Tuesday, December 12, 2006

Si u mbyllën në zhveshtore të Sallës së Kuqe udhëheqja e LDK-së dhe e institucioneve?

Reportazh ekskluziv

Si u mbyllën në zhveshtore të Sallës së Kuqe udhëheqja e LDK-së dhe e institucioneve?

Si reaguan pjesëtarët e sigurimit të presidentit Fatmir Sejdiu me të filluar përleshja në sallë? Si u vendosën zyrtarët më të lartë të LDK-së dhe institucioneve në zhveshtore të Sallës së Kuqe? Cilët zyrtarë të lartë të partisë ishin aty? Kush shqetësohej dhe kush relaksonte atmosferën e zymtë në zhveshtore? Cilit zyrtar i dolën lotët? Çfarë temash bisedoheshin aty?

Burim Ramadani

Me të filluar përleshja në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë ku mbahej Kuvendi i Gjashtë Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), zyrtarët më të lartë të partisë dhe njëherit të institucioneve të vendit janë futur në njërën prej zhveshtoreve të kësaj salle. Për mbi 20 minuta, zyrtarët e lartë të partisë kanë qëndruar aty nën tymin e duhanit dhe duke biseduar për atë se çka ndodhi dhe si duhet të veprohet më tej. Nuk kanë munguar edhe lotët, porse nuk munguan as qeshjet dhe batutat nga zyrtarë të lartë.

Paria e LDK-së dhe institucioneve në zhveshtore

Për pak sekonda pasi filloi konflikti fizik në sallë, zyrtarët më të lartë të LDK-së, janë drejtuar nga sigurimi i tyre për në një zhveshtore të ngushtë në anën e djathtë të Sallës së Kuqe. Aty janë ngujuar për mëse gjysmë ore presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, nënkryetari i parë i deritashëm i LDK-së, Eqrem Kryeziu, kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, ministri i Arsimit, Agim Veliu, ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, deputetët Naim Jerliu, Sabri Hamiti, Agim Krasniqi, Nekibe Kelmendi, Ragip Zekolli, kryetari i komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri, këshilltarët e presidentit, Skënder Hyseni e Muhamet Hamiti, kryeshefi ekzekutiv i Komunës së Prishtinës, Sami Hamiti, disa delegatë të tjerë, pjesëtarë të stafit të Kuvendit dhe pak gazetarë.
Stafi i sigurimit të presidentit Sejdiu rrethuan atë një njërën prej qosheve më të sigurta të zhveshtores së ngushtë. Nekibe Kelmendi në fakt erdhi në këtë ambient të sigurt pak minuta pas të tjerëve. Të gjithë u munduan dhe i gjetën asaj një karrige për t’u ulur. Deputetja Kelmendi mbante gojën dhe hundën të mbyllur me faculetë letre për shkak të një gazi të lëshuar të sallë, sipas të gjitha gjasave nga anëtarët e stafit të sigurimit të zyrtarëve të lartë.
Për pak sekonda pjesëtarët e sigurimit të këtyre zyrtarëve u siguruan se dyert në të dy daljet e kësaj zhveshtoreje janë të sigurta, duke vënë madje edhe një karrige në njërën prej këtyre dyerve. Nekibe Kelmendi dhe Kolë Berisha u sistemuan në dy ulëse, derisa të gjithë të tjerët qëndroni në këmbë. Kolë Berishës, ndërkaq, ka pasur momente edhe kur i emocionuar dhe i dëshpëruar me tërë atë që ka ndodhur, edhe i kanë dalë lotët.
Të gjithë zyrtarët dënonin ngjarjen që kishte ndodhur pak minuta më parë, ndërkaq shumica prej tyre nuk ndalnin cigaret. E tërë zhveshtorja ishte mbushur me tym cigareje, derisa joduhanpirësit, megjithëse në zë më të ulët, kërkonin që të ndaleshin cigaret për shkak të “mjegullës” së krijuar.
Po ashtu, pjesë e bisedës të zyrtarëve të lartë të LDK-së kishte të filluar të jetë pyetja nëse është më mirë që momenti i rrahjes nuk është transmetuar drejtpërdrejt në televizion, apo më mirë sikur të ishte transmetuar. “Ma mirë është se vërtetë do të bëheshim horë”, thoshte zëvendëskryeministri Lutfi Haziri. “Prap se prap, kamerat kanë qenë gjatë gjithë kohës aty edhe ata do t’i qesin në televizion krejt çka ka ndodhur”, thoshte ndërkaq ministri Haki Shatri.

Relaksimi që vjen nga Eqrem Kryeziu

Porse, megjithëse zyrtarët ishin të shqetësuar për atë që ndodhi, numri një i LDK-së deri të shtunën, Eqrem Kryeziu, ka qenë personi relaksues i situatës. Dukshëm i padisponuar dhe i zhgënjyer, Kryeziu ka bërë të relaksohet situata me komunikimin e tij të pandalshëm me pothuaj të gjithë të “fshehurit” në zhveshtore. Me cigaret që i zëvendësonte pothuaj tërë kohën në llullë, Kryeziu ka gjetur momente për të thënë se është indiferent ndaj asaj që ndodhi dhe se jeta duhet të vazhdohet më tutje.
Ai më tutje ka përsëritur disa herë se çështja e listës së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm është tashmë çështje e kryer pasi që Kuvendi me aklamacion e ka votuar përbërjen e propozuar prej 107 anëtarëve. Konstatimi i tij në fakt ishte ajo që vërtetë ndodhi në Kuvend, kur pak sekonda para se të fillonin grushtimet në sallë, kuvendi me aklamacion votoi për listën. Porse, kjo edhe nuk mbahej mirë në mend nga vetë disa prej të cilëve kishin ngritur dorën për të votuar për. “A e kemi kryer a? A e kemi votuar a?”, pyesnin disa prej tyre Kryeziun.
Më tutje Kryeziu nuk hezitonte që, në funksion të relaksimit të asaj situate shqetësuese, të thoshte se si gazetarët kanë pasur të drejtë në parashikimet e tyre për një Kuvend të nxehtë dhe me tensione. “Kam menduar se je djalë i mençur më herët dhe kur të kam parë duke thënë se do të jetë një Kuvend i nxehtë dhe me tensione kam thënë vetmevete se po e tepron dhe se nuk ke fare ide se si do të shkojë Kuvendi. Megjithatë, tash më kthehet mendimi pozitiv se je i mençur për shkak se parashikimi që ke dhënë doli të jetë i saktë”, i ka thënë Kryeziu njërit prej pak gazetarëve të pranishëm në zhveshtore, duke bërë të reagonin duke qeshur disa nga zyrtarët e lartë të partisë. Ndërkohë, pas disa minutave të mbyllur, në zhveshtore ka mbërritur një nënkolonel i Shërbimit Policor të Kosovës dhe kjo ka shkaktuar reagimet e zyrtarëve të LDK-së duke thënë “erdhi policia, erdhi policia”. Nënkoloneli mustaqosh ka thënë më pas se situata është nën kontroll dhe me zë të lartë ka shtuar se presidenti mund të dalë nga zhveshtorja. Porse, kjo nuk është pranuar nga shefi i njësitit të sigurimit të presidentit. “Nënkolonel, më vjen keq por nuk mund të pranoj që presidenti të del nga këtu. Unë jam përgjegjës për sigurinë e presidentit dhe pa u arrestuar njerëzit me armë në sallë, presidenti nuk lëviz nga këtu”, ia ka kthyer shefi i sigurimit të presidentit.
Nuk ka kaluar shumë kohë, dhe nënkoloneli është kthyer sërish në zhveshtore duke bindur sigurimin e presidentit se çdo gjë është nën kontroll. “Hajde po dalim, e kryejmë shpejt dhe po shkojmë”, dëgjoheshin të thonë zyrtarët e lartë të LDK-së.
Ndërkaq, pas rifillimit të punimeve të Kuvendit, e tërë puna është kryer pothuaj për më pak se pesë minuta. Presidenti i vendit ka thënë se lista e Këshillit të Përgjithshëm është miratuar dhe ka kërkuar që shtimi i numrit të këtij Këshilli të ndryshohet në Statut të partisë, ndërsa më pas delegatët kanë miratuar Deklaratën Politike të Kuvendit.
Për kohën pas qetësimit të situatës, të gjithë delegatët e mbetur në sallë kolliteshin pa të ndalur, sipas të gjitha gjasave për shkak të gazit të përdorur në sallë. Me të përfunduar Kuvendi, të cilin të mbyllur e shpalli Fatmir Sejdiu, policia ka kontrolluar një nga një pothuaj të gjithë delegatët dhe të pranishmit në sallë, duke dalë nga ajo.
Botuar në "Zëri", më 11 dhjetor 2006, fq. 4

No comments: