Sunday, February 18, 2007

Rreziku për ndarje të vetë-vendosur

Loja pa fitues

Rreziku për ndarje të vetë-vendosur
Vënia në tavolinën ndërkombëtare dhe fuqizimi i opsionit për ndarjen e Kosovës ka mundësi të ndodh dhe ekziston vetëm një faktor që është edhe vendimtar për realizimin e këtij opsioni: trazirat në Kosovë. Tashmë nuk ka dilemë se Kosova do të jetë e pavarur, sikurse duhet thënë me zë të lartë se trazirat e mundshme shkaktojnë ndarjen e vendit. Shumica shqiptare duhet të jetë skajshmërisht e përgjegjshme dhe e kujdesshme në mënyrë që të mos krijojë hapësirë dhe ambient për dhunë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Situata e sigurisë në Kosovë pas 10 shkurtit domosdoshmërisht ka pësuar një goditje ndryshuese, porse jo në të mirë. Brishtësia e saj është shumëfishuar, ndërsa nevoja për funksionalitet, parasëgjithash, të institucioneve vendore është ngritur shumë. Shumica shqiptare, në anën tjetër, ka për obligim qytetar dhe patriotik të ruajë deri në nivel maksimal durueshmërinë, besimin dhe qetësinë gjatë pjesës së fundit të procesit të shumëpritur mbi pavarësimin e vendit. Tashmë nuk ka dilemë se Kosova do të jetë e pavarur, sikurse duhet thënë me zë të lartë se trazirat e mundshme shkaktojnë direkt ndarjen e Kosovës. Ky është rreziku kryesor me të cilin përballet Kosova dhe për këtë duhet pasur kujdes të shtuar. Vënia në tavolinën ndërkombëtare dhe fuqizimi i opsionit për ndarjen e Kosovës ka mundësi të ndodh dhe ekziston vetëm një faktor që është edhe vendimtar për realizimin e këtij opsioni: trazirat në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin konstruktiv që kanë për detyrë të luajnë në tërë këtë proces. Në veçanti, këtë rol duhet ta luajnë liderët e zgjedhur politik, të pozitës e opozitës, udhëheqësit e institucioneve të pavarura, shoqëria civile, mediat, si dhe shërbimet e grupet jolegale, e po ashtu misionarët kuazi-religjioz të vullnetit të popullit të përbashkuar rreth Manifestit të "Vetëvendosjes". Këta të fundit nuk duhet të bëjnë interpretime injorante dhe duhet t’i qartësojnë edhe vetvetes se jorrallë herë realizimi i parimit të vetë-vendosjes ka qenë më i ngushtë se pavarësia.
II
Protesta e dhunshme në Prishtinë dhe mundësitë për përsëritjen e saj ngrenë rrezikun për ndarjen e Kosovës. Apo thënë thjesht, nuk ka dëshmi më të fortë se shumica shqiptare nuk i lë vend pakicës serbe në shtetin e Kosovës nëse gjatë këtyre muajve kemi trazira të dhunshme, prandaj e vetmja zgjidhje do të bëhej ndarja territoriale e vendit. Edhe kështu si jemi, Serbia ka insistuar dhe vazhdon ta bëjë këtë për opsionin e ndarjes. Ish-kryeministri i vrarë serb, Zoran Xhinxhiq, kishte nisur një aktivitet të fuqishëm para disa vitesh për këtë opsion. Presidenti i tashëm serb, Boris Tadiq po e vazhdon këtë, sidomos kohës së fundit. Aleati i vetëm për ta në Kosovë, pos serbëve lokalë, është dhuna dhe janë organizatorët e dhunës. Me çfarë racionaliteti dhe argumenti politik mund të sigurohen serbët e Kosovës se ata do të mund të jetojnë në mënyrë të barabartë me ne shqiptarët, nëse një grup kaq i vogël anarkistësh arrin të shtrijë ndikimin e vet dhe të shkaktojë trazira? Nëse 17 dhe 18 marsi i vitit 2004 ka dhënë si pasojë rreth 20 faqe me garanci për serbët e Kosovës në pakon e Ahtisarit, dhuna e mundshme e tashme ka vetëm një pasojë: ndarjen apo realizimin e projektit famoz të Xhinxhiqit. Ky nuk është vullneti i popullit shumicë në Kosovë. Vullneti i tij përfaqësohet në procesin ndërkombëtar që udhëhiqet prej presidentit Ahtisari dhe mbështetet fuqishëm nga SHBA-të dhe Britania e Madhe. Ky proces bashkëdyzon në mënyrë adekuate realizimin e aspiratës sonë me vlerat njerëzore e demokratike Perëndimore, pjesë e të cilave ne synojmë të jemi.
III
Misionarët kuazi-religjoz të Lëvizjes "Vetëvendosje" kanë bërë dhe po bëjnë interpretime injorante të tërë kësaj që po ndodh në dhe rreth Kosovës. Me një stil të përzier mes Ajetollahëve iranianë, kryeproletarëve komunistë dhe revolucionarëve latinoamerikanë, udhëndriçuar nga idhulli i tyre – anarkisti Chomsky, Kurti dhe bashkëmisionarët e tij të ngushtë nuk e kuptojnë se nuk fillon e mbaron çdo gjë me vetë-vendosjen. Jo rrallë herë kanë ndodhur raste që kanë dëshmuar se parimi i vetë-vendosjes në realizim është më i ngushtë/vogël se pavarësia e një vendi. Në botën akademike ka vite që debatohet mbi këtë. Sa për të sqaruar këtë qasje, mjafton të përmenden katër pyetjet themelore që ngrenë dilema jo të parëndësishme dhe të paqëndrueshme rreth parimit të vetë-vendosjes: 1) Kush është populli? 2) Cila është hapësira/territori ku mund të ushtrohet ky parim? 3) Kush e përbën shumicën apo cili është raporti mes shumicës dhe pakicës? dhe 4) A duhet apo çka i ndalon të ushtrojnë vetë-vendosjen edhe pakicat në atë territor? Prandaj, jo çdo gjë gjen përgjigjen në parimin e vetë-vendosjes. Përndryshe, historia e njerëzimin nuk do të ishte përshkruar me luftëra të gjata dhe të pandalshme. Kurti dhe të tjerët do të duhej të jenë koshientë rreth kësaj çështjeje, sikurse edhe të mos interpretojnë rrejshëm. Si është e mundur që Kurti me bashkëmisionarë të synojnë ndryshimin e tërë rendit botëror vetëm që të arrijnë realizimin e vullnetit të tyre. Vetëm një forcë mbi fuqinë amerikane do të mund të ndërronte këtë proces dhe këtë rend botëror.
IV
Shumica shqiptare duhet të jetë skajshmërisht e përgjegjshme dhe e kujdesshme në mënyrë që të mos krijojë hapësirë dhe ambient për dhunë. Të gjithë duhet menduar në mënyrë strategjike dhe në këtë frymë kanë diskutuar edhe filozofë të shumtë me mijëra vjet. Edhe Sun-Tzu ka thënë se mënyra më e mirë për t’iu shmangur rezultatit të dhunshëm është të menduarit në mënyrë strategjike. Ndjekja strategjike e vetë-interesit nuk është një pseudo-shkencë e ftohtë dhe amorale, por morali i veprimit të atyre që i dinë tmerret e betejave dhe kërkojnë t’i shmangen atyre. Prandaj, aspekti i sigurisë mbetet gjithnjë çështje e rëndësishme, kjo edhe për vetë faktin se qenia njerëzore për nga vetë natyra e saj përshkruhet nga të paktën tri elemente, ndërsa e para prej tyre është frika. "Çfarëdo që ne mund të mendojmë ose pretendojmë, sjellja njerëzore është e prirë nga frika-phobos, vetëinteresi-kredos dhe nderi-doxa", ka thënë Tukiditi. Të drejtat e qytetarëve të Kosovës nuk mbrohen me anarki. Nuk janë vetëm shtetet tiranike ato që shkelin të drejtat e njeriut dhe në këtë mënyrë shkaktojnë shqetësime të sigurisë. Autorë botëror thonë se kjo tashmë shkaktohet më së shumti nga kaosi dhe parregullsia. "Kërcënimi më i madh i të drejtave të njeriut të thjesht në shekullin e njëzetenjë shpesh vjen më shumë nga kaosi dhe pa-rregulli, sesa nga tirania shtetërore…Liria bëhet çështje vetëm pasi të krijohet rendi", thotë Michael Ignatieff. Prandaj, duhet të krijojmë dhe respektojmë me fanatizëm rendin, për të krijuar hapësirë për liri.
(Autori është Këshilltar Politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së. Opinionet janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve ku punon)
Botuar në "Zëri", më 19 shkurt 2007, fq. 11

No comments: