtetutën e vet. Në fillim të prillit të vitit të kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Kushtetutën moderne të vendit, ndërsa ajo hyri në fuqi më 15 qershor 2008, përkatësisht tash një vit. Pak njerëz të Kosovës dyshuan në vullnetin e elitës udhëheqëse të shtetit, sikurse edhe në vullnetin e deputetëve për të respektuar në mënyrë të plotë, të pakundërshtueshme dhe të saktë dispozitat e Kushtetutës apo dokumentit më të lartë të shtetit. Megjithëse, duke pasur parasysh specifikat në rastin e Kosovës, Kushtetuta paraqet dokumentin më të lartë politik dhe juridik të vendit që vjen pas Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës të ndërmjetësit ndërkombëtar, Martti Ahtisaari. Realisht, Kushtetuta e Kosovës bazohet në parime të zhvilluara bashkëkohore për ndarjen e pushtetit, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, afirmimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, sikurse edhe trashëgiminë kulturore e fetare. Kushtetuta e Kosovës në një masë të gjerë shërben edhe për ofrimin e zgjidhjes së konliktit politik midis shumicës shqiptare dhe komunitetit serb, duke përcaktuar të drejta dhe garanci të gjera për serbët kosovarë. Në të vërtetë, Kushtetuta e Kosovës, shikuar nga ky aspekt, paraqet një strategji për ‘ujdi etnike’, duke synuar tejkalimin e përçarjes së thellë midis komuniteteve në konflikt.
II
Aktualiteti në terren tregon se jo gjithçka ka shkuar apo është duke shkuar në mënyrë të rregullt dhe siç do të duhej. Kushtetuta e Kosovës, ashtu sikurse edhe funksionaliteti i shtetit, është duke u ballafaquar me një varg sfidash, pengesash dhe problemesh, të cilat i kanë shkaktuar shtetit humbje të mëdha në shumë aspekte. Qytetarëve të Kosovës i kujtohet fare qartë deklaratat pompoze dhe të pasakta se Kushtetuta e Kosovës do të fillojë së implementuari në tërë territorin e Kosovës në orën 00:00 të datës 15 qershor 2008. Fatkeqësisht, të tilla deklarata dolën të jenë totalisht të pavërteta. Dhe, për më keq, kjo ndodhi dhe vazhdon të ndodh pikërisht për shkak të mungesës së vendosmërisë dhe përkushtimit të elitës qeverisëse të Kosovës. Një vit pas hyrjes në fuqi, Kushtetuta e Kosovës nuk zbatohet në rreth një të tretën e territorit të shtetit. Pjesa veriore e vendit, por edhe pjesë tjera të enklavizuara, nuk kanë fare të bëjnë me përcaktimet kushtetuese që ekzistojnë për pjesët tjera të banuara me shumicë shqiptare. Hapësirat e banuara me shumicë të komunitetit serb në Kosovë është më tutje refuzojnë të njohin apo pranojnë sistemin e ri të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar kështu
III
Madje, Kushtetuta e Kosovës ballafaqohet jo vetëm me sfida dhe pengesa të motiveve etnike, politikave të interferencave ndër-shtetërore apo tensioneve politike midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës. Në të vërtetë, Kushtetuta e Kosovës është shkelur dhe vazhdon të shkilet nga zyrtarët institucional vendorë për qëllime tepër të ngushta personale apo grupore. Realisht, vetëm kështu mund të shpjegohet formulimi jokushtetues i ‘ngrirjes’ së postit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga ana e kryetarit të Kosovës. Kreu i shtetit edhe më tutje vazhdon të ushtrojë detyrën e partisë dikur më të madhes në vend e tash partisë në shkatërrim definitiv. Pavarësisht se Kushtetuta është fare e qartë kur thotë se kryetari i shtetit nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër, kreu i Kosovës realisht dëshmon edhe vet shkeljen e Kushtetutës saherë që flet për relacionet e tij me LDK-në, zhvillimet dhe ndërhyrjet e ndryshme atje. Kryetari i Kosovës, në një intervistë të dhënë një televizion vendor gjatë muajit të kaluar, madje është deklaruar edhe për të besimin e tij për rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme lokale, duke thënë se LDK-ja do të ketë këtë apo atë rezultat. Si kryetar i vendit dhe si simbol uniteti, komentet e këtilla janë të dëmshme për të ardhmen institucionale, politike, qytetare dhe shoqërore. Përndryshe, nëse për ‘simbolin e unitetit të Kosovës’ fituese e zgjedhjeve do të jetë LDK-ja, atëherë është obligim i tij që të njëjtin koment ta bëjë edhe Partinë Socialiste, atë Liberale apo të të Gjelbërve.
IV
E ardhmja e shteti dhe shoqërisë kosovare domosdoshmërisht varet edhe nga vullneti dhe vendosmëria politike e qytetare për respektimin e Kushtetutës së vendit. Sfidat dhe pengesat e tashme të karakterit etniko-politik duhet të adresohet qartë, dretjt dhe saktë, dhe si të tilla duhet të zgjidhen sa më shpejt që është e mundur. Në këtë kuadër, bashkëpunimi në nivel partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare është i nevojshëm dhe rruga e përbashkët në këtë drejtim duhet të jetë rrugë e garancive së zbatueshmërisë së Kushtetutës. Aspekti tjetër i respektimit të Kushtetutës ka të bëjë me politikën e brendshme, përkatësisht interesat e brendshme individuale apo grupore. Në të vërtetë, i vetmi interes i shtetit dhe qytetarëve të Kosovës është respektimi i plotë i Kushtetutës, edhe në rastet kur ndonjëri prej nesh detyrohet të heq dorë nga ndonjë interes personal. Interesi i përbashkët është shumë më i rëndësishëm se ai personal apo grupor, dhe si i tillë është përcaktues mbi orientimet e caktuara personale. Tek e fundit, skandalet më të mëdha botërore ndodhin saherë që zyrtarët e lartë shtetëror shkelin Kushtetutën apo ligjet e vendit. E njëjta duhet të vlejë edhe për Kosovën, nëse duam të orientohemi drejt. Përndryshe, e tëra që ndodh është copëzimi apo bërja copë-copë) i Kushtetutës.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”

No comments: