Sunday, April 22, 2007

Partitë kosovare dhe ideologjitë e pazbërthyera

Loja pa fitues

Partitë kosovare dhe ideologjitë e pazbërthyera

Mosprofilizimi i partive politike në Kosovë është dhe mbetet e meta kryesore që kanë paraqitur vlerat intelektuale dhe akademike të elitës udhëheqëse të këtyre partive. Ato nuk kanë arritur që të përcaktohen për ideologjinë që duan të përfaqësojnë para elektoratit vendas dhe në raportet rajonale e ndërkombëtare

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vota, programi, partia, ideologjia dhe kandidati në shoqëritë e zhvilluara demokratike janë të lidhura ngushtë mes vete. Oferta me të cilën qytetarëve të vendit të caktuar u paraqaqitet një parti ose një kandidat ka substancë pothuaj permanente, porse të freskuar me elemente të ndryshme. Të gjitha këto elemente janë të rëndësishme për një qëllim: konvertimin e interesave të qytetarëve me votën e tyre dhe anasjelltas. Porse, opinioni publik e di a priori se cilat do të jenë bazat e programeve që do të paraqesin kandidatët nga partitë e caktuara. Fatkeqësisht, opinioni publik dhe votuesit kosovarë janë të privuar nga kjo ndjenjë dhe duket se kështu do të jetë edhe një kohë relativisht të gjatë. Faji për këtë është tek mosprofilizimi i partive politike në Kosovë, të cilat konceptualisht nuk dallojnë në mënyrë të theksuar. Mosprofilizimi i tyre është dhe mbetet e meta kryesore që kanë paraqitur vlerat intelektuale dhe akademike të elitës udhëheqëse të këtyre partive, duke mos arritur që të përcaktohen për ideologjinë që duan të përfaqësojnë para elektoratit vendas dhe në raportet rajonale e ndërkombëtare.

II
Vendi të cilin partitë politike duan ta zënë në kompasin e spektrit politik duhet të jetë i përcaktuar mbi bazën e një ideologjie konceptuale, parimore dhe substanciale. Besimet e elitave udhëheqëse të partive politike duhet të jenë themelet e përcaktimit të këtij vendi. Në Kosovë kjo nuk ka ndodhur asnjëherë qartë e mirë, prandaj kjo duhet të jetë një prej qëllimeve dhe punëve kryesore të vlerave të vjetra e të reja brenda partive vendore. Nuk është e debatueshme orientimi kah demokracia i partive tona politike, por bëhet fjalë për mosqartësimin e pozicioneve bazë të tyre. Tri partitë e mëdha politike, për shembull, kanë vetëm nga një element dallues me të cilin janë paraqitur viteve të fundit. Sidoqoftë, ato janë të përziera në kuptimin e programit që prezantojnë dhe elementeve ideologjike që përfaqësojnë. Qasja e tyre mbi çështjet e përgjithshme ekonomike, sociale, integruese, arsimore, shëndetësore, kulturore etj., nuk janë unike dhe nuk paraqesin debat konkret. Ta marrim për shembull një element interesant që krahason në një aspekt ndoshta edhe banal debatin e këtushëm. Kandidati i djathë francez për president në Francë, Nicolas Sarkozy, ka premtuar heqjen e taksës për punën jashtë orarit, pasi që të jenë përbushur 35 orë punë në javë.

III
Vetëm nga një element i theksuar i dallon tri partitë e mëdha politike në vend. Ato gjatë fushatave të fundit elektorale kanë vënë në dukje tri elemente unike, të cilat patjetër duhet të shtjellohen, zbërthehen dhe evaluojnë në koncepte. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka elementin e ‘lirisë’, që në demokracitë evropiane lidhet me lirinë individuale dhe tregun e lirë. Dinjiteti i individëve, liria dhe përgjegjësia, solidariteti, subsidiariteti, drejtësia, sundimi i ligjit dhe demokracia janë vlerat kryesore që mbrohen dhe promovohen nga partitë popullore. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ‘drejtësinë sociale’, që në fakt i referohet konceptit të një shoqërie të drejtë, ku ‘drejtësia’ është më shumë se administrimi i drejtë i ligjeve. Ajo është e bazuar në idenë e një shoqërie që i jep trajtim fer individëve dhe grupeve, si dhe që shpërndan përfitimet mes tyre. Këto janë vlerat social-demokratike ose në vende të ndryshme edhe socialiste. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me elementin e saj të ‘qendrës’, nuk ka përcaktuar ende fuqishëm se cilat do të jenë benefitet e saj nga të dy krahët (majtë dhe djathtë) në kontekstin kosovar.

IV
Vlerësimet që dalin nga analizat e partive të ndryshme evropiane pohojnë se ka definime të ndryshme të demokracisë. Nga perspektiva e tregut të lirë, demokracia duhet t’i jep secilit lirinë e përfitimit nga mundësitë e dhëna. Nga perspektiva socialiste, demokracia mund të funksionojë vetëm nëse shteti rregullon shpërndarjen e pasurisë që realizohet nga forcat e tregut. Sipas mendimit konservator dhe liberal në kuptimin evropian, sa më pak intervenim të shtetit aq më mirë, por kjo nuk nënkupton se liberalët nuk marrin parasysh disa role të dobishme për shtetin. Kjo strukturë beson se shteti ka përgjegjësi të caktuara për ndihmesën ndaj të papunësuarve, të hendikepuarve dhe të moshuarve. Sipas mendimit socialist, ndërkaq, shteti duhet të ndërhyjë në ekonomi në mënyrë që të arrihet më shumë barazi në shoqëri. Ata thonë se nëse forcat e tregut kanë lojë të lirë për të luajtur, atëherë hendeku midis të pasurve dhe të varfërve do të jetë më e gjerë. Është vetëm shteti ai që ka autoritetin e domosdoshëm për të rishpërndarë të ardhurat nga të pasurit tek të varfrit. Në këtë kontekst, partitë tona kanë për detyrë të qartësojnë pozicionin e tyre dhe vlerat që duan të mbrojnë.

Botuar në “Zëri” më 23 prill 2007, fq. 09

No comments: