Sunday, November 26, 2006

Demokracia konsociacionale e Kosovës

Kosova si Frankenstein

Demokracia konsociacionale e Kosovës

Vitet e ardhshme të funksionimit të shtetit të Kosovës do të jenë të karakterizuar pikërisht nga konsociacionalizmi. Vetë bisedimet e deritashme në Vjenë midis Prishtinës dhe Beogradit për çështje të quajtura si teknike kanë të bëjnë kryekëput me konsociacionalizëm, megjithëse kjo nuk është theksuar. Kushtetuta e shtetit të Kosovës do të sanksionojë vende të garantuara për serbët e Kosovës në institucionet qendrore dhe ato lokale, sikurse edhe në tërë sektorin publik, dhe parime tjera të tilla

Shkruan: Burim Ramadani

I
Për ata që kanë dëgjuar dhe lexuar rreth teorisë së konsociacionalizmit ose ndarjes së pushtetit midis grupeve të ndryshme në shoqëritë me ndarje serioze, intervista e botuar në “Zëri” me profesorin John McGarry sigurisht se zgjon interesim. Aq më shumë, kur Kosova po ballafaqohet me fundin e procesit negociues mbi statusin e saj final dhe me propozimet për gjetjen e mënyrës më të mirë të akomodimit të komunitetit serb në Kosovën e pavarur. Me një akomodim të tillë në mënyrë të duhur sigurisht se do të mund të arrihet tejkalimi i ndarjeve në shoqërinë tonë. Interesimi i këtij lloj lexuesi rritet sidomos për faktin se John McGarry sot është një prej studiuesve më të shquar botëror rreth kësaj teorie, sikurse edhe elementeve tjera të politikave për rregullimin e konflikteve etnike.
Por, si dhe mbi çfarë baze mund të arrihet stabiliteti politik në shoqëritë me ndarje serioze? Ekziston një teori në shkencën politike që sheh përgjigjen në këtë pyetje në ndarjen e pushtetit midis grupeve të ndryshme etnike. Kjo teori e ndarjes së pushtetit është quajtuar po ashtu si “teoria konsociacionale” (“consociational theory”). Termi ‘konsociacional’ është përdorur rrallë në gjuhën e përditshme, por është bërë me rëndësi si një term teknik në shkencën politike.

II
Nocioni i ‘demokracisë konsociacionale’ është sajuar dhe popullarizuar në fundin e viteve të 1960-ta nga shkencëtarët politikë Gerhard Lehmbruch (1967) dhe Arend Lijphart (1968) me qëllim të përshkrimit të sistemeve politike në Austri, Belgjikë, Zvicër dhe Holandë, të cilat nuk reflektojnë plotësisht format më tradicionale të sundimit të shumicës. Ky term në fakt është hartuar në masë më të madhe nga politologu holandez Arend Lijphart për të shpjeguar mekanizmat e qëndrueshmërisë politike në shoqëritë me ndarje të thella shoqërore. Këto katër shtete devijuan nga norma demokratike evropiano-perëndimore në atë se popullatat e tyre ishin thellë të ndara në vija etnike, linguistike, kulturore, fetare dhe ideologjike. Në secilin rast, qasja konsociacionale e ndarjes së pushtetit u adaptua si një mënyrë për të shmangur polarizimin potencial dhe destabilizimin në implementimin e çiltër të sundimit të shumicës.
Konsociacionalizmi në Austri, Belgjikë, Zvicër dhe Holandë ka shfaqur katër tipare të përbashkëta: së pari, pushteti ekzekutiv ishte ndarë përmes një koalicioni të madh të liderëve të të gjithë segmenteve domethënës të shoqërisë; së dyti, zyrat publike, emërimet e shërbimit civil dhe fondet publike u alokuan midis segmenteve të ndryshme në proporcion me shtrirjen (madhësinë) e tyre përkatëse mbi tërë popullatën; së treti, secili segment kishte mundësi që të ruante një nivel të autonomisë politike dhe kulturore; së fundmi, liderët e segmenteve të ndryshme ruajtën veton reciproke mbi vendimet që shiheshin prej tyre si diametralisht të kundërta me grupet e tyre përkatëse.

III
Vitet e ardhshme të funksionimit të shtetit të Kosovës do të jenë të karakterizuar pikërisht nga kjo teori, konsociacionalizmi. Vetë bisedimet e deritashme në Vjenë midis Prishtinës dhe Beogradit për çështje të quajtura si teknike (hiq këtu bisedimet për ekonomi) kanë të bëjnë kryekëput me konsociacionalizëm, megjithëse kjo nuk është theksuar. Në formën e shtruar gjatë këtyre bisedimeve, përkatësisht gjatë këtij procesi, decentralizimi, të drejtat e komuniteteve, si dhe ruajtja e mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare janë pjesë e ndarjes së pushtetit midis komuniteteve të përçara në shoqërinë tonë kosovare. Pikërisht për këtë, edhe propozimet dhe vetë vendosja mbi statusin e Kosovës pritet të përmbajnë elemente të demokracisë konsociacionale. Pa dilemë, Kushtetuta e shtetit të Kosovës do të sanksionojë vende të garantuara për serbët e Kosovës në institucionet qendrore dhe ato lokale, sikurse edhe në tërë sektorin publik. Po ashtu, aty do të përfshihen edhe parime tjera të tilla.
Tek e fundit, problemet e jostabilitetit mund të tejkalohet përmes një sistemi të shpërblimit. Në një shtet konsociacional, të gjitha grupet janë të përfaqësuara në skenën politike dhe ekonomike. Konsociacionalizmi ka ndihmuar në arritjen e paqes dhe gjithëpërfshirjes gjatë tranzicionit drejt demokracisë edhe në Afrikë të Jugut e në shumë vende tjera. Atje, elitat kanë njohur potencialin për kolaps ekonomik dhe kanë reformuar sistemin. Porse, nuk do të thotë se Kosova duhet të sanksionojë konsociacionalizmin për një kohë tepër të gjatë.

IV
Gjithnjë e më shumë, konsocionalizmi është shikuar si sinomin i demokratizimit dhe shtet-ndërtimit në rastet e shoqërive të segmentuara. Duke pasur në mendje këtë, duhet të ketë precizitet në dallueshmërinë e koncepteve të “konsocicionalizmit”, “konsolidimit” dhe “demokratizimit”.
Konsociacionalizmi duhet të shihet si një fazë parapërgatitore për demokraci dhe konceptualisht të veçuar nga konsolidimi pasues i demokracisë. Konsolidimi, në anën tjetër, është faza e zhvillimit të traditës, ku sistemi demokratik, institucionet dhe vlerat bëhen pjesë e traditës politike lokale si një çështje e natyrale dhe si një fakt i jetës. Demokratizimi ose tranzicioni për në demokraci, pastaj bëhet proces përmes së cilit një shoqëri e caktuar lëviz nga faza parapërgatitore në një stad të konsolidimit demokratik; dhe gjatë këtij tranzicioni, elitat politike duhet të bëjnë zgjedhje të ‘rënda’ sa i përket adaptimit dhe implementimit të rregullave demokratike dhe reformave.
Këto dallime konceptuale e bëjnë të qartë se konsocionalizmi nuk siguron vetvetiu formulën për suksesin afat-gjatë demokratik dhe se ai duhet të ‘evolvojë’ me qëllim që të bëhet demokraci.

Botuar në "Zëri" më 24 nëntor 2006

No comments: