Monday, February 26, 2007

Simfonia kosovare

Loja pa fitues

Simfonia kosovare

Identiteti kosovar është identitet politik, jo nacional. Qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve kanë nga një shtet amë afër ose relativisht larg. Porse, me shumë elemente Kosova ka identitetin e saj politiko-shtetëror. Kosova ka partitë e saja politike të veçanta nga të tjerët, ka jetën politike të organizuar ndryshe, ka sistem të dallueshëm politik, ka jetën publike të sajën dhe pas disa muajsh do të ketë edhe simbolet e saj shtetërore. Identitetit kosovar i është prirë edhe me Simfoninë e Dytë Kosovare të Rexho Mulliqit


Shkruan: Burim Ramadani



I
Linjat definuese të procesit mbi statusin e vendit duket se po dëshmojnë që Kosova është shteti më i ri që po formësohet edhe formalisht në kontinentin evropian. Rruga nëpër të cilën ka kaluar vendi ynë natyrisht se është e gjatë dhe e mbushur me dhunë, gjakderdhje, mosbesim, intolerancë dhe shpeshherë e gjendur nën hegjemoni shtetërore serbe. Një proces relativisht i gjatë ndërkombëtar për përcaktimin e statusit të Kosovës, i filluar në fund të vitit 2005, tashmë ka hyrë në fazën e fundit dhe me përfundimi i kësaj faze do të rezultojë me një shtet të ri, Kosovën. Por, cili është ky shtet? Çka dallon nga të tjerët? Çka e karakterizon atë? Cilat janë orientimet dhe vizionet e këtij shteti? Tek e fundit, kush është populli i tij, kush janë kosovarët? Këto doemos janë pyetjet më të shpeshta që në jetën e përditshme shtrohen për secilin prej nesh dhe prej të tjerëve. Përgjigjet në këto dhe pyetje të tjera nuk janë të lehta, nuk mund të jepen shpejt, kërkojnë kohë, mund, dhe mbi të gjitha kërkojnë vullnet të përbashkët. Konkretisht, këto përgjigje duhet të rrumbullaksojnë identitetin e Kosovës. Debati i kohës së fundit, në fakt i iniciuar qysh pas luftës, për fat të keq nuk ka marrë ndonjë orientim të qartë dhe të duhur mbi atë se kush është apo do të jetë Kosova dhe kosovarët. Kemi parë këtyre viteve debate krejt sipërfaqësore, reagime emocionale ndaj ideve të të tjerëve, porse jo konkurrencë argumentesh mbi ide të caktuara.

II
Identiteti kosovar është identitet politik, jo nacional. Me gjithë elementet e izoluara që shprehin dallueshmëri të caktuar, qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve kanë nga një shtet amë afër ose relativisht larg. Asnjëri prej këtyre komuniteteve nuk është pa atdhe të dytë. Pos Kosovës, ndjenja për atë që quhet prejardhje e këtyre komuniteteve lidhet me shtetet tjera në rajon ose pak më larg. Shqiptarët e Kosovës ndjejnë Shqipërinë si atdhe të tyre të përbashkët me Kosovën, sikurse serbët e Kosovës ndjenjë Serbinë si atdhe të tyre të përbashkët me Kosovën. Renan thotë se “identiteti kombëtar është një plebishit i përditshëm” dhe kjo do të thotë se gjithnjë ekziston mundësi për ‘krijim’ identitetesh, porse për këtë njerëzit duhet të ndjehen ashtu. Derisa njerëzit në dy vende të ndryshme ndjehen njëjtë, ata nuk mund të kenë identitet të veçantë kombëtar. Derisa një shqiptar i Prizrenit dhe një shqiptar i Vlorës ndjejnë vlerat e njëjta kombëtare dhe përkatësi të përbashkët kombëtare, kjo do të thotë se nuk ‘ka kushte’ për identitet kombëtar kosovar. Në këtë relacion, identifikimi i një identiteti të dallueshëm kombëtar në Kosovë, sikurse interpretohet nga disa, është thjeshtë një aventurë e pa-rezultat. Përndryshe, nuk ka mundësi, tash për tash, të jepen përgjigje ose të identifikohen elementet e identitetit kombëtar. Si do të dallonim ne kosovarët në elementet më të rëndësishme të një identiteti kombëtar, si gjuhën, kulturën, traditën, prejardhjen biologjike. Të gjitha janë të ngjashme me ‘atdhetë’ e kosovarëve.

III
Kosova ka identitetin e saj, por ky identitet është politik. Bazuar në shumë elemente specifike, Kosova ka identitetin e saj politiko-shtetëror. Kosova ka partitë e saja politike të veçanta nga të tjerët, ka jetën politike të organizuar ndryshe, ka sistem të dallueshëm politik, ka jetën publike të sajën. Ndërkaq, pas disa muajsh, do të ketë edhe simbolet e saj shtetërore, përfshirë edhe flamurin dhe himnin. Do të ketë ambasadat e saj, ambasadorët dhe atashetë. Ky është identitet kosovar dhe bazohet në jetën politike. Orientimi politik i Kosovës është një bazë tjetër e këtij identiteti. Ky orientim ka elemente unike brenda orientimit të përbashkët të rajonit drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
Kosova ka jetën e saj mediale, megjithëse mbetet për të rregulluar funksionimi i duhur i përbashkët për të gjitha komunitetet. Po ashtu, këtu ekziston një jetë e veçantë sportive. Angazhimi i javëve të fundit të ekipit basketbollistik të komunitetit serb “Bambi” në garat kampionale të Kosovës fuqizon në masë të madhe këtë identitet.
Dhe, reagimi i qytetarëve të Kosovës përballë të gjitha këtyre elementeve që krijojnë identitetin politik-shtetëror të Kosovës nuk është aspak refuzues. Përkundrazi, kosovarët shprehen të kënaqur me dallueshmërinë e politikës dhe jetës publike të Kosovës. Investimi në këtë lloj identiteti kosovar nuk është i vogël dhe disa thonë se ka filluar qysh para më shumë se njëzet vjetësh. Porse, ekzistimi i këtij identiteti mund të formësohet si i realizuar vetëm me krijimin e shtetit të Kosovës.

IV
Nuk aspak e lehtë të përcaktohen saktë veçoritë e një vendi të vogël që po kalon hapat e fundit për t’u bërë shtet i barabartë me të shtetet tjera. Aq më pak, kur popullsia e këtij shteti nuk është homogjene dhe kur qytetarët e saj i përkasin kombeve që nuk përfshijnë brenda kufijve të vetë shtetëror edhe hapësirën ku ata jetojnë. Identiteti kosovar më nuk çështje e parakohshme për debat. Këtë identitet po e krijojmë ne qytetarët e Kosovës në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Në fakt, ky është një proces ndërkombëtar. Porse, në këtë proces të krijimit të identitetit kosovar duhet të marrim parasysh edhe disa elemente që janë unike për rajonin dhe sidomos për hapësirat ku jetojnë shqiptarët. Dhe këto elemente nuk janë të shumta, por megjithatë janë vërtetë të fuqishme dhe mund të shërbejnë si bazike. Identitetit kosovar mund t’i shtohen në këtë kontekst edhe një element i identitetit të veçantë kulturor, Simfonia e dytë “Kosovare” e kompozitorit Rexho Mulliqit e shkruar në vitet e 1970-ta si vepër orkestrale. Pjesë të kësaj Simfonie janë përdorë me vite të tëra dhe vazhdojnë të përdoren edhe më tutje nga muzikantët e Kosovës. Megjithëse kjo në shikim të parë duket më e thjeshtë, në realitet kjo do të thotë më shumë se sa një simbolikë. Kjo do të thotë element i dallueshmërisë kulturore. Kritikët patën thënë se Simfonia e dytë “Kosovare” është para së gjithash frymëzim i kompozitorit nga mjedisi, njerëzit dhe historia e Kosovës. Janë pikërisht këto elemente që përbëjnë një identitet.
(Botuar në "Zëri" më 26 shkurt 2007, fq. 10)

No comments: