Monday, March 12, 2007

Mirupafshim në OKB!

Loja pa fitues

Mirupafshim në OKB!

Kosova dhe Serbia nuk do të ketë më rastin dhe ‘kënaqësinë’ që të takohen pranë një tavoline të përbashkët deri në vjeshtë të këtij viti. Megjithëse nuk është kohë e gjatë, shumë gjëra pritet të ndodhin në rajonin e Ballkanit. Dy vendet do të takohen në Nju Jork në vjeshtë të këtij viti, kur përfaqësuesit e 192 shteteve do të vendosin mbi kërkesën e Prishtinës për t’iu bashkuar atyre në OKB. Serbia do të jetë aty dhe pavarësisht thirrjeve të fundit të ultra-nacionalistëve, Beogradi nuk do të tërhiqet nga OKB-ja. Serbia nuk do të mund të pengojë asgjë, por as nuk do t’i duartrokas pranimit të Kosovës aty

Shkruan: Burim Ramadani

I.
Bisedimet direkte njëvjeçare midis Prishtinës dhe Beogradit kanë përfunduar këtë fundjavë në Vjenë. Me këtë në fakt ka përfunduar njëra prej dy fazave kryesore të procesit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të vendit. Presidenti Ahtisari është në stadin e fundit të misionit të tij. Ai ka marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mandatin për të ndërmjetësuar bisedimet dhe për të dhënë një propozim mbi statusin politik të Kosovës, ndërsa tashmë është në ditët e fundit të përgatitjes finale të propozimit të tij gjithëpërfshirës. Nëse çdo gjë do të shkojë të paktën si është proklamuar dhe parashikuar deri më tash, presidenti Ahtisari do të dërgojë në Nju Jork dokumentin e tij deri në fund të këtij muaji dhe deri në fund të muajit të ardhshëm do të mund të diskutohet ai dokument në Këshillin e Sigurit të OKB-së. Kur diskutimet jashtë dhe brenda këtij mekanizmi do të përmbyllen, pesëshja e përhershme e tij do të jetë e harmonizuar sa i përket zhvillimit tjetër në këtë kontekst, përkatësisht do të ketë një harmonizim për të mos shkatërruar nxjerrjen e një Rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. Kjo Rezolutë nuk do ta shpallë Kosovë shtet të pavarur, porse do të hap rrugën që këtë ta bëjnë institucionet e vendit, përkatësisht partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

II.
Kosova dhe Serbia nuk do të ketë më rastin dhe ‘kënaqësinë’ që të takohen pranë një tavoline të përbashkët deri në vjeshtë të këtij viti. Megjithëse nuk është kohë e gjatë, shumë gjëra pritet të ndodhin në rajonin e Ballkanit, përkatësisht në politikën rreth Kosovës dhe Serbisë. Ballkani do të ketë ndryshim të konfiguracionit dhe do të pavarësohen dy shtete. Kosova do të jetë shtet i ri i pavarur, ndërsa Serbia më në fund do të ‘pavarësohet’ nga tokat që mëton dhe punon për t’i pushtuar dhe mbajtur nën kontroll. Në fakt Serbisë do t’i bëhet e qartë (megjithëse në formën me të butë të mundshme në politikën ndërkombëtare) se qëllimi i saj për kontroll mbi një territor me popullatë të ndryshme nga e saja nuk është demokratik dhe se është i papranueshëm. Me pavarësimin e Kosovës, përgjigjja që duhet të merr elita politike e Serbisë është se të gjitha shtetet duhet të kujdesen për qytetarët e tyre, t’i shërbejnë atyre, të përdorin autorizimet që marrin prej tyre, t’i respektojnë dhe të mos manipulojnë me ndjenjat e tyre, parasëgjithash me ndjenjat nacionaliste. Shteti dhe elita politike çdo kund kanë përparësinë në orientimin e ndjenjave të qytetarëve, ndërsa Serbia e ka shfrytëzuar këtë në mënyrë më të ashpër. Serbët janë helmuar me qëllimet e elitës politike të tyre hegjemoniste dhe koha pas këtij viti duhet t’u shërbejë atyre për të ndryshuar.

III.
Prishtina dhe Beogradi do të takohen në Nju Jork në vjeshtë të këtij viti. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbajë sesionin e saj vjeshtor, ndërsa të dyja vendet do të jenë të përfaqësuara në atë sesion, megjithëse fillimisht në status të ndryshëm. Kosova do të përfaqësohet në Nju Jork nga një nivel shumë i lartë politik (ndoshta nga vetë Grupi i Unitetit) për të qenë të pranishëm në momentin kur përfaqësues të 192 shteteve do të diskutojnë nëse do të pranojnë Kosovën si shtet anëtar të OKB-së. Edhe Serbia do të jetë aty, pasi që ajo është anëtare e OKB-së dhe pavarësisht thirrjeve të fundit të ultra-nacionalistëve, Beogradi nuk do të tërhiqet nga organizata më e madhe ndërkombëtare, përkatësisht botërore. Serbia do të jetë aty kur Kosova do të pranohet me shumicë të kualifikuar të votave të Asamblesë së Përgjithshme, porse nuk do t’i duatrokas kësaj ngjarjeje. Ajo nuk do të mund të pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB-së, sikurse nuk mund ta pengojë as procesin e pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës. Beogradi do të jetë i pafuqishëm ndaj pavarësimit dhe pranimit të Kosovës në OKB, si dhe ndaj zhvillimit të Kosovës në proceset integruese evropiane. Të paktën, kështu u pa në publik takimi i 10 marsit midis nivelit më të lartë përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit.

IV.
Deri në vjeshtë të këtij viti nuk do të ketë ndonjë forum të madh ndërkombëtar kur mund të përfaqësohet të dyja vendet, prandaj Nju Jorku do të jetë pikë-takimi i radhës. Porse, për të shkuar në Nju Jork, qytetarët e Kosovës duhet t’i japin edhe njëherë mbështetje të fuqishme elitës politike që kanë zgjedhur, duke mos u dhënë shansin institucion-shkatërruesve dhe trazirë-nxitësve. Vendi po ecën në pjesën e fundit të rrugës së tejzgjatur për pavarësi dhe barazi me shtetet tjera në rajon e më gjerë, prandaj kujdesi duhet të jetë i shtuar për shkak se mu në këtë moment edhe mund të dëmtohet e gjithë kjo rrugë. Qytetarët e Kosovës, parasëgjithash shumica shqiptare e saj, nuk duhet të bien në provokime të ulëta dhe dashakeqëse të grupeve të caktuara. Këto grupe duan të ngrejnë huti në mesin e popullatës dhe përmes përdorimit të ndjenjës nacionaliste shqiptare këtu të realizojnë skenare tjera, që në fakt nuk kanë të bëjnë me nacionalizmin shqiptar. Nxitja e dhunës, çfarëdo niveli qoftë ajo, nuk bën të tolerohet dhe nuk do t’i sjell asnjë të mirë vendit dhe të ardhmes së popullatës së këtushme. Qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për t’u përballur me zhvillimet pas mbylljes të këtij procesi të gjatë dhe realizimit të vullnetit politik. Stadet tjera politike në të cilat po futet Kosova aq sa janë të rëndësishme, janë edhe sfiduese.
Botuar në të përditshmen "Zëri" më 12 mars 2007, fq. 13

No comments: