Saturday, July 18, 2009

Hajnia e harruar

Loja pa fitues
Hajnia e harruar
Qeveritarët e tashëm duket se nuk kanë llogaritur dëmin e vërtetë që i shkaktohet institucionit të Policisë së Kosovës: humbja totale e besimit të publikut ndaj Policisë dhe humbja e motivit të zyrtarëve policorë për të shërbyer me nder dhe profesionalizëm
Shkruan: Burim Ramadani
I
Hajnia në qendër të komandës së Policisë së Kosovës tashmë duket se po shkon në histori. Më shumë se dy muaj pas njoftimit publik se është vjedhur Dhoma e Dëshmive të Departamentit të Krimit të Organizuar në Shtabin Qendror të Policisë së Kosovës, ende nuk është njoftuar për ndonjë rezultat konkret. Për më tepër, deri më tash nuk është parë as ndonjë qasje profesionale dhe qasje e paanshme që do të duhej të shihnim. Përkundrazi, disa javë pas vjedhjes skandaloze dhe pas presionit publik të opozitës dhe profesionistëve, u njoftua për arrestimin e tre personave që ‘mund’ të kenë lidhje edhe me vjedhjen në polici. Por, brenda ditës tjetër personat u liruan nga ky aspekt i dyshimit, duke bërë kështu edhe më të komplikuar situatën rreth mundësisë së zbardhjes së rastit të rëndë skandaloz. Pa dashur që vlerësimet e tashme të pretendojnë politikat operative të Policisë së Kosovës, është mëse e qartë se qasja joserioze e ka dëmtuar në mënyrë të fuqishme hetimin rreth këtij rasti mafioz, që përfaqëson në mënyrë të saktë metodat e funksionimit të krimit të organizuar në një shtet. Me pak fjalë, ajo që po ndodh në këtë rast pas skandalit të madh është fakti se nuk ka pasur asnjëherë qasje profesionale dhe të paanshme të hetimeve, ka pasur mjegullim të hetimeve, jo transparencë dhe joefikasitet, ka pasur konflikt të pastër interesi, sikurse edhe mungesë vullneti politik nga qeveria për të bërë veprimet e nevojshme drejt zbardhjes së rastit.
II
Arritjet e deritashme të Policisë së Kosovë janë duke u vënë në pikëpyetje të fuqishme para syve të qytetarëve, opinionit të interesuar, mekanizmave ndërkombëtarë dhe shteteve të interesuara për bashkëpunim. Kjo është njëra prej pasojave më të mëdha të mundshme që shkaktohet për faktin se rasti skandaloz i vjedhjes në Policinë e Kosovës nuk është duke u trajtuar seriozisht dhe, si i tillë, nuk mund të zbardhet me këtë lloj qasjeje. Qeveritarët nuk hezituan që qysh prej fillimit të publikimit të këtij rasti të thonë se do të jetë vetë Policia ajo që do të merret, operojë, hetojë dhe zbardhë rastin e rëndë, por në të kundërtën ata ndikuan si është më së keqi që ky rast të mbetet në sirtaret e Policisë së Kosovës. Për më tepër dhe për më keq, qeveritarët e tashëm duket se nuk kanë llogaritur dëmin e vërtetë që i shkaktohet institucionit të Policisë së Kosovës. Dëmi në këtë mes është humbja totale e besimit të publikut për Policinë e Kosoëvs, si dhe humbja e motivit të zyrtarëve policorë për të shërbyer me nder, profesionalitet dhe fanatizëm në detyrat policore. Të këtilla konstatime fatkeqe mund të dëgjosh për çdo ditë nga oficerë të thjeshtë policie e deri te oficerë menaxhues të Policisë së Kosovës. Kostoja e kësaj politike dëmtuese, dobësuese dhe shkatërruese të Policisë është e madhe për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Prandaj, kjo duhet të ndalet menjeherë.
III
Janë gati dhjetë vjet që është investuar në mënyrë të fuqishme në Policinë e Kosovës dhe sidomos në aspektin e rritjes dhe zgjerimit të besueshmërisë së publikut për Policinë. Tregimi më i suksesshëm i Kosovës, ashtu sikurse është vlerësuar Policia e Kosovës deri më tash, nuk është vënë asnjëherë nën presion të politikës dhe politikanëve për interesat e tyre personale apo grupore. Kjo mënyrë e qeverisjes së tashme në raport me Policinë e Kosovës është duke dëmtuar realisht shpirtin e Policisë së Kosovës, mundësisë së saj për zhvillim të brendshëm profesional, për performancë profesionale, sikurse edhe që dëmton vetë qëllimin fisnik të ekzistencës së forcës policore në një vend demokratik. Duke iu përzier jo vetëm në temat e mëdha që duhet të shtjellohen nga Policia, por duke iu përzier dhe intervenuar madje edhe në shqiptimin e tiketave në rrugët e Kosovës, qeveria dhe qeveritarët kosovarë janë duke ulur pashmangshmërisht vlerën e Policisë, aftësinë policore për veprim dhe zhvillimin e saj profesional. Duke cenuar për çdo ditë autonominë operative të Policisë së Kosovës, duke bllokuar iniciativën zhvillimore policore, duke pamundësuar aftësinë vendim-marrësë të Policisë së Kosovës, qeveria dhe qeveritarët aktualë kosovarë janë duke dobësuar thellësisht strukturën dhe institucionin policor të Kosovës. Kjo nuk është e paqëllimshme dhe pa dyshim se synimi është keqpërdorimi dhe kontrollimi i plotë i secilit veprim që do të drejtohej kah sundimi i ligjit.
IV
Nocioni i zhvillimit policor dëshmon të kundërtën e asaj që po ndodh në Kosovë. Zhvillimi policor në shtetet demokratike është i lidhur në mënyrë direkte me qasjen profesionale dhe të matur që ka politika për forcën apo shërbimin policor të vendit, sikurse edhe në raportet e qartësuara ligjore midis civilëve dhe uniformës. Në funksion të kësaj, civilët (qeveria) ka për detyrë t’i ofrojë mundësitë financiare dhe administrative për zhvillimin profesional të uniformës. Por, në Kosovë ka ndodhur pikërisht e kundërta. Qeveria e Kosovës i ka shkurtuar buxhetin Policisë së vendit për rreth pesë milionë dhe kjo ka shkaktuar dëmtim apo pamundësim të ngritjes së kapaciteteve dhe investimeve kapitale të nevojshme brenda institucionit policor. Më tej, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë e interesuar dhe nuk ka bërë asnjë hap konkret për zbatimin e Ligjit për Policinë. Madje, ka pasur shkelje flagrante të Ligjit për Policinë, sidomos në emërimet e stafit të lartë menaxhues brenda Policisë. Po ashtu, qeveria e Kosovës ka bllokuar me forcë iniciativat e sindikatës policore për të protestuar për shkak të mos rritjes së të ardhurave të zyrtarëve policorë. Për më shumë, dëmi që i është bërë policisë, të paktën, në aspektin e investimeve kapitale është theksuar edhe nga vetë përgjegjësi i sektorit të punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës gjatë një paraqitje të tij në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme në fillim të këtij viti.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 13 korrik 2009, fq. 1 dhe 11.

No comments: