Sunday, November 26, 2006

Konceptet për dhe prej LDK-së

Kosova si Frankenstein

Konceptet për dhe prej LDK-së

Në këtë parti po ballafaqohen dy lloje grupesh të anëtarësisë: meritorët e funksionimit dhe përfituesit e funksionimit të partisë. Nëse mund të huazohet dhe përshtatet argumentimi i Max Weber-it, në LDK ballafaqohen njerëzit që jetojnë për politikën (lexo: partinë) dhe ata që jetojnë prej saj. Padyshim se në mesin të dyja grupeve mund të gjenden njerëz të cilët mund të klasifikohen si të dyanshëm

Shkruan: Burim Ramadani

I
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tashmë ka hyrë në një fazë të rëndësishme të zgjedhjeve të brendshme të saj. Ekziston pajtueshmëria edhe për datat e mbajtjes së kuvendit qendror zgjedhor dhe për disa prej kritereve të propozuara. Kështu LDK-ja po hyn në fazën e zgjedhjes së kryetarit të dytë të saj. Por, me këtë nuk mbaron e tëra. Partia më e madhe në vend është duke u ballafaquar me një luftë mjaft të ashpër të brendshme politike. Dikush e quan legjitimim fraksionesh, dikush veprim klanesh, dikush fillimin e ndarjes së madhe të LDK-së e dikush në formën më të butë të mundshme në këtë moment, konkurrencë të fuqishme për lider. Sidoqoftë, ajo që po ndodh në LDK tash e dhjetë muaj nuk do të mbarojë me përfundimin e zgjedhjeve dhe legjitimimin e strukturave të reja të partisë. Kjo parti do të vazhdojë të përballet me konkurrencë të fuqishme edhe për një kohë relativisht të gjatë. Kjo konkurrencë dosido do të rishfaqet hapur në kohën e pas-statusit, përkatësisht në kohën e zgjedhjeve të reja të parlamentare dhe lokale.

II
Lufta e brendshme politike në LDK nuk ka motivet në dhjetë muajt e fundit. Kjo vetëm sa është sipërfaqësuar në këtë kohë, porse motivet shihen në një kohë më të largët. Në fakt, debatet e para patën filluar qysh në shtator të vitit të kaluar, porse ato nuk arritën të ngiten në nivelin e ndryshimeve të brendshme. Grupimet që tashmë janë të zyrtarizuara përkrah kandidatëve për kryetar të partisë nuk ka dilemë se nuk janë të rastësishme. Ato përfaqësojnë dy koncepte mjaft të kundërta funksionale brenda partisë. Thjesht, ato paraqesin dy sub-koncepte brenda konceptit të LDK-së. Në këtë parti po ballafaqohen dy lloje grupesh të anëtarësisë: meritorët e funksionimit dhe përfituesit e funksionimit të partisë. Nëse mund të huazohet dhe përshtatet argumentimi i Max Weber-it, në LDK ballafaqohen njerëzit që jetojnë për politikën (lexo: partinë) dhe ata që jetojnë prej saj. Padyshim se në mesin të dyja grupeve mund të gjenden njerëz të cilët mund të klasifikohen si të dyanshëm.
Meritorët e funksionimit të LDK-së janë ata që kanë punuar me vjet të tëra, të cilët kanë qenë të pazëshëm sa i përket nevojës për funksionimin e mirëfilltë demokratik të brendshëm, që kanë gëzuar dhe gëzojnë respekt të anëtarësisë së gjerë të partisë dhe qytetarëve tjerë vullnetmirë. Megjithatë, ky lloj anëtarësh nuk e kanë parë veten të akomoduar në mënyrën e duhur. Edhe vetë presidenti i tashëm i vendit dhe kandidati kryesor për kreun e partisë, Fatmir Sejdiu, në një kohë tjetër ka qenë mjaft larg vendimmarrjes së partisë, megjithëse është zyrtar që ka njohur dhe është njohur personalisht nga numri më i madh i aktivistëve në terren. Thjesht, postet zyrtare të meritorëve të funksionimit të LDK-së kanë qenë jorelevante në raport me vendimmarrjen.
Përfituesit real të funksionimit të partisë janë në anën tjetër. Të prirë nga ish-kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, shumë prej mbështetësve të tyre jetojnë prej politikës. Vetë Daci nuk njihet për aktivitetin e tij të brendshëm partiak. Madje, këta nuk e kanë një element që është mjaft i rëndësishëm në politikë: njerëzit duhet të të njohin dhe duhet t’i njohësh ata personalisht. Megjithatë, shumë prej tyre gjithnjë kanë qenë më afër vendimmarrjes partiake, sidomos në vitet e fundit. Megjithatë, në këtë grup ka përjashtime dhe Adem Salihaj është njëri prej tyre që i takon të dy grupimeve.

III
Porse, fundi i procesit zgjedhor, përkatësisht zgjedhja e kryetarit dhe organeve të reja drejtuese nuk mbaron luftën e brendshme. Kjo luftë në fakt do të mund të ketë konsekuencat dhe vazhdimësinë e saj. Numri i anëtarëve që dy grupimet do të fitojnë në Këshillin e Përgjithshëm dhe vetë Kryesinë qendrore do të jetë në masë të madhe përcaktues për kualifikimin e asaj që quhet fitore e garës. Ministrat, deputetët, renditja në lista për zgjedhje parlamentare dhe lokale, drejtorët e agjencive dhe anëtarët e bordeve të ndryshme do të jenë vështirë të përcaktohen nga kjo parti pa koordinimin e dy grupimeve. Nga zhvillimet e deritashme, duket se LDK-ja po hyn në këtë ‘valle’. Mbështetja që kanë të dy grupimet, në nivelin më të ulët sillet rreth 30 për qindëshit të votave potenciale. Kjo madje mund të përafrohet në dy organet drejtuese të partisë, duke e sjell kështu si të kryer situatën e tillë të pas-zgjedhjeve.
Në rast të kundërt, nëse fitorja e njërit grupim është shumë e thellë dhe grupi tjetër do të mbetet me më pak se një e pesta e votave të kuvendit qendror, atëherë sigurisht se do të jemi dëshmitarë të një situate tjetër, asaj të largimit të disa individëve nga partia.

IV
Ajo që po ndodh në LDK sot, besohet në masë të madhe se do të ndodh edhe në partitë tjera. Kjo madje mund të tejkalojë kufijtë e konkurrencës dhe luftës së brendshme politike të LDK-së. Ndoshta, këtë parti e ka ‘shpëtuar’ nga çarja shumë e madhe vetë faza e procesit të statusit final të Kosovës. Përndryshe, ‘virusi’ i LDK-së do të kap me siguri edhe partinë më të madhe opozitare në vend, Partinë Demokratike të Kosovës të Hashim Thaçit. Nuk ka dyshim se pakënaqësia e një pjese të anëtarësisë së kësaj partie është duke u rritur tërë kohën, ndërkaq çështja e prezantimit të partisë së tyre ka filluar të shpërndahet. Kjo sidomos vërehet pak kohë pasi Fatmir Limaj i është kthyer partisë dhe është zgjedhur në postin e nënkryetarit politik, që është i nivelit të nënkryetarit të parë nëse bëhet krahasim postesh me organizimin e LDK-së. Sfida e PDK-së do të jenë zgjedhjet parlamentare dhe lokale të pas-statusit. Mund të ndodh që kjo parti të ketë një kuvend qendror të jashtëzakonshëm dhe rezultatet e zgjedhjeve do të jenë përcaktuese rreth kësaj.
Botuar në "Zëri" më 20 nëntor 2006

No comments: