Thursday, December 28, 2006

Mbiemri i pavarësisë

Vështrim

Mbiemri i pavarësisë

Ne duhet dhe duam të ndërtojmë një shtet funksional, një shtet të të gjithë qytetarëve pa kurrfarë dallimi të mundshëm. Në bazë të këtij synimi, sigurisht se na duhet mbështetja, përvoja dhe ndihma konkrete e bashkësisë ndërkombëtare dhe si rrjedhojë duhet të marrim në konsiderim mundësinë e dhënies së një mbiemri statusit politik të vendit tonë

Shkruan: Burim Ramadani


I
Procesi i bisedimeve për statusin e ardhshëm politik të Kosovës, me përmasat e përgatitjeve fillestare të bashkësisë ndërkombëtare, nuk vë në dyshim faktin se brenda një kohe relativisht të shkurtër do të jep rezultat. Qytetarët e Kosovës kanë pritur për mëse gjashtë vjet për momentin e tashëm. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar tashmë faktikisht ka pranuar nevojën e tejkalimit të situatës së deritashme. Kjo situatë e pasluftës, me pak fjalë, do të përshkruhej si një kohë e lodhshme, e vështirë, e paksuksessshme, burokratike dhe e tensionit për të gjitha palët.
Megjithë diskutimet e shumta dhe shpeshherë përmbajtësore, deri më tash vërehen tri pozicione. Vullneti dhe pozicioni i qytetarëve të Kosovës për pavarësi të vendit është i qartë dhe i pamohueshëm. Pozicioni i Serbisë është mbetja e Kosovës nën sovranitetin e Unionit Serbi-Mali i Zi. Ndërkaq, vullneti i bashkësisë ndërkombëtare mbetet në përputhje të plotë me të qenit palë e tretë – kompromisi. Në një llogaritje të thjeshtë e të cektë, barazimi i këtij ekuacioni del pavarësia me një ose disa ‘mbiemra’.

II
Mbiemri i pavarësisë së Kosovës do të mund të përcaktohet në bazë të shumë e shumë premisave, si dhe të vetë procesit të bisedimeve për statusin. Deri tash, pavarësisë sonë të ardhshme i janë dhënë mbiemrat – e kushtëzuar, me kusht, pa sovranitet, nën mbikëqyrje. Mirëpo, asnjëri prej këtyre koncepteve nuk është shtjelluar në mënyrë të saktë dhe të gjerë për përmbajtjen dhe mundësinë e funksionalitetit. Ne duhet dhe duam të ndërtojmë një shtet funksional, një shtet të të gjithë qytetarëve pa kurrfarë dallimi të mundshëm. Në bazë të këtij synimi, sigurisht se na duhet mbështetja, përvoja dhe ndihma konkrete e bashkësisë ndërkombëtare dhe si rrjedhojë duhet të marrim në konsiderim mundësinë e dhënies së një mbiemri statusit politik të vendit tonë.
E para dhe e vetmja prapashtesë që do të mund të korporohej pa ndonjë vështirësi proces-penguese në pavarësinë tonë është “pavarësia e kushtëzuar”. Por, çfarë forme duhet të ketë kjo në praktikë? Assesi nuk duhet lejuar dhe pranuar që pavarësia e kushtëzuar të kuptohet si pavarësi me kusht. Ky do të ishte interpretimi më i ngutshëm dhe më banal i një statusi të tillë të përkohshëm, pas pavarësisë së vendit. Debati duhet koncentruar në mundësitë e implementimit të një pavarësie të kushtëzuar dhe në mundësitë e funksionalitetit të saj.

III
Janë dy aspekt të cilat duhet shtjelluar për këtë koncept – aspekti ndërkombëtar (që duket të ketë rëndësi të madhe për ne) dhe ai i brendshëm.
Në aspektin ndërkombëtar, pavarësia e kushtëzuar e Kosovës nuk duhet të vë në dyshim karrigen e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ajo nuk duhet të vë në dyshim aftësinë e Kosovës për të krijuar marrëdhënie ndërkombëtare me shtetet tjera të rajonit e botës si palë e barabartë. Po ashtu, pavarësia e kushtëzuar nuk duhet të vë në dyshim aftësitë e Kosovës për marrëdhënie ekonomike e tregtare me shtetet tjera. Doemos, këtu duhet të futen edhe marrëdhëniet e aspekteve tjera, si ato të fushës së kulturës, sporteve, arteve deri tek fushat humanitare. Kosova, po ashtu, duhet të ketë aftësi të merr obligimet e veta për të gjitha aktet juridike e politike ndërkombëtare.
Në aspektin e brendshëm, pavarësia e kushtëzuar assesi nuk duhet të vë në dyshim formimin e ushtrisë së vendit, policisë kompetencëplote, shërbimit inteligjent dhe mekanizmave të mbrojtjes së përgjithshme. Ky mbiemër i pavarësisë nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e institucioneve vendore, qofshin ato qendrore apo lokale. Kjo lloj pavarësie nuk do të duhet të ndikojë në krijimin e raporteve të mira të ndërsjella mes të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përkundrazi, kjo do të mund të nxiste edhe më tutje - qoftë sipas vullnetit, qoftë sipas obligimeve – respektimin e të Drejtave të Njeriut dhe integrimin e brendshëm të të gjitha komuniteteve. Po ashtu, institucionet e Kosovës duhet të jenë kompetencëplote në luftën ndaj korrupsionit (brenda dhe jasht tyre) e krimit të organizuar. Kosova me pavarësi të kushtëzuar doemos duhet të ketë kompetenca të plota në sistemin e saj të drejtësisë.

IV
Pavarësia e kushtëzuar do të duhet të ketë një element shumë të rëndësishëm për funksionalitetit e saj – praninë ushtarake dhe civile të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo do të duhej të realizohej në përgjegjësi të organizatave rajonale, siç janë Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe OSBE-ja. Derisa prania ushtarake do të mund shihej në mënyrë direkte si kërkesë e qartë e qytetarëve të Kosovës, prania dhe funksionimi i BE-së dhe OSBE-së është e pamohueshme se do të ketë rol të madh dhe vital në organizimin, funksionalitetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në të gjitha aspektet.
Prania e BE-së nuk do të kushtëzojë institucionet e vendit në shtrirjen e tyre në territorin e Kosovës. Por, kjo do të mund të sqarojë prapashtesën “e kushtëzuar” në mënyrën më të mirë në raport me minoritetet, veçanërisht me serbët e Kosovës. Kompetencat e BE-së, që në fakt është konsekuenca direkte e prapashtesës “e kushtëzuar”, duhet të mbulojnë në mënyrë të plotë marrëdhëniet mes komuniteteve në Kosovë. BE-ja në këtë fushë duhet të ketë rolin kryesor, qoftë financues, garantues apo edhe monitorues.
Thënë shkurtazi, nuk duhet të shmangim konsiderimin e një mbiemri të tillë të pavarësisë sonë. Ekzaktësisht, nëse kjo do të funksionojë, atëherë pse të mos e kuptojmë si ndihmë për ne dhe institucionet tona. Ndërsa, sa i përket minoritetit serb vlen të thuhet se secili komunitet në rajon do të ishte i kënaqur me faktin se BE-ja do të kujdeset për të drejtat e tyre.

Botuar në "Zëri" më 7 nëntor 2005, fq. 10

No comments: