Thursday, January 21, 2010

Strategjia apo kah i bie veriu?

Vështrim
Strategjia apo kah i bie veriu?
Pikërisht për shkak se opozita dhe shoqëria civile konstatonte mungesën e shtrirjes së autoritetit shtetëror në veri të Kosovës, udhëheqësit institucional pohonin krejt diçka tjetër. Madje, kryeministri Thaçi dhe vartësit e tij fluturues pretendonin se çdo gjë është në rregull në veri të Kosovës, prandaj deklaratat e ndryshme të opozitës i konsideronin vetëm si “akuza qesharake”.
BURIM RAMADANI

Saherë që është ngritur në opinion situata e vështirë në veri, reagimi i qeverisë së Kosovës ka qenë i ditur. “Akuza qesharake” ka qenë përgjigja standarde e atyre që shpesh nuk e dinë as vet se çka punojnë në Qeverinë e Kosovës. Ndoshta të tillët kanë hyrë aty për të kënduar këngën me tekst të autorëve të padijshëm, të formuar për së mbrapshti apo ndoshta edhe më keq. Sidoqoftë, ky refren i papranueshëm për secilin njeri normal të vendit është përsëritur vazhdimisht pa marrë parasysh efektin negativ dhe dëmin që i është shkaktuar debatit politik dhe publik në vend.
Kështu ka ndodhur jo vetëm për veriun e Kosovës, por për shumë e shumë tema të cilat janë hapur në Kosovën e pas-shpalljes së pavarësisë. Kur në muajt e vjeshtës së kaluar ka filluar të hartohet drafti i parë i strategjisë së veçantë për veriun e Kosovës, duket se shumëkush nga elita udhëheqëse institucionale në Kosovë ka menduar se një gjë e tillë është e panevojshme. Madje, për politikanë të tillë kjo çështje duket se është parë edhe si qasje demode, primitivizëm apo diçka e ngjashme.
Por, cila ka qenë realisht qasja e qeverisë dhe elitës udhëheqëse institucionale? Nëse analizohen qëndrimet publike dhe aspekti i veprimeve në terren atëherë është e qartë se qasja e institucioneve të Kosovës ka qenë plotësisht neglizhuese, joadekuate dhe pasive. Thjesht, institucionet e Kosovës as që janë marrë ndonjëherë gjatë këtyre dy vjetëve me situatën e rëndë të krijuar në veri të vendit pas shpalljes së pavarësisë.
Megjithatë, problemi kryesor i këtij mentaliteti të qeverisjes qëndron në mos-pranimin apo mos-konstatimin e gjendjen reale në terren. Qeveria Thaçi e ka pasur (dhe vazhdon ta ketë) problem të konstatojë vështirësitë, ngecjet apo dështimet në terren. Sigurisht atyre mund t’u duket se të pranosh një realitet negativ është njësoj si të marrës mbi vete përgjegjësinë për tërë atë që ka ndodhur me vite apo dekada. Por, kjo nuk do të duhej të jetë kështu. Përgjegjësia e secilës qeveri lidhet me periudhën kohore prej kur ka marrë mandatin. Prandaj, edhe përgjegjësia e Qeverisë Thaçi fillon më 10 janar 2008, një ditë pasi ka marrë miratimin në Kuvendin e Kosovës.
Kjo periudhë kohore nuk është e shkurtër. Janë dy vjet të kësaj qeverie dhe gjendja në Kosovë është keqësuar dukshëm. Madje, në disa pjesë të territorit të shtetit gjendja është mëse alarmante. Prandaj, është kërkuar dhe nevojitet një strategji e veçantë për veriun e Kosovës, në këtë rast, dhe po ashtu strategji e sigurisë kombëtare në nivel të shtetit.
Mirëpo, ku t’i lënë inatet e pashpjegueshme personale që kanë udhëheqësit e institucioneve? Këto inate lidhen kryesisht (nëse plotësisht) me atë që thonë partitë opozitare dhe shoqëria civile. Dhe, kjo është dëshmuar jo vetëm sa i përket çështjes së veriut të Kosovës. Secilit i kujtohet se konsultimet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë sipas Pakos së Ahtisarit nuk janë mbajtur kurrë, pikërisht për shkak se këtë e ka kërkuar opozita dhe shoqëria civile. Konsultimet për organizimin e zgjedhjeve lokale të vitit 2009 kanë filluar me vonë, pikërisht për shkak se ato i kërkonte me ngulm opozita dhe shoqëria civile. Mandej, data e zgjedhjeve lokale u caktua të jetë në mes të nëntorit, pikërisht për të kundërshtuar kërkesën me shkrim të gjashtë partive opozitare që ato zgjedhje të mbahen në tetor. Dhe kështu me radhë.
E njëjta situatë është krijuar edhe sa i përket qasjes institucionale që shteti është dashur t’i kushtojë gjendjes së rëndë në veri të Kosovës. Pikërisht për shkak se opozita dhe shoqëria civile konstatonte me të drejtë mungesën e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në atë pjesë të territorit, udhëheqësit institucional pohonin krejt diçka tjetër. Madje, kryeministri Thaçi dhe vartësit e tij fluturues pretendonin se çdo gjë është në rregull në veri të Kosovës, prandaj deklaratat e ndryshme të opozitës i konsideronin si “akuza qesharake”. Derisa këto ky ka qenë refreni i vazhdueshëm i qeverisë kundër deklaratave të opozitës, sigurisht se qytetarët e Kosovës dhe në rend të parë atë veriut të vendit kanë menduar sinqerisht nëse këta zyrtarë qeveritarë e dinë se ku është ajo pjesë e territorit.
Më në fund, pas shumë muajve të presionit publik opozitar dhe qytetar, dhe pas dy vjet të pavarësimit të vendit, një draft i strategjisë së veçantë për veriun e Kosovës doli në publik. Lajmi i mirë nga kjo është vetë fakti se është hartuar një draft-strategji. Lajmi i keq, përpos vonesës së madhe, është se Qeveria e Kosovës nuk është udhëheqëse në këtë proces, por vetëm një prej palëve të ftuara nga mekanizmat ndërkombëtarë prezentë në Kosovë. Sidoqoftë, qeveria dhe kryeministri vrapuan ta cilësojnë këtë si punë të përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare me qëllim të vendosjes së sundimit të ligjit dhe normalizimit të jetës në atë pjesë të Kosovë.
Por, pyetja që u shtrohet të njëjtëve zyrtarë qeveritarë është: Pse kjo strategji, a nuk paska qenë çdo gjë në rregull në veri të Kosovës?
Thënë shkurtimisht, dy pozicionet e qeverisë së Kosovës sa i përket veriut të vendit janë në kundërshtim të plotë mes vete. Për gati dy vjet është thënë se nuk ka probleme në atë pjesë të territorit dhe tash (befasisht!) Qeveria krenohet se ka një strategji të veçantë për të kthyer autoritetin e shtetit në veri.
Nëse kjo analizohet me një dozë të vogël ironie apo cinizmi, atëherë është e dukshme se Qeveria e Kosovës as nuk ka ditur kah i be veriu i Kosovës. Është dashur një iniciativë e ndërkombëtarëve që i duan të mirën Kosovës për të këndellur udhëheqjen vendore. Dhe, ndoshta nuk është vështirë të imagjinohet situata kur ndërkombëtarët i kanë shpjeguar qeveritarëve strategjinë për veriun. Sigurisht pyetja e vetme që i kanë bërë qeveritarët ka qenë: Kah i bie veriu?

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Botuar në KOHA DITORE, 22 janar 2010, fq. 12.

No comments: