Sunday, November 26, 2006

Kosova nuk mobilizon më shoqërinë serbe

Serbia para sfidave: Udhëtim në kohën e ndryshimit

Kosova nuk mobilizon më shoqërinë serbe

Kosova më nuk është çështja që e mobilizon tërë shoqërinë serbe. Kjo ka qenë domethënia e bojkotit të gati gjysmës së votuesve serb ndaj Referendumit mbi Kushtetutën e re të Serbisë. Në një vend ku po bie sistemi, të rinjtë duket se janë kthyer me sy e vesh kah Evropa. Shumë prej tyre kanë telashe me liderët nacionalistë. “Kosova e lirë-Serbia e lirë”, tha një prej tyre. Të rinjtë atje nuk karakterizohen me ndjenjat nacionaliste. Ata janë opozitë e Koshtunicës dhe liderëve të tipit të tillë. Ata në fakt, janë opozita e fuqishme që po vjen në Serbi.

Shkruan: Burim Ramadani, Beograd/Prishtinë


Neda Janiq nuk pajtohet me politikat e qeverisë së vendit të saj. Ka mendim krejt të kundërt me autoritetet qeveritare shtetërore jo vetëm për një çështje dhe mëton kah Evropa. Studentja e drejtësisë në Universitetin e Beogradit kundërshton pikëpamjet e profesorit të të Drejtës Ndërkombëtare, i cili tashmë disa vjet u bë ndër figurat më të rëndësishme të kohës post-Millosheviqiane, kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica.
Çështja e Kosovës, thotë ajo, është pothuajse e përfunduar, porse Serbia ka shumë e shumë probleme të brendshme me të cilat duhet të merret seriozisht në mënyrë intensive. “Vetëm të shohësh sistemin arsimor tonin dhe e sheh në çfarë gjendje jemi”.
Ajo ka fituar një konkurs të realizuar nga Fakulteti i Drejtësisë për oratori, ndërkaq emërtimi i shpërblimit është domethënës për të. “Young European” (Evropiani i Ri). Janiq beson në vlerat evropiane dhe për këtë kundërshton plotësisht atë që po ndodh në vendin e saj, ‘luftën’ për mbajtjen e Kosovës brenda territorit të saj. “Kosova e lirë-Serbia e lirë”, thotë ajo.

Evropiani i Ri

Porse, të udhëtosh në Beograd dhe të takosh të rinj të kryeqytetit të bukur, por vërtet të lodhur edhe në dukje, kupton se Neda Janiq nuk është e vetmja që mendon në këtë mënyrë. Rreth njëzet të rinj beogradas duan të kenë miqësi me kosovarët dhe duan që shteti i Kosovës sa më shpejt të zyrtarizohet.
Ata, madje, kanë mendim edhe më të përparuar se shumë zyrtarë evropianë, të cilët merren me çështjen e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi. Erhard Busek, koordinatori special për Paktin e Stabilitetit për Evropën Jug-Lindore, është njëri prej këtyre zyrtarëve. Për disa vjet me radhë, austriaku Busek ushtron këtë detyrë dhe disa të tjera që kanë të bëjnë me integrimet evropiane të të gjitha lëmive. “European Forum Alpbach”, që udhëhiqet nga ai, bashkon në malet e Tirolit austriak, Alpbach, të rinj, politikanë dhe studiues të lëmive nga më të ndryshmet, derisa shumica prej tyre janë nga vendet e Ballkanit dhe Evropës Lindore. Tashmë, i deklaruar shumë herë në publik në favor të pavarësisë së Kosovës, Busek thotë se kjo do të arrihet porse do të duhet edhe një periudhë pas përfundimit të procesit ndërkombëtar për statusin e Kosovës.
“Sipas të gjitha gjasave, propozimi i Ahtisarit për Kosovën do të jepet pas zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi. Kosova nuk do të jetë në mënyrë të menjëhershme e pavarur. Duket se do të jetë një lloj vetë-administrimi mjaft i gjerë deri në pavarësimin e plotë të Kosovës”, tha Erhard Busek, të dielën në Beograd, gjatë një debati me përfaqësues të vendeve të rajonit, ndër ta edhe të Kosovës. Madje, Busek kujdeset që rajoni i Ballkanit të ndjejë veten më mirë pranë Evropës dhe për këtë ai përdorë një emërtim tjetër për rajon.
“Për të qenë më afër Evropës më mirë është që të përdoret termi Evropa Jug-Lindore në vend të termit Ballkan”, thotë ai.
Serbia në kohën e fundit dhe muajt e fundit po përballet me një sfidë tejet të rëndësishme. Kosovën. Autoritetet serbe e kanë matur ndjeshmërinë e kësaj çështje në popullatë. Është parë se ka humbur kjo ndjeshmëri. Përgjigjja e qytetarëve serbë ndaj kësaj sfide dhe thirrje qeveritare për njohësit e situatës në Ballkan ka qenë domethënëse. Të paktën kështu e mendon Helmar Dumbs, korrespodent në Beograd i gazetës austriake “Die Presse”. Ai ka përcjell rrjedhën e referendumit nëpër Serbi, ndërkaq gjatë njërës prej dy ditëve të votimit ka qëndruar edhe në Kosovë.
“Kosova më nuk është çështja që e mobilizon tërë shoqërinë serbe. Kjo ka qenë domethënia e bojkotit të gati gjysmës së votuesve serb ndaj Referendumit mbi Kushtetutën e re të Serbisë”, thotë ai.
Gazetari Helmar Dumbs mendon se zgjedhjet në Serbi do të jenë të rëndësishme, porse nuk pret ndonjë ndryshim faktik aty. Këmbëngul në mendimin e tij se Koshtunica mundohet që në çdo mënyrë të mbetet në pushtet. “Ai (Koshtunica) do të mund të bënte koalicion me secilën parti të mundshme serbe për të qëndruar në pushtet. Rasti më i keq do të ishte nëse do të bëjë koalicion me Partinë Radikale. Por, kjo nuk mund të largohet si mundësi”, thotë Dumbs. Ai ka telashe me të kuptuarit e shpenzimeve që bën Qeveria e Beogradit për serbët e Kosovës.
“Buxheti i Serbisë nuk është gjithaq i mirë. Pse ata po investojnë aq shumë në serbët e Kosovës? Duhet të kthehen e të rregullojnë jetën e brendshme të qytetarëve të Serbisë”.
Porse, zgjedhjet në Serbi megjithatë duket se ndikojnë në afatin e përmbylljes së procesit mbi statusin e Kosovës. Gazeta ‘Kurir’ shkruante se ka mësuar që zgjedhjet do të mund të mbahen më 17 dhjetor. Por, Ivana Milosavleviq mohon një mundësi të tillë sa i përket datës. Ajo është sekretare organizative e Shtabit Zgjedhor të Partisë Demokratike të Serbisë, të udhëhequr nga presidenti i tashëm serb, Boris Tadiq.
“Koshtunica kërkon të mbahen zgjedhjet rreth këtij afati, porse kjo është e pamundur për disa arsye. Ne në partinë tonë besojmë se zgjedhjet do të mbahen krejt në javën e fundit të vitit 2006 ose në javën e dytë të vitit 2007”, thotë ajo.
Milosavleviq thotë se sikurse partia e saj, edhe ajo e konsideron veten të moderuar. Nuk heziton të thotë se Kosova është e humbur për Serbinë dhe nuk sheh kurrfarë mundësie konflikti. “Kam disa miq shqiptarë nga Kosova”, thotë ajo.
Sidoqoftë, mundësia e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës pas përcaktimit të statusit të Kosovës duket se varet shumë nga vetë rezultati i zgjedhjeve në Serbi.
Gazetari Helmar Dumbs thotë se kjo nuk do të mund të arrihej nëse Koshtunica mbetet në pushtet. “Nëse Koshtunica mbetet në pushtet, ai kurrë nuk do të normalizonte marrëdhëniet me Kosovën. Të tjerët do të normalizonin marrëdhëniet dhe do ta pranonin shtetin e Kosovës brenda pak vjetësh”.

Pasaporta brenda ‘territorit’

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, mëton të mbajë Kosovën brenda territorit të Serbisë. Sipas tij, askush nuk ka të drejtë që t’i merr Serbisë 15 për qind të territorit të saj. Mirëpo, deklaratat e tij dhe të politikanëve tjerë të Serbisë nuk ka dyshim se janë të kota dhe kundërthënëse në vetvete. Udhëtimi i një shqiptari në Beograd hedh poshtë një tezë të tillë. Secili nga vendet e rajonit habitej për procedurën tejet të rëndë që një shqiptar nga Kosova me Dokument të Udhëtimit të UNMIK-ut duhet të kalojë për t’iu mundësuar hyrja në Serbi.
Ishte ndërhyrja në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Zyrën e UNMIK-ut në Beograd për të më mundësuar të kaloj kufirin. Një studiues i ri gjerman, Martins, i cili po kalon tri javët e para të qëndrimit të tij gjashtë mujor në Beograd, nuk e ka të qartë pretendimin e liderit serb mbi Kosovën. “Nëse ajo që thotë Koshtunica është e vërtetë, atëherë kjo i bie sikur unë të nisem nga Hamburgu për në Berlin me pasaportë dhe me 100 ndërhyrje nga qeveria”, thotë ai.
Por, Serbia nuk e ka të vetmen telashe me Kosovën. Ajo ka një telashe mjaft të madhe me Tribunalin e Hagës. Gjenerali Ratko Mladiq besohet se fshihet në Serbi dhe mosdorëzimi i tij në Hagë ka qenë shkaku i ndërprerjes së negociatave për Stabilizim-Asociim midis Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Serbisë. Mladiq është njëri prej atyre që studiuesi dhe udhëtuesi Michael Ignatieff i quan “zotërit e luftës”. Gjenerali serb dyshohet për rol të madh, urdhra dhe pjesëmarrje në krime kundër njerëzit dhe gjenocid gjatë luftës në Bosnjë.
Bashkësia ndërkombëtare, ndërkaq, duket të jetë e vendosur të mos vazhdojë negociatat me Serbinë para se kjo e fundit të bashkëpunojë plotësisht me Hagën. Gerhard Jandël, ambasador i Austrisë në Beograd, thotë se nuk ka kurrfarë mundësie që ky kusht të tejkalohet pa u përmbushur. “Serbia duhet patjetër të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës dhe zonja Del Ponte beson se Mladiq është këtu në Serbi”, tha ai gjatë një takimi në Beograd me të rinjtë nga rajoni.
Porse, diplomati Jandël e thotë këtë edhe për shkak të kredibilitetit të BE-së. Komisioni Evropian i ka shtyrë afatin Serbisë për përmbushjen e këtij kushti, por kjo e fundit nuk është angazhuar rreth kësaj. Evropianët u detyruan t’i ndërprejnë negociatat për stabilizim-asocim.
“Përndryshe, do të qëndronte thënia se afatet e evropianëve nuk vlejnë. Kur një vend nuk e përmbush kushtin, Bashkimi Evropian thjesht e shtyn afatin”, thotë Jandël, i vendosur këtë radhë për të ndryshuar këtë qasje.

Sistemi po bie

Sido që të jetë, ajo që vërehet sot në Beograd lidhet me shumëçka të kaluar. Ndërtesat e vjetra, që dikur kanë qenë vërtetë madhështore, nuk kanë shkëlqim. Rrugët nuk kanë shkëlqim, parqet janë përplot mbeturina të hedhura. Nuk mund të vëresh në Beograd meremetime të fasadave të ndërtesave apo edhe të atyre që nuk kanë fasada. Një mik më thoshte “Sistemi po bie”. Kjo ndoshta mund të përshkruaj më së miri Beogradin e sotshëm.
Me qindra e mijëra njerëz që ecnin nëpër rrugët e kryeqytetit të Serbisë, ndoshta edhe nuk e vërenin këtë. Porse, të rinjtë e drejtuar kah Evropa e thoshin pa hezitim. “Është krejt e qartë dhe e vërtetë. Sistemi po bie”. Megjithatë, të rinjtë serbë ishin krenar me Kalemegdan-in e tyre dhe bukurinë e një hapësire të tillë. Porse, statuja e vendosur aty përshkruhej prej tyre si vlerë paqeje. Madje, ajo përshkruhej si moment i përshëndetjes së kundërshtarëve të dikurshëm. Por, mbetet të shihet kur Serbia do të përshëndet shtetin e pritshëm të Kosovës. Të rinjtë atje nuk karakterizohen me ndjenjat nacionaliste. Ata janë opozitë e Koshtunicës dhe liderëve të tipit të tillë. Ata në fakt, janë opozita e fuqishme që po vjen në Serbi.
Kosova më nuk i mobilizon ata, sikurse edhe një pjesë të madhe të shoqërisë serbe.
Botuar në "Zëri" më 08 nëntor 2006

No comments: