Sunday, November 26, 2006

Perëndimi dhe Islami – harmonitë e përkohshme në përplasjen afatgjate

9/11 - pesë vjet më pas

Perëndimi dhe Islami –harmonitë e përkohshme në përplasjen afatgjate

Është gabim të konsiderohet se veprimet ushtarake dhe diplomatike të Perëndimit tashmë pas 9/11 janë drejtuar kundër shteteve/vendeve dhe/ose besimtarëve të islamit. Veprimet e tilla duhet parë nën dritën e një luftë të qartë kundër një ‘filozofie’ të domosdoshmërisë së akteve terroriste si mjet për “nxjerrjen e fytyrës së islamit të vërtetë”, duke goditur, siç shprehen udhëheqësit e këtyre organizatave, “të pafetë që duan të pushtojnë tokat e Allah-ut”

Shkruan: Burim Ramadani

Pesë vjet më parë, ngjarja e tmerrshme terroriste që ndodhi në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pa dyshim se ka rritur mbështetjen për konceptin e përplasjes së civilizimeve, që është dhënë të paktën dhjetë vjet më parë, sikurse edhe ka vënë në pikëpyetje ose zbehur argumentet e kundërshtarëve të tij. Domosdoshmërisht, sulmet terroriste në Kullat Binjake në New York, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën rreth tre mijë njerëz, kanë hapur një fazë të re, fatkeqësisht edhe më negative, të marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Islamit, përkatësisht Krishtërimit dhe vendeve islamike apo njerëzve që Islamin e përjetojnë si burim për luftimin e të ‘pafeve’.
Në librin e tij famoz, “Përplasja e civilizimeve” Samuel Huntingtoni rreth 10 vjet më parë ka parashikuar rritjen e konfliktit midis civilizimeve, në mënyrë të theksuar midis Perëndimit dhe Islamit. Megjithatë, studiues të tjerë thonë se ky koncept së pari është dhënë nga një studiues tjetër, një islamolog i njohur britanik, Bernard Lewis. Sidoqoftë, koncepti i përplasjes së civilizimeve tashmë disa vjet të paktën praktikisht është përcjellë dhe/ose mbështjellë me luftën kundër terrorizmit, e cila ka marrë hov pikërisht pas ngjarjes së pesë vjetëve më parë.
Sulmet terroriste në New York patjetër se merituan të ndëshkoheshin, më saktësisht kjo duhej drejtuar kundër atyre që morën përsipër këto sulme. Organizata më e njohur terroriste në botën e sotme “Al-Qaeda”, si dhe udhëheqësi i saj Osama Bin Laden, sigurisht se bën pjesë në grupin e njerëzve fundamentalistë ekstrem, të cilët përçojnë idetë e luftimit të ‘të pafeve’, sikurse njihen në Islam njerëzit me përkatësi të tjera fetare dhe ateistet.
Megjithatë, është gabim të konsiderohet se veprimet ushtarake dhe diplomatike të Perëndimit tashmë pas 9/11 janë drejtuar kundër shteteve/vendeve dhe/ose besimtarëve të islamit. Veprimet e tilla duhet parë nën dritën e një luftë të qartë kundër një ‘filozofie’ të domosdoshmërisë së akteve terroriste si mjet për ‘nxjerrjen e fytyrës së islamit të vërtetë’, duke goditur, siç shprehen udhëheqësit e këtyre organizatave, ‘të pafetë që duan të pushtojnë tokat e Allah-ut”.
Madje, lidershipi i disa prej vendeve më të fuqishme islamike kryesisht në Lindje të Mesme do të duhej të ishin bashkëpunëtorë të afërt me Perëndimin në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve. Ata do të duhej të zgjidhnin rrugën e mirë për shpëtimin e jetëve të njerëzve që udhëheqin, sikurse edhe t’u kthejnë atyre dinjitetin personal në nivel me atë të qytetarëve aktivë të Perëndimit.
Sidoqoftë, ajo që është fakt historik dhe që vazhdon të ekzistojë edhe sot (disa e thonë se do të ekzistojë edhe për shumë kohë më pas) është ekzistenca e kundërshtive herë-herë të thella midis pjesëtarëve të dy prej feve më të mëdha monoteiste në botë, krishterimit dhe islamit. Sikurse dihet, tek të dy këto besime, e po ashtu edhe në judaizëm, ekziston një debat i gjerë i brendshëm për mënyrën e trajtimit të tyre dhe vendin që ato duhet të zënë në jetën politike, shoqërore, ekonomike dhe ushtarake të shteteve dhe njerëzve në përgjithësi. Siç thotë edhe Karen Armstrong në librin e saj “Beteja për Zotin: Fundamentalizmi në Judaizëm, Krishtërim dhe Islam” (origjinal: The Battle for God: Fundamentalism in Judaism, Christianity and Islam), të tria këto besime po kalojnë në një periudhë të debatit intensiv të brendshëm midis fundamentalistëve dhe të moderuarve.
Kjo sidoqoftë, vlen më së shumti për njerëzit dhe vendet islamike, të cilët për një kohë shumë të gjatë kishin mbizotërimin në botën, sidomos në periudhën që në Evropë njihej si Mesjeta. Apo, siç Bernard Lewis e përshkruan debatin e një kohe më të gjatë pothuaj një shekulli të vendeve islamike, rreth asaj se ku është gabuar në tërë historinë e mbizotërimit të Islamit mbi ‘të pafetë’ dhe ngritjen e këtyre të fundit mbi shtetet/vendet islamike (Shih: librin e tij What Went Wrong?). Kjo ngritje, megjithatë, sipas autorëve të ndryshëm ka filluar prej shekullit të tetëmbëdhjetë dhe është rritur edhe më shumë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, derisa shekulli njëzet e fillimshekulli i njëzetenjë vetëm ka vulosur përparësitë e Krishtërimit (lexo: vendeve të krishtera) ndaj vendeve islamike.
Përplasja midis këtyre dy qytetërimeve ekziston, sepse ka ekzistuar për mbi një mijë vjet. Por, megjithatë, midis tyre ka pasur edhe periudha të larta të harmonisë, sintetizimit kulturor dhe ndërveprimit të ideve. Një shembull që islamologu dhe profesori i të drejtës ndërkombëtare Akbar Ahmed, në librin e tij ‘Pas terrorit: Promovimi i dialogut midis civilizimeve’ (origjinali - After Terror: Promoting Dialogue among Civilizations), jep për këtë tezë, është fakti se një korpus i tërë i mendimtarëve të vjet grekë, sikurse edhe filozofët e mëdhenj Platoni dhe Aristoteli, patën mbetur të panjohur dhe të harruar derisa myslimanët i përkthyen ata në kohën e Spanjës myslimane, që mundësoi evropianët t’i përkthejnë më pas ato nga gjuha arabe në atë latine dhe nga kjo e fundit në gjuhën frënge dhe atë angleze. Për shekuj të tërë, para rreth një mijë vjetësh, procesi i rizbulimit të grekëve në Evropë ka ardhur përmes myslimanëve.
Megjithatë, është fakt se pas 11 shtatorit 2001, e djathta në SHBA dhe mediat kanë popullarizuar tezën e Huntington-it dhe tashmë në tërë botën njerëzit flasin rreth përplasjes së civilizimeve. Sidoqoftë, Kosova dhe liderët e saj janë përcaktuar qartë mbi këtë çështje. Kosova duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie, besimi, race apo të tjera, ndërkaq orientimi i saj i qartë është rruga drejt procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike.
Botuar në "Zëri" më 11 shtator 2006

No comments: