Sunday, February 11, 2007

Protestat si mjet për instalim sistemi

Loja pa fitues

Protestat si mjet për instalim sistemi


Nëse ai grup i qytetarëve shprehnin revoltën e tyre me rrjedhën e procesit mbi statusin final të Kosovës, propozimin e kryendërmjetësit Ahtisari dhe punën e Grupit Negociator, organizatori i saj në mënyrë të hapur ka për qëllim ngritjen personale politike, instalimin e një sistemi të ri e të tejkaluar përmes revolucionit anarkik, hedhjen poshtë të çdo gjëje të bërë nga të tjerët, zhvleftësimin, nënçmimin dhe fyerjen e intelegjencës së qytetarëve vullnetmirë kosovarë, minimin e një procesi të shumëpritur dhe për të cilën është sakrifikuar jo vetëm shtatë vjet pas luftës dhe qëllime të ngjashme të ulëta


Shkruan: Burim Ramadani
I
Pamjet dhe njoftimet e kësaj fundjave nga Prishtina kanë rishqetësuar opinionin publik të tronditur të Kosovës. Rrugët kryesore të Prishtinës u mbuluan të shtunën me zhurmë, gurë, shkopinj e gaz lotsjellës, ndërsa të dielën u njoftua për vdekjen e dy personave të lënduar një ditë më parë. Një protestë e filluar si kundër propozimit të presidentit Ahtisari mbi statusin e Kosovës dhe punës së Grupit Negociator u kthye në një protestë të dhunshme, anarkike, tentim-revolucionare e institucionshkatërruese. Nuk është që protestimi në këtë apo çfarëdo kohe tjetër paraqet diçka të papranueshme, porse koncepti, forma dhe qëllimi janë çështjet që determinojnë rrjedhën dhe arsyen e shprehjes së pakënaqësive të mundshme. Forcat e sigurisë, në anën tjetër, ekzistojnë si formacion legal për të mbajtur rendin dhe qetësinë publike, përfshirë këtu edhe sigurinë e përgjithshme të brendshme e të jashtme në një vend dhe si pjesë të punës së saj ka edhe përdorimin legjitim dhe legal të forcës. Ndërsa, dimensioni i tretë në këtë aspekt gjithsesi mbetet koha, ndjeshmëria dhe përcaktueshmëria e saj.
II
Dhe, cilat në fakt kanë qenë këto elemente të protestës së një grupi qytetarësh të Kosovës të organizuar të shtunën nga Lëvizja e Çe Gevarës së Ri (Che Guevara Junior)? Cili ishte koncepti i kësaj proteste, në çfarë forme dhe në fund të fundit çka kishte për qëllim organizatori i saj? A kishin tjera qëllime protestuesit e tjera qëllime organizatori? Nga ajo që të paktën u pa gjatë kësaj fundjave, domosdoshmërisht duhet bërë një dallim të qartë dhe të zëshëm midis qëllimeve të dy niveleve të kësaj proteste. Nëse ai grup jo i madh i qytetarëve shprehnin revoltën e tyre me rrjedhën e procesit mbi statusin final të Kosovës, propozimin e kryendërmjetësit Ahtisari dhe punën e Grupit Negociator të Kosovës, organizatori i saj në mënyrë të hapur ka për qëllim ngritjen personale politike, instalimin e një sistemi të ri përmes anarkisë, hedhjen poshtë të çdo gjëje të bërë nga të tjerët, zhvleftësimin, nënçmimin dhe fyerjen e intelegjencës së qytetarëve vullnetmirë kosovarë, minimin e një procesi të shumëpritur dhe për të cilën është sakrifikuar jo vetëm shtatë vjet pas luftës dhe qëllime të ngjashme. Mjafton të përmendet Che Guevara dhe kështu përshkruhet më së miri organizatori i kësaj proteste. Megjithatë, nuk duhet hezituar të thuhen publikisht disa nga të metat dhe aspektet negative të këtij personazhi. Komandanti popullor Che ishte revolucionar me bindje komuniste, refuzuese dhe nënçmuese e fyese ndaj atyre që mendojnë dhe veprojnë ndryshe, për të mos thënë edhe veprime krejt armiqësore. Porse, nëse ai kishte forcën fizike e grupore të armatosur, organizatorit të kësaj proteste kjo i mungon. Ky të paktën ka stilin e dukjes së komandant Che-s, ka gjuhën popullore dhe synimin e instalimit të bindjeve të tija përmes revolucionit anarkik.
III
E drejtë është pikëpamja se forcat e sigurisë janë një prej pak elementeve kryesore që tregojnë funksionalitetin e një shteti apo vendi që pretendon të jetë shtet. Askush dhe askund nuk mund të pretendojë se policia duhet t’i lë të paprekur njerëzit të thyejnë e të shkatërrojnë institucionet publike. Kushdo qofshin pretenduesit e shkatërrimit të institucioneve, forcat e sigurisë duhet të veprojnë në masën adekuate për kryerjen e detyrave të tyre. Policia ekziston për të mbajtur rendin, qetësinë, sigurinë publike, jetën dhe pronën e qytetarëve të vendit, objektet dhe pikat vitale të shoqërisë dhe shtetit. Ato kanë për detyrë për të ruajtur institucionet qendrore publike dhe për reaguar ndaj atyre që kishin apo kanë këto qëllime krejtësisht të papranueshme. Sidoqoftë, as policia nuk largohet nga përgjegjësia dhe hetimet ndaj pjesëtarëve të saj janë pjesë e domosdoshme e zhvillimeve të mëtejshme.
IV
Çdo veprim analizohet, zbërthehet dhe vlerësohet mbi bazën e dy parimeve krejt iniciale: kohën dhe hapësirën. Të dy këto bien në kundërshtim me konceptin, formën dhe qëllimet e protestës të së shtunës. Koha e tashme dhe muajt në vazhdim kanë nevojë për qetësi, stabilitet politik e institucional dhe siguri në Kosovë. Nuk do të mund të arrihet asgjë prej gjëje në këtë proces përmes dhunës, protestave të llojit të së shtunës dhe destabilitetit.
Hapësira ku protestohet prapëseprapë është e gabueshme. Procesi për përcaktimin e statusit final të Kosovës është një proces ndërkombëtar dhe është mirë një zhvillim i tillë. Edhe nëse duhet, nuk ka vend të saktësuar ku duhet të reagohet përmes sulmit dhe aq më pak ai vend është Prishtina. Institucionet dhe Grupi Negociator po përfaqësojnë në mënyrë të denjë, demokratike, evropiane dhe moderne vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur. Shtetësia e Kosovës nuk fitohet përmes izolimit në vetvete dhe kundërshtimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare, sikurse që nuk është fituar deri më tash. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të durueshëm dhe të mos bien në provokime të askujt. Gjithçka që do të mund të nxiste reagimet e tyre të ashpra është kundër Kosovës, është kundër përmbylljes së suksesshme të vullnetit të qytetarëve të vendit për pavarësi. Është vetëm një opsion që mund të nxitet përmes dhunës: ndarja e Kosovës. A na duhet kjo?

(Autori është Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së. Opinionet janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve ku punon)
Botuar në "Zëri" më 12 shkurt 2007, fq. 12

No comments: