Friday, December 22, 2006

Kryeministri që humbi besimin e partisë së tij

Portret i kryeministrit të deritashëm, Bajram Kosumi

Kryeministri që humbi besimin e partisë së tij

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës për më pak se një vit, prej se ka marrë detyrën në postin kryesor ekzekutiv të vendit. Por, ai nuk arriti të bind partinë të cilës i takon se ka fuqinë, aftësinë dhe angazhimin për të qenë ‘kryeministër i pavarësisë’ së Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

As vetë nuk e ka menduar se karriera e tij politike do të mund të lakohej e të përballej me ndryshime kaq të mëdha brenda një kohe relativisht të shkurtër. Numri dy i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës për më pak se një vit, prej se ka marrë detyrën në postin kryesor ekzekutiv të vendit, kur paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj, ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës. Por, ai nuk arriti të bind partinë të cilës i takon se ka fuqinë, aftësinë dhe angazhimin për të qenë ‘kryeministër i pavarësisë’ së Kosovës. Disa muaj para përmbylljes së procesit të definimit të statusit të Kosovës, Bajram Kosumi nga Tugjeci i Dardanës ka dhënë dje dorëheqje nga detyra e shefit të Ekzekutivit, pas kërkesës së bërë nga vetë AAK-ja.

Dy ditë pat menduar për të pranuar detyrën e kryeministrit

E kishte marrë detyrën me propozimin direkt të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ndërsa sipas burimeve të gazetës, ai nuk ka qenë i preferuar në atë kohë nga kryetari i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Më 8 mars të vitit 2005, ish-kryeministri Haradinaj gjatë paraqitjes së tij publike për të lajmëruar dorëheqjen nga ai post për shkak të ngritjes së aktakuzës nga Tribunali i Hagës, pat propozuar që në vend të tij të zgjedhet Bajram Kosumi, nënkryetar i AAK-së dhe atë kohë ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në një intervistë dhënë në maj të vitit 2005 për një revistë në Kosovë, Kosumi pat deklaruar se momenti kur është nominuar për të udhëhequr qeverinë ka qenë shumë i vështirë.
“Jam nominuar në rrethana të vështira. Në të njëjtin moment kam marrë dy informata: e para ishte aktakuza ndaj Ramushit, ndërsa tjetra nominimi për kryeministër. Ka qenë vërtetë moment i vështirë. Ramushin, përveç kryeministër dhe kryetar të partisë sime, e kisha mik privat dhe familjar. Andaj, në ato çaste kam ndier dhimbje. As që kam menduar për nominimin tim. Kam menduar se çfarë mund të bëjmë ne që kjo punë të ec sa më mirë, që të ruhet qetësia në Kosovë. Duke e përcjell Ramushin, i kam thënë: “Unë ende nuk kam thënë as po e as jo për kryeministër”. Pastaj kam menduar dy ditë rresht, deri në momentin kur kam vendosur”, pat thënë Kosumi.
Ndërkohë, më 23 mars të vitit të kaluar, Kosumi është zgjedhur në Kuvendin e Kosovës për kryeministër të ri të vendit, duke trashëguar pothuaj komplet përbërjen e qeverisë që kishte udhëhequr Haradinaj. Ai, më pas, ka bërë disa ndryshime në kabinetin e tij, duke lënë kështu një numër të vogël të këshilltarëve që kishte trashëguar nga paraardhësi i tij.
Mirëpo, dinamika e qeverisë së udhëhequr nga Kosumi kishte rënë dukshëm në krahasim me atë të Haradinajt. Edhe ai vetë, në një intervistë në maj 2005, kishte thënë se miqtë e tij e shohin si dembel. “Zakonisht miqtë e mi thonë se jam pak dembel, se përtoj të punoj etj. Është e vërtetë se u kam ikur takimeve, se nuk kam pasur shumë dëshirë të kem takime të shpeshta. Mirëpo, tash po e vërej se ky post është sfidues. Tërë ditën punoj dhe ndodh që t’i kem 15 takime. Më tepër se 12 orë pandërprerë në takime, në lëvizje, andaj vetëm në shtëpi kam kohë të vërej se saj jam lodhur”, pat thënë ai.
Sidoqoftë, angazhimi i filluar nga paraardhësi i tij, sidomos, në implementimin e standardeve kishte pësuar rënie, deri edhe në vlerësim mjaft kritik teknik dhe politik nga UNMIK-u dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti.

Popullariteti në rënie

Ndërkohë, raporte të mediave kanë vënë në spikamë një lloj brishtësie në udhëheqjen e qeverisë së vendit, derisa edhe hulumtime të ndryshme të opinionit publik kishin dhënë rezultate zhgënjyese sa i përket popullaritetit të tij, përkatësisht kishin vërejtur një rënie mjaft të madhe të popullaritetit të tij. I pari, prej njerëzve të afërm të tij, që kishte drejtuar akuza të rënda drejt tij dhe disa këshilltarëve të afërt të kryeministrit, ishte zëdhënësi i tij, Daut Dauti, kur më 8 shtator kishte dhënë dorëheqje nga detyra e tij.
Kjo dorëheqje dhe akuzë kishte pasuar pas një skandali të publikuar në mediat kosovare për udhëtimin e shtrenjtë të Kosumit nga Turqia pas pushimit të tij veror. Kosumi pat deklaruar një ditë më vonë se avionin special për t’u kthyer në Prishtinë, që llogaritej të ketë kushtuar rreth 25 mijë euro, ia kishin paguar miqtë e tij, ndërkaq në ditën vijuese kishte bërë të ditur se në fakt bëhej fjalë vetëm për një mik, ministrin e Energjetikës dhe Minierave, Ethem Çekun.
Në anën tjetër, Kosumi si kryeministër është sfiduar edhe nga partia më e madhe në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës. Disa anëtarë të qeverisë së tij, përfshirë këtu edhe zëvendësin e tij Adem Salihajn, ishin akuzuar përmes një dosjeje që PDK-ja i kishte dërguar UNMIK-ut për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Megjithatë, Kosumi nuk kishte bërë asnjë ndryshim në qeverinë e tij dhe pat deklaruar se drejtësia duhet të thotë fjalën e vet për këtë.
Mirëpo, Kosumi ka pasur probleme në formulimin e politikave dhe qëndrimeve të qeverisë edhe për faktin se rrjedh prej një partie shumë më të vogël se sa partneri kryesor në koalicion LDK-ja. Gjatë një interviste të paradokohshme për “Zërin”, Kosumi pat deklaruar se për një kryeministër që vjen nga një parti që nuk e ka si e vetme shumicën në Kuvend, gjithmonë është vështirë dhe gjithnjë kërkon një mund më shumë, një angazhim më shumë për t’i harmonizuar qëndrimet në çështjet themelore të organizimeve dhe proceseve. “Edhe për mua do të thotë është njësoj, më është dashur një angazhim i madh për të arritur harmonizimin e qëndrimeve me partnerët tanë në koalicion”, pat thënë ai.
Megjithatë, Kosumi nuk ka paraqitur asnjëherë raport në Kuvend për punën e Qeverisë së udhëhequr prej tij. Raporti i punës së 100 ditëshit të parë, ndonëse ishte paralajmëruar të paraqitej nga vetë Kosumi në Kuvend, është publikuar vetëm në letër rreth 50 ditë më vonë.
Kosumi, ndërkohë, është ftuar nga kryetari i ndjerë, Ibrahim Rugova, të jetë pjesë e Ekipit Negociator të Kosovës për bisedimet rreth statusit të ardhshëm të vendit dhe ka qenë pjesëtar i delegacionit deri dje. Por, Kosumi ka qenë edhe më parë i angazhuar në momentet e rëndësishme të historisë së Kosovës.

Angazhim qysh prej vitit 1981

Në vitin 1981 Bajram Kosumi ka qenë një ndër organizatorët e demonstratave të studentëve, që patën filluar më 11 mars. Si student i vitit të tretë në Degën e Letërsisë të Fakultetit Filologjik, Kosumi, që shokët e kanë thirrur Lami, ishte arrestuar më 26 mars të vitit 1981, për t’u dënuar më pas me 15 vjet burgim. Ai është liruar nga burgu më 28 nëntor të vitit 1991, pasi kishte vuajtur 9 vjet e dy muaj burg, kryesisht në Beograd. Më pas, Kosumi kishte vazhduar të merret aktivisht me politikë, duke punuar si gazetar në të përjavshmen “Zëri” dhe më pas në Partinë Parlamentare të Kosovës (PPK), parti kjo që ka funksionuar deri në vitin 2000, kur është bashkuar me disa parti tjera për ta formuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Kosumi, në ndërkohë, pak kohë para dhe gjatë luftës, kishte bashkuar partinë e tij me atë të akademikut Rexhep Qosja, në Lidhja e Bashkuar Demokratike (LBD). Si nënkryetar i kësaj partie, që është shuar pas zgjedhjeve të para lokale të vitit 2000, Kosumi ishte anëtar i delegacionit kosovar në bisedimet që janë mbajtur në Rambuje të Francës, në shkurt-mars 1999.
Menjëherë pas përfundimit të luftës, Bajram Kosumi është emëruar ministër i Informimit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, të udhëhequr nga tashmë lideri i PDK-së, Hashim Thaçi.
Kryeministri që dha dorëheqje dje, pat thënë më parë se analizat që janë bërë rreth tij kanë paraparë të ardhme të madhe politike. “Disa analiza që janë bërë, para dhe pas luftës, kanë prognozuar për mua të ardhme edhe më të madhe politike. E kam fjalën për një analizë që e ka bërë ICG, 7-8 muaj pas luftës. Në analizë është thënë se kryetari potencial, i ardhshëm i Kosovës, është Bajram Kosumi”, pat thënë në një intervistë të mëhershme. Kurse, ai pat përzgjedhur cilësime të tilla për figurën e tij për t’u lënë vend në kopertinën e librit të fundit “Koncept për mendimin e ri politik”.
Megjithatë, ai kishte thënë në po të njëjtën intervistë se nuk i pëlqen politika.
“Sinqerisht, politika nuk më pëlqen shumë. Më herët aktivitetin tim nuk e kam cilësuar politik, por patriotik. Pas luftës fillon politika e vërtetë. Politika është mision fisnik. Nuk është e vërtetë se politika është e keqe, e poshtër etj. Mund të ketë politikanë të këqij dhe politikanë të mirë. Politika si mision e ka udhëheqjen e një populli, të një shteti ose të një procesi. Ky është mision humanitar, sepse e ndihmon një proces që të ec më lehtë në rrugën e tij. Në këtë aspekt unë e çmoj politikën. Por, ajo që e bën politikën të keqe janë njerëzit të cilët e keqkuptojnë dhe e shfrytëzojnë si vegël për të arritur synimet personale”, pat theksuar ai.
Sidoqoftë, Kosumi ka qenë aktiv dhe mbetet i tillë në politikë. Ai mbetet të ushtrojë mandatin e padorëzuar të deputetit në Kuvendin e Kosovës.


Për çka do të mbahet mend Bajram Kosumi si kryeministër?

Bajram Kosumi është kryeministri i parë që ka ardhur me propozim publik të një kryeministri në dorëheqje, kryeministri i parë që ka ushtruar më parë edhe detyrën e ministrit, kryeministri i parë që ka qenë i burgosur politik, kryeministri i parë që del nga gjenerata e studentëve organizatorë të demonstratave të vitit 1981, kryeministër që nuk lëshoi edhe mandatin e deputetit, kryeministër gjatë kohës kur janë hapur bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, kryeministër kur vendi ka mbetur për disa ditë pa kryetar pas vdekjes së kryetarit Rugova, kryeministri i parë që është takuar jozyrtarisht me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq në Londër, kryeministri i parë ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri i parë që është detyruar të jap dorëheqje para skadimit të mandatit të tij.


Botuar në “Zëri”, më 2 mars 2006, fq. 4 dhe 5

No comments: