Monday, April 5, 2010

Kriza nga të ‘pafetë’



Kriza nga të ‘pafetë’

Demokracia e Kosovës rrezikohet seriozisht nga të “pafetë”. Të dëmtuar dhe në rrezik sot janë edhe sovraniteti (edhe toka edhe ajri), edhe njerëzit, edhe liria individuale, edhe të drejtat dhe liritë themelore, edhe shoqëria civile, edhe mediat/gazetarët “tradhëtarë të kombit”, edhe mirëqenia, edhe perspektiva, edhe ardhmëria.

BURIM RAMADANI

Të pafetë në krye të vendit. Kjo është situata në të cilën ndodhet Kosova e sotme. Dhe, jo vetë të pafe, por edhe mëkatarë, manipulues dhe intrigues. Njerëz të llojit të atyre që shkruajnë ‘sehire’ dhe të atyre që shkojnë për të shkruar ‘sehire’ kundër të tjerëve. Pse jo, edhe njerëz që shkojnë për të shkruar se janë bindur se duhet gjoja të ruhen nga ‘sehiret’ e të tjerëve. Të këtillët sot po marrin vendimet për jetët e njerëzve të Kosovës. Të këtillët sot po krekosen sa mirë po shkruajnë dhe po ruhen me ‘sehire’, duke menduar se kështu Kosova mund të anëtarësohet sa më shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Duke hedhur hi në sytë e popullit se me ‘sehiret’ e reja po shtohen energjitë pozitive në qeverisjen e vendin. Energji këto të cilat deri tash nuk paskan qenë të nevojshme as për t’u diskutuar.
Nëse demokracia mund të krahasohet me një ‘religjion’, për shkak të grumbullit të vlerave që sjellë në sjelljen e individit dhe kolektivit në raport me të faktorët tjerë (përfshirë këtu shtetin, njerëzit dhe tokën e ajrin-sovranitetin), atëherë ky ‘religjion’ në Kosovë është duke u rrezikuar qysh në fillimet e veta. Nuk do shumë mend dhe analizë për të parë se të gjitha këto elemente janë të rrezikuara, të dëmtuara dhe të pashpresë për shkak të kësaj qeverisjeje gjatë këtyre dy vjetëve pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Edhe sovraniteti (edhe toka edhe ajri), edhe njerëzit, edhe liria individuale, edhe të drejtat dhe liritë themelore, edhe shoqëria civile, edhe mediat “tradhëtare të kombit”, edhe mirëqenia, edhe perspektiva, edhe ardhmëria.
Feja shpeshherë përkufizohet edhe si grumbull normash të sjelljes nga e cila individët mund të gjykojnë pasojat vetjake dhe shoqërore të veprimeve të tyre, dhe një model drejtues me të cilin individët mund të lidhen me grupin e tyre dhe gjithësinë e tyre. Por, duke pasur parasysh se kjo paraqet edhe një ideologji në vete, atëherë krahasimi me demokracinë si idelogji, sistem apo formë shtetërore është i përshtatshëm për rastin e Kosovës. Megjithatë, cila është gjendja e tashme në shtetin e ri?
Kosova e sotme përballet me shumë e shumë sfida të cilat tash për tash duket se janë të pakapërcyeshme. Dhe, kaq të rënda bëhet këto sfida për shkak se ky mentaliteti qeverisës nuk ka as vullnetin, as dijen, as opsionet dhe as përkushtimin për të ndryshuar gjërat. As nuk ka interesim për të zhvilluar vendin. Thënë shkurt, njerëzit që udhëheqin vendin sot, nuk po dëshmojnë në praktikë se besojnë në demokraci, parimet themelore, rregullat, vlerat e saj dhe sistemin demokratik në përgjithësi. Pra, Janë të “pafe”.
Shteti i ri duhet të fillojë nga e parakushti bazik: përkushtimi dhe vendosmëria për të konsoliduar demokracinë. Sistemi që qytetarët e Kosovës duan të ndërtojnë në vendin e vet nuk është në kundërshtim me vlerat dhe rregullat që sjellë demokracia. Cilat janë këto vlera, cilat janë këto rregulla dhe parime themelore?
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut: Qytetarët e Kosovës janë të shkelur nga shteti dhe nga pa-aftësia e shtetit për të siguruar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. A nuk është liria e lëvizjes apo e drejta e pronës private të drejta të pakontestueshme për të gjithë qytetarët? Atëherë çfarë lirie kanë qytetarët e Kosovës të lëvizin në tërë territorin e Kosovës apo të gëzojnë pronat e veta që kanë, për shembull, në veri të vendit? Normalisht se kjo është çështje aq e hapur sa që secili prej nesh ka mundësi të reflektojë menjëherë konstatimin. Madje, edhe vetë kryetari i tashëm i Mitrovicës paska shitur pronën e vetë private në veri të komunës së tij për shkak të pa-mundësisë së shfrytëzimit dhe realizimit të të drejtës së tij.
Sundimi i Ligjit: A janë të gjithë qytetarët e Kosovës të barabartë para ligjit dhe a i nënshtrohet të gjithë ligjit? Apo, ndoshta, dikush është mbi ligjin dhe dikush është vetë ligji? Shiheni shtëpinë e re të kryeministrit Thaçi në zonën ku nuk ka leje për ndërtime, llogariteni pagën e tij mujore dhe koston e ndërtimit të asaj shtëpie. Gati se e njëjta është edhe për zëvendës-kryeministrin Manaj. Pa leje ndërtimi. Këto janë shembuj krejt të thjeshtë dhe të kapshëm për të gjithë ata që duan dhe ëndërrojnë shtetin funksional, ligjor dhe integrimet evro-atlantike.
E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur: Parim themelor i demokracisë janë zgjedhjet. Por, çka ndodhi në Kosovën e pavarur? Pikërisht partitë në pushtet nuk mund të plotësonin kriterin kryesor të demokracisë. Në Prizen, Lipjan e Gjilan u detyruan të anulojnë komplet rundin e dytë për shkak s etë dy partitë kishin vjedhur votën e lirë të qytetarit. Krerët e dy partive, njëri kryeministër dhe tjetri president, në vend se të ishin garantuesit e votës së lirë, në realitet u bënë shkelësit dhe vjedhësit e votës së lirë.
Ndarja e pushteteve: Legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori duhet të jenë të pavarur nga njëri-tjetri, ndërsa raporti i kontrollit dhe balancimit vendoset në Kushtetutë. Por, cila është e vërteta në rastin e Kosovës? Legjislativi është plotësisht nën diktatin e Ekzekutivit, ndërsa gjyqësori pothuajse plotësisht jo-funksional. Kush e kontrollon kënd në Kosovë, është çështje e padiskutueshme. Madje, jo vetëm brenda degëve të pushtetit, por edhe në jetën e përditshme (përfshirë bizneset dhe mediat), qëllimi kryesor i Ekzekutivit duket të jetë kontrolli dhe vetëm kontrolli.
Logjika e kësaj qeverisjeje nuk arrin të dallojë menaxhimin nga kontrolli. Është logjikë komuniste prandaj. Në demokraci, qeveria e vendit nuk kontrollon çdo gjë prej çdo gjëje. Në sistemin të cilin kosovarët po synojnë të ndërtojnë, demokracinë, qeveria menaxhon situata dhe resurset. Assesi nuk kontrollon. Menaxhimi është art krejt tjetër nga kontrolli. Është menatitet tjetër. Menaxhimi është vlerë në shtetet dhe shoqëritë normale dhe demokratike.
Por, problemi i Kosovës është se nuk ka arritur të krijojë shtet dhe shoqëri normale. A nuk e tha përafërsisht kështu edhe ministri i deritashëm i Administratës Publike, Arsim Bajrami?

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Botuar në Koha DITORE, më 6 prill 2010, fq.
12.

Wednesday, March 31, 2010

Riformatizim se jo mahi

Vështrim
Riformatizim se jo mahi
Çfarë solli ky riformatizimi vërtetë? Çka po duket se do të ndryshohet, cilat prioritete, cilat pjesë të planit qeveritar? Si, a është e mundur? Qeveria nuk ka as prioritete dhe as plan qeverisës? Nejse!
BURIM RAMADANI
Më në fund u kuptua. Urime. Shtrëgoni duart. Mos harroni edhe ndonjë dolli me shampanjë. Ky moment duhet të shënohet me diçka për t’u mbajtur në kujtesë. Edhe ashtu do të kujtohet! Sepse, tashmë u kutpua shumëçka. Madje, u kuptuan shumë elemente të rëndësishme. Të gjitha këto kanë të bëjnë me të zhvillimet e tashme dhe të ardhme të jetës politike. Për më tepër, edhe njëherë e mirë u dëshmua kush është kush në koalicion. Dita e fundit e marsit 2010 do të mund të mbahet mend shumë mirë për një strukturë të gjerë të njerëzve të Kosovës. Një strukturë që ka mbetur e habitur. Pse jo edhe me gishta në gojë, duke tundur kokën! Kjo ditë ka vulosur atë që shumë njerëz e kanë menduar. Por, çka është kjo?
Kush është kush në koalicion?
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vendosi të ndërrojë tre ministra. Me urdhër të atyre lart, shefat e koalicionit, LDK-ja nuk ishte e kënaqur me performancën e ministrave të saj. Dikush do të thoshte se kjo po ndodh në emër të qeverisjes së mirë, transparencës, avancimit të demokracisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit apo vendosjes së sundimit të ligjit, afirmimit të vlerave të vendit, apo çka jo tjetër.
Por, në parim, ndërrimet e ministrave ndodhin për një arsye: se ata nuk kanë punuar mirë. Kjo është baza e të gjitha nën-arsyeve tjera që mund të nxjerren gjatë analizës për ndërrimin e ministrave apo zyrtarëve të lartë të shtetit. Kjo nënkupton se personat e tillë i kanë sjellë dëm Qeverisë dhe qeverisjes, i kanë shkaktuar dëm Kosovës, e kanë dëmtuar imazhin e partisë. Dhe, kush janë këta njerëz të LDK-së që kanë dëmtuar LDK-në? Nekibe Kelmendi, Alush Gashi dhe Valton Beqiri. Të tre të shkarkuar për shkak se nuk kanë punuar mirë! Apo, sikurse ka thënë një anëtar i kryesisë së LDK-së, për shkak të kërkesës për ndryshime pozitive në Qeveri. Madje, ai tha se “vendimi nuk është marrë nën diktatin e Hashim Thaçit”. Hëm.
Nëse vendimi i kryesisë së LDK-së nuk është marrë nën diktatin e Hashim Thaçit (kryetarit real të dy partive në koalicion), atëherë është Fatmir Sejdiu i pakënaquri me punën e këtyre ministrave dëmtues për imazhin e LDK-së dhe qeverisjen në Kosovë. Por, cili është relacioni i këtyre ministrave me partinë që udhëhiqet nga Sejdiu?
Nekibe Kelmendi është nënkryetare e LDK-së që nga fillimi i vitit 2007. Pas Kuvendit të karrigeve? Po, po. Madje, Kelmendi ishte kryesuese e një pjese të punimeve të Kuvendit të Gjashtë të LDK-së, ku u zgjodh Fatmir Sejdiu për kryetar të partisë. Do të thotë, dëmtimi i imazhit të LDK-së vjen nga vetë struktura udhëheqëse e LDK-së, nga një nënkryetare? Pyeteni Fatmir Sejdiun. Sigurisht ka bërë ndonjë analizë të thuktë dhe të saktë. Sepse, ai normalisht se nuk është fajtori për gjendjen e tmerrshme që ka kapluar LDK-në! Ai ka ngrirë pozitën e kryetarit të partisë dhe partia udhëhiqet nga nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm.
Por, cilët janë fajtorët tjerë? Sigurisht se ka plotë. Alush Gashi për shembull. Nuk ka ditur të udhëheq Ministrinë e Shëndetësisë. Madje, përkundër ndihmës dhe kujdesit të madh të Hashim Thaçit, i cili pati emëruar edhe një këshilltar special për shëndetësi. Plus, e solli nga jashtë shtetit, por kot. Për më shumë, Gashi ka pasur ndihmën e pakursyer edhe të bashkëpunëtorit tjetër të Kryeministrit, këshilltarit për punë të kota, Shaip Muja. Të gjithëve na kujtohet (sigurisht edhe Alush Gashit i kujtohet tash) si Muja i shkruante e-maila zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë se si duhet të punohet dhe çfarë vendime duhej të merreshin. Sidoqoftë, tashmë situata do të përmirësohet. Në vend të Gashit do të jetë Bujar Bukoshi. Bukoshi është një prej kundërshtarëve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm. Por, problemi i tij duket të jetë se nuk e di kundërshtar i kujt është. Kundërshtar i Sejdiut apo Thaçit? I tillë ishte edhe gjatë kohës kur presidenti Rugova ishte gjallë. Kundërshtar!
Po kultura? Eh, kjo është ëmbëlsira që ruhet për fund. Valton Beqiri, profesionist i artit muzikor, pati harruar artet tjera, pati harruar sportin dhe rininë. Prandaj, vërtetë i solli imazh të keq Qeverisë së Republikës së Kosovës së pavarur, sovrane dhe demokratike. Për më tepër, nuk dihej as i kujt është, LDK-së apo PDK-së. Kështu që, normalisht LDK-ja (si parti serioze në shkatërrim) u detyrua të vendos në atë detyrë një prej nënkryetarëve të saj, Lutfi Haziri. Pasi u mund në zgjedhje të përsëritura, LDK-ja e Gjilanit do të udhëheq kulturën në Kosovë. Dakord. E qëlluar. Askush nuk është humbës këtu. Krejt varet prej marrëveshjes paraprake! Por, Fatmir Rexhepi mund të ketë ndonjë storie tjetër për të treguar. Kush e di! Le ta thotë vetë!
Sa i përket ministrave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka çka të thuhet. Vërtetë ata kanë punuar fuqishëm. Kush sa ka mundur dhe çka i ka ardhur te dora, kuptohet sipas aftësive dhe mundësive që kanë pasur. Hajt se ka kohë të shihen më qartë çfarë kanë bërë. Ndoshta EULEX-i mund të thotë më shumë. Mos të përzihet kush në punët e drejtësisë. Të paktën, derisa sa populli nuk është revoltuar për të marrë veprime të ngutshme. Flasim sërish!
Qeverisja pa prioritete
Çfarë solli ky riformatizimi vërtetë? Çka po duket se do të ndryshohet, cilat prioritete, cilat pjesë të planit qeverisës? Si, a është e mundur? Qeveria nuk ka as prioritete dhe as plan qeveritar? Nejse!
Kosova e sotme vuan nga mungesa e vullnetit politik, dijes, energjive, kapaciteteve dhe përkushtimit për të zhvilluar vendin në të gjitha fushat e jetës. Njerëzit e Kosovës përballen me varfërinë dhe papunësinë. Madje, qytetarët e Kosovës shohin këto dy elemente si më kërcënueset për stablitetin e brendshëm politik dhe qytetar. Bashkë me këtë edhe sundimi i ligjit. Kosova nuk kontrollon një pjesë të territorit të saj, nuk ka ndikim dhe as politika për t’iu kundërvënë ndërhyrjeve të panumërta të Serbisë në territorin e Kosovës. Tashmë Serbia do të mbajë sërish zgjedhje lokale në Mitrovicë! Kush është përgjegjës dhe kush mendon për këtë? Pyetni qytetarët e Mitrovicës dhe kanë çka t’ju thonë.
Procesi i integrimeve evropiane nuk po sillet këndejpari. Qytetarët e Kosovës janë më të izoluarit në Ballkan. Madje edhe Maqedonia e brishtë ka arritur të liberalizojë vizat Shëngen për qytetarët e saj të ndarë në dy, apo tri, apo katër pjesë.
Por, kush kujdeset dhe përkushtohen për këto në Kosovë? Për sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimet evro-atlantike nuk ka zot shtëpie. Jo pse Kushtetuta apo ligjet në fuqi ia ndalojnë kujt të merret me këto. Por, sepse këto janë çështje që kërkojnë punë, mund, energji dhe përkushtim. Realisht, nuk ka shumë tendera për të shpallur në mënyyrë që të vendoset sundimi i ligjit dhe të plotësohet kriteret për integrimet evropaine. Ndërsa, sa i përket zhvillimit ekonomik, parimi i kësaj qeverie është ky: nëse nuk na japin ryshfet, mos të investojnë fare - s’kanë çka na duhen!
Të tilla situata të rënda, nënçmuese dhe shkatërruese po përcjellin Kosovën e sotme. Qeveria e Hashim Thaçit (PDK dhe LDK) nuk di të punojë për Kosovën. As që është e interesuar bile. Të gjithë kemi nevojë për një Qeveri që punon për Kosovën. Vetëm për Kosovën. Për shtetin tonë.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Botuar në Koha DITORE, më 1 prill 2010, fq. 12.

Thursday, March 11, 2010

Qeveria demanton vetveten për veri

Vështrim
Qeveria demanton vetveten për veri
BURIM RAMADANI
Gjatë këtyre ditëve, kryeministri Hashim Thaçi qartësisht po vazhdon lojën politike mbi të vërtetën për çështjen e veriut të Kosovës. Qysh prej daljes në opinion lajmi për hartimin e një strategjie të veçantë për të kthyer kontrollin ligjor në komunat veriore të Kosovës dhe deri më tash, çdo gjë ka mbetur vetëm në letër. Kjo kohë nuk është shkurtër. Tashmë po bëhet tre muaj prej kur u bë publike në mënyrë ‘klandestine’ strategjia. Dhe, asgjë. Vetëm formulime të deklaratave të ndryshme politike, por pa veprime, pa agjendë të qartë dhe pa nisje të zbatimit.
Katër gabimet e logjikës jashtë-institucionale
Para pak ditësh, kryeministri Thaçi ka emëruar një koordinator për zbatimin e Strategjisë për vendosjen e ligjit në Veri të Kosovës. Pavarësisht njohjeve dhe ekspertizës që personi në fjalë i ka apo mund t’i ketë, duhet thënë qartë se kjo logjikë e punës së institucioneve të Kosovës është logjikë e tejkaluar, e gabueshme dhe e padinjitetshme. Realisht thënë, ky është një veprim plotësisht i gabuar i Kryeministrit Thaçi dhe si i tillë është i papranueshëm.
Në argumentim të kësaj duhet ngritur dhe thënë publikisht katër gabime të mëdha strategjike, që kryeministri (sigurisht në konsultim me Presidentin) kanë bërë. Dhe, këto katër gabime janë të pafalshme për të ardhmen institucionale të Kosovës.
Së pari, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, institucionet e vendit janë ato që kanë për obligim të ruajnë sovranitetin e shtetit, të vendosin rendin dhe ligjin, përkatësisht sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës. Në Nenin 2 të Kushtetutës, pika 2, thuhet shprehimisht se “Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute”. Në Nenin 4, pika 4, thuhet shprehimisht se “Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar”. Pra, shihet qartë, se Kryeministri ka shkelur Kushtetutën e Kosovës kur ka vendosur që dikush nga jashtë institucioneve të vendit të koordinojë punën dhe angazhimet institucionale për rivendosjen e ligjit në veri të Kosovës.
Së dyti, duke bërë këtë, liderët institucional të Kosovës realisht janë duke u munduar të heqin përgjegjësinë nga vetja për dështimet e mëdha që kanë ndodhur gjatë këtyre dy vjetëve rresht sa i përket zbatimit të ligjit. Ose thënë më mirë, nëse dështon zbatimi i strategjisë, ka dështuar koordinatori apo ekipi i tij i mundshëm, por jo liderët institucionalë. Kjo logjikë e të vepruarit është qartësisht e dallueshme nga secili njeri që përcjellë zhvillimet politike në vend. Por, sigurisht se është logjikë plotësisht e gabuar, sepse askush nuk mund të heq përgjegjësinë për të cilën obligohet me Kushtetutën e Republikës.
Së treti, qysh në javët e para pas hartimit të kësaj Strategjie, liderët instutuiconalë kanë dëshmuar në fakt se kjo Strategji nuk do të zbatohet fare. Ata kanë larguar veten nga përkushtimi për të punuar në drejtim të zbatimit të strategjisë, prandaj për këtë kanë autorizuar një njeri pa kurrfarë ndikimi dhe përgjegjësie politike. Kjo do të mund të interpretohej se si shenjë e qartë dhe direkte se liderët institucionalë nuk janë fare të interesuar që kjo Strategji të zbatohet dhe që territori verior i Kosovës të normalizohet, demokratizohet dhe që atje të sundojë ligji.
Së katërti, kanë tradhëtuar votat dhe besimin e qytetarëve të Kosovës (ata të cilët i kanë votuar), duke i dhënë përgjegjësinë këtyre për të qeverisur Kosovën në të gjitha pjesët, si shtet unik dhe i pandashëm, ashtu sikurse përcaktohet shprehimisht në Nenin 1, pika 1 e Kushtetutës së Republikës. Pra, askush nuk i ka dhënë votat që Thaçi dhe Sejdiu t’ia lënë çështjen e veriut një njeriu tjetër, pavarësisht se kush mund të jetë ai apo ajo.
Qeveria demanton vetveten: Çka paska ekzistuar në veri deri më tash?
Dhe, këtë të hënë, Qeveria e Republikës vendosi të formojë gjashtë (6) grupe punuese për zbatimin e strategjisë së veriut. Përkatësisht, Grupin për sundimin e ligjit; Grupin për kthim, dialog dhe pajtim ndëretnik; Grupin për zhvillim ekonomik; Grupin për rivendosjen e sistemit të reformimit të pushtetit lokal; Grupin për shtrirjen e shërbimeve publike; si dhe Grupin e komunikimit. Po të hënën, kryeministri Thaçi tha se do të ketë “angazhime konkrete për rivendosjen e pikave kufitare 1 dhe 31, ruajtjen e zinxhirit komandues, funksionalizimin e gjyqësorit në veri, kthimin e pjesëtarëve në gjithë pronat dhe banesat, nxitjen e pajtimit ndëretnik, zhvillimin ekonomik dhe social, nxitjen e hapjes së vendeve të reja të punës, themelimin e Universitetit Evropian, identifikimin e projekteve zhvillimore për gjithë komunitetet”.
Por, pyetja që shtrohet menjëherë pas këtij vendimi për formimin e gjashtë grupeve dhe pas kësaj deklarate të Kryeministrit është: E çka paska ekzistuar deri më tash në pjesën veriore të Kosovës?
Përgjigjja e Kryeministrit Thaçi më 25 shkurt 2008 ishte “çdo pjesë e Kosovës është nën kontroll të plotë”. Më 12 maj 2008, Kryeministri Thaçi pas një takimi me një delegacion të OJQ-së “Bregu i Veriut” kishte “shprehur angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për sundimin e ligjit, për lirinë e qytetarëve, si dhe për t’iu siguruar kushte për jetë dhe biznes të gjithë qytetarëve në Kosovë”. Ndërsa, gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, më 18 tetor 2009, ai u shpreh “Dje unë premtova më shumë se 120 milionë euro investime për Mitrovicën. Sot jam këtu që t’ju bëjmë me dije përkushtimin që kemi për të kthyer të gjithë banorët e kësaj ane, në pronat e tyre’, tha kryeministri Thaçi. Në muajin e fundit të vitit të kaluar, më 5 dhjetor 2009, ai ka thënë se “veriu i Kosovës tashmë është më e sigurt”.
Por, si doli të jetë e vërteta? Nëse deklaratat e mëparshme të Kryeministrit kanë qenë të vërteta, përse duhet të krijohen këto grupe punuese? Kjo tregon qartë se Kryeministri dhe Qeveria e kanë demantuar veten plotësisht. Është e dukshme se Kryeministri Thaçi nuk është dhe nuk shihet si partner serioz i vendorëve dhe ndërkombëtarëve për të qeverisur Kosovën. Kjo logjikë duhet ndërruar. Nuk ka përse të manipulohet populli. Tek e fundit, populli e di të vërtetën.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Botuar në "Koha DITORE" më 9 mars 2010, fq. 11

Sunday, February 14, 2010

Një mijë e një pyetje për veriun

Vështrim

Një mijë e një pyetje për veriun

“Mungesa e ligjshmërisë në veri shtetit të Kosovës i ka kushtuar humbje të mëdha, si në aspektin politik dhe atë financiar”, tha këto ditë kryeministri Thaçi. Megjithëse duhet përshëndetur konstatimin e saktë, pyetjet që lindin janë të shumta. Mbi të gjitha, çka është bërë dhe pse nuk është bërë asgjë deri më tash?

BURIM RAMADANI

Veriu i Kosovës ka sjellë dëm të vazhdueshëm pas pavarësisë. Ndërsa, mundësitë për marrjen e masave për të rregulluar këtë çështje kanë ekzistuar edhe më herët. Këto dolën të jenë fjalitë që konstatojnë një gjendje të rëndë në atë pjesë të territorit të Kosovës, sikurse edhe që marrin përsipër përgjegjësitë për mos-zgjidhjen e saj.
Fillimisht, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe më pas edhe Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thyen më në fund akullin dhe pranuan në një formë përgjegjësinë për atë që nuk është bërë në zgjidhjen e problemit të veriut. Thaçi madje tha se Kosova ka pësuar humbje të mëdha pikërisht për shkak të mos-vënies së ligjit në atë pjesë të territorit. “Mungesa e ligjshmërisë në veri shtetit të Kosovë i ka kushtuar humbje të mëdha, si në aspektin politik dhe atë financiar”, deklaroi kryeministri Thaçi gjatë ditëve të para të shkurtit të këtij viti. Pra, pak ditë para se të shënohet dyvjetori i shpalljes së pavarësisë së vendit, Kryeministri kosovar konstaton zhvillimet negative që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në veriun e Kosovës.
Ndërkaq, Kryetari i Kosovës shkoi edhe më larg gjatë këtyre ditëve, duke thënë se për të intervenuar në veriun e vendit ka pasur mundësi dhe hapësirë edhe më herët. “Ka pasur hapësirë dhe mundësi që të veprohet edhe më herët… Kemi kaluar dhjetë vjetë të plota dhe sidomos në periudhën e administrimit të Kombeve të Bashkuara…E dyta ka qenë një vonesë e paarsyeshme e shtrirjes së misionit EULEX me të gjitha kapacitetet në veri të Kosovës. Por, them se veprimet e tashmë janë inkurajuese…për të vënë rend dhe ligj në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Kryetari Sejdiu.
Të dy këto deklarata janë të guximshme, të linjës së udhëheqësve serioz të një shteti, sikurse edhe të bazuara në atë që po ndodh në të vërtetë. Këto konstatime duhet të vlerësohen lartë nga opinion publik, akterët e ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, e po ashtu edhe nga opozita dhe shoqëria civile. Dhe, kjo për shkak se duket që liderët institucionalë të Kosovës kanë vendosur që të paktën në mënyrë deklarative të ngrisin problemet dhe vështirësitë më të mëdha të Kosovës. Realisht, kur Kosova ishte në situatat e rënda të para-shpalljes së pavarësisë, pothuajse askush nuk kishte dyshime se sfidat nëpër të cilat do të duhej kaluar janë të mëdha. Madje, ato dolën shumë më të mëdha se sa që ishte menduar në opinionin publik apo konstatuar nga udhëheqja institucionale.
Por, janë një mijë e një pyetje që mund dhe duhet patjetër të ngriten në situatën e sotme, kur kryeministri dhe kryetari i vendit kanë konstatuar dëmin që i është shkaktuar Kosovës gjatë këtyre dy vjetëve. Këto pyetje kanë karakterin e përgjegjësisë shtetëore dhe qytetare për atë që ka përcjellë Kosovën gjatë këtyre dy vjetëve. Tek e fundit, secili prej nesh ka pasur në mendje këto pyetje në momentin e parë kur ka dëgjuar apo lexuar deklaratat e tilla të kryetarit dhe kryeministrit të Kosovës.
Ku ishin kryetari dhe kryeministri i Kosovës gjatë kësaj periudhe? Çka kanë thënë këta dy liderë për gjendjen në veri të vendit për dy vjet rresht? Cilat kanë qenë informatat që kanë pasur të dy liderët për atë që po ndodh në veri? Pse deklaratat e deritashme të tyre për gjendjen në veri të vendit janë plotësisht të ndryshme me realitetin atje? Përse është lejuar kjo gjendje e rëndë jashtë-ligjore të ndodhte pa ndonjë ndërhyrje për dy vjet me radhë? Kush është përgjegjës për mos-shtrirjen e autoritetit shtetëror në veri? Cilat kanë qenë përgjigjet e institucioneve saherë që është ngritur në opinion çështja e veriut të vendit? Mbi çfarë motive shqetësimet e vazhdueshme të opozitës dhe shoqërisë civile për çështjen e veriut janë klasifikuar si “akuza qesharake dhe të pabaza”? Cilat kanë qenë dhe janë arsyet reale të mungesës së interesimit shtetëror për të shtrirë autoritetin ligjor në atë pjesë të territorit? Çfarë kanë qenë qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe faktorëve relevantë ndërkombëtarë veç e veç? Përse është lejuar që krimi i organizuar dhe kontrabanda të gjejnë ‘parajsën’ e veprimit në atë pjesë të territorit? Cilat kanë qenë përgjigjet e autoriteteve shtetërore ndaj shqetësimeve të vazhdueshme të bizneseve vendore, posaçërisht prodhuesve vendorë të cilët janë dëmtuar skajshmërisht nga kontrabanda atje? Sa herë kanë vizituar kryetari dhe kryeministri i Kosovës atë pjesë të territorit dhe çka kanë parë atje? Deri kur kanë menduar liderët shtetërorë se kjo gjendje mund të jetë e pranueshme dhe në këtë mënyrë të mos veprohet për të zgjidhur problemin? Çfarë përgjegjësie ndiejnë këta dy liderë sa herë që u kujtohet se në Kosovë ka një Kushtetutë dhe ligje? Përse është dashur të pritet iniciativa e Zyrës Ndërkombëtare Civile për të hartuar strategjinë e veçantë për veriun e Kosovës? Pse nuk është marrë asnjëherë seriozisht kërkesa e opozitës për hartimin e kësaj strategjie të posaçme për të zgjidhur situatën e jashtë-ligjshme në veri?
Këto dhe shumë e shumë pyetje të tjera meritojnë të adresohen qartë dhe direkt tek liderët e institucioneve të Kosovës. Dhe, qytetarët e Kosovës nuk mund të shmangen nga debatet e këtilla. Përgjigjet në këto dhe shumë pyetje tjera duhet të jenë publike, sikurse edhe veprimet që duhet ndërmarrë.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Botuar në KOHA DITORE, më 14 shkurt 2010, fq. 11.

Friday, January 22, 2010

Vizioni i Rugovës

Vizioni i Rugovës
Edhe pas shpalljes së pavarësisë, mbetet ende e gjatë rruga për të realizuar vizionin e presidentit Rugova.
Burim Ramadani

I
Në janarin e katër që prej ndarjes nga jeta e presidentit Ibrahim Rugova, Kosova përballet me shumë sfida. Shteti dhe shoqëria kosovare gjendet në një situatë të brishtë politike; me një ekonomi të rrënuar e të pazgjidhje nga përgjegjësit e tashëm politikë; situatë të paqartë të sigurisë; mungesë të shtrirjes së autoritetit shtetëror në tërë territorin e Kosovës; me një qeveritarë të lartë të akuzuar publikisht për urdhër-dhënie të vrasjeve në Kosovë; me tenderomaninë e pashërueshme qeverisëse; me izolimin e qytetarëve të Kosovës përmes mos-liberalizimit të vizave për shkak të mbetjes prapa në plotësimin e kritereve të Bashkimit Evropian; me zgjedhje të dështuara, manipuluara dhe me rund të tretë për shkak të vjedhjes së votava nga dy partitë në pushtet; me shoqëri të papjekur civile; me shumë media në shërbim të njërit apo tjetrit krah. Kjo është në përshkrim të shpejtë gjendja e përgjithshme e Kosovës tashmë dy vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe katër vjet që prej ndarjes ndarjes nga jeta e presidentit historik Ibrahim Rugova. Fatkeqësia më e madhe e kësaj periudhe të rëndë në Kosovë është dëmtimi i demokracisë së krijuar në vend, dëmtim ky që është konstatuar edhe nga mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar.
II
Demokracia në Kosovë ka zënë fill në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, përkatësisht në vitet e 90-ta. Roli i intelektualëve shqiptarë të Kosovës në atë periudhë ka qenë vërtetë i rëndësishëm, vendimtar dhe i pakontestueshëm për zhvillimet e ardhshme të gjithmbarshme në vend. Në këtë mes, lideri i organizimit të tillë ishte zgjedhur Dr. Ibrahim Rugova, në atë kohë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Përkundër situatës tepër të rëndë dhe nën agresin në të cilën ndodhej Kosova, intelektualët e prirë nga presidenti Rugova arriti të krijojë bazën për ndërtimin e një demokracie fillestare në vend. Demokracia e kushteve të atilla në Kosovë kishte marrë mbështetjen e plotë të qytetarëve të vendit, të cilët zhvilluan besimin e nevojshëm në vlerat themelore shoqërisë së demokratizuar, sikurse është toleranca politike e njerëzore. Fuqia e bashkimit të popullit të Kosovës, vendosmëria në udhëheqjen në drejtimin e përcaktuar paqësor, aftësia e rritjes së solidaritetit midis qytetarëve të të gjitha shtresave, përcaktimi i orientimeve të drejta të Kosovën në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë ishin ndër vlerat kryesore që u vendosën nga lëvizja e udhëhequr prej presidentit Rugova. Dhe, këto vlera u krijuan në një periudhë tepër të vështirë.
III
Etapa të cilën e kishte nisur lëvizja gjithëpopullore në krye me presidentin Rugova padyshim se është një prej kohëve më përcaktuese për të ardhmen e Kosovës edhe gjatë dekadave të ardhshme. Rezistenca paqësore, megjithë vështirësitë e saj funksionale, arriti të kthejë vëmendjen e vendeve perëndimore për atë që ndodhte në Kosovë. Aspekti i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës qartësisht konstatohet si një prej sukseseve më të mëdha të lëvizjes së asaj kohe. Sidoqoftë, themelet e shtetit të Kosovës janë vënë në atë periudhë, gjë që domosdoshmërisht meriton nderimin e përjetshëm. Vizioni i drejtuar kah ndërtimi i shtetit të pavarur, i integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian është përfaqësues i politikës pragmatike të bërë gjatë asaj periudhe. Në fakt, shtylla kryesore e asaj që ishte ndërtuar në vitet e 90-ta pa dyshim është baza e orientimit të drejtë të shoqërisë kosovare në raport me vendet dhe vlerat perëndimore. Qytetarët e Kosovës, nëse jo më herët, gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar kanë ngulitur në vizionin e tyre përqafimin e vlerave moderne perëndimore, duke iu shmangur me kujdes të përpiktë lëvizjeve të ndryshme të lindjes apo botës së tretë në rajon.
IV
Realizimi i vizionit të përfaqësuar nga presidenti Rugova është obligim i qartë i elitës politike në Kosovë. Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, mbetet ende e gjatë rruga për të ndërtuar vizionin e deklaruar dhe të njohur si vizioni Rugovian. Por, situata e tashme në Kosovë duket jo gjithaq shpresëdhënëse për zhvillimet e përgjithshme pozitive politike e shoqërore në vend. Partitë politike dhe grupacionet brenda tyre vazhdojnë të tentojnë dikush përvetësimin e vlerave të presidentit Rugova e dikush të shfrytëzojë ato për përfitime të caktuara politike. Madje, edhe ata që nuk mund të qëndronin as në një tavolinë me presidentin Rugova, tashmë janë nderues të rregullt tek varri i tij. Sidoqoftë, duhet thënë qartë se vlerat e liderit historik Rugova janë vlera të përbashkëta të popullit të Kosovës dhe si të tilla ato nuk i takojnë ndonjë grupi të veçantë. Udhëheqja politike e Kosovës duhet të jetë e përkushtuar për të punuar në të mirën e Kosovës, për të zhvilluar demokracinë, funksionalizuar shtetin dhe plotësuar me vullnet të veçantë kriteret e BE-së. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të ndihen peng e mos-vendosmërisë së elitës politike për të tejkaluar mentalitetin e politikës së grupacioneve apo interesave personale. Kosova ka nevojë më shumë se kurrë të arrijë stadin e të qenit shtet dhe shoqëri funksionale. Ky ka qenë vizioni i njerëzve të mëdhenj të Kosovës. Kjo është ëndrra e gjeneratës ë tashme të qytetarëve.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më 25 janar 2010, fq. 21.

Thursday, January 21, 2010

Strategjia apo kah i bie veriu?

Vështrim
Strategjia apo kah i bie veriu?
Pikërisht për shkak se opozita dhe shoqëria civile konstatonte mungesën e shtrirjes së autoritetit shtetëror në veri të Kosovës, udhëheqësit institucional pohonin krejt diçka tjetër. Madje, kryeministri Thaçi dhe vartësit e tij fluturues pretendonin se çdo gjë është në rregull në veri të Kosovës, prandaj deklaratat e ndryshme të opozitës i konsideronin vetëm si “akuza qesharake”.
BURIM RAMADANI

Saherë që është ngritur në opinion situata e vështirë në veri, reagimi i qeverisë së Kosovës ka qenë i ditur. “Akuza qesharake” ka qenë përgjigja standarde e atyre që shpesh nuk e dinë as vet se çka punojnë në Qeverinë e Kosovës. Ndoshta të tillët kanë hyrë aty për të kënduar këngën me tekst të autorëve të padijshëm, të formuar për së mbrapshti apo ndoshta edhe më keq. Sidoqoftë, ky refren i papranueshëm për secilin njeri normal të vendit është përsëritur vazhdimisht pa marrë parasysh efektin negativ dhe dëmin që i është shkaktuar debatit politik dhe publik në vend.
Kështu ka ndodhur jo vetëm për veriun e Kosovës, por për shumë e shumë tema të cilat janë hapur në Kosovën e pas-shpalljes së pavarësisë. Kur në muajt e vjeshtës së kaluar ka filluar të hartohet drafti i parë i strategjisë së veçantë për veriun e Kosovës, duket se shumëkush nga elita udhëheqëse institucionale në Kosovë ka menduar se një gjë e tillë është e panevojshme. Madje, për politikanë të tillë kjo çështje duket se është parë edhe si qasje demode, primitivizëm apo diçka e ngjashme.
Por, cila ka qenë realisht qasja e qeverisë dhe elitës udhëheqëse institucionale? Nëse analizohen qëndrimet publike dhe aspekti i veprimeve në terren atëherë është e qartë se qasja e institucioneve të Kosovës ka qenë plotësisht neglizhuese, joadekuate dhe pasive. Thjesht, institucionet e Kosovës as që janë marrë ndonjëherë gjatë këtyre dy vjetëve me situatën e rëndë të krijuar në veri të vendit pas shpalljes së pavarësisë.
Megjithatë, problemi kryesor i këtij mentaliteti të qeverisjes qëndron në mos-pranimin apo mos-konstatimin e gjendjen reale në terren. Qeveria Thaçi e ka pasur (dhe vazhdon ta ketë) problem të konstatojë vështirësitë, ngecjet apo dështimet në terren. Sigurisht atyre mund t’u duket se të pranosh një realitet negativ është njësoj si të marrës mbi vete përgjegjësinë për tërë atë që ka ndodhur me vite apo dekada. Por, kjo nuk do të duhej të jetë kështu. Përgjegjësia e secilës qeveri lidhet me periudhën kohore prej kur ka marrë mandatin. Prandaj, edhe përgjegjësia e Qeverisë Thaçi fillon më 10 janar 2008, një ditë pasi ka marrë miratimin në Kuvendin e Kosovës.
Kjo periudhë kohore nuk është e shkurtër. Janë dy vjet të kësaj qeverie dhe gjendja në Kosovë është keqësuar dukshëm. Madje, në disa pjesë të territorit të shtetit gjendja është mëse alarmante. Prandaj, është kërkuar dhe nevojitet një strategji e veçantë për veriun e Kosovës, në këtë rast, dhe po ashtu strategji e sigurisë kombëtare në nivel të shtetit.
Mirëpo, ku t’i lënë inatet e pashpjegueshme personale që kanë udhëheqësit e institucioneve? Këto inate lidhen kryesisht (nëse plotësisht) me atë që thonë partitë opozitare dhe shoqëria civile. Dhe, kjo është dëshmuar jo vetëm sa i përket çështjes së veriut të Kosovës. Secilit i kujtohet se konsultimet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë sipas Pakos së Ahtisarit nuk janë mbajtur kurrë, pikërisht për shkak se këtë e ka kërkuar opozita dhe shoqëria civile. Konsultimet për organizimin e zgjedhjeve lokale të vitit 2009 kanë filluar me vonë, pikërisht për shkak se ato i kërkonte me ngulm opozita dhe shoqëria civile. Mandej, data e zgjedhjeve lokale u caktua të jetë në mes të nëntorit, pikërisht për të kundërshtuar kërkesën me shkrim të gjashtë partive opozitare që ato zgjedhje të mbahen në tetor. Dhe kështu me radhë.
E njëjta situatë është krijuar edhe sa i përket qasjes institucionale që shteti është dashur t’i kushtojë gjendjes së rëndë në veri të Kosovës. Pikërisht për shkak se opozita dhe shoqëria civile konstatonte me të drejtë mungesën e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në atë pjesë të territorit, udhëheqësit institucional pohonin krejt diçka tjetër. Madje, kryeministri Thaçi dhe vartësit e tij fluturues pretendonin se çdo gjë është në rregull në veri të Kosovës, prandaj deklaratat e ndryshme të opozitës i konsideronin si “akuza qesharake”. Derisa këto ky ka qenë refreni i vazhdueshëm i qeverisë kundër deklaratave të opozitës, sigurisht se qytetarët e Kosovës dhe në rend të parë atë veriut të vendit kanë menduar sinqerisht nëse këta zyrtarë qeveritarë e dinë se ku është ajo pjesë e territorit.
Më në fund, pas shumë muajve të presionit publik opozitar dhe qytetar, dhe pas dy vjet të pavarësimit të vendit, një draft i strategjisë së veçantë për veriun e Kosovës doli në publik. Lajmi i mirë nga kjo është vetë fakti se është hartuar një draft-strategji. Lajmi i keq, përpos vonesës së madhe, është se Qeveria e Kosovës nuk është udhëheqëse në këtë proces, por vetëm një prej palëve të ftuara nga mekanizmat ndërkombëtarë prezentë në Kosovë. Sidoqoftë, qeveria dhe kryeministri vrapuan ta cilësojnë këtë si punë të përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare me qëllim të vendosjes së sundimit të ligjit dhe normalizimit të jetës në atë pjesë të Kosovë.
Por, pyetja që u shtrohet të njëjtëve zyrtarë qeveritarë është: Pse kjo strategji, a nuk paska qenë çdo gjë në rregull në veri të Kosovës?
Thënë shkurtimisht, dy pozicionet e qeverisë së Kosovës sa i përket veriut të vendit janë në kundërshtim të plotë mes vete. Për gati dy vjet është thënë se nuk ka probleme në atë pjesë të territorit dhe tash (befasisht!) Qeveria krenohet se ka një strategji të veçantë për të kthyer autoritetin e shtetit në veri.
Nëse kjo analizohet me një dozë të vogël ironie apo cinizmi, atëherë është e dukshme se Qeveria e Kosovës as nuk ka ditur kah i be veriu i Kosovës. Është dashur një iniciativë e ndërkombëtarëve që i duan të mirën Kosovës për të këndellur udhëheqjen vendore. Dhe, ndoshta nuk është vështirë të imagjinohet situata kur ndërkombëtarët i kanë shpjeguar qeveritarëve strategjinë për veriun. Sigurisht pyetja e vetme që i kanë bërë qeveritarët ka qenë: Kah i bie veriu?

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Botuar në KOHA DITORE, 22 janar 2010, fq. 12.

“Titanik” Qeveria

“Titanik” Qeveria

Shkruan: Burim Ramadani

I
Shumë njerëz janë konfuzuar me zhvillimet që patën ndodhur në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008. Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të asaj vjeshte, partitë politike në Kosovë patën hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve. Skena politike e përçarë me vite të tëra që prej përfundimit të luftës, më 1999, ishte rikonfiguruar, duke vënë kështu për herë të parë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të kryesuar nga Hashim Thaçi në pozitën e partisë më të madhe në vend. Kjo ndodhi kryesisht për faktin se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte humbur liderin e saj, Ibrahim Rugova, dhe ishte ndarë në dysh pas Kuvendit të Gjashtë Zgjedhor të saj, në dhjetor të vitit 2006, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ekzistonte në një periudhë të rëndë pas shkuarjes në Hagë të liderit të saj, Ramush Haradinaj. Por, kjo situatë solli për herë të parë mundësinë që në Kosovë të ketë një afrim midis dy partive që kanë qenë rivale ekstreme për vite të tëra. Megjithatë, elektorati i tyre nuk i është bindur pothuajse asnjëherë kësaj mundësie. E tillë ishte situata në mbrëmjen e 17 nëntorit 2007, kur përkrahësit e PDK-së i bënë thirrje udhëheqjes së partisë së tyre që të mos bëjë koalicion me LDK-në. Por, ujdia që kishin bërë krerët e dy partive politike tashmë kishte marrë formën e vet dhe ashtu u materializua/formalizua në fillim të vitit 2008, pavarësisht se disa muaj më parë një mundësi e tillë ishte cilësuar edhe si “partitokraci” në Kosovë.

II
Koalicioni qeveritar midis PDK-së dhe LDK-së ndodhi për herë të parë, në janar të vitit 2008 dhe si i tillë mori një shumicë të avancuar në Kuvendin e Kosovës. Partitë që mbetën jashtë koalicionit e quajtën këtë koalicion si të panatyrshëm për shkak të ndasive të thella që ishin (dhe janë) prezentë midis këtyre partive. Sidoqoftë, procesi i pavarësimit të Kosovës ishte në përmbyllje e sipër dhe në këtë formë shumë analistë e cilësuan koalicionin e tillë si të nevojshëm për shkak të ruajtjes së stabilitetit të përgjithshëm në vend. Megjithëse ky konstatim kontestohet me argumente të ndryshme, “koalicioni për shtetin” tashmë kishte marrë drejtimin e vendit. Qytetarët e rëndomtë të Kosovës kanë pritur se bashkimi i dy partive më të mëdha në një koalicion mund t’i ofrojë Kosovës një orientim të ri, sidomos pas humbjes së legjitimitetit që kishte pësuar qeveria e kaluar e udhëhequr pas shkuarjes në Hagë të Ramush Haradinajt. Por, që në nisje të punës së vet, koalicioni PDK-LDK filloi të shfaqte një logjikë jo të favorshme për shtetin e Kosovës. Të dy partitë startuan me pakënaqësi ndaj njëra-tjetrës, kryesisht për shkak të ndjenjës se është shkelur nga partia tjetër në koalicion. Kjo normalisht se ka ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të punës dhe angazhimeve që duhej të kishte Qeveria Thaçi, madje duke pasur efekt negativ edhe përbrenda partive si pasojë e ekzistimit të mendimeve të ndryshme në kuadër të strukturave partiake.

III
Organizimi i punës brenda koalicionit qeverisës u tregua i dëmshëm për të dy partitë. Në realitet, duket se problemi më i madh ka qenë pikërisht në pa-aftësinë e organizimit të duhur të punës brenda këtyre dy partive. Edhe PDK, edhe LDK kanë vazhduar inatet e vjetra mes vete dhe në këtë mënyrë janë munduar tërë kohën që t’i zënë hapësirën e “partnerit”. Udhëheqja e lartë e LDK-së që prej fillimit ka qenë e ndarë në dysh, në pjesën që mbështeste koalicionin dhe në pjesën që ishte kundër këtij koalicioni. Por, e përbashkëta e këtyre dy pjesëve/mendimeve ishte fakti se zyrtarët e LDK-së ishin të pakënaqur me rëndësinë e Ministrive që i ishin ndarë kësaj partie. Në anën tjetër, PDK-ja, si partia kryesore në qeverisje, përballej me bindjen e brendshme të saj se LDK-ja ka marrë shumë Ministri dhe se ishte vetë ajo parti që u dëmtua në koalicion. Normalisht se këtu kanë ndikuar edhe aktivistët partiakë, të cilët kanë pritur akomodim më të mirë brenda institucioneve shtetërore. Edhe më tepër kjo ka qenë e dukshme tek elektorati i të dy partive. Sidomos elektorati i LDK-së anekënd Kosovës është zhgënjyer gjithnjë e më shumë me faktin e vazhdimit të koalicionit me PDK-në, derisa elektorati i partisë udhëheqëse dukej se ishte i pakënaqur me faktin se partner i tyre u bë kundërshtari kryesor i deri-atëhershëm.

IV
Intensiteti i zhvillimeve politike të Kosovës la mbrapa aftësitë e koalicionit qeveritar për të zgjidhur apo ofruar zgjidhje për problemet e Kosovës dhe qytetarëve të vendit. Përkundrazi, koalicioni qeveritar i udhëhequr nga Hashim Thaçi mori drejtimin tjetër, që çdo herë është drejtimi më i gabuar në politikë: drejtimin e korrupsionit, përfitimeve personale dhe grupore. Pothuajse i tërë potenciali qeverisës u orientua kah shfrytëzimi i mundësive korruptive të pushtetit, duke u larguar dukshëm nga problemet e qytetarëve të vendit apo problemet brenda-partiake. Pavarësisht se në shikim të parë dukej stabil, i madh, i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, koalicioni qeveritar midis PDK-së dhe LDK-së doli të ketë fatin e Titanikut të vitit 1912. Rruga nëpër të cilën u nis dhe kaloi “Titaniku” i Kosovës që nga krijimi në janar të vitit 2008, doli të jetë rrugë e vështirë me shumë “ajsbergë” dhe me kapiten të keq. Në secilën sfidë që përballohet një ekip, roli i udhëheqësit është tejet i rëndësishëm dhe vendimtar. Por, rasti i koalicionit qeveritar PDK-LDK është tipik rast që mund të përshkruhet si dështim i plotë i udhëheqësit, përkatësisht kryeministrit Thaçi. Sidoqoftë, anija qeveritare është duke u fundosur në mënyrë të dukshme dhe përgjegjësia ka adresë të qartë: kapiteni i anijes. Zhytja e këtij koalicioni është e pashmangshme dhe kjo do të ndodh definitivisht gjatë javëve të ardhshme. Koalicioni PDK-LDK, i prirë nga Hashim Thaçi, mund të mbahet mend edhe si “Titanik Qeveria”.


Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”


Botuar në "Zëri" më janar 2010, fq. 24.

“Titanik” Qeveria

“Titanik” Qeveria

Shkruan: Burim Ramadani
I
Shumë njerëz janë konfuzuar me zhvillimet që patën ndodhur në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008. Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të asaj vjeshte, partitë politike në Kosovë patën hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve. Skena politike e përçarë me vite të tëra që prej përfundimit të luftës, më 1999, ishte rikonfiguruar, duke vënë kështu për herë të parë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të kryesuar nga Hashim Thaçi në pozitën e partisë më të madhe në vend. Kjo ndodhi kryesisht për faktin se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte humbur liderin e saj, Ibrahim Rugova, dhe ishte ndarë në dysh pas Kuvendit të Gjashtë Zgjedhor të saj, në dhjetor të vitit 2006, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ekzistonte në një periudhë të rëndë pas shkuarjes në Hagë të liderit të saj, Ramush Haradinaj. Por, kjo situatë solli për herë të parë mundësinë që në Kosovë të ketë një afrim midis dy partive që kanë qenë rivale ekstreme për vite të tëra. Megjithatë, elektorati i tyre nuk i është bindur pothuajse asnjëherë kësaj mundësie. E tillë ishte situata në mbrëmjen e 17 nëntorit 2007, kur përkrahësit e PDK-së i bënë thirrje udhëheqjes së partisë së tyre që të mos bëjë koalicion me LDK-në. Por, ujdia që kishin bërë krerët e dy partive politike tashmë kishte marrë formën e vet dhe ashtu u materializua/formalizua në fillim të vitit 2008, pavarësisht se disa muaj më parë një mundësi e tillë ishte cilësuar edhe si “partitokraci” në Kosovë.
II
Koalicioni qeveritar midis PDK-së dhe LDK-së ndodhi për herë të parë, në janar të vitit 2008 dhe si i tillë mori një shumicë të avancuar në Kuvendin e Kosovës. Partitë që mbetën jashtë koalicionit e quajtën këtë koalicion si të panatyrshëm për shkak të ndasive të thella që ishin (dhe janë) prezentë midis këtyre partive. Sidoqoftë, procesi i pavarësimit të Kosovës ishte në përmbyllje e sipër dhe në këtë formë shumë analistë e cilësuan koalicionin e tillë si të nevojshëm për shkak të ruajtjes së stabilitetit të përgjithshëm në vend. Megjithëse ky konstatim kontestohet me argumente të ndryshme, “koalicioni për shtetin” tashmë kishte marrë drejtimin e vendit. Qytetarët e rëndomtë të Kosovës kanë pritur se bashkimi i dy partive më të mëdha në një koalicion mund t’i ofrojë Kosovës një orientim të ri, sidomos pas humbjes së legjitimitetit që kishte pësuar qeveria e kaluar e udhëhequr pas shkuarjes në Hagë të Ramush Haradinajt. Por, që në nisje të punës së vet, koalicioni PDK-LDK filloi të shfaqte një logjikë jo të favorshme për shtetin e Kosovës. Të dy partitë startuan me pakënaqësi ndaj njëra-tjetrës, kryesisht për shkak të ndjenjës se është shkelur nga partia tjetër në koalicion. Kjo normalisht se ka ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të punës dhe angazhimeve që duhej të kishte Qeveria Thaçi, madje duke pasur efekt negativ edhe përbrenda partive si pasojë e ekzistimit të mendimeve të ndryshme në kuadër të strukturave partiake.
III
Organizimi i punës brenda koalicionit qeverisës u tregua i dëmshëm për të dy partitë. Në realitet, duket se problemi më i madh ka qenë pikërisht në pa-aftësinë e organizimit të duhur të punës brenda këtyre dy partive. Edhe PDK, edhe LDK kanë vazhduar inatet e vjetra mes vete dhe në këtë mënyrë janë munduar tërë kohën që t’i zënë hapësirën e “partnerit”. Udhëheqja e lartë e LDK-së që prej fillimit ka qenë e ndarë në dysh, në pjesën që mbështeste koalicionin dhe në pjesën që ishte kundër këtij koalicioni. Por, e përbashkëta e këtyre dy pjesëve/mendimeve ishte fakti se zyrtarët e LDK-së ishin të pakënaqur me rëndësinë e Ministrive që i ishin ndarë kësaj partie. Në anën tjetër, PDK-ja, si partia kryesore në qeverisje, përballej me bindjen e brendshme të saj se LDK-ja ka marrë shumë Ministri dhe se ishte vetë ajo parti që u dëmtua në koalicion. Normalisht se këtu kanë ndikuar edhe aktivistët partiakë, të cilët kanë pritur akomodim më të mirë brenda institucioneve shtetërore. Edhe më tepër kjo ka qenë e dukshme tek elektorati i të dy partive. Sidomos elektorati i LDK-së anekënd Kosovës është zhgënjyer gjithnjë e më shumë me faktin e vazhdimit të koalicionit me PDK-në, derisa elektorati i partisë udhëheqëse dukej se ishte i pakënaqur me faktin se partner i tyre u bë kundërshtari kryesor i deri-atëhershëm.
IV
Intensiteti i zhvillimeve politike të Kosovës la mbrapa aftësitë e koalicionit qeveritar për të zgjidhur apo ofruar zgjidhje për problemet e Kosovës dhe qytetarëve të vendit. Përkundrazi, koalicioni qeveritar i udhëhequr nga Hashim Thaçi mori drejtimin tjetër, që çdo herë është drejtimi më i gabuar në politikë: drejtimin e korrupsionit, përfitimeve personale dhe grupore. Pothuajse i tërë potenciali qeverisës u orientua kah shfrytëzimi i mundësive korruptive të pushtetit, duke u larguar dukshëm nga problemet e qytetarëve të vendit apo problemet brenda-partiake. Pavarësisht se në shikim të parë dukej stabil, i madh, i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, koalicioni qeveritar midis PDK-së dhe LDK-së doli të ketë fatin e Titanikut të vitit 1912. Rruga nëpër të cilën u nis dhe kaloi “Titaniku” i Kosovës që nga krijimi në janar të vitit 2008, doli të jetë rrugë e vështirë me shumë “ajsbergë” dhe me kapiten të keq. Në secilën sfidë që përballohet një ekip, roli i udhëheqësit është tejet i rëndësishëm dhe vendimtar. Por, rasti i koalicionit qeveritar PDK-LDK është tipik rast që mund të përshkruhet si dështim i plotë i udhëheqësit, përkatësisht kryeministrit Thaçi. Sidoqoftë, anija qeveritare është duke u fundosur në mënyrë të dukshme dhe përgjegjësia ka adresë të qartë: kapiteni i anijes. Zhytja e këtij koalicioni është e pashmangshme dhe kjo do të ndodh definitivisht gjatë javëve të ardhshme. Koalicioni PDK-LDK, i prirë nga Hashim Thaçi, mund të mbahet mend edhe si “Titanik Qeveria”.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më janar 2010, fq. 24.

Sunday, January 10, 2010

Shpëtim për Kosovën, jo koalicionin

Vështrim

Shpëtim për Kosovën, jo koalicionin
Thaçi përmes ‘riformatizimit të qeverisë’ mundohet të shpëtojë veten nga humbja e pushtetit dhe të thellojë logjikën e qeverisjes së keqe. Por, këtu ka nevojë për të shpëtuar Kosovën nga kjo qeverisje e bankrotuar dhe jo për të shpëtuar koalicionin dhe kryeministrin.
BURIM RAMADANI

Kriza politike brenda koalicionit qeveritar në Kosovës është e patejkalueshme. Të dy partitë kryesore të koalicionit kanë drejtime dhe qasje të ndryshme, kanë synime dhe metoda të dallueshme, kanë kundërshti dhe inate të pakapërcyeshme. Ndërkohë, të gjitha proceset në Kosovë janë bllokuar dhe tema më e rëndësishme në vend është bërë akuzimi i ndërsjellë midis partnerëve të koalicionit. Porse, në të njëjtën kohë, të dy partitë në koalicion vazhdojnë improvizimin politik, duke pasur për qëllim të qëndrojnë edhe pak në pushtet, pa pasur vendosmërinë dhe kurajon për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për daljen nga kjo situatë konfuze.
Ky mbase mund të jetë përshkrimi i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë i gjendjes së rëndë në të cilën ka rënë kreatura e quajtur qeveri e koalicionit PDK-LDK në Kosovë, e udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi. Normalisht se fokusimi i opinionit publik në atë se çka po ndodh brenda qeverisë dhe në raportet midis partnerëve të koalicionit ka një kosto vërtetë të madhe për zhvillimet e përgjithshme në vend, sikurse edhe për procese dhe dukuri veç e veç. Dhe, e tërë kjo lojë politike me improvizime të shumta dhe qartësisht të dukshme tashmë kanë arritur në nivel tejet shqetësues për secilin qytetar të Kosovës që është i interesuar të ketë jetë më të mirë, shtet funksional dhe perspektivë evropiane.
Por, situata në Kosovë është krejt ndryshe nga ajo që mund të cilësohet si interesi i qytetarëve të vendit. Derisa jeta në Kosovë vështirësohet nga dita në ditë, çmimet vazhdojnë të rriten, papunësia arrin nivelet rekorde, varfëria ekstreme më e larta në rajon, të ardhurat e të punësuarve në përgjithësi nuk mbulojnë as nevojat personale gjatë muajit, shëndetësia kanë rënë në koma dhe arsimi ka arritur në shkallët më të ulët të cilësisë dhe disiplinës, kjo duket qartë se nuk është fare në agjendën politike të qeverisë së Kosovës gjatë këtyre muajve. E tëra që mund të dëgjohet e lexohet për çdo ditë mbetet: koalicioni, marrëdhëniet midis partnerëve qeveritar dhe kush do të mbetet e kush jo ministër. Janë lënë anash shumë zhvillime tjera që lidhen drejtpërdrejt me shtetin, funksionimin e institucioneve dhe jetën e qytetarëve të Kosovës. Madje, sa për ironi, është ‘harruar’ edhe rasti i ish-agjentit të SHIK-ut, Nazim Bllaca, i cili ka akuzuar ministra dhe zëvendësministra për dhënie të urdhrave për vrasjen, keqtrajtimin dhe dëmtimin e njerëzve në Kosovë. Për më tepër, duke u fokusuar në problemet apo improvizimet politike brenda koalicionit qeveritar, dukshëm është lënë jashtë debatit politik dhe publik keq-qeverisja që po ndodh në Kosovë gjatë këtyre muajve.
Në vend të diskutimit të dështimeve të panumërta dhe krejt të sipërfaqshme të qeverisjes aktuale, partnerët e koalicionit qeveritar kanë ngritur çështjet e brendshme të tyre, duke zhvilluar debtatin në një fushë krejt tjetër.
Por, ku është thelbi real i kësaj krize qeveritare publike në Kosovë? Duket se janë dy faktorë kryesorë që kanë vendosur në një fazë të këtillë të rëndë koalicionin qeveritar dhe Kosovën në përgjithësi.
Faktori i parë, është fakti se dy partitë politike në koalicion, PDK dhe LDK, kanë arritur nës kulmin e mos-besimit të ndërsjellë. Agjendat e të dy partive kanë marrë drejtime të ndryshme dhe si të tilla janë ndeshur sërish pas më pak se dy vjetësh të paqes së brishtë mes tyre. Kjo është zhvilluar sidomos gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të fundvitit të kaluar, ku të dy partitë janë përballë me ndjenjën e fortë të kundërshtimeve të mëdha të elektorateve të këtyre partive. Madje, gara e veçantë për kryetar të Komunës së Prishtinës ka pasur një ndikim të posaçëm në nxitjen e inateve të votuesve të të dy partive kundër njëra-tjetrës, përkundër faktit se të dy partitë kanë qenë në koalicion edhe për pushtetin lokal pas zgjedhjeve të vitit 2007. Por, ekziston edhe një element i jashtëm që i bën të dy partitë të shqetësohen dhe ky element ka të bëjë me largimin e mundshëm të elektoratit të tyre drejt partive tjera. Është e qartë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tashmë shihet si alternativë e qëndrueshme për të strukurat e votuesve, si të PDKs-së po ashtu edhe të LDK-së. Të parët kanë mundur të shohin qartë gjatë këtyre dy vjetëve se ndërtimi i strategjisë politike të PDK-së mbi përvetësimin e vlerave të luftës që nga viti 1999 ka qenë e drejtuar vetëm nga interesa të ngushtë të udhëheqjes së kësaj partie, vlera të cilat u mënjanuan menjëherë pas ardhjes së pushtet të kësaj partie. Ndërsa, të dytët dhe sidomos votuesit tradicionalë të zhgënjyer të LDK-së janë përballë gjatë këtyre dy vjetëve me humbjen e identitetit të partisë së tyre dhe kështu shohin drejtimin e AAK-së si më të duhurin dhe më të qëndrueshmin mbi vlerat për të cilat ata kanë besuar për dy dekada.
Faktori i dytë, është tendenca e qartë e kryeministrit Hashim Thaçi për të mbijetuar pavarësisht situatës së rëndë të krijuar dhe për të vazhduar mbetjen në pushtet deri në vjeshtën e vitit 2011. Duke u ballafaquar me një varg të madh të dështimeve dhe me keq-qeverisjen gjatë kësaj periudhe të udhëheqjes së qeverisë, kryeministri Thaçi tenton të zhvendos vëmendjen në drejtim të temave tjera të cilat mund t’i shiten më lehtë opinionit publik. Prandaj, tashmë për çdo ditë diskutohet çështja e ndërrimit të disa ministrave, apo sikurse është e njohur tashmë “riformatizimi i qeverisë Thaçi”. Dhe, i tërë ky diskutim dhe kjo zhurmë e madhe, e cila i vënë nën ethe jo vetëm ministrat e caktuar, bëhet vetëm në opinion publik, por jo në strukturat vendimmarrëse për një gjë të tillë. Asnjëherë deri më tash nuk është raportuar se të dy partitë kanë diskutuar zyrtarisht për çështjen e riformatizimit të qeverisë në nivelet ku merren vendimet. Por, duke bërë këtë improvizim apo lojë politike, kryeministri Thaçi tenton të largojë debatin për atë se është pikërisht Thaçi përgjegjës për keq-qeverisjen në Kosovë dhe zhvillimin e paparë ndonjëherë të dukurive negative në vend. Në këtë formë, Thaçi mundohet të shpëtojë veten nga humbja e pushtetit dhe kështu të merr edhe një mundësi për të vazhduar dhe thelluar logjikën e qeverisjes së keqe dhe dëmtuese për Kosovën.
Por, këtu ka nevojë për të shpëtuar Kosovën nga kjo qeverisje e bankrotuar dhe jo për të shpëtuar koalicionin dhe kryeministrin.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Botuar në KOHA DITORE më 10 janar 2009, fq. 11

Friday, January 8, 2010

Riformatizimi - ikje nga zgjedhjet parlamentare

Riformatizimi - ikje nga zgjedhjet parlamentare
Shkruan: Burim Ramadani
I
Menjëherë pas festës së Vitit të Ri në Kosovë rifilloi tema e të ashtuquajturit riformatizim i Qeverisë. Kjo ndoshta është “dhurata” e vetme që Kryeministri atual, Hashim Thaçi, mund t’i jep qytetarëve të Kosovës dhe anatërave të PDK-së. Kjo është e kuptueshme për secilin që përcjell zhvillimet politike dhe qeverisëse në Kosovë. Nëse imagjinohet kryeministri Thaçi si babadimër i Kosovës, atëherë çfarë do të mund t’i sillte ai qytetarëve të vendit dhe anëtarëve të partisë së tij? Gjatë një viti të kaluar nën qeverisjen e tij, Kosova është dëmtuar në shumë drejtime, si në atë ekonomik, sundimin e ligjit, demokracinë e brendshme, tolerancën politike etj. Mbi të gjitha, kosovarët janë dëmtuar në xhepin e tyre. Jeta e secilit qytetar të rregullt të Kosovës është shumë më e vështirë dita-ditës. Derisa nevoja për shpenzime është rritur, qytetarët e Kosovës nuk kanë të hyra më të mëdha apo më shumë vende pune. Thesi i babadimrit Thaçi është i zbraztë dhe nuk mund të sjell asgjë që kënaq “fëmijët” e lodhur në Kosovë. Prandaj, e vetmja dhuratë që i mbetet babadimrit kosovar Thaçi është ajo e tregimit të ndonjë “përrallë” të re politike apo tentimi për bërjen e një loje të re që nxit të qeshurat e “fëmijëve” të mërzitur kosovarë. Kjo “përallë” mbase duket e domosdoshme për Thaçin për shumë arsye, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me pamundësinë e bashkë-jetesës së këtillë të partnerëve të koalicionin qeveritar, pas zgjedhjeve lokale të cilat assesi nuk po përfundojnë.
II
Uniteti dhe stabiliteti i koalicionit qeverisës ishte njëri prej formulimeve më të shpeshta që është dëgjuar për gati dy vjet me radhë të kësaj qeverisjeje. Sikur është e njohur në popull, secili përmend pikërisht atë që nuk e ka. Dhe, e tillë është situata reale. Siç dihet, koalicioni qeveritar aktual përbëhet nga PDK, LDK dhe disa parti të vogla të minoriteteve. Porse, brishtësia, mungesa e unitetit, stabilitetit dhe e mundësisë për bashkë-jetesë midis të dy partive më të mëdha në koalicion është vërejtur qysh më herët. Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhe rundi i dytë për kryetarë të komunave ka vënë në pah raportin e vërtetë midis këtyre partive. Për më tepër, është vërejtur qartë se elektorati i të dy partive është i padurueshëm mes vete dhe kjo është vazhdimësi e raporteve tradicionale mes tyre. Tek e fundit, mund të konstatohet se secili kandidat i LDK-së që ka akuzuar PDK-në dhe kryeministrin Thaçi gjatë fushatës zgjedhore, ka arritur një rritje apo sukses të konsiderueshëm në zgjedhje. Por, përsëritja e balotazhit në dy (apo tri?) komuna ku garojnë PDK-ja dhe LDK-ja ka shkaktuar edhe një goditje, sipas të gjitha gjasave të patejkalueshme, midis këtyre dy partive. Dorën në zemër, si mund të vazhdojnë “martesën” këto dy parti kur nuk kanë aspak besim në njëra-tjetrën dhe janë munduar t’ia vjedhin votat? Këto zhvillime mund të çojnë në zgjedhje parlamentare.
III
Tentativat për ndryshimet e tashme në Qeverinë e Kosovës janë kryekëput përpjekje për t’i ikur zgjedhjeve parlamentare. Por, kjo ka edhe një qëllim tjetër të kryeministrit aktual, Thaçi: definimi i qartë dhe preciz i raporteve me partnerin e koalicionit qeverisës, LDK. Kjo duket të jetë shumë e nevojshme për PDK-në e Thaçit për shkak se shumë zhvillime të deritashme brenda LDK-së kanë dridhur dhe lëkundur qëndrueshmërinë e koalicionit qeveritar. Madje, deklaratat e shumë zyrtarëve të lartë të LDK-së kanë shkaktuar një irritim pothuaj të papërmirësueshëm brenda anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së anëkënd Kosovës. Akuzimi nga ana e udhëheqësve të lartë të LDK-së se kryeministri Thaçi është “diktator në miniaturë” apo formulimet se “qeveria e tashme nuk e ka jetën e gjatë” sigurisht se kanë ndikuar në qasjen e re që PDK-ja ka formuar në raport me partnerin e ‘vogël’. Por, mbi të gjitha duket se kryeministri Thaçi dëshiron t’i ikë mbajtjes së mundshme të zgjedhjeve parlamentare në pranverë apo vjeshtë të këtij viti. Realisht, nuk është interesi i PDK-së që këto zgjedhje të mbahen para proceseve të rëndësishme të privatizimit që pritet të ndodhin këtë vit, sikurse është KEK-u, PTK-ja apo dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Logjika që udhëheq këtë qeveri është ajo e korrupsionit, prandaj PDK-ja nuk është e interesuar që t’i “lëshojë këto mundësi” të pasurimit, pavarësisht se qytetarët kanë tjera halle.
IV
Interesi i qytetarëve të Kosovës nuk është ai që përfaqësohet në formën e tashme nga qeveria e koalicionit që disa herë u quajt edhe si “guns and roses”. Tash më shumë se tre muaj, udhëheqja e qeverisë së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin edhe një numër të madh të ministrave, janë fokusuar plotësisht në zgjedhjet, në zhvillimet e brendshme partiake dhe në ruajtjen e pozitës së partisë së tyre në qeveri. Përkundrazi. Interesi i qytetarëve të Kosovës nuk lidhet me atë se çka po ndodh brenda një partie të caktuar, cili ministër do të ndërrohet, a është i nevojshëm riformatizimi i Qeverisë apo cili ministër do të bëhet më i rëndësishëm se kolegët e tij në qeveri. Kjo është logjikë e mbrapshtë e udhëhequr nga kjo Qeveri dhe ky kryeministër. Qytetarët e Kosovës kanë interes të paluhatshëm sa i përket rritjes ekonomike, zhvillimit të përgjithshëm, hapjes së vendeve të reja të punës, zbutjes së papunësisë, zhdukjes së varfërisë ekstreme, zbutjes së varfërisë, arsimimit më cilësor, sistemin shëndetësor më të përparuar, sundimit të ligjit, lëvizjes së lirë, investimit në bujqësi, rritjes së të ardhurave, e shumë e shumë kërkesa tjera me qëllim të përmirësimit të jetesës së përditshme. Por, këto tema as që diskutohen sot në Qeverinë e Kosovës. E tëra që diskutohet është: a do të jem edhe më tutje ministër?

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 8 janar 2010, fq. 24