Sunday, March 18, 2007

Kush po e shkruan Kushtetutën?

Loja pa fitues

Kush po e shkruan Kushtetutën?

Kosovarët nuk kanë ndikim politik dhe profesional në hartimin e bazës së Kushtetutës të shtetit të Kosovës. Parimet bazë, ndërlidhjet me dokumentet tjera ndërkombëtare dhe efekti i kësaj Kushtetute përcaktohen qartë nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht nga vendosja për statusin. Parimet e pastra konsociacionale dëshmojnë këtë, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar margjinalizon efektin e Kushtetutës

Shkruan: Burim Ramadani

I.
Shteti i Kosovës do të ketë një akt më të lartë politiko-juridik në bazë të të cilit do të ndërtohet tërë mekanizmi dhe ekzistenca legale, si dhe do të ndajë fuqinë e pushteteve. Sikurse edhe ka filluar të punohet, Kosova do të ketë një Kushtetutë të sajën e cila do të përmbledh dhe saktësojë rregullat e lojës politike midis aktorëve politikë, respektivisht institucioneve të udhëhequra politikisht nga parti apo koalicione të ndryshme. Kushtetetuta e vendit do të duhej të miratohej pothuajse menjëherë pas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pak kohë pas Deklaratës së Pavarësisë së vendit. Porse, për Kosovën këtë radhë, në kundërshtim me përvojën e vendeve tjera, Kushtetuta do të jetë akti më i lartë juridik vetëm për një pjesë të jetës politike dhe juridike, për shkak të autorizimeve që do të ketë bashkësia ndërkombëtare për mbikëqyrje dhe korrektim. Pjesa tjetër do të jetë një dokument ‘i huaj’, i vendosur nga mekanzimat ndërkombëtarë dhe ‘i imponuar’ autoriteteve kosovare. Vendosja për statusin final të Kosovës do të determinojë qartësisht edhe një pjesë mjaft të madhe të dispozitave të Kushtetutës së vendit. Me theks të veçantë janë ato që kanë të bëjnë me strukturën e institucioneve qendrore dhe lokale, Të Drejtat të Njeriut, gjuhëve etj. Tek e fundit, dispozitat e vendimit ndërkombëtar mbi statusin do të përcaktojnë edhe vetë identitetin e Kosovës si shtet multi-etnik.

II.
Kosova nuk po e harton vetë Kushtetutën e saj me të cilën do të udhëhiqet drejt një procesi mjaft të rëndësishëm, atë të integrimeve evropiane dhe evro-atlantike. Propozimi i presidentit Marti Ahtisari përcakton madje edhe detaje që duket edhe të panevojshme. Përcaktimi që dokumenti i Ahtisarit bën për pozitën dhe rolin e Kryetarit të Kosovës dëshmon në mënyrë të fuqishme këtë. Kjo dispozitë në njëfarë mënyrë edhe banalizon efektin e punës së kosovarëve në hartimin e Kushtetutës së vendit, ndonëse për këtë çështje tashmë po harxhohen energji, mund dhe para. Kosova, sipas vendosjes ndërkombëtare të statusit të saj, do të jetë një shtet multi-etnik, me gjuhë zyrtare atë shqipe dhe atë serbe, me përfaqësim të rezervuar pakëz mbi-proporcional të grupeve etnike pakicë, me sistem parlamentar, me ndarje të pushteteve, me mekanizmin e njohur si shumica e Badinterit, me sistem elektoral proporcional, me një zonë elektorale. Këto janë vetëm disa nga detajet e organizimit politiko-juridik që kosovarët do të duhet t’i shkruajnë në Kushtetutën e vendit duke lexuar dhe më pas kopjuar nga dokumenti i Ahtisarit. Sepse, këto janë përcaktuar në propozimin e tij, i cili është pranuar nga Grupi i Unitetit dhe elita politike e vendit. Grupi kosovar për Kushtetutën ka për obligim t’i kopjojë ato dhe t’i rendis në mënyrë të duhur në draftin që do të përmbyllin brenda pak javësh.

III.
Parimet konsociacionale, edhe sipas propozimit të Ahtisarit, duhet të jenë të qartësuara dhe saktësuara në nivelin sa më të gjerë në Kushtetutën e vendit tonë. Një element që do të ishte shumë i vlefshëm, është mundësia për të përcaktuar se sa gjatë ose sa kohë do të duhej të aplikoheshin këto parime. Porse, kjo nuk është e lehtë për t’u arritur dhe për këtë do të duhej një energji dhe argumentim i fuqishëm nga ana e lidershipit kosovar. Përfaqësimi i rezervuar i grupeve etnike pakicë në institucionet qendrore dhe lokale nuk janë parë për herë të parë në Kosovë. Edhe teoricientë të njohur ndërkombëtarë kanë mbrojtur këtë nevojë. “Një mënyrë e mirë për përfaqësimin e minoritetit serb do të ishte përcaktimi në Kushtetutë se 10 për qind ose edhe 15 për qind e ulëseve në qeveri duhet të jenë për serbët. Po ashtu, do të rekomandoja përfaqësimin proporcional, të cilin Kosova veçmë e ka. Federalizmi ose decentralizimi i fortë do të bënte një sens të mirë. Kushtetuta duhet që në mënyrë të pastër të përcaktojë autonomi të caktuar (për shembull sa i përket arsimit) dhe të drejtat e minoriteteve”, pati thënë javë më parë themeluesi i teorisë së konsociacionalizmit, politologu holandez Arend Lijphart. Një tjetër studiues, John McGarry ka thënë se “nëse mbrojtjet pushtet-ndarëse nuk janë të përcaktuara në Kushtetuë, minoritetet do të jenë të brengosura se ato (mbrojtjet) do të mund t’i largohen shumë lehtë”.

IV.
Kushtetuta e re e Kosovës së pavarur është e pesta për vendin. Rregullimi i këtillë kushtetues në Kosovë fillon me Ligjin Kushtetues të Krahinës së Kosovës në vitin 1969, ndërsa mbi bazën e këtij ligji pas gjysmë dekade bëhet edhe Kushtetuta e vitit 1974. Rrjedha e zhvillimeve në këtë aspekt vazhdon me Kushtetutën e Kaçanikut në vitin 1990, ndërsa më së voni me Kornizën Kushtetutese për Vetë-Qeverisjen e Përkohshme në Kosovë, më 2001. Kushtetuta e pestë do të jetë e para pas krijimit të realitetit të ri në vend. Porse, ‘korrigjimi’ i saj nuk do të jetë i lehtë dhe i shpejtë. Përcaktimet vijnë nga dokumenti i Ahtisarit dhe si të tilla nuk mund të ndryshohen. Roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (PCN) do të mund të jetë ndryshimi i parë që do të ndodh në tekstin e Kushtetutës së Kosovës. Nëse energjitë e lidershipit do të jenë në drejtim të duhur, atëherë ky ndryshim do të ndodh në mënyrë optimale pas katër vjetësh. Atëherë do të duhej që PCN-ja të mbarojë misionin e vetë. Ndërkaq, rregullimet tjera kushtetuese do të vazhdonin edhe më tutje. Lijphart thotë se përfaqësimi proporcional do të ishte i mirë madje edhe kur grupet në Kosovë bëhen më të afërta, më miqësore njëri me tjetrin. “Ndoshta në periudhë afat-gjatë, përfaqësimi i tillë i minoritetit nuk do të jetë i domosdoshëm, por mendoj se do të ishte gabim që tash të vendoset se kjo do të tejkalohet të themi pas 10 ose 20 vjetësh”.

Botuar në të përditshmen “Zëri”, më 19 mars 2007, fq. 14

No comments: